A vlen të komentosh në gazetë?
-- nga Dr. EDUARD ZALOSHNJA
(Botuar ne gazeten Panorama)
Në Greqi, një kopje gazete lexohet nga shtatë vetë; në Shqipëri, të paktën nga pesë. Pra një gazetë me 20 mijë kopje i bie të lexohet nga 100 mijë shqiptarë. Por a ndikohen ata nga ç'lexojnë?
Në prag të vitit të ri, është bërë traditë që njerzit të diskutojnë për gjërat që duan t'i ndryshojnë në jetën e tyre pas mbylljes së vitit të vjetër. I ndikuar nga kjo traditë, nga fundi i dhjetorit, po diskutoja edhe unë me ca miq rreth vendimeve të mia për vitin 2005. Ndër to, ishin vendimet që të mos tymos më cigare, që të luaj më shumë tenis, etj. Kur mbarova së diskutuari listën e vendimeve, njëri prej miqve më tha se ndoshta do bëja mirë të shtoja në të edhe mosbotimin e komenteve në gazetë. Dhe këtë sugjerim ai e mbështeti në argumentin se ato lexohen shumë pak e se, edhe po të lexoheshin, lexuesit nuk do të ndikoheshin shumë nga to.
Sugjerimi i mikut tim më bëri të analizoj për disa caste në mendje në se me të vërtetë ia vlen ta harxhoj kohën për komentet që botoj herë pas here në gazetë. Sepse, në fund të fundit, kohën që shpenzoj për to e shtrydh me mundim nga koha e destinuar për detyrimet e mija profesionale e familjare.
Pyetja fillestare që i bëra vetes tek po peshoja në mendje vlerën e komentimit në gazetë ishte se sa banorë të Shqipërisë lexojnë gazeta. Për t'iu përgjigjur kësaj pyetje, më erdhi në ndihmë një informacion rreth leximit të gazetave në Greqi, të cilin ma kishte dërguar një mik me e-mail. Sipas tij, i binte që një kopje gazete në vendin fqinjë të lexohej mesatarisht nga shtatë veta. Duke e konsideruar të saktë këtë statistikë, dhe bazuar në ngjashmërinë e traditave kulturore midis dy vendeve, abstragova se në Shqipëri, një kopje gazete lexohet nga të paktën pesë veta. Ndërsa duke e shumëzuar këtë shifër me numrin e kopjeve që shet gazeta ku botoj zakonisht, llogarita që rreth 100.000 veta mesatarisht e lexojnë atë çdo ditë.
"Një shifër jo e vogël kjo për një vend me 3 milion banorë", mendova tek po bëja llogaritë. Por kuptohet që kjo shifër nuk ma qetesoi shpirtin. Sepse pa përgjigje kishte mbetur një pyetje tjetër shumë më e rëndësishme. "Gjë e mirë është që gazeta ku botoj lexohet nga shumë njerëz", i thashë vetes tek imagjinoja se si kopjet e saj kalojnë dorë më dorë nëpër zyra, familje, apo kafenera, "por problemi është se sa ndikohen lexuesit nga komentet e gazetave në përgjithësi". Dhe për t'iu përgjigjur kësaj pyetje solla në mendje shembujt e mëposhtëm.
Kishte vite që komentatorë të ndryshëm shkruanin pa rreshtur për domosdoshmërinë e strukturimit të partive politike shqiptare sipas parimit "një anëtar, një votë", si dhe të shndërrimit të tyre në parti elektorale. Dhe erdhi një pikë kur dukej se të shkruajturit rreth asaj teme nuk do të sillte asgjë të dobishme veç bezdisjes së kotë të lexuesve. Por erdhi dita që një parti jo pak e rëndësishme si LSI-ja të shpallte se do të strukturohej pikërisht sipas atyre parimeve. Të shtyra nga kjo nismë, duket se shembullin e LSI-së do ta ndjekin eventualisht edhe dy partitë më të mëdha të vendit, PD-ja e PS-ja. Dhe pyetja është në se erdhën këto ethe reformuese si pasojë e "infektimit" të opinionit publik nga komentatorët apo jo. Dhe përgjigjia ime është: "Ndoshta po".
Kishte vite që komentatorë dashamirës ndaj opozitës ose thjesht të deziluzionuar nga koalicioni qeverisës shkruanin për nevojën e afrimit të intelektualëve me integritet pranë PD-së. Ndërkohë, skeptikët e kësaj ideje, duke përmendur faktin që udhëheqësi i PD-së është një njeri që nuk i merr kollaj kthesat, e quanin të kotë përpjekjen për t'i mbushur mëndjen atij të eklipsonte militantët e bindur në favor të figurave intelektuale që ndoshta nuk do t'i kishte nën kontroll të plotë. Por erdhi dita që ai të mbështeste figura si kryetarët e bashkive të Elbasanit, Korçës, e Sarandës, të cilët i dhanë fitoren PD-së në qytete të kontrolluara më parë nga e majta. I shtyrë nga ai sukses, duket se Kryetari i PD-së është tani më se i vendosur ta zgjerojë pjesmarrjen e intelektualëve në fushatën e aktuale zgjedhore, pavarsisht se kjo strategji mund të krijojë pakënaqsi në rradhët e militantëve PD-istë. Dhe pyetja është në se erdhi ky ndryshim i kryeopozitarit si pasojë e ndikimit të komentatorëve në opinionin publik apo jo? Dhe përgjigjia ime është: "Ndoshta po".
Kishte vite që komentatorë të shqetësuar prej xhunglës urbane të krijuar nga ndërtimi pa leje i gjithfarë kioskash e lokalesh nëpër rrugët e parqet e Tiranës shkruanin pa rreshtur për nevojën e prishjes së tyre e për vendosjen e një farë rregulli urbanistik në kryeqytet. Ndërkohë, nëpër kafene, këta komentatorë ndoshta përqesheshin tek flitej për lidhjet e fshehta ose të hapura që kishte aksh pronar lokali me aksh politikan. Por erdhi një ditë që të gjithë kioskat dhe lokalet e paligjshme të prisheshin në Tiranë. Më pas, kjo shkundje tektonike filloi të shpërndahej nëpër qytete të tjera të Shqipërisë, për të mos thënë edhe të Kosovës. Dhe përsëri, pyetja është në se erdhi kjo shkundje si pasojë e bombardimit të vazhdueshëm të publikut nga komentatorët apo jo? Dhe përsëri, përgjigjia ime është: "Ndoshta po".
Përdorimi i fjalës "ndoshta" në përgjigjet e mësipërme është tregues i pavendosmërisë që kam për t'i dhënë një përgjigje të prerë pyetjes së ngacmuar nga vërejtja e mikut tim, e cila u bë shkak për këtë shkrim. Dhe kjo pavendosmëri është më se e kuptueshme në kushtet kur nuk ekzistojnë studime rreth rolit që luan media e shkruar në përpunimin e opinionit publik shqiptar e të rolit që ky i fundit luan në vendimmarrjen e politikanëve. Por pavarsisht nga kjo, për lexuesit që kanë arritur të vazhdojnë leximin deri në këtë rresht të artikullit, është bërë më se e qartë se, tani për tani, jam i prirur të besoj që jo të gjitha ato që shkruhen në komentet e gazetave përfundojnë në koshin e plehrave. Dhe verdiktin mbi saktësinë e këtij opinioni mbetet ta japin pikërisht ata, lexuesit.
|