HYRJE | HISTORI | LETËRSI | FOTOGRAFI | LAJME | INFO | RRETH NESH |     FJALA e LIRË


Kontakto: [ ] ose [ Kontakti ]

 
  [ Prapa ]


Kolonia mjedisore

Ardian Klosi -- nga Ardian Klosi, 07-12-2007

Për çudi Shqipëria nuk është quajtur asnjëherë koloni. Edhe pse ka qenë e tillë, ndoshta më gjatë se çdo vend tjetër i Evropës, mbi 500 vjet nën Perandorinë osmane. Por me sa duket nocionet "koloni", "kolonializëm", "neokolonializëm" lindën bashkë me lindjen e fuqive të mëdha moderne perëndimore si Spanja, Britania e Madhe, Holanda, Franca etj., pas zbulimit të Amerikës dhe revolucionit industrial, dhe nuk zunë dot vend në Orientin evropian.

Që nuk është quajtur "koloni", por "pjesë e perandorive" etj., kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk janë të mësuar me mentalitetin e njerëzve të pushtuar, të shfrytëzuar dhe poshtëruar nga të tjerët. Ata në përgjithësi nuk durojnë shtypjen e drejtpërdrejtë, nuk durojnë si të thuash çizmen dhe uniformën e ushtarit të huaj kur e shohin këtë me sy, por në qoftë se nuk e shohin, s'ka problem, e durojnë, mjafton që në oborrin dhe nën hundën personale të mos i vijë një i huaj.

Vetëm kjo mendësi e njerëzve që historikisht kanë qenë shumë më gjatë të kolonizuar nga ç'kanë qenë të pavarur në shtetin e tyre, shpjegon flashkjen e sotme të qytetarëve shqiptarë, dorën e lirë që u kanë lënë qeveritarëve të tyre-shitësa, indiferencën dhe kokulësinë e tyre para faktit që Shqipëria po bëhet dalëngadalë kolonia mjedisore e kontinentit.

Shenjat kishin filluar të dukeshin qysh para vitit 1990-të. Qeveria komuniste e fundviteve 80-të pranoi që në Bajzë të Shkodrës të depozitoheshin sasi të mëdha pesticidesh që vinin nga Gjermania, paçka se qeveria e këtij vendi më vonë e pranoi krimin mjedisor dhe i tërhoqi ato helme.

Në atë kohë filloi edhe grabitja e rërës së bregut tonë të Jonit nga anije pirate greke, deri dhe me nënshkrime ministrash si Ruka ose Xhuveli. Nuk po rreshtojmë grabitje më të vogla ose më pak të njohura, si prerje arrash shekullore, gjueti masive gjahtarësh të Apenineve në pyjet e Korçës e të Kolonjës, por po vijmë tek akti lapidar i kolonializmit mjedisor në 2004, që ishte nënshkrimi i Fatos Nanos dhe i tre ministrave të tij për importimin masiv të plehrave italiane dhe djegien e tyre në dyert e Tiranës, Fierit, Elbasanit. Këto plane u shembën përkohësisht, e theksojmë përkohësisht, sepse rreziku nuk është zhdukur, nga vetëdijësimi i qytetarëve tiranas dhe protestat e tyre publike. Ishte hera e parë që qytetarët e këtij vendi dilnin në rrugë për një çështje që kishte të bënte me mjedisin dhe shëndetin e tyre.

Vetëm se, për të rënë sërish në gjumë. Emri plehra, kutërbimi i keq që lëshon kjo fjalë, arriti t'i shpojë me sa duket hundët e qytetarëve të këtij vendi, të cilët veç indiferencës për çështje publike, shquhen edhe për mungesë largpamësie dhe sikur e thamë më lart, duan ta shohin (uniformat), ta dëgjojnë (zinxhirët e tankut) ose ta nuhasin diçka (qepët, vezët e prishura) fare konkretisht që ta kundërshtojnë. Sepse pas projektit të plehrave, projekte edhe më të mëdha, gjigande, filluan të enden pezull mbi këtë vend dhe të zbresin dalëngadalë, sikurse parashutistët e një kolonizimi masiv, që nuk duket, ose më saktë që duket vetëm tek hyn e del nëpër zyra qeveritarësh. Mirëpo këto projekte kanë mbetur deri më sot pa kundërshtim, ose me pak kundërshtim vetëm në Vlorë.

Koloni, kolonizim, neokolonializëm i shkon fare mirë procesit që po ndodh aktualisht me ose mbi Shqipërinë. Ndryshe nga gjendja nën Tyrqinë, kur "ishim rehat", "bënim qejf", kur vetë luanim pashanë e vetë nizamin, vetë aganë e vetë rajanë, vetë bimbashin e vetë Çerçizin, këtë herë kemi të bëjmë me fuqi të mëdha moderne që janë të interesuara thjesht për tokën, ujët dhe ajrin e këtij vendi, dhe aspak për banorët e tij. Veçse nuk janë të interesuar për t'i blerë e ndoshta për t'i zbukuruar, sikundër po ndodh bie fjala me rripa të tërë bregdetarë në Mal të Zi që po u shiten milionerëve të rinj rusë etj., por janë të interesuar t'i marrin me qira (ose dhe pa qira, 1 euro, 0 euro) për t'i përdorur siç ua do puna dhe qejfi, për t'i shëmtuar vendet e virgjëra bregdetare, duke lënë këtu mbetje fosile, sepse janë projekte që kanë të bëjnë me naftën, me qymyrin e me plutonin, duke hedhur në ajër CO2 dhe gazra të tjerë furane, sepse janë të gjitha me djegie, duke shkaktuar në tokën, ujët dhe ajrin shqiptar një ndotje shumë të madhe reale dhe në potencë, (p.sh. në rastin e avarisë së një cisterne nafte në Gjirin e Vlorës), sepse janë të gjitha mbetje të tilla që natyra e hapur nuk i pranon, sikurse është pika e naftës në ujë ose elementet e djegura të centraleve bërthamore në nëntokë.

Një sërë TEC-esh me naftë në Gjirin e Vlorës, depozitat dhe rafineritë e Petroliferës po këtu, një terminal AMBO me kapacitet 300.000 tonë naftë në ditë, TEC-e gjigande me gaz në Seman, TEC-e me qymyrgur në Elbasan, centrale bërthamore në afërsi të Durrësit. 5 fabrika të stërmëdha çimentoje në Fushë-Krujë. Dhe tani së fundi na del një TEC, përsëri gjigand, me kapacitet 1200 MW për t'u ndërtuar nga Eneli në bregdetin shqiptar, mundësisht në Vlorë.

E gjitha mund të duket pasuri, begati, Shqipëria e varfër, në krizë të përhershme energjitike, që papritur prodhon sasi të mëdha energjie, shumë herë më të mëdha nga sa i ka nevojat vendi. E pranoj që kështu u duket shumicës së miopëve, kokulurve, indiferentëve, rajave që na rrethojnë e na zënë frymën dita-ditës. Por në qoftë se dinë të paktën të lexojnë shkronjat e alfabetit shqiptar, ja ku po ua shkruajmë hapur: vendet e pasura Itali etj., duan t'i ngrenë gjithë këto vepra në vendin e varfër Shqipëri, sepse në brigjet e tyre nuk mund t'i ngrenë më. Nuk i ngrenë dot, sepse kanë nënshkruar protokolle për mbrotjen e klimës dhe të mjedisit, dhe sepse duan të pakësojnë emetimet e CO2 dhe gazrave të tjera në vendet e tyre. Nuk i ngrenë dot, sepse në vendet e tyre kanë komunitete të ndërgjegjësuara qytetare që ua hedhin poshtë veprat me ndikim negativ mbi mjedisin dhe shëndetin e njerëzve. Kurse në Shqipëri gjejnë pikërisht tufat e deleve për të cilat kanë nevojë.

Pa gjejnë edhe barinjtë dhe pojakët e duhur, të cilët, si i kanë mbyllur mirë e mirë tufat në vathë, ua shesin arat si e sa të kenë qejf.

I gjithë shtypi e të gjitha mediat shqiptare, me ndonjë përjashtim të vogël, u treguan të ngazëllyera nga vizita e kryeministrit Prodi – po ato media që bënin më 2004 rekalamat e fabrikave të plehrave. Dhe vërtet ai është i mirë, baballëk, si një Babbo Natale, na tha fjalë të mira, u habit me zhvillimin tonë në pak vjet (me sa duket erdhi nga Rinasi nëpër ditë dhe jo nëpër natën e errët), kishte lexuar madje edhe literaturën tonë të zgjedhur, po pastaj e nxori asin nga mënga! Sapo iku të nesërmen, morëm vesh katastrofën e re që po i kanoset bregdetit shqiptar pas TEC-eve dhe Petroliferës së Vlorës, një MegaTEC në bregdet, këtë herë me qymyrguri nga Afrika e Jugut.

Lexuesi që e do imazhin njerëzor dhe iluminist të Prodit nuk duhet të zhgënjehet nga këto radhë. Kryeministri i një vendi, sado të zhvilluar, është njëkohësisht përfaqësues i industrialistëve dhe biznesmenëve më të mëdhenj të tij. Vlera e vizitave të një kryeministri të tillë zakonisht matet me sasinë e kontratave që ai bën të nënshkruhen në të mirë të ekonomisë së tij. Dhe ekonomia italiane, sikurse ajo e BE-së sot thotë: sa më pak energji prej djegiesh fosile sot në vendet tona, sa më shumë në vendet e botës së tretë. Pa le të jetë kjo botë e tretë edhe Shqipëria në dyert e Italisë, energjia që do vijë prej andej me kabëll, sipas legjislacionit italian dhe "Enelit" do të quhet "e pastër". Nuk besoj se ka cinizëm më të madh. Por të mos harrojmë se kështu është kolonializmi dhe neokolonializmi: cinik.

Ndërsa fjalët që tha për integrimin e Shqipërisë në BE janë natyrisht retorikë boshe. Me drejtimin e ri që po i jep Evropa Shqipërisë, si abort i energjisë së vet "të pastër", si place d'oil – krijuar në analogji me place d'armes – përballë Barit e Brindisit, hyrja në Bashkimin mjedisor Evropian, pavarësisht se togat e Mediut mund të hyjnë së shpejti në NATO, është aq e largët saç është i largët vetëdijësimi i shqiptarëve. Të bën përshtypje analogjia me Perandorinë osmane: edhe atëherë na deshnin për spahinj e nizamë, por jo për të ruajtur në këtë tokë ndonjë qytetërim e kulturë siç i ruanin në vilajete të tjera të asaj Perandorie.

Shpëtimi i vendit prej kësaj gangrene megandotëse, prej këtij kolonializimi të fshehur mjedisor është vetëm një: krijimi i një Aleance të madhe të qytetarëve të vërtetë të këtij vendi për t'u ndalur dorën qeveritarëve shitësa të Shqipërisë, të cilët prej kohësh nuk i shohim më si përfaqësuesit tanë.

Shkoder.net... - Fjala e Lirë | Të drejtat e rezervuara