HYRJE | HISTORI | LETËRSI | FOTOGRAFI | LAJME | INFO | RRETH NESH |     FJALA e LIRË


Kontakto: [ ] ose [ Kontakti ]

 
  [ Prapa ]


ÇAMËRIA, LOTI DHE VARRI QË THËRRET, QË PREJ BREGUT TË PIKËLLIMËS T'I DALIN ZOT BIJTË E VET

-- nga NUE OROSHI

Nue Oroshi Është koha që të botojmë Historinë komplete të Çamërisë

Çamëria - Kjo plagë e rëndë e Arbërisë sot është e mbeshtjellur dhe e ngulfatur nga shofinizmi grek. Çamëria gjaku dhe shpirti Arbëror, sot është e mbuluar me petkun e zisë. Çameria është sot loti dhe varri Arbëror që thërret që prej bregut të pikëllimes, t'i dalin zot bijte e vet. Po ku është Çameria sot? Ku janë Çamët sot? Ku janë të shpërndarë pasardhësit e Gjin Bua Shpatës dhe të Pjetër Loshës këtyre viganeve të Arbërisë, të cilët në fund të shekullit XIV dhe në fillim të shekullit XV e ngriten dhe e mbajtën në këmbë Principaten Arbërore të Artës.

Sot thërrasin zërat e Gjin Bua Shpatës e Pjeter Loshës ku je katandisur Arbëri. Ku i ke djemtë e tu që janë përgjumuar, i ka nxënë gjumi shekullor dhe ai mortor. Sot me zë të arte, thërrasin, Arta, Janina, Ajdonati, Filati, Konica, Margëllaqi, Filipadhe, Parge, Trikalla, Preveza e Gjiri i Artës, Meçovë, Grebenë, Naselicë, Kostur, ata therrasin në ndimë Arbërinë, ngrihuni djemtë e Arbërit e na ndimoni, është koha e fundit të bëni diç për Çamërinë. Derisa Çamëria kjo plagë e hapur e Arbërisë na thërret që në çdo mënyrç të mundëshme t'i dalim zot kësaj pjese të trupit tonë, do të ishte e udhës që edhe intelektualët shqiptarë kudo qofshin dhe ngado qofshin ta humbin një pjesë të kohës së tyre të çmuar për Çamërinë.

Që në fillim dua të theksoj se sot o kurrë është koha e duhur që t'ia kthejmë borxhin shekullor Çamërisë, ta ngulitim në kokat dhe mendjet e gjeneratës së re përmes librave të shkruara se Çamëria është djepi dhe trolli Arbëror, është koha t'ju tregojmë këtyre gjeneratave se në vendin e sotëm të Çamërisë të gllabëruar nga shovinizmi skizofren grek, m'u në keto themele në gjysmën e dytë të shekullit XIV, dhe në fillim te shekullit XV, ka egzistuar Principata e Artës me prijësit e saj, Gjin Bua Shpata, Pjeter Losha, Muriq Bua Shpata, Zguro Bua Shpata, Pal Bua Shpata, Jak Bua Shpata, Karull Bua Shpata, të gjithe këta prijësa Arbëror përplot një shekull jetë e mbajtën të gjallë Principaten Arbërore të Artës.

Intelektualë shqiptarë, kudo që jeni të shpërndarë, anë e kënd botës, mblidhni fuqinë dhe ta shkruajmë dhe flasim të vërtetën e hidhur për motrën tonë Çamërinë.

Prandaj, do të ishte e udhës që sa më shpejt që është e mundur ta botojmë një komplet veprash për Çamërinë. Në këtë komplet veprash të studiohen në thellësi luftërat Arbërore të çamëve, të shkruhet me argumente shkencore per kufinjtë e Çamërisë dhe shtrirjen territoriale te saj, për përjetimet e ndryshme të shkrimtareve dhe intelektualëve, që e kanë vizituar Çamërinë, për ngulfatjen dhe terrorizimin që ju është bërë Çamërisë nga shovinizmi skizofren grek, për përzierjen e çamëve nga Çamëria, për metodat barbare që bënë grekët për asimilimin dhe shpërndarjen e tyre. Poetë e shkrimtarë mos ngurroni që përjetimet tuaja për Çamërinë t'i shkruani në letër në formë tregimi, përjetimi shpirtëror, ashtu siç i kishte shkruar dhe botuar kohë me parë shkrimtari ynë Arben Kondi, dy libra nga udhëtimet e tij nëpër Çamëri.

Prandaj, të gjithë ata intelektualë, historianë, shkrimtarë, poetë, publicistë, kronistë, të vjetrit që mbajnë mirë mend ngjarjet dhe ndodhitë, që prindërit e tyre ia kane treguar për Çamerinë, t'i bëjmë bashkë të gjitha këto shkrime dhe ta botojmë sa më shpejt që është e mundur një komplet të librave për historinë e Çamërisë, për shpërnguljen e çamëve, dhe është koha që të flasim dhe të shkruajmë haptas për terrorin dhe gjenocidin shovinist grek mbi Çamërinë.

Këtë iniciativë për botimin e një kompleti librash mbi Çamërinë e merr Shtëpia Botuese Lumbardhi me seli në Prizren. Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë me shkrime të ndryshme, për historinë e Çamërisë, mund të lajmërohen në këtë adresë e-mail: nue_oroshi@yahoo.de.

Shkoder.net... - Fjala e Lirë | Të drejtat e rezervuara