Filozofia e refuzimit
-- nga Mark Marku*
Në më të shumtën e rasteve personaliteti i studiuesit të një fushe të caktuar të shkencave shoqërore mund të shpjegohet nga mënyra se si e përzgjedh fushën dhe objektin e studimeve të tij. Kësaj të vërtete i brendashkruhet edhe personaliteti i Rugovës. Kjo i jep përgjigjet në njëfarë mënyre edhe pyetjes pse pikërisht Letërsia dhe pse kryesisht letërsia e vjetër? Vetë Rugova në esenë Refuzimi estetik shprehet se karakteri dhe natyra e letërsisë përmban në vetvete dhe e realizon humanitetin në mënyrën më burimore dhe më autoktone dhe e shpreh më mirë raportin botë njeri. Po në këtë ese autori merret thellësisht me raportin e individit me të vërtetën ekzistuese dhe të vërtetën e përfaqësuar dhe me mënyrat e mundshme të refuzimit të së vërtetës përfaqesuese, refuzim ky që shtrihet nga jeta e përditshme në jetën letrare. Sipas Rugovës letërsia është vendi par exellence i njërës formë të refuzimit: i refuzimit estetik. Më tej ai e shtjellon teorikisht dhe filozofikisht refuzimin estetik i cili në ndryshim nga refuzimi aktiv ku bëjnë pjesë refuzimi politik, ideologjik, religjioz akte këto me pasoja konkrete në jetën e njëriut, është një refuzim në heshtje dhe që realizohet me forma letrare.
Në momentin kur u botua vepra, qarku kulturor i Prishtinës ishte shndërruar tashmë në një lëvizje kulturore dhe letrare me ndikim të madh në kulturën shqipe. Mund të themi pa frikë se ishte lëvizja me ndikimin më të madh për momentin. Produkti letrar i saj është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe po aq i rëndësishëm është orientimi kulturor që kjo lëvizje solli në letërsinë dhe kulturën shqipe. Kontributi i tyre është në tre drejtime kryesore:
në krijimin e një platforme teorike moderne letrare të aftë për të marrë përsipër orientimin e procesit letrar dhe krijimin e një sistemi real vlerash; krijim e një letërsie të re të çliruar nga dogma e realizmit socialist që do të ishte një mënyrë e re e përfaqësimit të botës shqiptare dhe estetizimit të saj; krijimin e urave të reja të komunikimit me universin letrar e kulturor botëror nëpërmjet sjelljes së autorëve më përfaqësues bashkëkohorë nëpërmjet përkthimit në letërsinë shqipe.
Tashti që kemi mundësi të shohim rezultatet e kësaj lëvizje kulturore mund të themi se kemi patur të bëjmë me një projekt të madh estetiko letrar për shndërrimin e botës shqiptare, me një projekt të madh refuzimi estetik i cili do të përgadiste akte të tjera të rëndësishme në jetën politike të shqiptarëve. Rugova është në qendër të kësaj lëvizje me veprën e tij teorike. Ky rast është një rast i pazakontë në kulturën shqipe pasi për herë të parë elementi teorik i paraprin ose është i njëkohshëm me krijimtarinë letrare. Natyrisht me këtë nuk dua të them se letrarët shkruanin sipas recetave kritike të teorikëve letrare, por dua të them se Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Rexhep Ismajli, Mensur Raifi apo të tjerë që erdhën më pas ndihmuan në orientimin e procesit letrar dhe në emancipimin e letërsisë. Për këtë arsye vepra teorike e studiuesve të letërsisë së kësaj periudhë është e lidhur fort me veprën e shkrimtarëve si Pashku, Podrimja, Shkreli, Musliu, Basha etj. Natyrisht në këtë prirje futen edhe përkthimi i veprës së Bartit, Zhenetit, Todorovit dhe shumë autorëve modernë të cilët deri më atëherë ishin të panjohur për botën shqiptare.
Personalisht unë shoh në këtë prirje një projekt të madh që synonte kthimin e botës shqiptare në modernitet. Dhe vepra e Rugovës është mishërim i mënyrës se si përfytyrohej moderniteti i botës shqiptare. Objekti i punës së tij shkencore është domethënës në këtë drejtim. Tre jane fushat kryesore të studimeve të tij:
autorët e vjetër të letërsisë shqipe kryesisht Bogdani;
autorët modernë të letërsisë shqipe që shkruhej në Shqipëri dhe në Kosovë; studimet teorike letrare dhe estetike.
Nga gjithë kjo ajo që të bie në sy është fakti se në thelb moderniteti i kërkuar është një shartim i botës paraotomane shqiptare me modernitetin bashkëkohor. Kjo shpjegon në njëfarë mase orientimin e kritikës së Rugovës për nga autorët e vjetër pasi këta autorë janë pikat e vetme të referimit të një bote tashmë të zhdukur. Rilindasit duke filluar me De Radën u kapën pas modelit të Skënderbeut në përpjekjet e tyre për krijimin e kombit shqiptar, por Rugova shkon përtej Skënderbeut, ai shkon në botën që mbronte Skënderbeu, pikërisht në atë botë që u zhduk pas vdekjes së tij. Lidhja e Rugovës me veprën e autorëve të vjetër të letërsisë shqipe nuk është e rastësishme. Vetëdija e kohëve moderne lind nga kuptimi i historisë si një e tërë dhe nga vetëdija se e tashmja është një fazë e këtij globalizmi historik. Vepra e Rugovës që na paraqitet në këtë botim të plotë të shtëpisë botuese "Faik Konica" është dëshmia më e qartë e kësaj vetëdije.
Por në këtë vepër gjejmë jo vetëm teorizmin e refuzimit estetik nga ana e Rugovës. Refuzimi estetik parapërgatit refuzimin e madh politik të shqiptarëve të Kosovës, rezistencën e kësaj bote ndaj represionit të ushtruar nga aparati serb i dhunës. Kalimi nga një refuzim në tjetrin është krejt i natyrshëm dhe për këtë vepra e plotë e Rugovës është model i koherencës së njeriut të ideve dhe njeriut të veprimit, i ideologut dhe politikanit, i njeriut të rrethanave dhe njeriut largpamës të së ardhmes.
Pikërisht kjo koherencë e bën atë njeriun më përfaqësues të çështjes së shqiptarëve të Kosovës, imazhin e përkryer të kësaj lëvizje të shenjtë dhe emancipuese në histori.
*Autor është profesor në Fakultetin e Filologjisë në Tiranë