"Drejtpeshimi" - libër rreth filozofisë politike
-- nga Sabri Kiçmari
Fjalë e autorit
E kam ndjerë kaherë nevojë të brendshme të analizoj raportet mes individit dhe shoqërisë. I larguar pa dëshirë nga atdheu im dhe i detyruar për më shumë se një decenie të jetoj në vend të huaj, i shtrënguar t’u ambientohesha kushteve, sjelljeve dhe normave të një shoqërie tjetër, nuk e pata vërejtur se shoqëria gjermane po lë gjurmë në vetëdijen time, në konceptimin dhe në formimin tim. Këtë do ta vërej me rastin e rikthimit tim të lirë në Kosovë, në qershor të vitit 1999. Ajo që më bëri përshtypje ishte pikërisht mungesa e madhe e lirisë së individit në Kosovë. Individi i nënshtrohej një presioni të vazhdueshëm të familjes, të shoqërisë, të fqinjësisë në lagje dhe të bashkësive të organizuara. Familja dhe bashkësitë në Kosovë janë shumë të fuqishme. Duke pasur parasysh se, sidomos në vendet rurale, ende jetohet në familje të mëdha, me më shumë se dhjetë anëtarë, ato luajnë rol të rëndësishëm në përcaktimin e normave të sjelljes, moralit dhe edukimit të individëve. Përshtypja e autorit është se këto përmasa ndikimi janë të tejtheksuara. Ato e ndrydhin lirinë e individit, aftësinëe tij vetëkrijuese dhe vendimmarrëse për veten e vet.
I njëjti presion ushtrohet mbi individë të vecantë edhe nga bashkësitë e tjera të organizuara: institucionet publike, partitë, shoqatat joqeveritare. Pasojë e sistemit njëpartiak që ka mbisunduar shoqërinë për decenie të tëra individët në Kosovë ju nënshtrohen tërësisht autoriteteve në familje, në institucione, nëpër bashkësi. As institucionet arsimore (shkollat fillore, të mesme, të larta dhe univeristeti), as subjektet politike, as organizatat joqeveritare nuk kanë punuar pothuajse fare në identifikimin dhe tejkalimin e një situate të tillë: në çlirimin e individëve nga presioni i grupeve shoqërore. Pa çlirimin e individit, pa krijimin e kushteve për zhvillim të lirë të tij, pa nxitjen e aftësive të tij krijuese shoqëria e ka të vështirë të zhvillohet.
Pretendimi ynë nuk është thirrje për çvleftësimin e familjes si institucion i rëndësishëm shoqërore, as për çvleftësimin e grupeve të organizuara dhe bashkësive, por thirrje për liri më të madhe për individin, për çlirim të tij nga presionet e bashkësisë. Derisa në Kosovë ka nevojë për më shumë liri të individit, në vendet e zhvilluara, në shoqëritë amerikane, gjermane e britanike ka nevojë për rikthim drejt vlerave të bashkësisë...
1. Hyrje
Sapo erdha në Gjermani, në vitin 1989, mësova për dallimet e mëdha mes shoqërive perëndimore dhe asaj kosovare në lidhje me ndjenjën e përbashkësisë, përkatësisht të individualitetit, të moralit dhe të vlerave shoqërore - familjes dhe shtetit. Atëbotë, pak kuptoja nga këto diferenca. Interesimi për njohjen e arsyeve të kësaj gjendjeje u ruajt e ngulitur thellë tek unë gjatë tërë kohës së studimeve. Edhe ky libër duhet të kuptohet rezultat i kësaj përpjekjeje të të njohurit.
Unë e mbroj tezën - nevoja për bashkësi gjendet në vetë natyrën e njeriut. Ajo përmban në vete diçka të domosdoshme. Individi nuk mund të mbijetojë i izoluar, i vetmuar dhe i palidhur. Që nga akti i të mësuarit të të folurit, te formimi dhe zhvillimi i jetës, në punë dhe deri në vdekje njeriu është i detyruar të bashkëjetojë me të tjerët. Por secili njeri është një individ më vete, subjekt më vete. Ai mund t’i zhvillojë aftësitë e tij krijuese vetëm si individ i lirë. Ai nuk guxon t’i nënshtrohet tërësisht presionit të bashkësive të organizuara. Detyrë e shoqërisë, si bashkësi e bashkësive, është që ajo të sigurojë një drejtpeshim të qëndrueshëm në mes të bashkësive të organizuara dhe individit, si subjekt më vete...