Në Nju Jork u shënua 15-vjetori i themelimit të Degës së LDK-së
-- nga Beqir SINA, Nju Jork
Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Kryeministri i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha me mesazh urimi përshendetën këtë festë, të degës së LDK-së në SHBA. Drejtori Egzekutiv i gazetës Bota Sot, në Prishtinë, z Gani Mehmetaj i dhuroi me rastin e 15-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Amerikë, Kryetarit të Degës së LDK-së, për Nju Jork e shtetet përreth z. Agim Rexhaj, një libër të shkruar prej tij me titull: "Magjia e Ekranit".
Nju Jork, 19 dhjetor - Në një Nju Jork me një solemnitet të veçantë u festua 15 vjetori i themelimit të Degës së LDK së, për Nju Jork me rrethe, ku u mblodhën krerët e disa shoqatave, organizatave dhe degëve të partive, liderë fetarë, miq dhe dashamirë të LDK së në Amerikë.
Me këtë rast ata përkujtuan atë periudhë të vitit 1990, në kohën e shqetësimeve më të mëdha, politike dhe shoqërore në Kosovë dhe kishin rënë dakord që të themelonin një degë partie politike, e cila, më pas jo vetëm do t'i artikulonte kërkesat e tyre politike, por do të bëhej edhe nismëtare e proceseve në Kosovë, e botën shqiptare, do të internacionalizonte dhe hapte rrugët e kësaj çështjeje deri në Shtëpinë e Bradhë, Kongresin e Senatin amerikan. Ajo ishte iniciativa për themelimin e një partie që do të pagëzohej më pas me emrin Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Nju Jork e rrethe.
Kryetari i kësaj dege Agim Rexha, duke folur para të pranishmëve tha se rruga e angazhimit, e përkushtimit dhe e veprimtarive të kësaj dege tash e 15 vjet është një rrugë e gjatë e mundit, e sakrificave, e përpjekjeve drejt pavarësisë së Kosovës. Kjo është rrugë e angazhimit të veprimtarëve të saj për shtetin e Kosovës, për një Kosovë të pavarur, demokratike e sovrane në krye me Presidentin Rugova, i cili me një vendosmëri të pashoqe, i paluhatur e me besim të plotë, nuk u ndal asnjëherë në aspiratat dhe në rrugën e drejt pavarësisë, tha Rexha. Ai uroi që vitin e ardhshëm të realizohet Pavarësia e plotë e Kosovës e njohjes së saj formale ndërkombëtare.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, njëherit dhe lider shumëvjeçar i LDK-së në një telegram uroi 15 vjetorin e themelimit të Degës së LDK së, në Nju Jork, duke shprehur urimet e tij të përzemrta dhe të popullit të Kosovës.
"Dita e themelimit të LDK së, në Nju Jork para 15 vjetëve ishte një ditë e rëndësishme për organizmin e shqiptarëve në SHBA së, për të përkrahur lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Sot, pas 15 vjetësh, në këtë Jubile të çmueshëm, mund të them se LDK ja e Nju Jorkut, ka dhënë kontribut të madh për pavarësinë e vendit tonë, që presim të njihet së shpejti nga miqtë tanë amerikanë. Në këtë jubile i përshëndesëm miqtë e shumtë amerikanë në Nju Jork e përreth e në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës", shkruante në urimin e tij Presidenti Rugova.
Drejtori Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan Fran Shkreli tha se "sot, në këtë ditë të shënuar për Lidhjen Demokratike të Kosovës, në të njëjëtën kohë nuk duhet të harrojmë atë që kemi bërë të gjithë së bashku", tha ai, për të vazhduar:.
"Duke punuar e luftuar dhënë kontributin në diasporë që Kosova të jetë e pavarur. Të vëmë në jetë amanetin e të parëve tanë që na lanë. Shfrytëzoj këtë rastë që të them edhe një herë që ishte një nder i veqantë për mua që kamë njohur një lider shqiptar si presidenti i Kosovës dr Ibrahim Rugova, qysh në takimin e parë më 1989 në Virxhinia, atje edhe ku jetoja. Njoha kështu mikun tim dhe burrështetasin i cili me urtësinë, mënçurinë dhe mirësinë udhëhoqi Kosovën drejt lirisë dhe po e udhëheq atë edhe tani në prag të pavarësisë".
Në këtë solemnitet përshëndetën edhe kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA Agim Karagjozi, ambasadori i Shqipërisë pranë OKB së, Lublin Dilja, i cili solli për degën e LDK ës edhe urimin e Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, sekretarja e Shoqërisë për të Drejtat e Njeriut Çamëria Vera Gjata, ndërkaq famullitari i Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë " Zoja e Shkodrës", Dom Pjetër Popaj tha se i lutet Zotit t'i falë shëndet të mirë Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.Veterani i Lëvizjes Legaliteti dr. Fuad Myftia, pasi shfaqi kënaqësinë që ndodhej midis miqve të LDK së, shprehu mirënjohje për këtë ditë, tha se "nderojmë me plot respekt Presidentin Rugova".
Përshëndeti edhe anëtari i bordit të Ligës Qytetare, aktivisti i njohur Zef Bala. Ndërsa, ish-komandati i UÇK së në zonën e Rugovës, Ramiz Muriqi, përcolli me emocione të mëdha këtë festë. Po ashtu përshendetën edhe Agim Aliçkaj aktivist i dalluar i Ligës Qytetare Shqiptaro - Amerikane, profesor Kajtaz Fazlia ish Kryetar i Ballit Kombëtar, Muhamet Omari, kryetar i grupimit politik "Shqiptaro-Amerikanët për Demokraci", Rifat Drenica i shoqatës "Drenica", Lavdërim Cami, ish-Kryetari i shoqatës atdhetare "Dibra" etj
Festa e kremtimit të 15 – vjetorit, të themelimit të degës së LDK-ës, për Nju Jork e rrethe, më pasë u përcoll me një pritje që rezervojë për këtë ditë Z. Dervish Jahjaga, gazetar e publicist, redaktor përgjegjës i gazetës kombëtare Bota Sot, për SHBA-s, në zyrën e kësaj redaksie. Anëtarët e kryesisë, të kryesuar nga kryetari i saj z Agim Rexhaj, pasi vlersuan lart rolin dhe kontrbutin e kësaj gazete që nga çlirimi e lirinë e Kosovës, demokratizmin e saj dhe rrugën drejt pavarësisë, shprehen konsiderata të veqanta, për gazetën kombëtare Bota sot, stafin e gazettes, botuesin e editorin, z Xh. Mazrekaj, kryeredaktorin z S. Buçpapaj, gazetarët dhe redaktorët në redaksit e kësaj gazete, si në Zvicër, Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Frankfurt dhe Nju Jork, uruan suksese dhe arrtije edhe më të mëdha.
|