«ZBULIMI» I DORËSHKRIMIT TË TEODOR SHKODRANIT
-- nga Albert RAMAJ
Nga Arkivi Sekret i Vatikanit: Na vjen keq që duhet t’ju njoftojmë se libri, për të cilin ju keni shprehur interes, nuk mbahet në Arkivat Sekrete të Vatikanit. Ju sugjeroj me kënaqësi që ta kontaktoni drejtpërdrejt dr. Musa Ahmetin, i cili pretendon se e ka gjetur dokumentin e lartpërmendur, por pa u referuar fare në arkiv.
Gati në të gjitha mediet shqiptare, Musa Ahmeti paralajmëroi në mënyrë trumbetuese
të ketë gjetur në Arkivat e Vatikanit një dorëshkrim të Teodor Shkodranit të
shekullit XIII-të. Mediet shqiptare, veçanërisht në Prishtinë e në Shkup, ranë pre
(pa verifikuar natyrisht) e zbulimit. Te “Shekulli” (11 qershor 2006) shfaqa disa
mendime dhe të dhëna që kisha në lidhje me këtë tekst. Pas këtij prononcimi publik,
kishte reagime që merrnin në mbrojtje Musa Ahmetin. E sajova një artikull shpjegues
rreth mosqenies së skriptit në fjalë dhe ua dërgova për botim medieve të shtypit,
sidomos atyre të manipuluarave nga personi në fjalë. Ata reaguan keq. Në vend që ta
pranonin lëshimin e bërë, ata ende me kokëfortësi mbronin mashtrimin që ua kishte bërë Musa Ahmeti.
Ndodhte kjo për ta fshehur naivitetin dhe gabimin e vet bërë në atë rast,
apo vërtet besonin se një tekst i tillë ekzistonte, edhe pse kurrë nuk e kishin parë
me sy? Mehmet Kraja më shkruante: “Teodor Skodriensis (Shkodrani) ka, dhe ai ka lënë
një dorëshkrim, por nuk është i shekullit XIII, por i shekullit XVII. Ky fakt ka
dalë shumë qartë gjatë polemikave të Musa Ahmetit me Kristo Frashrin. Pra, si mendoj
unë se mund të dalë i botueshëm dhe korrekt ky tekst, shikuar nga aspekti i
kontestimit të asaj që bën Musa Ahmeti?”. Kolegu i tij Mustafë Xhemaili paraqitet
edhe më i ashpër kur thotë: “Intoleranca që të buron nga një bazë ideologjike
fetare, si dhe agresiviteti i tejdukshëm ndaj Musa Ahmeti që merret me hulumtimin e
dokumenteve dhe të letërsisë sonë të vjetër” (një kopje ia dërgoi edhe kryetarit të
Kosovës, dr. Fatmir Sejdiut, më 11 qershor 2006).
Këto dy citate dëshmojnë se me ç’këmbëngulje mbrohet gënjeshtra. Përderisa i pari,
Mehmet Kraja, pas 7 muajsh (nga koha që ia kam dërguar artikullin për botim) duke
huazuar konstatime e pjesë nga artikulli im e sajon një shkrim në emrin e vet ku
kërkon nga Ahmeti që përfundimisht (Koha Ditore) të dalë me atë dorëshkrim të
shkretë, të tjerët vazhdojnë ta botojnë e festojnë Ahmetin si zbulues par-exellance
të historisë së vjetër shqiptare.
Megjithatë, Kraja i bindet asaj që unë i shkruaj më 11 qershor 2006. Unë u kam thënë
që “të mbajnë mend se ato gjëra që i kam shkruar në atë shkrim qëndrojnë. Do të
bindeni pas një kohe për këtë të vërtetë dhe ju lutem kur të bindeni mos harroni që
të më shkruani për hir të së vërtetës. Por, dorëshkrimin e Teodor Shkodranit do të
vdisni e nuk do ta shihni të botuar kurrë ... “ dhe “kur të bindeni ju lutem që mos
i keqpërdorni këto argumente nga shkrimi im dhe të bëni ndonjë shkrim të zjarrtë për
të vërtetën, sepse nuk do të ishte në rregull kjo gjë”.
Po ashtu, më 27 janar 2007 është botuar një shkrim te “Koha ditore” lidhur me
zbulimin e Teodor Shkodranit dhe në fund të shkrimit ceket se “përgjegjësinë morale
duhet ta mbajë dikush“ dhe në fund quhet marri. Unë pyes vetën se a nuk është për
“Kohën ditore” dhe Mehmet Krajën marrëzi që deri më tani ka përkrahur rregullisht
shkrimet (madje edhe plagjiatura të Musa Ahmetit), e kurrë asnjë rresht, ama asnjë
rresht, nuk e solli në redaksi të Teodor Shkodranit dhe rregullisht i janë botuar
shkrimet e ti. Kurse, kur unë dëshiroja të bëja një shkrim me argumente kundër
zbulimit, kërkoheshin edhe 1000 argumente, derisa i propozova ironikisht z. Krajës
“a të shkoj edhe te Musa e t’i them, të lutem nënshkruaj se nuk ekziston
dorëshkrimin i Teodor Shkodranit?”.
Përkrahësit dhe kundërshtarët
Por jo vetëm të përmendurit ranë viktimë e Musa Ahmetit. Shkencëtarët dhe
pseudoshkencëtarët shqiptarë u ndan dysh. Përkrahësit ishin: Dhimitër Shuteriqi,
Pranvera Bogdani, Nasho Jorgaqi, Moikom Zeqon, Shaban Sinani, Skënder Blakaj e shumë
të tjerë. Kurse, ata që kundërshtonin kategorikisht ishin: Aurel Plasari, Kristo
Frashri, Ardian Klosi, arbëreshi Matteo Mandala etj. Nga të huajt, duhet cekur
patjetër emrin e Robert Elsies, i cili edhe në botimin e historisë së letërsisë ka
kapitullin me emër “Teodor Shkodrani (1210) dhe shkrime të tjera të hershme“. Është
e ditur se financimin e Musa Ahmetit e bëri Behxhet Pacolli, (me referenca të
Skënder Blakajt). Kur është “rifotokopjuar“ vepra “Illyricum Sacrum”
gati se kanë ngatërruar lexuesit autorët e vërtetë dhe botuesit, pra nuk dihej a
ishin autorë jezuitët e njohur Riceputi, Farlati, e Coleti apo Musa Ahmeti e Skënder Blakaj (!?).
Curriculum interesant
Musa Ahmeti ishte student i Juridikut e që më vonë kishte kaluar me korrespodencë në
Degën e Historisë. Në Universitetin e Prishtinës ekziston dosja numër 1728 e Musa
Imer Ahmetit nga Ponosheci i Gjakovës. Lutjen për t’i filluar studimet me
korrespodencë në Degën e Historisë e ka bërë më 20 korrik 1982. Semestrin e parë e
regjistroi më 2 shtator të po atij viti. Interesante është edhe lista e provimeve:
Arkeologji, Ekonomi Politike, Mbrojtje Popullore e Vetëmbrojte Shoqërore, Gjuhë
Frënge dhe Sociologji. Këtu përfundon karriera e tij akademike. Kurse, në mediet
tona shkruhet përherë dr. Musa Ahmeti(!). Pyetëm në Universitetin e Tiranës se a
mund të ketë studiuar atje, përgjigja ishte negative, në Universitetin e Zagrebit, po ashtu negative. Nga erdhi atëherë titulli Doktor i Musa Ahmetit? Edhe Mirjam Bisha, ish-ambasadore e Shqipërisë në Kroaci, e kishte vërtetuar këtë punë. Po ashtu, dihet se Ahmeti për çështje financiare e vjedhje dokumentesh ka pasur probleme edhe me don Frok Zefiqin, Marenglen Verlin e Oliver-Jens Schmitt.
Sërish te Teodor Shkodrani
Çështja “Teodor Shkodrani” e Musa Ahmetit është bërë disa herë publike. Është befasi
se si dy akademitë tona nuk kërkuan zyrtarisht nga arkivat e Vatikanit për zbulimin
e Musa Ahmetit, por polemizojnë prej së largu me fjalë të kota apo e lavdërojnë atë
se si bënë zbulime. Instituti Shqiptar në St. Gallen të Zvicrës kërkoi nga Arkivi
Sekret i Vatikanit që të prononcohet për punën e zbulimit të dorëshkrimit të Teodor
Shkodranit nga Musa Ahmeti. Ja përgjigjen që morëm nga sekretari i Arkivit Sekret të
Vatikanit më 10 qershor 2006, të cilën pjesërisht po e sjellim për përgjigje, që të
kuptohet saktësisht se për çka është fjala: “Më vjen keq që duhet t’ju njoftoj se libri, për të cilin ju keni shprehur interes, nuk mbahet në Arkivat Sekrete të Vatikanit. Ju sugjeroj me kënaqësi që ta kontaktoni drejtpërdrejt dr. Musa Ahmetin, i cili pretendon se e ka gjetur dokumentin e lartpërmendur, por pa u referuar fare në arkiv“. Këto fjalë e bëjnë gjithçka të qartë.
Ndaj, mediet duhet të kenë kujdes për shkrimet e Musa Ahmetit, i cili gati çdo herë
del me signaturën “botohet për të parën herë këtu” se në fakt vazhdimisht bëhet
fjalë për tekste të vjedhura nga D. Farlati e A. Theiner, pastaj M. Shufllay, L.
Thalloczy, K. Jirecek, G. Valentini e shumë e shumë dijetarë të tjerë, që kanë
botuar më herët në disa revista kishtare të Shkodrës, si dhe te revista “Drita” në
Kosovë. Apo kohëve të fundit siç doli në media me “zbulimin” e letrës së Pali VI të
shkruar për shqiptarët. Në media ishte potencuar se është “rizbulim” i Musa Ahmetit
dhe është “meritë e madhe” e “Koha ditore”, që e ka plasuar ne atë gazetë të përditshme. Absurdi, sikur edhe herëve tjera, qëndron aty se kjo letër është ribotuar e stërcituar jo vetëm një herë në dhjetëra revista e gazeta të tjera para shumë vjetësh.
Për një gjë duhet që Musa Ahmetit t’ia “heqim kapelën”, e kjo ka të bëjë me atë se nuk mbahet mend ndonjë mashtrues, plagjiator e trillues tjetër që ka instrumentalizuar kaq brutalisht e kaq djallëzisht mediet shqiptare dhe tash ka filluar ta ndryshoje emrin e vet dhe shkruan me emër-pseudonim tjetër.