HYRJE | HISTORI | LETËRSI | FOTOGRAFI | LAJME | INFO | RRETH NESH |     FJALA e LIRË


Kontakto: [ ] ose [ Kontakti ]

 
  [ Prapa ]


Jemi mbushur me lypës

Bashkim Kopliku -- nga Bashkim Kopliku,
    Durrës, 10.7.2006*

Janë shtuar shumë lypësit në çdo ambjent të Shqipërisë. Shteti duhet të merret seriozisht edhe me këtë problem, sepse pamja vendit tonë po u ngjanë, për ditë e më tepër, vendeve më të rrënuara të botës. Ka zgjidhje të shpejta, pa pritur “rritjen e nivelit të jetesës”.

Në çdo lokal, në çdo kënd rruge, në plazhë e kudo, sheh lypës me pamjet dhe format e lypjes nga më të ndryshmet. Natyrisht është një tregues i nivelit të ulët të jetës, të faktit se ka njerëz që kanë mungesë tërësore mjetesh jetese, e prandaj dhe detyrohen të dalin e të lypin. Gjynah të shkretët! Por, kaq shumë lypës, na ka takuar të shohim vetëm në vendet më të paqeverisshme të Azisë dhe Afrikës! Bile, ka vende, më të varfër se ne, ku nuk sheh lypës, apo sheh shumë më pak se tek ne!

E dimë me siguri, se ka njerëz që janë shumë më keq se ata që “dalin të lypin publikisht”, dhe megjithatë ata përmbahen .... Nga ana tjetër, ka prej lypsëve publikë që mund të mos lypnin, sepse me pak përpjekje mund të gjenin një punë. Pra, edhe me lypësit lind problemi i moralit. Sidoqoftë, shumica e tyre janë nevojtarë e hallexhinjë të skajshëm, e meritojnë që shoqëria jonë të mendojë gjatë për ta.

Duhet që numri i lypësve në ambjentet tona të ulet me ngut, edhe sepse pamja e tyre e prish ambjentin, e bën të bezdisshëm, sidomos për të huajt. Kujtoni vargun pa fund të lypësve, kryesisht fëmijë, që u vërsulen të huajve duke i kapur nga rrobët, duke iu ngjitur me lutjet e xhestet e tyre të dhimbëshme, por edhe të bezdisshme. Sulmi bëhet sapo duken diku të huaj: sikur dikush i ruan dhe jep kushtrimin. Shoqëria shqiptare ka leverdi të krijojë një ambjent sa më mikëpritës për të huajt.

Edhe vetë lypësit do të përfitonin më shumë, nëse nuk do t’i bezdisnin të huajt: do të kishim më shumë turistë, pra më shumë të ardhura për të ndihmuar konkretisht edhe lypësit?! Por as që duhet të mëtohet që lypësit ta “kuptojnë se nuk duhet ...”: shoqëria duhet të veprojë në kundërshtim me dëshirat e me shtytjen momentale të lypësve të veçantë, duke i ndaluar në veprimet e tyre.

Do të ishte mirë që shteti të bënte politikat e veta të zhdukjes së lypjes publikisht. Së pari, shteti duhet të ndihmojë të vobektët e skajshëm. Ndofta ministria e punës etj., duhet të punojë më intensivisht. Ka shumë familje që bien jashtë rrjetit shtetëror të asistencës, prandaj duhet që shteti të stimulojë organizatat joshtetërore që merren me të vobektët. Së paku duhet që policia bashkiake, por edhe ajo e shtetit, të evidencojë lypësit, dhe t’i ndjekë hallet e tyre.

Së dyti, policitë (bashkiakja dhe ajo e shtetit) duhet të evidentojnë lypësit mashtrues, e të marrin masa shtërnguese kundër tyre—thuhet se nuk janë pak mashtruesit, edhe në radhët e lypësve! Policitë, sidoqoftë, duhet të ndërhyjnë që të ndalohet lypja në vendet publike, natyrisht me kujdesin dhe taktin përkatës, por në mënyrë të prerë: nuk duhet të lejohet asnjë lypës në vendet publike.

Kishat dhe xhamitë mund të kishin një rol më intensiv në mbështetjen e organizatave që ndihmojnë të vobektit, duke shtuar edhe mensat ku hahet pa para etj. Shohim se në shumë vende të botës së përparuar, organizmat fetare janë shumë më aktive në këtë drejtim.

Pala tjetër, bamirësit, ata që u falin diçka lypësve, edhe ata janë të pamjes dhe formave të ndryshme: disa japin lëmoshë, disa lekë, me kënaqësi që po ndihmojnë një hallexhi—gjë që është normale—por, ka të tjerë që shfrytëzojnë momentin për të ekspozuar alturizmin e tyre—nuk e dimë se sa është lëmosha që japin, me që shihet vetëm xhesti i tyre pompoz! Nejse, të dy palët bëjnë mirë të mos japin lëmoshë publikisht.

Duke u zvogëluar dhënia e lëmoshës publikisht, do të zvogëlohej edhe lypja publikisht. Krijimi i kasave të lëmoshës, i një vendi ku mund të derdhen paratë e bamirësve, do të ishte zgjidhja më e mirë për njerëzit që kanë dhimshurinë për të ndihmuar të vobektit: dhënia e atyre pak parave tek këto kasa, do të bënte të mundur që ato të shkonin në destinacionin e duhur, shumë më me siguri, sesa dhënia e lëmoshës publikisht. Le të japim lëmoshë në kasat e lëmoshës, ku edhe rregjistrohet se sa ka dhënë secili prej nesh!

[ Botuar në Gazeta Shqiptare, 13.7.2006 ]

Shkoder.net... - Fjala e Lirë | Të drejtat e rezervuara