INTERVISTE ME HANS JOACHIM LANKSCH
-- intervista nga Gazmend Krasniqi
Ende s'ka zënë vend ideja se cila është disidenca letrare e Shqipërisë. Cili është gjykimi juaj si përkthyes i letërsisë shqipe?
Siç dihet, fjala disident derivohet nga folja latine dis-sidere, "me ndejtë anash" dmth. mos me u përputhë me të tjerët. Disident âsht ai që ulet veças, anash, mbasi nuk âsht i nji mendje me doktrinën a ideologjinë e imponueme e të zyrtarizueme kishtare, shtetnore, partiake etj. Âsht interesante se Fjalori i shqipes së sotme (2002) s'e njehka leksemin "disident". Shqiptarët, duket, kanë telashe me dukuninë e
disidencës dhe me disidentët e tyne.
Gjâ që âsht krejtsisht absurde, doemos në fushën e letërsisë, mbasi duket se nuk kuptuekan se janë mu disidentët që paraqesin faqen e lavdisë së historisë së re të letrave shqipe! Trebeshinat, Lubonjat, Rreshpjat, Gumenët, Xhaferrët etj. përfaqësojnë famën e vërtetë të epokës nacional-komuniste. Përderisa rusët, polakët dhe çekët mund të krenohen me shkrimtarë të spikatun disidentë, Shqipnia ka nji thesar mâ të pasun shkrimtarësh të mrekullueshëm disidentë sesa vendet e tjera të Europës juglindore, thesar ky që shqiptarët e kanë adet me e injorue.
Vetë domethania e fjalës dis-sidere nënkupton jo vetëm nji mendim dhe qëndrim që devijon nga doktrina zyrtare, por edhe nji akt të vetëdijshëm e të qëllimtë të mospërputhjes me mendimin zyrtar, të distancimit e të revoltimit kundër tij. Në Shqipni, gjatë diktaturës, disidenca mund të bâhej në tri mënyra: a) me dalë haptas, me shkrim, me gojë a me veprime si kundërshtar i doktrinës politike a estetike, b) me arratisë jashtë vendit, c) me shkrue fshehtas sikurse e banin, fjala vjen, Zef Zorba dhe Primo Shllaku. Në nji regjim shtazarak sa ishte ai i PPSH-së, mënyra a) nënkuptote automatikisht të vetmin vend nderi që e kishte regjimi i atëhershëm - birucën. Kush mbette në Shqipni, publikote libra te "Naim Frashëri" dhe në ta nuk devijote nga ideologjia partiako-shtetnore dhe as nga estetika e ideologjizueme e socrealit, nuk mund të quhet disident.
Eshtë hedhur dhe është tërhequr disa herë ideja e hapjes së dosjeve për shkrimtarët e diktaturës. Sipas jush, a ka ardhur ky moment? Sa e shëndetshme apo e dëmshme është kjo për letersinë?
Ky moment ka ardhë jo tash, por qysh tash 10, 12 a 14 vjet mâ parë. Ama mâ mirë vonë se kurrë... Ky hap, simbas meje, kishte me kenë i shëndetshëm si masë higjene si në letërsi ashtu dhe në shoqni. Le të dihet se çka kush ka thanë, shkrue dhe bâ. Fëlliqësitë le të dalin në shesh. Sikur çdo trup tjetër i gjallë, as organizmi i shoqnisë dhe as organizmi i letërsisë nuk mund të rrojnë me votra qelbi. Rrena ka
sundue në Shqipni nji gjysëshekull. Fund rrenave! Letërsia shqipe nuk mund të jetë me shëndet të mbarë po qe se nuk i nënshtrohet procesit të duhun vetëpastrimi. Kuptohet, vetë morali nuk e përban letërsinë. Vepra e nji autori të pamoralshëm mundet me kenë e mirë, ama arti letrar plus moral na jep letërsi të madhe. (Tue folë për moral, fjalën e kam për moralin, jo për përcaktimin "e drejtë" botëkuptimor a politik).
Hapja e dosjeve mund të jetë e shëndetshme sepse do ketë nji efekt që i nevojitet shëndetit të letërsisë: kush ka himnizue diktaturën dhe ideologjinë e saj, kush ka zbukurue mjerimin e realitetit të diktaturës, kush ka denoncue kolegët - le të heshtë sot e të mos shtirret sot si disident.
Nëse kishin me u rrallue raftet e bibliotekave dhe librarive për librat e autorëve që e kanë shitë artin letrar ose i kanë tradhtue kolegët - s'kishte me kenë humbje për letrat shqipe! Përveç kësaj, asi tëhollimi i radhëve të librave kishte me u bâ vend librave të brezave të rinj.
Kohët e fundit drejtori i Arkivave të Shqipërisë ka hedhur në treg dy vëllime "Dosja K(adare)", me materiale të nxjerra nga këto arkiva. A i keni ndjekur? Nëse po, cili është mendimi jua për to?
Nuk i disponoj librat që i përmendët. Për ktê, nuk mund të prononcohem për spekulimet që i hasja në media, p.sh. sikur shkrimtari Kadare paska pasë sulme nga poshtë dhe mbrojtje nga nalt. Mirëpo, mund të them se dosja e Ismail Kadaresë do të kishte kenë fort e mirëseardhun po të na kishte dalë e plotë qysh në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluem kur shkrimtari në fjalë, në mos gabofsha, âsht prononcue kundër hapjes së dosjeve dhe pro organizimit të nji Kongresi Kombëtar Pajtimi.
Sipas jush, çfarë duhet bërë për ridimensionimin e letërsisë socrealiste?
Letërsia e indoktrinueme duhet të ndahet nga letërsia. Letërsia e politizueme e indoktrinueme le të mbijetojë e të dokumentohet në manualet e historisë së letërsisë shqiptare si e tillë që âsht - si dokument letërsiet e indoktrinueme. Le t'i jepet fund nostalgjisë për letërsinë e indoktrinueme.
Duhet shikue se sa "funksionon" letërsia e asaj epoke në kohën e sotme, dhe safunksionon në hapësina të tjera, jashtë. Sa funksionon kjo letërsi pa ideologjinë atëbotë të detyrueshme komuniste dhe nacionaliste? Çka i thotë letërsia për traktoristët, brigadierët dhe komisarët lexuesit të sotëm, përpos momentit dokumentar për nji epokë të zezë të kalueme?
Duhet t'i jepet fund monopolit të kriterit përmbajtësor. Nuk mund të shikohet vlera letrare si "përmbajtje e drejtë", dmth. si përmbajtje politikisht "e mirë", gjâ që nënkuptohej dhe nënkuptohet në vështrimin "përparimtar" dhe "kombëtar". Le t'u jepet lamtumira e duhun kritereve të estetikës së dhunshme të asaj kohe ("edukimi i masave punonjëse në frymën marksiste-leniniste" etj. etj.). Letërsia e asaj kohe duhet shikue për nga kriteret estetike dhe përmbajtësore. Kolportazhi pa vlerë estetike - le të bjerë në harresë. Zeja artizanale letrare pa përmbajtje kuptimplotë për lexuesin e sotëm, jashtë kornizave të atëhershme ideologjike - le të bjerë në honet e kohës e cila ka me bâ të veten.
Sipas jush, çfarë i ofron letërsisë shqipe letërsia e shkruar dhe e botuar pas viteve 90-të?
Mbas qullit monoton të letërsisë së socrealizmit, letërsia mbas 90-it zû me u rropatë për t'u emancipue, për të gjetë rrugën e vet. Mbas tentativave të llojllojshme, këto orvatje sot rezultojnë - e përsëris dhe e theksoj: mbas spirilangut monohron dhe monofon të socrealit! - në një simfoni të vërtetë polifone e të orkestrueme me zana nga mâ të ndryshmët. Dhjetëvjetëshi i kaluem, mund të themi, letërsisë shqiptare i solli jo vetëm nji rifreskim, nji frymë të gjallë, por nji ringjallje të vërtetë. Ajo që të fashinon âsht mu diversiteti i pendave individuale, larmia e individualiteteve krijuese.
Çka pritni më tej nga letërsia e sotme shqiptare dhe çka i uroni asaj?
Çlirimin e plotë nga hipotekat e mostrave dhe stereotipave të trashëgueme nga koha e diktaturës politike dhe estetike të socrealizmit. Kurajë për t'i vazhdue rrugët e reja, kurajë për t'i mbetë besnike vetvetes. Kurajë për avangardizmin letrar, kurajë për eksperimente. Çlirim nga barra e kombëtarizmit në letërsi, nga omfaloskopia albano-centrike për t'u gjetë krah për krah me letërsitë jashtë Shqipniet.
I uroj letërsisë shqiptare t'i jepet fund brohoritjes dhe trumbëtimit të medias për letërsinë e indoktrinueme të kryetarëve, sekretarëve, deputetëve dhe fosilëve të tjerë të epokës socrealiste.