KRITIKË LETRARE
At Anton Harapi në mes kohës së matshme dhe asaj të pamatshme
-- nga Prof. Dr. Alfred Çapaliku*
(Anton Gojçaj, Fakticiteti në letërsi. Proza letrare e Anton Harapit, Studim, Buzuku, Prishtinë 2007)
Fakticitetin në novelën "Valë mbi valë" dhe në romanin "Andrra e Pretashit" (si vijim nga njëra tek tjetri), studiuesi Anton Gojçaj e ka interpretuar gati gjer në ezaurim, përmes nocioneve "strukturë e brendshme" dhe "strukturë e jashtme", që përveç terminologjisë së Franz K. Stanzel, shprehin edhe përjetimet që u ka bërë Gojçaj dy veprave.
Anton Harapi shndriti si yll me bisht mbi lëmin e kulturës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX dhe kur ishte në shajni të plotë e shuan brenda një çasti zjarrfikësit e kuq. Me At Antonin pompistët e censurës moniste zbatuan, gjatë gjysmës tjetër të shekullit, parimin e tokës së djegur, përmes përjashtimit të tij nga letërsia shqiptare dhe përmes anatemimit të binomit të zgjedhur prej tij "Për Fe e Atdhe".
Heshtja e gjatë ndaj Harapit, Fishtës, Konicës, Prennushit, Palajt, Koliqit,
Mithat Frashërit, Rrotës, Zadejës, Shantojës, Haxhiademit, Kurtit, Cmajt,
Pipës etj. formoi atë tokë të shkretë, saqë sot për të rivlerësuar artin e
pamort të korifenjve nuk duhen veç artikuj shkencorë e studime kritike të
pjesshme, por monografi apo libra – harta për ta. Tabela e Mendelejevit e
letërsisë sonë vazhdon të mbetet e paplotësuar, pa hierarkinë e elementeve të saj.
Futja në këtë sistem e traditës së Harapit, me stigmën e fakticitetit në prozën artistike, e vendos atë në kolanën kombëtare, si gur të çmuar, të rrallë.
Anton Harapi duke qenë prizmatik: orator, publicist, filozof, drejtues (i
kolegjit françeskan, i revistës "Hylli i dritës", i shtetit shqiptar), bëhet
kaleidoskopik, pambarimisht planesh, si shkrimtar i ngjarjeve të jetuara, pa
e lënë bojën që të thahet mbi letër. Një strategji të tillë përdori me
sukses Ndoc Nikaj, në romanin e parë shqiptar "Shkodra e rrethueme", me
1913. Por stratagjema e Anton Harapit u shfaq origjinale, me modernitetin letrar të saj.
Fakticitetin në novelën "Valë mbi valë" dhe në romanin "Andrra e Pretashit" (si vijim nga njëra tek tjetri), studiuesi Anton Gojçaj e ka interpretuar gati gjer në ezaurim, përmes nocioneve "strukturë e brendshme" dhe "strukturë e jashtme", që përveç terminologjisë së Franz K. Stanzel, shprehin edhe përjetimet që u ka bërë Gojçaj dy veprave.
Përjetimi i parë
Si lexues pjesëmarrës, përvetësues, duke u përpjekur t'u afrohet qëllimeve dhe ndjenjave të autorit; duke e bërë për së brendshmi rrugëtimin e Harapit.
Këtë praktikë H. Wreinrich e përcakton të "siku"-it: të bësh sikur lexuesi të ishte shkrimtari, duke rikaluar të gjitha çastet e krijimit letrar. Kjo ka qenë relativisht e lehtë për Anton Gojçajn, mbasi ai është prozator interesant, nganjëherë befasues.
Përjetimi i dytë
Si studiues, leximi i prozës letrare të Harapit i ka dhënë rastin Gojçajt
për zbulimin dhe njohjen e krenarisë individuale: të lexosh kritikisht do të
thotë të shquash një tjetër, duke mbetur ai që je. Përndryshe: të përcaktosh
rrugëtimin e Harapit, me kërkesat e llojit akademik, si ato mbi "sensin e
vërtetë të një teksti"", pa tentuar domodoshmërisht që ta pikalosh atë
rrugëtim të autorit. Edhe këtu Anton Gojçaj nuk është rishtar, mbasi e ka
dhënë një provë me studimin "Heroi nacional në letërsi" (Prishtinë, 2004).
Një libër - hartë
Në monografinë skrupuloze "Fakticiteti në letërsi. Proza letrare e Anton Harapit" studiuesi dhe kritiku njëherësh i ka kushtuar vëmendje të madhe kohës brenda dhe jashtë tekstit. Mjaft intriguese është e dyta, mbasi lidhet me horizontin e gjerë të pritjes së veprës artistike. Romani "Andrra e Pretashit" që u shtyp me fragmente tek "Hylli i dritës" në Shkodër, me 1933, me titull tjetër, në formë përshtypjesh udhëtimi; u botua në Romë me 1959, kur personazhet reale ishin bërë fiktive.
Tepër vonë u botua po në Romë, me 1995 edhe novela "Valë mbi valë", kur jo vetëm personazhet reale të vitit 1918, por edhe lexuesit potencialë të atëhershëm kishin ndërruar jetë. Por do të të mbijetonte proza mozaik e Harapit, mbasi ai përdori një kohë tjetër dominante, përtej asaj gramatikore. Anton Harapi fund e krye është mes kohës së matshme dhe asaj të pamatshme, paralel me kronotopin e rrugës që të çon nga Shkodra në Tuz, ai bën udhëtimin shpirtëror që të çon përtej jetës tokësore, në eskatologji.
"Nuk mjafton me pasë mend, por duhet dijtë me i qitë në punë". Këtë porosi të "Andrrës së Pretashit" z. Anton Gojçaj e ka vënë në jetë më së miri në librin e tij – hartë, duke zhdrivilluar një emancipues të asaj kohe dhe të kësaj kohe: Harapin e Madh!