Basti i Paskalit dhe basti i opozitës
-- nga Dr. EDUARD ZALOSHNJA
(Botuar ne gazeten Panorama)
Në një bast imagjinar rreth jetës së përtejme, argumentonte në shekullin XVII Paskali, besimtari edhe mund të fitojë, ndërsa jo-besimtari nuk ka asnjë shpresë për fitore.
Në traktatin e tij filozofik "Pensées", matematicieni francez, Blaise Pascal, formuloi i pari pyetjen në se vlen më mirë të jesh gabim kur beson në premtimin për një jetë më të mirë në parajsë, apo kur nuk beson në të. Përgjigja që i dha matematicieni kësaj pyetje shërbeu më vonë si fillesa e rrymës filozofike të pragmatizmit, dhe njihet sot në filozofi me emrin "Basti i Paskalit".
Në themel të bastit të Paskalit, qëndron krahasimi i probabiliteteve të gabimit në lidhje me besimin tek parajsa, si dhe të pasojave që mund të ketë dikush prej këtij gabimi. Konkretisht, sipas matematicienit, ai që beson në jetën e përtejme ka shumë të ngjarë të jetë gabim, por ekziston edhe një probabilitet i vogël që të mos jetë gabim. Si rezultat, gjasat e besimtarit për të shkuar në parajsë nuk janë zero. Ndërsa ai që nuk beson, argumentonte Paskali, ka shumë të ngjarë të mos jetë gabim, por ama, për të, nuk ekziston asnjë shans që të shkojë ndonjëherë në parajsë. Kështuqë, në një bast imagjinar rreth jetës së përtejme, konkludonte matematicieni, i pari edhe mund të fitojë, ndërsa i dyti nuk ka asnjë shpresë për fitore.
Që nga koha kur Paskali formuloi argumentin e mësipërm, variacione të tij janë përdorur shpesh në fushata zgjedhore të partive politike opozitare. Meqënëse një parti opozitare synon t'i mbushë mendjen votuesve se jeta e tyre do të bëhet më e mirë në të ardhmen në qoftë se ata votojnë për të, si minimum, asaj i duhet të demonstrojë se më keq se ç'ua ka bërë jetën partia në fuqi nuk ka ku të shkojë më. Dhe në qoftë se votuesit e pranojnë këtë fakt, sipas argumentit të Paskalit, i bie që ata, edhe po nuk besuan në premtimet e partisë pretendente për të ardhur në pushtet, kanë një shans të vogël për një të ardhme më të mirë po votuan për të; në fund të fundit, ata nuk kanë ç'të humbasin.
Po të ndiqet logjika e argumentit të Paskalit në fushatën aktuale zgjedhore shqiptare, i bie që partive opozitare si PD-ja, LSI-ja, LZHK-ja, e PDr-ja, të cilat synojnë të tërheqin votat e të lëkundurve, u duhet vetëm t'i bindin këta të fundit se premtimet e tyre zgjedhore nuk janë fare të parealizueshme. Kjo sepse të lëkundurit e kanë krijuar tashmë bindjen se jeta e tyre, më keq nga ç'e ka bërë qeveria Nano, nuk mund të bëhet më; nga një sondazh i degës ballkanike të kompanisë së njohur Gallup, rezulton se mbi 75% e shqiptarëve e besojnë këtë gjë.
Në qoftë se e vënë argumentin e Paskalit në themel të fushatës së tyre zgjedhore, kuptohet që partive opozitare shqiptare nuk do t'u duhet të harxhojnë shumë kohë për t'iu demonstruar të lëkundurve se sa keq ka qeverisur Nano. Vemendja e tyre duhet të përqëndrohet kryesisht në krijimin e besimit se ekziston një probabilitet që qeverisja të përmirsohet po qe se votat shkojnë për to.
Në rastin e PD-së, LZHK-së, e PDr-së, mundësia për ta krijuar këtë besim është më e madhe. Kjo sepse ardhja e tyre në pushtet do të sillte edhe një rifreskim rrënjësor të administratës. Pra, këtyre partive do t'u duhet vetëm të krijojnë idenë se njerzit e rinj që do të vihen në postet drejtuese të administratës do të punojnë më mirë se ata që i mbajnë aktualisht këto poste. Vështirësia më e madhe me të cilën përballen këto tre parti në luftën për tërheqjen e të lëkundurve është konkurenca me njëra-tjetrën. Dhe në zgjedhje pa balotazh, kjo konkurencë mund të kushtojë shumë.
Në rastin e LSI-së, situata është disi më e komplikuar. Për votuesit e lëkundur është e qartë se ajo nuk mund të grumbullojë e vetme mbi 50% të votave. Si rrjedhim, ata e dinë se, në rastin kur as e djathta e as e majta nuk do të jenë në gjendje të formojnë qeverinë pa bërë koalicion me LSI-në, asaj nuk do t'i mbetet alternativë tjetër veç bashkëqeverisjes me PS-në. Kjo sepse një aleancë me "gogolin" Berisha është e papranueshme për shumicën dërrmuese të anëtarëve të saj. Dhe në kushtet e bashkëqeverisjes me PS-në, ajo nuk do ta ketë mundësinë e kryerjes së një rifreskimi rrënjësor të administratës.
Por a mund ta zbusë LSI-ja këtë minus në sytë e votuesve të lëkundur? Një mundësi ajo e ka. Kështu, ajo mund të përdorë argumntin se, po të jetë i madh grupi i saj parlamentar, do ta ketë të drejtën të kërkojë që, të paktën në disa pika kyçe të administratës, të vihen njerëz të rinj. Dhe një perspektivë e tillë mund të joshë drejt LSI-së ata votues të lëkundur që kanë një farë alergjie ndaj Berishës.
Analiza e mësipërme demonstron se, po ta vënë argumentin e Paskalit në themel të strategjisë së tyre zgjedhore, partitë opozitare mund të fitojnë jo pak vota prej të lëkundurve. Por kuptohet që ai nuk mund t'i ndihmojë ato për të ruajtur votat e hedhura pro tyre. Antidoti më efikas kundër vjedhjes e manipulimit të votave për një parti opozitare është që të tërheqë sa më shumë votues. Sepse sa më shumë votues ta mbështesin atë realisht, aq më e vështirë bëhet vjedhja apo manipulimi i votave të saj nga kundërshtarët.
|