Ku ndodhet Shqipëria? Në kufi me Maqedoninë...
-- nga Ajet Nuro*,
, Montreal, Kanada
Ata që kanë udhëtuar në vendet fqinje me Shqipërinë apo në vende të tjera të Evropës Perëndimore e dinë mirë se po të pyesësh një shqiptar se nga je, përgjigja nuk pjell pyetjen “Ku ndodhet Shqipëria ?” veçse do filloi riti i lakimit të emrit shqiptar “ gli albanesi” nga italianët, “i alvani” nga grekët dhe historitë për shqiptarët... Por po të kalosh Atlantikun po të pyesësh shqiptarin se nga je, në rastet më të shumta lind pyetja ”Ku ndodhet Shqipëria?”. Nuk është çudi që kur u kthehesh bashkëbiseduesve me “gjeje se ku ndodhet” përgjigja të jetë “...në Liban !...”
Në kontinentin amerikan janë mbledhur njerëz nga e gjithë bota dhe është e falshme të mos dish se ku bie një vend i vogël si Shqipëria. E pra, kur më është dashur të përballoj një pyetje të tillë, pra ti përgjigjem pyetjes se ku ndodhet Shqipëria, kam shfrytëzuar dy vendet fqinje pra Italinë dhe Greqinë. Kam thënë se Shqipëria ndodhet përball Italisë ose në Veri të Greqisë. Duam apo s'duam ne, Italia dhe Greqia janë më të njohura se Shqipëria. Por mos tu duket çudi që së shpejti të përgjigjem “Shqipëria ndodhet në kufi me Maqedoninë”...
Para disa muajsh u habita tek pash në një nga revistat më prestigjioze në fushën e biznesit “Business Week” në disa numra radhë të saj një publicitet me titullin “Investoni në Maqedoni”. Karremi që përdornin përgjegjësit e këtij publiciteti për të tërhequr investitorët e huaj, për mua ishte i njohur nga tekstet e ekonomisë por, ajo që më çuditi dhe më mrekulloi është ideja e organizatorëve maqedonas për të reklamuar në një revistë biznesi e destinuar për biznesmenët amerikanë. E shoqëruar me hartën e Maqedonisë dhe duke zënë një faqe të tërë të revistës në fjalë, sigurisht që mesazhi duhet të ketë rënë në sy. Për mua publiciteti duhet të ketë patur efekt ose të paktën duhet të ketë bërë kurioz shumë biznesmen amerikan se ku ndodhet ky shtet me emrin Maqedoni. Por edhe nëse publiciteti nuk ka bërë efektin e pritur, ideja vetë ka një rëndësi të jashtëzakonëshme. Ajo tregon se maqedonasit mendojnë në mënyrë moderne për zhvillimin e ekonomisë kombëtare.
Për mua, Maqedonia kishte hyrë thell në ndërgjegjen time si republika më e varfër e ish-Jugoslavisë. Bile as që do ti kishte rënë radha ndonjë ndryshimi informacioni në mendjen time sikur të mos kisha parë këtë publicitet. Kjo më futi në mendime dhe e para gjë që më erdhi në mendje ishte Shqipëria dhe reformat ekonimike. Shqipëria ashtu si Maqedonia ka filluar reformat ekonomike para 17 vjetësh. Ndonëse Shqipëria njohu komunizmin « puro » ndërsa Maqedonia atë që mund ta quajmë komunizëm hibrid të dy vendet u gjendën pra vështirësish ekomike. Të dy vendet janë përballur me probleme të shumta që mund të themi që njëri nuk i ngjan tjetrit. Maqedonia me probleme ndëretnike ndërsa Shqipëria me trashëgimin e saj komunist. Duke tentuar të zbusi konfliktet ndëretnike, dhe duke u përqëndruar tek krijimi i një shteti të së drejtës dhe duke punuar për një ekonomi të fuqishme, Maqedonia mendoj se do tia dal mbanë dhe të dallohet në rajon.
Po ti Shqipni pa m'thuj si je?
Jo, jo nuk kërkohet vazhdimi i vargjeve të Vaso Pashës ndonëse ato fatkeqësisht janë ende aktuale. Do të doja të theksoj se si është gjendja ekonomike e Shqipërisë. Nuk ka shtet në botë (ose janë të rrallë...) që të jetë i kënaquar me progresin ekonomik. Kjo lidhet me atë se kërkesat dhe dëshirat janë gjithmonë shumë më të mëdha se sa mundësitë reale. Por nga ana tjetër progresi ekonomik varet nga objektivat që ka ç’do vend. Ka vende që punojnë vetëm e vetëm për të mbushur barkun me bukë (mbase kjo nuk është ndonjë njësi matëse...) pra ka vende që punojnë vetëm që qytetarët të mbijetojnë.
Në këto kushte mund të themi se ekonomia shqiptare është e shkëlqyer, e shëndetshme sepse në fund të
fundit kemi bukë për të ngrënë, se në Shqipëri më shumë vdesin nga çmenduritë (vrasje për motive të
dobta do thoshin kronikanët e specializuar...) se sa nga skamja etj etj. Në mbështetje të tezës se
ekonomia shqiptare shkon « birinxhi » janë dhe faktet se në Shqipëri ndërtohet, punohet dhe sot
Shqipëria ka një klasë biznesmenësh që nuk e kishte para 17 vjetësh. Por ka dhe një anë tjetër medalja.
Ka vende që ekonomisë i rrinë mbi krye dhe masin të gjitha parametrat e duhur që nga inflacioni,
punësimi, fuqia blerëse etj etj. E krahasuar me vendet që futen në kategorinë e dytë Shqipëria do ngelej në klasë për motivet që vijojnë: Shqipëria ka një ekonomi primitive, realitet politik jostable dhe nivel të lart krimesh. Ekonia ndodhet nën parimet e « laisser-faire » dhe shteti nuk ndikon në zhvillimin e një ekonomie moderne.
Pse, mund të ishte Shqipëria ndryshe?
Shqipëria doli nga një sistem politik dhe ekonomik ku gjithçka vendoj nga një grup i ngusht
njerëzish, një system ku gjerë edhe jeta varej nga ai që quhet shtet. Dhe të dalësh nga një situat e tillë nuk është e lehtë. Sidomos nëse për ekonominë duhet të vazhdojnë të mendojnë dhe vendosin ende një grup i vogël individësh. Përvoja e vendeve të tjera të Europës Lindore tregon të njëjtën gjë: vështirësit e tranformimit të ekonomisë së planifikuar në një ekonomi tregu. Edhe më tej akoma. Vështirësitë bëhen edhe më të mëdha kur vende si Shqipëria duhet ti përmbahen rregullave të një ekonomie që po bëhet përditë e më e përbotëshme. Nuk ka më proteksionizëm apo mbyllje kufiri dhe përzgjedhje të partënerëve. Duhet mësuar dhe zbatuar vallja e Organizatës Botërore të Tregëtisë. E megjithatë, e megjithatë, ekonomia shqiptare mund të ishte ndryshe. Fillimi i mbarë do të ishte qëndrimi ndaj pronës.
Jo vëtëm qëndrimi ndaj ish-pronarëve por dhe qëndrimi nga terreneve të ndërtimit, qëndrimi ndaj ndërtimeve pa leje tregojnë një fillim së prapthi. Parimet e ndjekura në shpërndarjen e pronës kanë qenë ai komunist “Toka i takon atij që e punon” por edhe parime të tjera si prona i shitet (falet) atij që ka pushtetin apo forcën. Nuk dua të përgjithësoj, sepso do të ishte jo realiste dhe jo e nderëshme të thuash që gjithë pronarët shqiptar janë produkt i këtij mentaliteti. Por, sikur disa raste të kishim të tilla, efekti psikologjik do të shumëfishohej. Por po të medosh se në vend të ndajfoljes “disa” të vendosim ndajfoljen tjetër “shumë”... përfundimi dihet... epo se Shqipëri është...
Shteti dhe ekonomia
Shtetit që i bënte të gjitha që nga bukëdhënia, punëdhënia, drudhënia etj. i kemi thënë “harro
mushkë Valarenë” por fatkeqësisht kemi ecur shumë larg. Para disa ditësh Franca zgjodhi një president
të ri dhe Sarkozi, presidenti në fjalë sa nuk shkaktoi një incident diplomatik me Kanadanë kur kërkoi
recipricitet në praktikat komerciale ndërmjet Kanadasë dhe Francës. Në fakt qeveria e Kebekut njërës
prej dhjetë provincave kanadeze i dha një kontratë një firme kanadeze pa kaluar një tender. Një veprim
i till u konsiderau si nacionalizëm ekonomik. Ndërkohë që po kjo firmë kanadeze (Bombardier) fitoi
një tjetër kontratë dhe këtë herë në Francë por këtë herë me anë të një tenderi. Nga të gjjitha këto
veprime e humbur delte konkurentja e Bombardier një firmë franceze e quajtur Alstom. Dhe Sarkozy
shtron pyetjen: Pse ne duhet ti respektojmë rregullat e lojës që të tjerët nuk i respektojnë?
Nuk do të doja që ne shqiptarët të mos respektojmë rregullat, përkundrazi. A nuk flasim për burrëri?!...
Por sot nacionalizmi nuk shprehet më në fushën e retorikës të tipit ne jemi, ju jeni etj. Sot nacionalizmi shprehet më tepër se kurrë në fushën e ekonomisë. Çfarë e dallon sot Shqipërinë në fushën ekonomike? Pothuajse asgjë. Pa pyet për shembull për Korenë e Jugut. Gjuha vetvetiu të shkon tek Hydai, Samsung, LG etj etj. Argumenti tabu se Shqipëria ka dalë nga një ekonomie e planifikuar dhe nuk mund të
zhvillohet janë pa bazë. Nuk mund të mohohet ndikimi kushteve historike në zhvillimin e ekonomisë së
një vendi por kjo nuk duhet të na mbaj peng. Para disa kohësh qeveria Berisha mori nismën “Shqipëria
një euro” (nuk e di kuptimin fjalë për fjalë të saj...) që kishte si qëllim tërheqjen e kapitalit. Kjo nismë u kritikua prej disave dhe hyjnorizua prej të tjerëve. Për mua ajo ishte nga nismat e pakta që duhen përkrahur. Ndoshta ajo ishte e pastudiuar mirë dhe prandaj dhe u la mënjanë por ideja ishte gjeniale. Në fund të fundit çfarë synojnë më shumë maqedonasit se sa tërheqjen e kapitalit të huaj.
Pula apo veza Kush e bënë tjetrën; pula bënë vezën apo veza bënë pulën? E njëjta pyetje shtrohet për ekonominë dhe politikën. Ndonëse flitet se një ekonomi e fuqishme dhe një demokraci e vërtetë shkojnë së bashku, askush gjerë më sot nuk e ka provuar shkencërishtë. Megjithëse diktaturat komuniste me ekonominë e falimentuar që krijuan e kanë provuar një gjë të tillë përsëri kjo nuk përbënë argumentin shkencor. Por, pyetja mund të shtrohet se kush mund të ndikoj më shumë tek tjetra. Për mendimin tim, një klasë politike e aftë politikisht dhe me aftësi të mira administruese është në gjendje të ndikoj mbi ekonominë e një vendi. Nga ana e vetë, njerëzit e biznesit mund të ndikojnë mbi politikën por rezultatet do të jenë ose të ngadalëshme ose jo të mira për mos të thënë të këqia (korrupsion dhe fenomene të nepotizmit).
Më e mira është një kombinim i të dyjave. Pra një klasë politike administratore e gatëshme ta transformoj vendin në një vend me ekonomi të zhvilluar. Në ekonomi nuk ka formula magjike dhe ekonomistët kurr nuk e gjenë gjuhën e përbashkët por si edhe në rastin e biznesit privat veç personat e përkushtuar arrijnë rezultate të mira. Megjithatë, mund të themi se nga masat që mund të japin rezultate qoftë edhe pas një kohe relativisht të gjatë (por të sigurt), janë arsimimi i brezit të ri dhe sidomos respektimi i pronës private. Kur themi arsimimi duam të themi krijimi i një shkolle me të vërtetë moderne, investimi në edukimin e të rinjëve të talentuar brenda dhe jashtë shtetit, kthimi dhe integrimi i shqiptarëve të edukuar jashtë sidomos në Perëndim dhe krijimi i një profili kombëtar në ekonomi.
Kjo e fundit ka të bëjë me ndihmën që shteti mund të jap në rimëkëmbejn e atyre sektorëve që mund të japin rezultate në rregullimin e balancave eksport – import dhe në rritjen e mirëqenies së gjithë shqiptarëve. Para disa vitesh kur isha në Shqipëri dhe kalova dy javë në Spille të Kavajës, vura re se investitorët privat kishin investuar në ndërtimin e hoteleve apo të shtëpive që i kishin vënë në shërbim të pushuesve. Por për të shkuar aty duhej të shkoje nga një rrugë që jo vetëm linte për tër të dëshiruar por edhe më keq, ngjante me vendet afrikane. Dhe rrugët në përgjithësi mirëmbahen nga shteti apo organizma të krijuara prej tij.
Sot, siç e tham dhe më sipër, nacionalizmi, më shumë se kudo, shprehet në fushën ekonomike. Nëse e duam Shqipërinë dhe të mirën e shqiptarëve rruga më e mirë është të ndikojmë që Shqipëria të jetë sa më demokratike poltitkisht dhe ekonomia e Shqipërisë të bëhet sa më moderne. Sa më shumë shqiptarë të ndihmojnë për arritjen e këtij qëllimi aq më mirë do të jetë.
Le të ndryshoj Shqipëria politikisht dhe ekonomikisht që kur të na pyesin nga jeni të përgjigjemi “jemi nga vendi që eksporton krom e bakër, jemi nga vendi në plazhet e të cilit ia vlen të pushosh, jemi nga Shqipëria”. Dhe të mos kemi frik tu themi të huajve: Ejani dhe pushoni në Shqipëri dhe mbi të gjitha, ejani dhe investoni në Shqipëri. Sa për Maqedoninë, at'herë ajo do të ndodhet në kufi me Shqipërinë dhe Shqipëria mund të jetë një element pozitiv për ti tërhequr dhe më shumë investisorët e huaj...