Refleksion
A kishte të drejtë Kolec Pepa?
-- nga Mark Bregu
I vetmi "mëkat" i të ndjerit Kolec Pepa dhe, që u përgojua aq shumë në atë vjeshtë të vitit 1996, ishte "denoncimi" me shkrim, që i pati bërë sistemit, që lamë pas, për diskriminimin komunitetit katolik në qytetin e tij.
Koleci, me një guxim të admirueshëm qytetar, i dërgoi një "Promemorje" (nëse mund ta quajmë të tillë) ish - Kryetarit (Mayor - it) të sapozgjedhur të Bashkisë, Z. Bahri Boriçi, ku e këshillonte, që të kishte kujdes në përfaqësimin e punonjësve të Bashkisë, me një respektim sa më rigoroz të raporteve fetare.
Ai theksonte në letrën e tij, se në sektorin, ku, ai kishte punuar (në arsim), gjatë një harku kohor prej 45 vjetësh, ishin ndërruar 31 shefa arsimi. Shqetësimi qytetar i intelektualit dhe shkrimtarit të humorit Kolec Pepa, ishte shqetësim realisht i shumë intelektualëve dhe qytetarëve të Shkodrës, por që asnjëri nuk kishte guxuar ta thotë:
Nga 31 shefat që kishin drejtuar arsimin në Rrethin e Shkodrës, 30 kishin qenë të besimit mysliman dhe vetëm 1 katolik!
Madje autori, vërente, se edhe ai i vetëm katolik, ishte emëruar nga një sekretar i Komitetit të Partisë (ortodoks nga jugu!) Letra e Kolecit, u bë objekt bisedash në të gjithë qytetin, e në veçanti nëpër kafetë dhe tavernat ku "thashethemet" nën "trysninë" e alkoolit bëhen akoma më intensive dhe interesante.
Unë personalisht, kam qenë "partizan" i flaktë dhe e kam përkrahur veprimin e Kolecit, ashtu siç do ta kisha përkrahur edhe po të kishe ndodhur me vëllezërit myslimanë, sepse padrejtësia prish ekuivalencën e bashkëjetesës qytetare e tensionon situatën.
Dua të sqaroj se, as që do t'më kishte shkuar ndërmend, për ta kujtuar këtë ngjarje, por ajo që u bë shkak, do të mundohem ta trajtoj me një sinqeritet e besnikëri të pakontestueshme, si obligim moral, ndaj atyre burrave të nderuar të Shkodrës, që sot nuk jetojnë dhe që janë personazhe e tregimit.
Ishte vjeshtë e vitit 1963, në shoqëri me të ndjerët Gaspër Gurashi dhe Ibrahim Dizdari. Gaspri, ndonëse me një arsim të kënaqshëm për kohën dhe me një moshë, afër pensionit, e kishin larguar nga puna në dyqanin "me komision" dhe e kishin sjellë në Komunale-Banesa, ku punonte xhamaxhi.
Ndërsa me të ndjerin Dizdari njihesha që në vitin 1954 - 1955, kur ai na bënte praktikë në një kurs njëmujor për trajnerë futbolli, i cili ishte në shkallë kombëtare dhe bëhej në Shkodër. Të dy zotërinjtë e lartpërmendur, ishin shokë dhe maturantët e parë të Gjimnazit të Shkodrës.
Ndërsa po pinim kafe, Gaspri na thotë: Kur kanë ikur turqit prej Shkodre, kam qenë 10 ose 11-vjeç dhe e mbaj mend mirë një fjalë të tyre: "Po ikim ne turqit e mirë dhe po lëmë "turqit" e këqinj".
Këtë episod, ma solli në "ekranin" e kujtesës ky pasazh i cituar në librin: "Historia e Shqipërisë" e Tajar Zavalanit, fq.293, ku, citohet shprehimisht: "Komandanti i forcës ndërkombëtare, vice Admirali britanik Burney, mori Shkodrën në dorëzim më 14 maj 1913. Administrata e qytetit, iu ngarkua një komisioni ndërkombëtar. Flamuri i Malit të Zi u zëvendësua me flamurin e fuqive europiane në Kalanë e Rozafës. U formua një këshill bashkiak me 6 anëtarë muhamedanë dhe 6 katolikë".
Duke pasë parasysh raportet fetare, që padyshim ishin të paktën mbi dy herë më shumë të besimit mysliman, dhe që "avulli" i atmosferës turke ishte akoma i ngrohtë, mbas pushtimit pesëshekullor osman, respekti ndërfetar "kulmonte" në kryeqytetin e kulturës dhe të atdhedashurisë. Ndaj dhe miqësia mes dy qytetarëve dhe intelektualëve të dy besimeve, është më shumë se normale. Krejtësisht anormale dhe e papranueshme, është ajo, që me të drejtë shqetësonte të ndjerin Kolec Pepa, (pastë dritë).
Ishte pikërisht ky moral, që e bënte Shkodrën të pathyeshme në rrethimin e saj, prej malazezëve. Është detyrë emergjente evokimi i këtij morali e i kësaj qytetarie të pakundshoqe. Le të jetë ky një mesazh, për t'iu rikthyer vlerave e për t'u thënë "Ndal!" diskriminimeve mes religjioneve fetare.