HYRJE | HISTORI | LETËRSI | FOTOGRAFI | LAJME | INFO | RRETH NESH |     FJALA e LIRË


Kontakto: [ ] ose [ Kontakti ]

 
  [ Prapa ]


DIASPORA E HARRUAR

-- nga Prof. Dr. Agron Fico

Agron Fico Gjatë këtyre 10 vjetëve në emigrim jetoj me diasporën, jam bërë pjesë e jetës së saj. Më kanë përthithur vëmendjen aspekte të ndryshme të frymëmarrjes dhe zhvillimit të brendshëm të diasporës. Diaspora është një fakt i njohur për realitetin shqiptar. Ka luajtur një rol me rëndësi në historinë kombëtare shqiptare. Këtu është fjala jo vetëm për ato ngulime shqiptarësh në Itali, Greqi, Turqi etj., por edhe për atë mërgatë shqiptare në SHBA, Egjipt, Rumani, Bullgari e vende të tjera. Ky shkrim bën fjalë për diasporën shqiptare në SHBA, e cila ka një histori mbi njëqindvjeçare.

Ajo ka dhënë një kontribut të dukshëm në vetë fatin e Shqipërisë dhe mbarë hapësirës shqiptare. Aty lindën dhe u ngjizën lëvizje të fuqishme atdhetare dhe dolën shtetarë të mëdhenj dhe shkrimtarë të shquar si Fan Stilian Noli, Faik Konica dhe një plejadë atdhetarësh të tjerë të zjarrtë. Qysh në fillimet e shekullit të kaluar, diaspora shqiptare në SHBA, u bë mbështetja kryesore për lëvizjet, përpjekjet dhe luftërat e shqiptarëve kundër Turqve të Rinj (xhonturqve) për “mëvetësinë” e Shqipërisë, që u kurorëzuan me ngritjen e flamurit shqiptar më 28 Nëntor 1912 në Vlorë nga diplomati i ndritur dhe atdhetari i madh Ismail Qemali, duke e shpallur Shqipërinë shtet të pavarur.

Është mjaft domethënës fakti që organizata panshqiptare “Vatra”, themeluar në ato vite nga Fan Noli, u bë përkrahëse e zjarrtë e shtetit të ri e të pavarur shqiptar. Veprimtaria atdhetare e “Vatrës” në vitet 1912-1924 është mjaft e gjallë. Diaspora shqiptare me Fan Nolin në krye dha një kontribut të dorës së parë në qëndrimin e presidentit amerikan Uilson (Woodrow Wilson) në Konferencën e Paqes në Paris më 1921, që vulosi pavarësinë dhe integritetin e shtetit shqiptar, të rrezikuar nga shtetet fqinje shovinistë Greqi, Serbi dhe Itali. Në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, diaspora shqiptare ishte pranë halleve dhe sfidave të shumta të Shqipërisë dhe mbarë hapësirës shqiptare.

Komuniteti shqiptar i Amerikës ndriti si forcë kryesore në përkrahje të popullit shqiptar të Kosovës në përpjekjet dhe luftën kundër pushtimit ushtarak serb. Shqiptarët atdhetarë, me anë demonstratash, manifestimesh, kontaktesh me kongresmenët dhe senatorët amerikanë, e deri në Shtëpinë Bardhë, i bënë të njohura gjendjen dhe aspiratat e shqiptarëve të Kosovës. Më 1999-ën, krahas ndihmave me parà dhe me armë, në Kosovë shkoi batalioni “Atlantiku”, që luftoi krah për krah me motrat dhe vëllezërit kosovarë.

* * *

Ndryshimet thelbësore demokratike në Shqipëri më 1990-ën dhe dëbimi i pushtuesve serbë nga Kosova më 1999-ën, sollën ndryshime cilësore edhe në diasporë. Të ardhurit rishtas nga e gjithë hapësira shqiptare, shumica janë të shkolluar dhe të etur për të ndërtuar një jetë të re në Amerikë. diaspora e rilindur ka fituar tipare të reja shoqërore-arsimore-kulturore. Ka përpjekje për një veprimtari të qëndrueshme arsimore-kulturore jo vetëm në Nju Jork, por edhe në Boston, Miçigan, Filadelfia, Dallas e gjetkë.

Shoqatat e shumta dhe me emra të ndryshëm, krahas ruajtjes së frymës së grupimit etnografik, synojnë edhe aktivitete kombëtare si, festimi i pavarësisë dhe i festave të tjera kombëtare. Disa prej tyre kanë hapur edhe klasa për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët që kanë lindur këtu nga familjet emigrante shqiptare.

* * *
Njohja nga afër dhe reale e kësaj diaspore dëshmon se ajo ka sfida, të cilat Shqipëria dhe Kosova duhet t’i njohin dhe të ndihmojnë në kapërcimin e tyre. Për këtë kërkohet që të ndryshojë përfytyrimi dhe koncepti folklorik për vetë diasporën ose, thënë ndryshe, koncepti tradicional i shek XIX, që e shikonte diasporën thjesht vetëm në këndin më të ngushtë ekonomik. Ky koncept folklorik-tradicional mbahet ende gjallë edhe nga fakti se, përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në Uashington dhe në Nju Jork kanë qenë dhe janë pothuajse të paafta për të ndërmarrë studime ose vëzhgime bashkëkohore për gjendjen reale të diasporës sot. Këta diplomatë e kanë ngushtuar rrezen e njohjes kryesisht tek piceritë ose restorantet e kategorive të dyta dhe të treta të shqiptarëve. Ata aspak ose tepër rrallë i sheh nëpër përurimet ose veprimtaritë kulturore-shkencore-arsimore të komunitetit të shqiptarëve në Amerikë. Ata pothuajse nuk kanë kontakte dhe nuk takojnë kurrë intelektualët e diasporës dhe njerëzit e artit e të kulturës që kanë ardhur nga hapësira shqiptare në Amerikë këta dhjetëvjeçarët e fundit.

Nga ana tjetër ndodh që delegacionet e ndryshme shtetërore ose partiake, që vijnë kryesisht në prag fushatash të zgjedhjeve parlamentare ose partiake nga Kosova ose nga Shqipëria, mblidhen dhe takohen me njerëzit e restoranteve, picerive ose me kujdestarë ndërtesash. Kështu, nga takimi dhe biseda me këta shqiptarë, këto delegacione nuk mësojnë ndonjë gjë me peshë dhe konkrete për diasporën në tërësi. Pra, rrethi është i mbyllur. Vijnë e ikin dhe këta shtetarë ose partiakë pasionantë nuk marrin vesh as nuk kuptojnë dot pulsin e vërtetë të kësaj diaspore. Ndodh edhe një fenomen tjetër që tregon mungesë serioziteti. “Delegacionet” nga diaspora, që janë persona fare pak të njohur ose me status të vogël intelektual e publik, në masmedian shqiptare ose atë të Kosovës, paraqiten si diva të diasporës, që premtojnë gjëra të mëdha, por nuk bëjnë dot asgjë. Pra, edhe në këtë rast, palët pritëse në atdhe, nuk mund të kuptojnë as hijen e halleve të diasporës.

Po cilat janë këto veçori dhe cilat janë disa nga sfidat që has sot diaspora shqiptare në Amerikë? diaspora shqiptare është një komunitet i fuqishëm demokratik dhe plot energji, që ka të drejtën të dëgjohet në instancat më të larta të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës. Në ligjin themelor, në Kushtetutë, duhet të bëhen ndryshime dhe të përfshihet e drejta e votimit edhe për shqiptarët në emigracion dhe mbi të gjitha t’u njihet e drejta që të kenë deputetët e tyre. Kjo është kryesore, sepse lidh ligjërisht shtetet mëmë me gjymtyrët e veta të larguara. Po përmend vetëm një fakt: Kroacia ka 13 deputetë nga diaspora e vet. Disa shtete kanë madje edhe ministri të diasporës. Nevoja e trajtimit së problemeve jetike që ka diaspora nuk mund të zgjidhet vetëm me ngritje qendrash studimore, qoftë edhe me ndonjë institut për diasporën, pa u krijuar së pari kuadri i duhur ligjor për diasporën.

Pas vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri dhe mbas shpalljes së shpejti edhe të shtetit të pavarur të Kosovës, është më se e natyrshme që, në përfaqësitë diplomatike shqiptare apo kosovare nëpër vende të huaja, të ketë edhe diplomatë nga diaspora. Dihet se kjo diasporë ka me dhjetëra shqiptarë me status të lartë politik, kulturor, publik dhe arsimor që do t’i bënin nder kombit po të emëroheshin në këto përfaqësi. “Ne kemi vetëm një dëshirë: me ndihmue sa ma tepër kombin tonë” -më kumtonte në një bisedë atdhetari i familjes së njohur Bytyçi, zoti Sabit. “…kemi shumë përvojë, njohje dhe lidhje me instucionet amerikane, që do të lehtësonin dhe shpejtonin bashkëpunimin me shtetin amë.” diaspora shqiptare ndeshet me çështjen e ruajtjes së identitetit të vet kombëtar, të gjuhës dhe traditave kombëtare në gjirin e shoqërisë multietnike amerikane, që ka një forcë dhe energji të fuqishme asimiluese. Kombet e tjera e kanë zgjidhur çështjen e ruajtjes së identitetit duke ngritur një sistem të tërë: shtëpi kulture, institucione arsimore, librari, teatro etnikë, etj.

Komuniteti shqiptar ka pasur dhe ka veprimtarë, të cilët kanë bërë dhe bëjnë përpjekje të lavdërueshme për ruajtjen e identitetit, por mundësitë i kanë të pakta. Mjafton të përmendim se, as në Nju Jork nuk ka ndonjë qendër shqiptare, ndonjë dyqan ku të shitej libri shqip, apo ndonjë sallë ku të jepeshin programe artistike dhe kulturore shqiptare, ashtu siç kanë gjithë grupet e tjera etnike, duke përfshirë edhe fqinjët tanë. Përpjekjet e intelektualëve vullnetmirë dhe aktivistëve atdhetarë nuk kanë mjaftuar për të arritur këto objektiva. Shteti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës duhet të investojnë, të ndihmojnë financiarisht për të hedhur bazat e këtyre institucioneve në diasporë.

* * *

Jeta publike dhe kulturore-artistike e diasporës funksionon nëpërmjet shoqatave, të cilat janë anemike dhe kryesisht janë ngritur mbi baza etnografike-krahinore. Shoqatomania është gërshetuar shpesh edhe me partimaninë. Kjo bën që këto shoqata dhe parti të ngjajnë më shumë me klube, që mblidhen kryesisht për festën e 28 nëntorit ose për të përkujtuar ndonjë figurë të krahinës së vet. Ka munguar dhe mungon një bashkëpunim midis këtyre shoqatave, të cilat shpesh edhe shpërfillin njëra-tjetrën.

Po sjell një fakt nga kohët e fundit. Akademia e Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane bashkë me teatrin shqiptar në Amerikë, organizuan një mbrëmje kulturore me rastin e 70-vjetorit të shkrimtarit të madh Ismail Kadare në mjediset e lokalit të Bruno Selimit në Manhatan. Pjesëmarrësit ishin intelektualë, artistë, biznesmenë, shkrimtarë etj. Mbrëmja pati jehonë të mirë dhe u përshëndet si një arritje e komunitetit tonë. Pas disa javëve, me rastin e ardhjes së shkrimtarit Ismail Kadare në universitetin e njohur të Kolumbias në Nju Jork për të mbajtur një temë akademike, një shoqatë me emrin “Këshilli shqiptaro-amerikan” organizoi një mbrëmje për t’i dhënë një çmim shkrimtarit të njohur.

Po të bashkëpunohej edhe me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe institucionet e lart-përmendura, kjo ngjarje do të kishte një nivel më të mirë. Diaspora shqiptare në Amerikë mendjen dhe zemrën e ka në Shqipëri, në Kosovë e në mbarë hapësirën shqiptare, por edhe këto nga ana e tyre të mos e lënë diasporën të harruar dhe të mos kujtohen për të vetëm në prag fushatash elektorale parlamentare ose zgjedhjesh partiake. Në përfundim mund të thuhet se në shekullin XXI vetë jeta dhe ekzistenca e diasporës duhet të shikohet në këndin e një koncepti bashkëkohor integrues me kombin tonë.

Shekulli, 21/07/2006

Shkoder.net... - Fjala e Lirë | Të drejtat e rezervuara