Socio-Masokizëm
Si dhe pse Gjermania dhe Franca, të "Sëmurët e Europës", vazhdojnë të na torturojnë
-- nga Anthony de Jasay
Nëqoftëse qëllimi i propozimit të ri të "Kushtetutës" europiane ishte ai i premtimit të lugës së floririt për të gjithë, vështirë se mund të bëhej më mirë. Kushtetuta dekreton se në Europë do të kemi punësim të plotë, një shtim të fuqisë blerëse, do të gëzojmë të drejta më themelore dhe të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë. Po të lexosh midis rrjeshtave, dokumenti shumëfaqësh premton deri dhe morgen rasiert man gratis. Është mjaft e habitshme sesi ky lloj Bengodi nuk ka arritur të tërheqë konsensuse unanime.
Me afrimin e referendumit që mund t'i mbysë qysh në lindje këtë filiz premtues, kundërshtitë e ngjallura nga kushtetuta europiane janë gjithnjë e më të ashpra dhe përqëndrohen mbi një stereotip të njohur: Modelin Social Europian. Në realitet ky stereotip shërben si gjethe fiku për një emër jashtëzakonisht më eksplicit, domethënë modeli social franko - gjerman. Të pohosh se bëhet fjalë për model të ndjekur nga e gjithë Europa ose të paktën nga pjesa më e madhe e vendeve europiane është thjesht absurde; nga ana tjetër, nuk është hera e parë që një interes, një rivendikim apo një ide franceze të bëhet më pak provokatore duke e maskuar si "europiane".
Ky "model" i supozuar e ka origjinën nga socializmi francez, nga varianti golist i saj, nga socialdemokracia e nga sindikalizmi gjerman dhe nga një traditë kristiano - socialiste, që megjithëse është veçanërisht e fortë në Gjermani, është e gjallë edhe në Francë. Nga pikëpamja ideologjike, bëhet fjalë për një koncept eklektik dhe po aq konfuz, siç mund të pritet në mënyrë të arësyeshme nga origjinat e tij laramane. Karakteristika më jetëgjatë është besimi në idenë se shpërndarja e të ardhurës kombëtare është detyrë e shtetit dhe se, cilado qoftë përbërja dhe natyra e tij, qeveria duhet t'i përdorë pushtetet e saj në mënyrë që ta anojë balancën gjithnjë e më në favor të grupeve që kanë të ardhurën më të ulët.
Megjithatë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që këto rishpërndarje të përsëritura të marrin kryesisht formën e prezantimeve "sociale" në natyrë, në vend që të thjeshtojë transferimet e parasë. Ambicja kryesore e këtij modeli të supozuar konsiston në zhvillimin e një sistemi gjithnjë e më të gjerë sigurimi "social" kundër sëmundjeve, papunësisë dhe pleqërisë, duke garantuar njëkohësisht pushime të paguara gjithnjë e më të gjata dhe javë pune gjithnjë e më të shkurtëra "me ligj". Gjithcka në bazë të supozimit se është më e drejtë që autoritetet t'i sigurojnë këto paraqitje, në vend që të ndihmojnë sindikatat të luftojnë për sigurimin e rrogave më të larta, përveç se të jenë më lehtësisht të realizueshme nëpërmjet rrugës legjislative. Në shpirtin thellësisht paternalist të etërve të tij, theksohet se t'u ofrosh punëtorëve prezantime në natyrë është për ta shumë më e dobishme se të marrësh para ekuivalente.
Është pikërisht në një aspekt të tillë që qëndron difekti fatal i këtij "modeli". Kostoja e të gjitha këtyre tipeve të sigurimit "social", nëqoftëse përjashtohet një pjesë relativisht e reduktuar dhe financuar nga e ardhura e përgjithshme fiskale dhe një përqindje akoma më e majme dhe e ndryshueshme që shkon të rrisë deficitin e bilancit të shtetit, mbulohet nga tatimi mbi rrogën. Kontributet ndaj tatimit mbi rrogën janë pjesërisht në kurriz të punonjësve dhe pjesërisht në ngarkim të punëdhënësve të tyre. Megjithatë, realisht kjo nuk është gjë tjetër përveçse një fiksion kontabël, për sa totali i kontributeve vlen nga e rroga bruto e cdo punonjësi, domethënë bëhet fjalë për shuma që sipërmarrësi derdh, por që punonjësi i tij nuk i çon në shtëpi.
E llogaritur rroga bruto me 100, në Francë dhe në Gjermani një mesatare prej 50 - 55 shkon për kontribute, ndërsa vetëm 45 - 50, veç të tjerash subjekt i tatimit mbi të ardhurën, efektivisht shkon në xhepat e punonjësit. Gjithësesi, shuma e dy pjesëve nuk është e barabartë me 100, por është gjithmonë më pak, ka të ngjarë 80 - 90. domethënë, ekziston gjithmonë një mospërputhje prej 10 - 20 (është e pamundur të afirmohet në sa shkon saktësisht një mospërputhje e tillë, por është e sigurtë që ekziston. Edhe pse punonjësi përfiton sigurim social, edhe sikur ta merrte në kesh të gjithë rrogën e tij bruto, ai mund të lejonte një sigurim privat në gjendje të garantonte një të njëjtat prezantime të atij "social"). Rezultati i kësaj mospërputhjeje - domethënë i diferencës midis kostos së punës për sipërmarrësin dhe vlerën e rrogës së përfituar nga punonjësi - është se tregu i punës nuk mund të riekuilibrohet. Nuk ka rëndësi sesa vende fiktive pune krijohen mundimshëm nga autoritetet, papunësia bëhet kronike. Në tridhjetë vjet nga kur është vendosur "modeli social", papunësia është rritur me një mesatare prej 4 deri në 10 përqind në Francë dhe në më shumë se 12 përqind në Gjermani.
Në mënyrë të parashikueshme, këto ekonomi të asfiksuara nuk arrijnë të rriten sa fqinjët e tyre, siç dëshmon rasti i Spanjës, Britanisë së Madhe, Vendeve të Ulëta dhe vendeve skandinave, për të mos folur për shtetet e reja anëtare të Bashkimit Europian të Europës Lindore, që përfitojnë nga efekti i nisjes pothuajse nga zero. Franca mund të konsiderohet me fat për koeficentin e saj aktual të rritjes prej 2 përqind në vit, ashtu si Gjermania duhet të falenderojë fatin e mirë të saj për të dobëtin 1 përqindësh në vit. Për momentin duket e mundur që ky rend mund të përmbyset, domethënë që Gjermania mund ta rrisë koeficentin e rritjes dhe Franca të zvogëlojë të sajin, përderisa i pari i dy vendeve po demostron me ndrojtje kurajo politike për të zbatuar disa reforma tregu, ndërsa i dyti është i gatshëm të bëjë gjithçka për të qetësuar irritimin e çdo grupi interesi që kërcënon daljen në shesh. Jo më pak, kur edhe njëri prej të dyve t'i pëmirësonte prezantimet e tij, Franca dhe Gjermania ndodhen në një gjendje rënieje relative ekonomike.
Të dy vendet mund të quhen me plot të drejtë të Sëmurët e Europës dhe këtu del jashtë karakteristika e dytë, më e vonshme, e "modelit social" të tyre. Kur një shoqëri po dekadon dhe shfaq një rënie të fuqishme, ka nevojë të fuqishme që të sigurohet. Ashtu si shoqëritë arabe tashmë të degjeneruara, të cilat sot strehohen në vlera islamike, ndërsa urrejnë dhe denigrojnë qytetërimet perëndimore pikërisht mbi bazën e atyre standardeve që ato nuk kanë arritur të arrijnë, Gjermania dhe Franca po fillojnë të flasin për diversitetin e sistemit të tyre të vlerave dhe shfaqin shenjat e një antipatie të thellë ndaj qytetërimit liberal anglo - amerikan që po i lë prapa. Në ditët e sotme "liberalizmi" në Francë është një term i turpshëm, në pikën sa të jetë pothuajse një fyerje, ndërsa në dy vendet në fjalë antiamerikanizmi i rrënjosur manifestohet me një shumëfishtësi pretekstesh kulturore dhe morale, që shkojnë nga dënimi i fast-food-eve tek devocioni ndaj Kombeve të Bashkuara.
Sa më shumë Franca dhe Gjermania kuptojnë se liberalizmi dhe Amerika, ndryshe nga shoqëritë e tyre europiane, funksionojnë, aq më shumë binden se "modeli europian" është në një shkallë të madhe superior. Kundërshtarët e "kushtetutës" së re europiane e sulmojnë sepse ajo nuk imponon me ligj një Europë "vërtet sociale". Ata që do të donin të impononin në të gjithë Bashkimin Europian një legjislacion të punës më të ngurtë dhe struktura më bujare asistenciale, me qëllim që ta mbrojnë bërthamën franko - gjermane nga "dumpingu social" nga ana e periferisë së Bashkimit Europian. Kundërshtarët e "kushtetutës" e konsiderojnë pariparueshmërisht liberale, ndoshta pse teksti i traktatit vazhdon të përsërisë shprehjen "ekonomi tregu" (domethënë një shprehje boshe nga domethënia dhe që nuk impenjon asnjë për një kurs veprimi konkret) dhe të mbështesë lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe individëve.
Këta janë të bindur se kurdo që kjo kushtetutë të hynte në fuqi, një tsunam shkatërrimtar liberal do të përfundonte me mbytjen e "modelit social europian", duke lënë një boshllëk në dispozicion të kapitalizmit anglo - amerikan. Në të kundërt, idhtarët e "kushtetutës" do t'i shmangnin Europës padenjësinë e katandisjes në një zonë të thjeshtë shkëmbimi të lirë, duke u lënë fushën e lirë shumëkombësheve dhe duke bërë të shemben arritjet sociale. Në ndihmë të bastioneve të reja kushtetuese, Europa mund të konvertohej në një bashkim të qëndrueshëm ekonomik, të aftëm nën drejtimin francez, "t'i kundërpërgjigjej Amerikës". Kjo pikë e fundit është tema kryesore e fushatës referendare në Francë: votimi "po", i thuhet elektoratit francez, do të rivendosë influencën e Francës dhe do ta "ngjyejë me tringjyrësh flamurin e Bashkimit Europian".
Kundërshtarët më të vendosur politikë të "Dy të Sëmurëve" janë njëlloj në ankth për të mbrojtur "modelin social europian" nga një kërcënim liberal krejtësisht imagjinar, në indiferencë të plotë ndaj paaftësisë totale të "modelit" për të ruajtur premtimin e krijimit të parajsës. Një vëzhgues i paanshëm nuk ka sesi të mos i shqyejë sytë nga pabesueshmëria, asketët mesjetarë që vishnin raso dhe që e dinin atë që bënin: ata po depozitonin një kapar për një vend në qiell dhe vuajtjet e tyre ia vlenin njëlloj mundimin. Kapuçi i "modelit social europian" arrin vetëm t'i torturojë këto shoqëri kaq naive sa të kapen nga premtimet e tij, por shpërblimi i kësaj torture nuk është gjë tjetër përveçse një ndjenjë e pathemeltë superioriteti.
Është një rast evident socio-masokizmi, me diferencën që në këtë rast masokisti nuk nxjerr asnjë kënaqësi nga torturat që vetëshkakton. Më keq akoma, vuajtjet godasin kryesisht tamam atë klasë punonjësish, mirëqënia e të cilëve duhet të garantohet nga modeli. Të kesh ekonomi pothuajse stanjante, të dallueshme nga një papunësi kronike më lartë se 10 përqind nuk demoralizon vetëm të papunët. Në një ekonomi të asfiksuar, reduktohet edhe pushteti kontraktor e kujt ka akoma një vend pune dhe që kapet pas saj në mënyrë të dëshpëruar.
Në sektorin privat punëdhënësit e kanë thikën nga ana e mëngës dhe mund të imponojnë një orar më të gjatë, ndryshime në mënyrën e të punuarit dhe një ngrirje të rrogave ose mund të bëjnë gjëra që do të ishin të pamendueshme nëqoftëse koeficenti i papunësisë do të vërtitej rreth 5 - 6 përqindëshit. Është vetëm në sektorin publik që punonjësit mundet akoma të avancojnë pretendime dhe ta braktisin armën e grevës. Në Gjermani, ku anëtarët e sindikatës janë rreth 22 përqind e krahut të punës, sindikatat akoma kanë një influencë të caktuar në sektorin privat. Në Francën ku të anëtarësuarit në sindikatë janë rreth 7 - 8 përqind, pothuajse tërësisht punonjës të sektorit publik, prania e vetme në sektorin privat është ajo e delegatit sindikal, i ruajtur për shkak të legjislacionit të punës dhe të mbështetjes bujare nga ana e shtetit.
Për sa mund të duket e pabesueshme, sot sindikatat franceze nuk kërkojnë më rritje rrogash për punonjësit e sektorit privat duke kontraktuar me sipërmarrësit, por u drejtohen drejtpërsëdrejti autoriteteve, duke u kërkuar atyre t'i thonë padronatit të rrisin rrogat. Qeveritë e "Dy të Sëmurëve" kërkojnë t'i qetësojnë punëtorët nëpërmjet masash "mbrojtëse për vendet e punës" të një kompleksiteti bizantin. Bëjnë po që të pushosh nga puna një punëtor është e vështirë dhe e kushtueshme, me pasojën se që t'i marrin në punë sërish është jashtëzakonisht e rrezikshme. Pasoja e fundit është se krijimi neto i vendeve të punës ka ngecur krejtësisht. Pa masat e "mbrojtjes së vendeve të punës" do të ishte e ligjshme të presësh çdo vit krijimin e të paktën 300 000 vendeve të punës në Gjermani dhe të jo më pak se 200 000 vendeve të punës në Francë.
Humbja e kësaj mundësie do të thotë t'i shtosh gjemba të tjera rasos: socio-masokizmi intensifikohet. Por ta bësh më pak të rrudhosur kapuçin nëpërmjet abrogimit të aspekteve më absurde të "mbrojtjes së vendeve të punës" do të nënkuptonte që t'i cedohej "pamëshirshmërisë liberale". Socio-masokizmi është një fenomen më i komplikuar se masokizmi i rëndomtë. Një shoqëri viktimë e socio - masokizmit refuzon të pranojë të torturohet dhe nuk arrin të kuptojë se vuajtjet e tij janë tërësisht të vetëshkaktuara. Në vend që të pranojë budallallëkun e vet, bindet se të heqësh rason do të nënkuptojë ekspozimin e gjoksit të zhveshur ndaj egërsive të dimrit. Mbetet vetëm për të shpresuar nëse, njëherë që debatet shterpë mbi një "kushtetutë" akoma më shterpë do të përfundojnë, të bëhet e mundur t'i kujtohet Francës dhe Gjermnanisë se rasoja nuk është e vetmja veshje me të cilën të mbulohesh.
Anthony de Jasay është studiuesi i pavarur, autor, veç të tjerash i Social Contract, Free Ride (Oxford, 1989) Justice and Its Surroundings (Liberty Fund, 2002). Ky artikull është botuar tek Neuer Zurcher Zeitung.