Rugova ishte lider i dimensioneve të mëdha
-- nga Kai Eide*
Ibrahim Rugovën e kam njohur tash e dymbëdhjetë vjet. Përjetova dhembje të thellë me të dëgjuar të lajmin për vdekjen e tij. Natyrisht, e kemi ditur se ka qenë seriozisht i sëmurë, megjithatë ishte shokuese. E kam njohur si një person i cili ka qenë gjithmonë i hapur për bisedime, gjithmonë ishte i afërt.
Edhe pse ai nganjëherë mund të dukej si i tërhequr, ishte i ngrohtë dhe ishte lider i fuqishëm. Ishte udhëheqës i fuqishëm edhe në momentet kur njerëzit kanë dyshuar në të, prandaj edhe do të jetë shumë vështirë që të përcillen hapat e tij. Gjithmonë i kam vlerësuar lart bisedat tona të hapura dhe pasi që kam pasur rastin ta takoj aq shumë herë, e kam parë më shumë se një mik.
Gjithmonë me endje jam takuar me të, prandaj edhe unë e ndaj dhembjen që të gjithë ju kosovarët e ndieni këto ditë.
I dërgoj ngushëllimet e mija familjes, dhe të gjithë të tjerëve të cilët e kanë parë Kryetarin Rugova si një figurë babai, sepse me të vërtetë ishte një i tillë-baba.
Mendoj se është shume e rëndësishme në këtë kohë të kultivohet uniteti e jo të inspirohet ndarja. Ai do të dëshironte që kjo të ndodhë. Natyrisht, sot askush nuk mund të zërë pozitën e tij historike, sepse ishte unik dhe këtë e ka dëshmuar duke qenë në gjendje të mbetet lider i vërtetë për aq shumë vjet.
Mendoj se at do të donte që tash t'i shohë liderët politikë të Kosovës duke reflektuar dhe duke inspiruar një lloj uniteti, përkundër pikëllimit të madh.
Për dikë që ta vazhdojë trashëgiminë e tij politike, duhet të jetë njeri me të cilin të gjithë mund të ndihen krenar, sepse edhe vetë Presidenti Rugova ishte i tillë. Ai adhurohej.
Edhe pse ishte i tërhequr dhe i qetë, ai megjithatë ishte i dashur dhe i respektuar. Mënyra se si ai respektohej nga populli duhet të inspirojë liderët kosovarë që dëshirojnë të vazhdojnë punën e tij. Një lider i respektuar gjithandej ka vdekur, një person i respektuar jo vetëm në Europë, por edhe në SHBA. Një person që, për neve që e njihnim, ndjenim privilegj kur e takonim.
Ishte lider i dimensioneve të mëdha dhe e vërteta e hidhur është se një gjigant ndërroi jetë. Një gjigant politik dhe prijës i njerëzve të tij.