HYRJE | HISTORI | LETËRSI | FOTOGRAFI | LAJME | INFO | RRETH NESH |     FJALA e LIRË


Kontakto: [ ] ose [ Kontakti ]

 
  [ Prapa ]


Tentativë vetëvrasjeje e Kosovës

Bashkim Kopliku -- nga Bashkim Kopliku,
    Durrës, 10.10.2006*

I gjithë populli shqiptar, e gjithë Kosova, pret vendimin e çlirimtarëve të saj, Perëndimit antikomunist, që ta bëjë të pavarur. E pikërisht në këtë kohë delikate, liderët e saj presin me nderime pasuesin besnik të enverizmit, pikërisht të njeriut dhe të ideologjisë që mbajti Kosovën nën zgjedhën Serbe, që nga 1945 e deri në 1999-ën. Shpesh kemi bërë veprime vetëvrasëse gjatë historisë, po kjo e fundit ia kalon edhe Haxhi Qamilit: pritja e Ramiz Alisë, kryetarit të fundit të shtetit komunist shqiptar, “me të gjitha atributet e një kreu shteti”, “nga të gjithë krerët e institucioneve në Kosovë, si dhe liderët e partive politike”, “makina të blinduara i janë vënë në gatishmëri për ta sjellë në Prishtinë”!!! Mjerim! A do të votojnë perëndimorët për një Kosovë të pavarur, që tregon këtë dashuri për komunizmin, kur Amerika dhe Evropa na dërgojnë mesazhe për dënimin e tij?

Nuk po bëjnë një pritje të një kushëriri nga Shqipëria, ata në Kosovë, gjë që do të ishte normale, por po presin pasuesin më besnik dhe konseguent të Enver Hoxhës, dhe e presin pikërisht sepse është i tillë! Po të ishte para vitit 1990, do t’i justifikonim kosovarët, siç dhe kemi bërë: nuk e dinin të shkretët sesa gjakatar e i poshtër ka qenë enverizmi. Por tani jo, se ka 15 vjet që ata duhet ta kishin mësuar të vërtetën, e nëse nuk e kanë mësuar, faji është i tyre, dhe vetëm i tyre. E nuk është vetëm kjo në Prishtinë, apo ajo në Ferizaj, demonstrimi i vetëm enverist, ka edhe të tjera, në qytete të tjera.

Kemi ndjekur, deri dje, me simpati luftën heroike kundër pushtuesit serb, të kryeministrit të sotëm Agim Çeku, e me radhë të gjithë atyre që pritën kryekomunistit nga Shqipëria, të “Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, liderit të ORA-s, Veton Surroi, kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj” etj. Por tani që morëm vesh për pritjen e ngrohtë të kryekomunistit, fillojmë të rimendojmë?!

Mendimi i keq “më i lehtë” që na vjen në mend, është sa vijon. A mos kanë marrë për së koti, dhe kujtojnë se kanë kapur qiellin me dorë, këta liderët aktualë të Kosovës? A mos kujtojnë se përnjëmend e çliruan ata vetë Kosovën, dhe tani mund të bëjnë ç’të duan me të, edhe të presin e të përcjellin shokët e ideve vrastare komuniste të Millosheviçit?

Sa për t’i çfryrë, se mbase i sjellë në vete, po ju themi se po të ishte për ata, Kosova sot do të ishte nën thundrën e Millosheviçit, se kosovarët do të ishin një popull pa shtëpi e pa katandi, duke u sjellur nëpër botë në shtegtim pa vendin e tyre. Në Prishtinë, e në gjithë Kosovën nuk do të kishte këmbë shqiptari, e në shtëpitë e tyre do të kishte sot vetëm romë e serbë. Ata e panë veten të përzënë, mbi 1 milionë shqiptarë, në dyert e Shqipërisë e Maqedonisë. E Kosovën, ua ktheu Amerika, NATO, Perëndimi, Antikomunizmi, e jo ata që sot po mirëpresin kryekomunistin shqiptar. Kosova do të bëhet e pavarur në saj të Perëndimit antikomunist, e jo në saj të komunistëve kosovarë, apo dhe shqiptarë.

Mendimi i keq “shumë i rëndë” që na vjen ndër mend, është sa vijon. A mos ka një tradhëti të tmerrshme, të paguar nga klanet serbe, që po e merr kalanë e Kosovës nga brenda? A mos ka një agjenturë të stërholluar që vepron në Kosovë, në majat e lidershipit të saj, që po i fut minat pavarësisë së Kosovës? Nuk lufton perëndimi për një shtet komunist: ta heqin mendje të gjithë, nuk është kaq naiv e kaq pa respekt për mijëra djem e vajza perëndimore, që kanë dhënë jetën kundër tij, që nga lufta e Koresë, e Vjetnamit, e sa e sa vende të tjera.

Lidershipi i Kosovës duhet riparë, mbase duhet ribërë! Të bëjnë kujdes kosovarët patriotë, që mos ta lënë Kosovën të shkojë në atë pozicion, që pastaj të thonë: na tradhëtoi “Evropa kurvë”, se “na ishim burra të mirë”, kur vetë e kemi fajin, vetë e kemi lënë kurvërinë të bëhet sheshit në mes të Prishtinës.

[ Botuar në Gazeta Shqiptare, 27.10.2006 ]

Shkoder.net... - Fjala e Lirë | Të drejtat e rezervuara