HYRJE | HISTORI | LETËRSI | FOTOGRAFI | LAJME | INFO | RRETH NESH |     FJALA e LIRË


Kontakto: [ ] ose [ Kontakti ]

 
  [ Prapa ]


Me rastin e botimit në gjuhën frange

"Një dosje për Kadarenë", libri i t'vërtetave të mëdhaja

-- nga Irhan Jubica, ARS

Irhan Jubica Duhet me e thanë qysh në krye të herës se asht e pafalshme që asnjena prej shoqatave të t'përndjekunve politikë nuk i ka ofrue ende shkrimtarit Ismail Kadare kartën e antarsisë, mbas asaj dëshmie publike të persekutimit të tij nga regjimi, të shpalosun në librin "Një dosje për KADARENË", me autor studiuesin e madh Shaban Sinani. Me nji seriozitet e kompetencë që vetëm nji ishredaktor i "Zërit të Popullit" mundet me e pasë, si dhe nëpërmjet dokumentesh origjinale tepër sekrete e shumë domethanëse - siç janë, ndër të tjera, për shembull, fragmentet nga librat e rrallë "Vjeshta e ankthit" apo "Rrugët e ferrit", letra e nji mësuesi beratas dhe shënimi i Hysni Kapos gjithashtu për Ramiz Alinë etj., - autori ia ka mbrritë me e zbardhë krejt të vërtetën e përndjekjes së vazhdueshme që asht ushtrue ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, nji survejim që ka rezultue me pasoja aq të randa sa vetë shkrimtari, n'ato 10-12 intervistat ditore që dha mbas botimit të këtij libri studimor të përmasave të mëdhaja (238x148x23mm), deklaroi me sinqeritet: "

Është e trishtë kur mëson se je survejuar në këtë mënyrë". Nuk janë vetëm dokumentet që flasin në këtë libër studimor; asht edhe autori që herë mbas here ban komentet e tij - krejt të paanshme, prej nji studiuesi të vërtetë - mbi dokumente që ai i ka njohë, e ndoshta edhe i ka hartue vetë në kohën kur si instruktor i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, ishte nji ndër ndihmësat kryesorë të Ramiz Alisë, edhe pse qysh në hymje ai çuditet tue tentue me çuditë edhe lexuesin me faktin se si paska qenë e mundun që shteti diktatorial nga njena anë asht krekosë me propagandën që shkrimtari i zgjedhun i ka ba regjimit në perëndim, e nga ana tjetër, paska pasë edhe nji "qëndrim të fshehtë e kritik" për "vigjilimin e letërsisë". Kjo asht shumë e çuditshme, e po të mos ishte për studiuesin Sinani, as tash nuk kishte me dalë e vërteta.

Asht e randësishme me kujtue këtu se qysh në vitin 2003, kur plani për realizimin e këtij libri studimor shumë serioz kishte marrë jetë, autori Sinani pati shkrue se Kadare asht emblema e Brezit 1968 në Shqipni, si nji brez ndryshimi. Në të njajtin studim, - i cili rezulton me qenë ma seriozi i bamë ndonjiherë për shkrimtarin Ismail Kadare edhe për faktin se autori i këtij teksti, Shaban Sinani, bashkë me studiuesit e kritikët e tjerë të mëdhaj të letërsisë shqipe si Bashkim Kuçuku, Tefik Çaushi, Mark Marku, Xhemal Ahmeti, Novruz Shehu etj., janë krejt të paanshëm në vlerësimet e tyne për veprën e Kadaresë, - thuhet edhe se "Problemi i ekzistencës së një letërsie disidente në Shqipëri është një problem i hapur, por në asnjë rast nuk mund të gjejë zgjidhje pa marrë në vlerësim shkrimtarin I. Kadare." Natyrisht që për autorin nuk asht ky shqetësimi që e ka shty' me e hartue librin "një dosje për KADARENË", sepse ky nuk ishte as qëllimi i librit të shkrimtarit tjetër të madh Maks Velo mbi poezinë "Pashallarët e kuq", që u quejt "hetim mbi një krim letrar", libër, për autorsinë e t'cilit thuhet se ka pasë nji odise n'vete.

Asht e qartë që kur autori shkruen se "asnjë disidencë nuk ka lindur pa një traktat refuzimi të rendit politiko-ideologjik ose të përkufizimit teoriko-letrar të realizmit socialist", ai e përjashton madje edhe vetë Ismail Kadarenë nga disidenca e meritueme, edhe pse, poezia e vitit 1975 "Në mesditë Byroja Politike u mblodh" qoftë si tekst poetik i shkëlqyem, - i realizuem me nji instensitet gjithnji e n'rritje e me mjeshtri artistike ende të patejkalueme prej poezisë moderne shqipe (mëkat që ajo poezi nuk asht përfshi n'përzgjedhjet e fundit poetike të autorit), - qoftë edhe si tekst politik, kjo poezi pra, i përmbush kriteret e nji traktati t'sipërpërmendun, gjithmonë tue ndjekë standardet e studiuesit Sinani. Ndoshta kjo asht nji zgjedhje e autorit, serioziteti i punimeve shkencore letrare të t'cilit asht konfirmue qysh me "Pengun e moskuptimit", për me e lanë për nji botim të dytë, të ripunuem ndoshta, nxjerrjen e këtyne përfundimeve dhe vërtetimin e disidencës s'Kadaresë.

N'nji libër t'ardhshëm të kësaj natyre e cilësie, autori me siguri ka me i qartësu' edhe arsyet e imunitetit, sepse me kaq sa lexohet n'400 faqet e këtij libri, krijohet ideja e gabueme se të tana komplotet kundër Kadaresë janë shkatërrue kur kanë ndeshë në dijeninë e diktatorit, tue u dhanë jetë zaneve të rreme që e rreshtojnë Ismail Kadarenë ndër shkrimtarët e oborrit. Gjithmonë tue iu referue librit, n'procesverbalin e nji mbledhjeje të zhvillueme n'KQ të PPSH-së më 25 tetor 1975, mes tjerash edhe për poezinë e naltpërmendun, ndaj Kadaresë bahen kritika t'ashpra, dhe çashtja mbyllet përfundimisht me nji autokritikë t'shkrimtarit. Pra, asht detyrë e studiuesve dhe e kritikëve të shquem, emnat e të cilëve u përmendën ma nalt, me hedhë dritë mbi këta çashtje, të cilat vetëm ata munden me i shqyrtue me profesionalizmin e paansinë që i karakterizon.

E vetmja fjali në tanë librin, me t'cilën nuk pajtohem e po marr guximin me e kundërshtue në këte shkrim, asht ajo ku autori shkruen se e ka hartue librin si nji shërbim modest ndaj t'vërtetës. Jo, "nji dosje për KADARENË" nuk asht nji shërbim modest ndaj t'vërtetës, por e vërteta vetë; asht shembulli i nji pune të mirëfilltë, arkivore, dokumentuese, krahasuese e studimore, nji libër që e nalton edhe ma figurën e Kadaresë, sidomos për sa i takon periudhës së diktaturës. Aq serioz dhe i realizuem asht ky libër sa edhe deklarata e Kadaresë te "Ftesë në studio"se "censura në vendin tonë s'ka qenë vendosur asnjëherë" tingëllon po aq anakronike, po aq sa edhe shprehja e vetdijes së shkrimtarit për detyrën survejuese të diktaturës ndaj atij vetë, në të njajtin libër: "… i gjithë ky rrëmet, që shpeshherë është i padukshëm e i pandjeshëm, shfaqet befas kur për shkrimtarin bie ora e ligë, domethënë kur ai dhe burokracia gjenden përballë njëri-tjetrit"; sigurisht, Kadareja e ka parapa qysh n'vitin 1990 se këto deklarata t'tijat kanë me u anashkalue pa ndikue në hartimin e nji libri t'tillë si ky i studiuesit Sinani.

Nji e vërtetë tjetër e madhe, e besueshme, prekse, shpaloset n'libër: poeti Maks, i shpëtuem prej Kadaresë parakalon n'sytë e lexuesit pa dashtë me e zbulue kurrë mbiemnin, ndoshta edhe si protestë ndaj avokatit Doja, t'cilit, ashtu si Kadaresë e si t'gjithve, nuk u kujtohet mbiemni i tij. Gjana që ndodhin.

Në mbyllje mundemi me u shprehë me bindjen që rrezaton libri "një dosje për KADARENË", se nga pozita e nji shkrimtariprofet që i ka pri rrugën popullit, Kadare ka parathanë gjithashtu edhe fatin e vet, qysh n'vitin 1966 (dy vjet para se me u ba emblema e Brezit '68 në Shqipni), kur me rast të 25-vjetorit t'themelimit t'Partisë Komuniste t'Shqipnisë, pat krijue vargjet emblemë të letërsisë s'realizmit socialist: "Ku t'i kërkoj rrënjët e tua Parti / si një rrap madhështor ke mbirë ndanë udhës ku shkojnë shtrëngatat /ata rrahin të të shkulin / por ti veç vaditesh prej shqotës së tyre / dhe mes shqotave rritesh". Ky asht mesazhi që studiuesi i madh Shaban Sinani ka dashtë me dhanë nëpërmjet këtij libri: Kadarenë, të cilin e kanë survejue, kritikue, sulmue, jo vetëm lexuesit e kolegët e tij, por edhe regjimi që kishte ngarkue për këte qëllim struktura të tana shtetnore, nuk e ka mposhtë asgja. (ars, nr. 36)

Shkoder.net... - Fjala e Lirë | Të drejtat e rezervuara