MISTERI I SË KEQES DHE NEXHMIJE HOXHA
-- nga Ardian Ndreca Ph.D.
Docente di Filosofia Contemporanea
Pontificia Universitas Urbaniana-Roma
(in margine të librit të Fahri Balliut, Zonja e zezë Nexhmije Hoxha, Tiranë 2005)
Lexova me nji frymë librin e sapodalun të shkrimtarit dhe publicistit Fahri Balliu, dhe pata ndjesinë se mâ në fund edhe mbi togun e pafat të shkresurinave gjoja historike e gjoja ekskluzive të shkrueme në këto vitet e fundit rreth komunizmit dhe figurave të tija – asht naltue nji vepër me të cilën ja vlen të merret çdo lexues shqiptar.
Vlera e këtij libri qëndron në faktin se autori nuk merret me «zbulime» sensacionale apo të pandehuna si të tilla, ai flet kryesisht për nji personazh, rreth të cilit sheh sesi gravitojnë njerëz dhe ngjarje mâ së shumti negative e mâ së tepërmi të lidhuna me momentin mâ fatkeq të historisë sonë në qindvjetshin e kaluem: me epokën e regjimit komunist të E. Hoxhës.
Personaliteti i «Zonjës së Zezë», siç e quen ai Nexhmije Hoxhën, asht kryevepra negative në tragjedinë e asaj periudhe. Dy gjana analizon autori te kjo figurë: qenjen dhe mosqenjen e saj. E qenja e saj asht gjithçka i përket asaj vajzës me inteligjencë dhe virtyte mesatare, me interesa që e bashkojshin me shumicën e vajzave të rinisë së saj, me nji horizont të gjanë për klasën së cilës i përkiste por gjithsesi të pamjaftueshëm për nji intelektuale të vërtetë. Me nji fjalë qenja e saj asht e zakonshmja dhe e mjaftueshmja – pa pasë asgja trashendentale e asgja të veçantë.
Por mjerisht ajo që do të drejtojë për dekada (deri më sot) personalitetin e «Delikates» asht mosqenja e saj, nji mosqenje e fortë, ambicioze, kryeneçe, e pabesë dhe e papërkulun, e gatshme me shtyp këdo me cinizëm mizor, e pafrenueshme në ndrydhjen dhe në shfrimet e saja patologjike, seksualisht e papërqendrueme në asnji objekt dhe në asnji gja pozitive që të mund ta thithte plotsisht. Me nji fjalë: - nji lodër në duert e së Keqes dhe nji drejtuese e aftë e çdo ndjenje zvetnuese dhe cinike që mund të flejnë në shpirtin njerzor.
E Keqja që ka shkaktue dhimbje dhe vuejtje, terror dhe depresion shpirtnor, ka vërejt filozofja H. Arendt, ka qenë shumë banale, por mjerisht ky banalitet asht bâ i pafund, i paskaj, dhe në ketë pafundsi asht idealizue prej masave të verbta aqefale.
Fatkeqsisht për 50 vjet në Shqipni kanë ekzistue vetëm pak kokrra, kurse në krahin tjetër ka qëndrue sovrane në marrinë e saj masa. Kokrrat kanë qenë Nexhmija me shokë, kurse masa ka qenë vdekjepruse për vetveten. Asht e vërtetë se ka pasë edhe disa «kokrra» të tjera: por kanë qenë përgjithsisht të neutralizueme dhe pa asnji influencë në jetën shoqnore shqiptare. Bile-bile masa amorfe i ka përbuzë, mbasi ka pa tek ato kontrastin me ndërgjegjen e vet të flligsht. Pra, te ne ka qenë ulë kambëkryq në jetën shoqnore banaliteti i masave dhe i kriminelave: ndërsa e mira ishte bâ e pamatshme, mbasi kishte humbë etaloni tradicional i saj.
Nji banalitet të tillë mishnon në vetvete figura e N. Hoxhës. Por ajo nuk përban për autorin e librit në fjalë nji alibi për funksionarët e tjerë të terrorit të kuq, as për fituesit dhe as për viktimat terroriste që terrori i vuni përposhtë: të gjithë ka qenë njilloj, të gjithë kanë qenë të tepërt për mjerimin tonë, për lodhjen tonë pesëshekullore si popull.
Por ndoshta nji femën asht nji subjekt mâ i veçantë në duert e së Keqes. Ajo që duhet të lindë dhe të rrisë fëmijë, torturon dhe çon drejt vdekjes me ndërgjegje mija vetë. Ajo që duhet të ketë marrë sadopak mirësi prej gjinisë së cilës i përket, bâhet shkak dhune dhe poshtnimi të papamë. Nji instrument i mirë kur përdoret për qëllime të keqija ban mâ fort dam sesa nji instrument mesatar, e grueja kishte me qenë nji instrument mâ se i mirë në gjinin e shoqnisë njerzore. Por ajo mundet me ruejt mbrenda vetes mâ shumë helm dhe inat se askush tjetër, mundet me pasë mizori dhe me ndie knaqsi prej saj mâ shumë se asnji krijesë tjetër. Historia na jep shembuj të pafund, të cilët letërsia i ka përjetësue.
Ky asht misteri i madh i krijesave që i ikin prej duerve Krijuesit dhe kthehen në instrumente të ulëta, keqbase – që s’kanë asgja të përbashkët me idenë për të cilën janë krijue.
Kjo asht mënyra sesi F. Balliu e ka ravizue, pa urrejtje dhe pa inat të veçantë, figurën e protagonistes së librit. Duhet thanë se stili i Balliut në ketë libër, i cili asht sa hetim aq edhe përshkrim, sa analizë aq edhe sintezë, sa introspeksion psikologjik aq edhe dokumentar ngjarjesh të njohtuna e të panjohtuna – i jep zhdërvjelltësi dhe siguri rrëfimit dhe e ban librin mjaft të çmueshëm.
Në këtë hulumtim del në pah kryefortësia e autorit për me i shkue deri në fund së vërtetës, dhe cila asht kjo e vërtetë: klika e E. Hoxhës ka qenë nji klikë që i asht përgjegjë deri në fund interesave serbe në Ballkan, se vendosja e këtij pushteti ka qenë rezultat i nji marrveshje të mshehtë në kohë ndërmjet Beogradit, Athinës, Moskës së bashku me bekimin e pakushtëzuem të Francës. Efektet e kësaj tradhtie ishin: humbja e lirisë së qytetarëve shqiptarë, humbja e trojeve shqiptare, humbja e vetë shqiptarit.
Pra, Enveri ka dijt me u bâ kuklla e këtyne fuqive vetëm për me ruejt pozitën e vet dominuese, për të cilën ka përdorë të vetmin mjet që njihte: terrorin total.
Asht marramendës fakti se njerëz të karaturës së Enverit, Nexhmijes, Koçit, Kristos, Nakos kanë mbrenda vetes nji thirrje instinktive dhe primordiale që i shtyn për me tradhtue kombin dhe idealet kombtare, me tradhtue Shqipnin; at’ vend për të cilin s’kishin bâ asgja por që e kishin privue prej gjithçkaje tue fillue te dinjiteti e tue përfundue te buka e gojës. Ky asht instinkti me tradhtue, me mohue vetveten si komb, si identitet, si vlera, si territor, si prejardhje, si histori: nuk ka gja mâ tragjike sesa kjo në gjithë historinë tonë kombtare, ndoshta edhe pse vazhdon me u përsërit edhe sot e kësaj dite.
E pra, para tradhtarëve të këtillë, figura si Hamza Kastrioti apo si Esat Pasha janë shumë të zbehta sa mezi rrijnë në kambë.
Ky asht thelbi i çdo andrre të keqe: pushteti bân që njerzit të humbin shpirtin, por meqë njeriu mund të qëndrojnë o mbi kafshën o nën kafshën, atëherë figura si Nexhmija tue humbë dinjitetin njerzor nuk kthehen në kafshë, jo, mjerisht vetvendosen shumë mâ poshtë bishave të egra. Figura si ajo, pra: banale dhe makabre njiheresh, idealizojnë të keqen tue e bâ objekt të nji estetike që ka si synim me mbytë te çdo individ mirësinë natyrale, së cilës Rousseau-i i shkretë i besonte aq shumë.
Përpara nji programi të tillë nuk ka qenje që mbetë në kambë, nuk ka marrdhanje farefisnore apo shoqnore që i tepron zjarrmit shkrumbues, nuk ka dashuni shpirtnore apo thjesht landore që triumfon. Gjithë qenja e kësaj figure paradigmatike si Nexhmija mund të përçansohet si djalli-që triumfon-ndërmjet-nesh. Dhe djalli nuk asht kurrë aq larg, sa të mos ndihet nëpërmjet vuejtjeve dhe terrorit që i shkakton mbarë njerzimit.
Por dredhija mâ e madhe e djallit, ka vërejt njiherë O. Wilde, asht që me i bâ njerzve me besue se ai nuk ekziston, se gjithçka asht natyrale, njerzore, historike dhe e paevitueshme.
E kështu, «ai» që nuk ekzistoka bahet historia jonë, bahet e përditshmja jonë. Mbasi «ai» nuk don vetëm me ekzistue si «diçka tjetër», si «i ndryshëm» prej nesh, «ai» don me qenë normalja jonë.
Në ketë dritë lexoni fjalët e Nexhmijes kur pranon: “edhe kemi gabuar”!
Ajo thotë se edhe ato në fund të fundit ishin si të tjerët: të gabueshëm, pra të falshëm!
Në nji univers sado primitiv dhe idiot si ai të cilit i përkisnin Enverat, Nexhmijet, Shefqetat e Mehmetat, pra, në nji univers aq homogjen e të pastër në poshtërsinë e vet supreme – nuk ka pasë vend për devijime në kahen e së mirës dhe së bukurës, të së amblës dhe së pafajshmes. Ne mund t’i themi sot plakës mâ të mjerë që jeton në Shqipni (mbasi nuk ka njeri mâ të mjerë sesa i Keqi) se ajo me të bashkëshortin e vet nuk kanë gabue në asnji moment të jetës së tyne: ata kanë qenë të pagabueshëm e të patrazueshëm në të Keqen që ia kishte gllabërue shpirtin dhe mendjen e tyne.
Si mund të mendojnë se ka gabue nji diktator që vdes në shtratin e vet i rrethuem prej të vetëve?
Jo nji njeri dosido, por nji individ që ka vra dhe ka burgosë me mija vetë, që ka shkaktue dhimbje sa të pajustifikueshme aq edhe të mnershme, që për hir të marrisë së tij ka lanë me vdekë ujet dy milion shqiptar, tue i pasë mbyllë mâ parë në nji spital të madh psikiatrik të rrethuem me klone dhe me qej kufinit!
Vdiste në shtrat nji tiran i mësuem me u shitë gjithnduersh, në nji kohë që përjashta nji popull i tanë s’mund të blente as nji litër qumësht pa bâ rradhë, nji popull i uritun që s’kishte as forcë dhe as guxim me çue sadopak zanin, nji popull i poshtnuem dhe i tjetërsuem.
Ku ka gabue ky monstër?
Jo, nuk ka devijue as edhe nji gradë të vetme prej trajektores së tij infernale.
Gjithçka ka shkue simbas planit. Ky asht edhe konkluzioni i këtij hetimi historiko-publicistik të Fahri Balliut.
Ajo që na ban me mendue e me mendue rishtas kur shohim të analizueme nji figurë si ajo e N. Hoxhës, e cila s’asht veçse paradigma e mizorisë njerzore të shndrrueme në nji tipar të natyrshëm, asht nuliteti i saj substancial. Kush din me tregue se çfarë gjaje pozitive ka bâ Nexhmija në jetën e saj? Ndoshta e vetmja gja pozitive janë fëmijët që ka lindë! Tjetër? Retorika e saj kur thotë “ç’të bënim më shumë për ketë popull” mund të hahet prej ndokujt që e ka trunin të bâmë me tul buket, por jo prej atyne që e dijn se asnji qëllim nuk justifikon mizorinë e përdorun si mjet, dhe asnji mjet nuk asht i lejueshëm për realizimin e mizorisë si qëllim final. Përrallat e Nexhmijes mund të hahen prej kolonisë mâ të vjetër që i bân kunorë botës sonë: idiotëve dhe truthamëve, atyne që evidenca nuk i troket kurrë në krye, mbasi jetojnë në nji univers krejt tynin, të cilin mund ta cilsoj vetëm si: thellësisht të panjoftun e të pakuptueshëm për mue e për shumëkend.
Enveri dhe Nexhmija: mbetën deri në fund të paprekshëm prej asaj që çdo njeri ruen si mâ të shtrenjë, pra: prej dashunisë njerzore, por qenë tipa që luejtën nji rol vendimtar në shkatrrimin e çdo tipari njerzor në shoqnin shqiptare.
Mbas tyne vinte nji lukuni me dhelpnakë dhe me majmuna, me budallenj profesionista dhe me sahanlëpisa oportunista, me sadista dhe me perversa, me inatçorë dhe imoralë, me mejtepli analfabeta dhe me qorrlykë që jargaviteshin mbas dijes enveriane, me besëthyesa dhe shpifësa, me tutkuna dhe me kodosha të gjitha stileve – që ishin plehu me anë të cilit duhej të baheshin pjellore zagnat e shpirtit të bjerrun shqiptar.
Për të gjitha këto aspekte libri i F. Balliut asht i pajisun me nji informacion të shumëllojshëm, që i sjell ndër mend lexuesit rrethanat vendimtare të trajektores Enver-Nexhmije-Ramiz, mbrapaskenat, intrigat, tradhtinat dhe knaqsinë që rridhte prej tyne.
Në themel të së keqes qëndron ligshtia e cila ban që i dobti të bahet katil i atij që asht mâ i fortë se ai.
Po, i forti gjithmonë asht ai që pëson padrejtësinë e të dobtit, mbasi sado që fuqi dhe pushtet të kenë pasë Nexhmija, «bashto Enveri», Mehmeti, Beqiri, Koçi e të tjerët – ata kanë qenë dhe kanë mbetë shumë të dobtë përpara mirsisë dhe dashunisë që janë përpjekë me shkatrrue në zemrat e njerzve të thjeshtë.
Në fund të fundit ata nuk janë as tradhtarë, mbasi ata nuk kanë pasë kurrë nji ideal të naltë e të pastër që ta kenë tradhtue: jo, ata kanë qenë thjesht fundrrinat e nji shoqnije të tronditun prej ndryshimeve të mëdha që kanë përfitue prej rrethanave dhe rastisjes së fatit. Por rrethanat ama nuk i kanë ngjitë në Olimp. Aty në Tartarin ku kanë qenë ata janë bâ zotnues të përkohshëm të fatit të nji populli mjeran e të pamësuem me të mirën.
Ndoshta Provanija (Providence) hyjnore apo Arsyeja që qeveris botën ka lejue që vendin e së Mirës ta merrte e Keqja – e këtë filozofët e quejnë «misterium iniquitatis» - ase misteri i pranisë të së Keqes në botë!
Por misteri i së Keqes shërben vetëm për me nxjerrë në pah të Mirën, në mënyrë që ata që përndryshe do të kishin mbetë të verbët e të shurdhët ndaj saj, tue ndie mbi shpatulla peshën e së Keqes, të rebeloheshin e të zenin mend.
Kjo shpjegon edhe faktin se ndër kundërshtarët mâ të rreptë të komunizmit u bânë ata që i patën besue e mandej u shrrejtën keqas prej tij.
Ajo që të frikson mâ fort kur para sysh të kalon nji figurë si Nexhmija asht mungesa e dashunisë: ajo as ka dashtë kênd dhe as ka qenë e dashtun. Në fakt nuk mund të quhet dashuni frika apo interesi i ndërsjellt, nuk mund të quhet dashuni fakti që sorra sorrës nuk ia nxjerr sytë, nuk asht dashuni ajo që ban që qeni të lehin atje ku i qesin me hangër.
Tashma gjithçka ka mbarue. Mbi mjerimin tonë jemi përpjekë me ndërtue diçka, tue harrue se ne në tansi kishim trashigue vetëm kalbsina dhe shkrumb. Prandaj sot ata mâ naivët habiten prej faktit se edhe mbas 15 vjetsh që ka ra komunizmi kemi mbetë vendnumro.
E Keqja asht mâ e madhe se komunizmi dhe ky i fundit nuk përfshin gjithë të keqen e mundshme në ketë botë. Gjithsesi ne mbesim optimista, jo pse jemi pesimista të painformuem, por pse e Mira në fund me të vërtetë triumfon.
Në nji farë mënyre edhe pse nuk jemi në «fund» e mira nji triumf sado të vogël e ka mbërrit, mbasi sot trashigimia «shpirtnore» e Nexhmijes asht manifestue krejtsisht tue marrë format e hajnis dhe të krimit të organizuem, të mafiozitetit shtetnor dhe të korrupsionit, të vrasjeve dhe të intrigave. Pra, kush don me kuptue se çka asht në vetvete komunizmi sheh rezultatet e tija sot në shoqnin shqiptare.
Syleshat deri dje mund të kenë pasë ndonji justifikim, mbasi Muri i Berlinit që kishin në krye nuk i lente me pa burgjet dhe kampet e internimit, vuejtjen dhe mjerimin e mija shqiptarëve të pafajshëm.
Por e keqja dhe imoraliteti i komunizmit jeton edhe mbas ramjes së vetë komunizmit. Kjo asht inercia irracionale e së Keqes, asgja nuk ka ndryshue aq sa me thanë se duhet harrue e kaluemja. Nexhmija nuk jeton vetëm mbrenda Nexhmijes, ajo jeton te mija e mija nxansa dhe ndjeksa të vetdijshëm apo të pavetdijshëm të saj: jeton tek të gjithë ata dhe ato që helmi dhe mizoria e saj kanë shpërba dhe tjetërsue në përmasa të ndryshme.
Pra, qarku asht mbyllë e asgja të re nuk kemi përpara: prej fundrrinave nuk del gja tjetër veçse fundrrina. «Komitetet qendrore» bâhen banka ku pastrohen paret e pista, instruktorët e partisë bahen kontrabandista dhe shitësa droget dhe armësh, intoleranca dhe fanatizmi partiak veshin petka të tjera, ato që do të kishin qenë agjitatoret apo aktivistet e dallueme të Frontit bahen stakanovistet e prostitucionit ndërkombtar – pra esenca njerzore mbetë ajo që ishte: fundrrinat e shoqnisë shqiptare mbesin edhe njiherë fundrrina.
Liria asht ajo që mâ fort se kurrgja tjetër bân që njerzit të manifestojnë deri në thalb esencën e tyne.
Prandaj, tue mbarue së lexuemi librin interesant të F. Balliut, më erdhën ndër mend fjalët e Faik Konicës: prej jush largohem gjithmonë me ndot.
-- dërguar nga Klajd Kapinova
|