Doli numri i ri i revistës Urtia
-- nga Zef Ahmeti, St. Gallen, prill 2006
Gjon Pali II, Benedikti XVI, Nikë Prela, Ibrahim Rugova, Imzot Mark Sopi
Revista kulto-fetare Urtia, organ shkencor, e cila botohet nga Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci doli këto ditë me numrin e saj kushtuar dy personaliteteve bosht Papa Gjon Palit II-të dhe Benediktit XVI.
Kjo revistë, që tashmë ka fituar seriozitetin e saj dhe është bërë e njohur për lexuesin, ka një përmbajtje me sa vijon: pas editorialit të titulluar “Njëzet shekuj të papatit në Kishën Katolike”nga kryeredaktori don Agim Qerkini, revista ndahet në tre pjesë. Pjesa e parë i kushtohet papës Gjon Palit II-të me shkrimin e Ambroz Demajt i cili shkruan për jetën dhe veprën e Palit të II-të, pastaj vijojnë dy shkrimet e Karol Wojtyla-s lidhur me bashkekzistencën e të mirës dhe të keqës, përsiatjen e tij për atdheun, kombin, shtetin dhe letrën e tij drejtuar artistëve. Kjo pjesë përfundon me shkrimin e Z. Ahmetit që shkruan lidhur me identitetin sipas Gjon Palit të II-të dhe çështjen shqiptare.
Në kuadër të pjesës së dytë, që i kushtohet kryesisht Joseph Ratzingerit, papës aktual Benediktit XVI, shkruan don Shan Zefi, për të vazhduar me shkrimet e ndryshme të vetë Ratzingerit sa ishte kardinal dhe pas zgjedhjes së tij në postin e kryeipeshkvit të Kishës katolike. Këtu, pos të tjerash, vlen të theksohet sidomos shkrimi i tij lidhur me identitetin e Evropës, qëndrimet dhe vlerësimet e tija rreth ardhmërisë së Evropës. Këtu mund të lexohet edhe për mesazhin e parë pas marrjes së postit të papatit, fjalimin e tij para përfaqësuesve të mjeteve të informimit, fjalimin e tij me rastin e pranimit të unazës së peshkatarit për fillimin e shërbesës pjetërore të
ipeshkvit të Romës, mesazhi i tij me rastin e ditës së XXI-të botërore të rinisë dhe shkrime tjera.
Në pjesën e tretë në “In memoriam” kujtohen figurat që përshkruan historinë më të re të Kosovës, ipeshkvi Nikë Prela, Ibrahim Rugova dhe imzot Mark Sopi. Duke u thirrur në kujtimet e tyre, don Lush Gjergji, don Shan Zefi, këta na shkruaj për disa aspekte të dashurisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës që kanë pasur këto figura që cekëm, dhe disa aspekte dhe vizione që kanë ndjekur në vazhdimësi këto personalitete, një trajtesë letrare të librit të Mark Sopit “Baca Kolë dhe famullitari”nga Prend Buzhala, për të përfunduar me shkrimin e Sh. Dibranit që i bën një përsiatje në vend të homazhit për kalimin në Amshim të ish-Kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova, me mendimet e tija lidhur me lëvizjen paqësore dhe kultit të sakrifikimit të tij gjatë udhëheqjes së Kosovës.