Diskursi anti-Kadare
-- nga Mehmet Kraja, shkrimtar
Sa herë që Kadare i afrohet Çmimit Nobel, një fushatë e orkestruar shqiptaro-ndërkombëtare bëhet e zhurmshme në mohimin e tij.
Në njërën nga gazetat e Shqipërisë, në internet, ditëve të fundit lexova një shkrim mohues dhe negativ për Kadarenë, me autor Stephen Schwartz. Ky Schwartz-i më ngjante si emër i njohur, sikur e kisha dëgjuar diku dhe pastaj m’u kujtua se, para një kohe, në Prishtinë, ai kishte promovuar një libër për Kosovën. M’u kujtua, gjithashtu, se foton e tij e kisha gjetur në internet. Iu futa përsëri një kërkimi të shpejtë dhe befasisht gjeta një foto të këtij Schwartz-it para varrit të Alija Izetbegoviçit në Sarajevë, me duar të shtrira përpara, ashtu siç bëjnë myslimanët gjatë lutjeve fetare. Pastaj m’u kujtua se një mik i imi më kishte thënë, se ky Schwartz-i ishte çifut dhe se para një kohe ai e kishte akuzuar Kadarenë për antisemitizëm. Nga ana tjetër, vërej se shkrimi i tij në gazetën e Tiranës është përkthyer në gegërisht, që doemos më kujton një lidhje disi të largët me akuzat që Kadaresë një herë e një kohë ia bënte Arshi Pipa. Dhe, ajo që të mbush vrer, është se ky farë Schwartz-i hiqet edhe si mik i shqiptarëve, dhe bën sikur i mbron ata nga Kadareja, nga shkrimtari i tyre emblematik.
E mora në shqyrtim këtë shkrim, sepse tashmë më është ngulitur në mendje se, sa herë që Kadare gjendet më afër Çmimit Nobel, se si ndodh që të orkestrohet një fushatë shqiptaro-ndërkombëtare, e cila, për shkaqe që unë nuk i di dhe nuk mund t’i marr me mend, insiston me ngulm të madh që ky çmim të mos përfundojë në duart e Kadaresë. Kjo fushatë, te shqiptarët, ka një veçori sadomazohiste, sepse është në gjendje të sakrifikojë reputacionin e kulturës së vet në botë, për shkak të marrëzive të tyre provinciale. Kurse bota është e madhe dhe nuk është e lehtë ta marrësh vesh se kujt i pengon më shumë, që një shkrimtar shqiptar të marrë çmimin letrar më prestigjioz të planetit.
Mirëpo, kësaj radhe trajektorja e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve dhe botës kalon përmes një mohimi të dyshimtë që i bëhet Kadaresë, së pari nga vetë shqiptarët. Të ashtuquajturit qark kulturor të Shkodrës, i cili vazhdon të mohojë Kadarenë në stilin e njohur të Arshi Pipës, tani i shtohet edhe një komplot i fshehtë ose i hapur i disa qarqeve shqiptaro-myslimane, të cilët, këtu në Kosovë, e kanë marrë mëri Kadarenë për një arsye shumë cinike: se ai na e paraqitka me ngjyra të shëmtuara Perandorinë Osmane, e cila na paska qenë shpëtimtarja e vetme e shqiptarëve kundrejt asimilimit sllav. Për të qarë dhe për të qeshur njëkohësisht.
Por më shumë se kaq, do vërejtur se Kadare që prej kohësh nuk mohohet me argumentin letrar, por më shumë me atë spekulativ politik. Në këtë pikë, Kadareja do të stigmatizohet si shkrimtar që ka mbështetur diktaturën. Akuzat, zakonisht, nuk vijnë nga shkrimtarët ose përgjithësisht nga njerëzit që e kanë pësuar nga diktatura në Shqipëri, por nga disa mediokër recidivistë, të cilët vuajtjet e njerëzve të asaj kohe i kanë mësuar duke lexuar ndonjë libër me çmim të lirë, ose nga rrëfimet e përgjumura të gjysheve.
Është interesant se në punë të mohimit të Kadaresë, as Kosova nuk ka mbetur me një anë, madje mund të thuhet se ambienti ynë kulturor dhe letrar shfaqet shumë i integruar në këtë pikë. Edhe kontestimet e kësaj ane, sado që janë përpjekur të kamuflohen, kanë marrë për bazë kryesisht argumentin politik, duke e përzier pastaj me atë letrar. Kadareja, ndryshe nga të tjerët, pothuajse rregullisht është pritur “në pusi”, që të zihet në ndonjë “gabim” rreth Kosovës dhe pastaj të merren me të radhazi, shkrimtarë e gazetarë, madje degët dhe nëndegët e partive politike. Kjo, natyrisht, e ka shpjegimin e vet. Por që sulmet ndaj Kadaresë, nga Kosova (ku ai ka adhuruesit më të shumtë), të marrin ngjyrimin e fundamentalizmit islamik, siç po ndodhë tani, kjo vërtet është marrëzi dhe shkuar marrëzisë.