Botime të reja në komunitet
Ngjarje historike dhe figura të shquara nacionale,
sipas këndvështrimit të hulumtuesit 83-vjeçar Marash Mali
-- nga Klajd Kapinova, Manhattan, New York
Tashmë studiuesi Marash Mali, me përvojën e pasur të jetës i ka kaluar 80 vjet pranë librave, që kanë qenë e mbetën pasioni i tij i përhershëm qysh fëmijë. Në moshë të thyer, falë kënaqësisë për t’u marrë me letërsi, histori dhe gjurmime të zakoneve të hershme kanunore, ka marrë pendën për të shkruar librin, që e ka bluar prej kohësh në mendje: “Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare”.
Struktura e veprës, është një ndërthurje midis temës historike dhe letërsinë, të cilat në mënyrë organike përshkojnë dymbëdhjetë kapitujt. Ai nuk rend shumë mbas retorikes, por në mënyrë konçize nxjerr në pah vlerat e fytyrave të marrë në analizë dhe fshikullon ato denigrime, që me paramendim janë bërë nga studiues të sistemit komunist, duke ndriçuar pikërisht ato detaje e vlera që i kanë munguar prej dekadash krenarisë sonë nacionale. Blloku i shkrimeve të autorit Mali, nuk janë eleozhe apo linja të konformizmit me kohën sot, por falë mprehtësisw sw argumenteve vë pikën mbi shumë çështje të lëna pezull dhe me paramendim nga historiografia e sistemit të antivlerave komuniste.
Shpesh jemi mësuar, kur marrim në dorë ndonjë libër të mirëseardhur për lexuesit shqiptar, të shfletojmë faqet e fundit për të parë literaturën, që autori ka përdorur apo referencat për hartimin e veprës. Mbi të gjitha, ai është mbështetë në burimet e autorëve vendas e të huaj, duke përzgjedhur ato pjesë, që të ballafaquar me realitetin e kohës dhe logjikën historike i janë afruar më tepër së vërtetës, që zënë fill me shqyrtimet historike tre shekuj para lindjes së Krishtit, për të ardhur hap pas hapi deri në ditët tona. Pikërisht këtë kërkesë të domosdoshme, për çdo studiues serioz, autori e ka shpieguar se: “Burimi kryesor janë takimet pothuajse të përditshme me bashkëatdhetarët shqiptarë, të moshave të ndryshme e kryesisht të rinj, të ardhur kohë më parë ose të lindur këtu në Amerikë nga Shqipëria, Kosova, në Mal të Zi e Maqedoni…”.
Marashi, shfleton kujtimet e jetuara për të rinjtë, ku shpesh nuk mungojnë edhe qortimet mbi shtrëmbërimet historike shkruar nga disa studiues, qoftë për ngjarjet, zakonet kanunore të një pjese të madhe të gegnisë, si edhe disa figura të shquara patriotike, kulturore të lëna në harresë. Autori, vë në nëntitullin e librit, sentencën e figurave të larta, që “nderuan rracën shqiptare”, duke shtruar më tej pyetjen retorike: “Kush e deshti dhe jo Shqipërinë e shqiptarët”, duke i dhënë natyrshëm përgjigje nëpërmjet fakteve historike, të marra nga arkivi i pasur i popullit tonë. Ndërsa për të ardhmen, ai nënvizon mesazhin për brezat që do të vijnë, duke kërkuar që të shkruajnë të vërtetën historike pa shtrëmbërime, duke i dhënë çdo individi apo ngjarje historike vendin që i takon nga koha e përjetuar.
Kështu në kapitullin e parë, përshkruhen figurat e ndritura, që deshtën Arbërinë dhe arbërorët. Të tillë, trajton sipas vizionit të hulumtuesit figurën e madhe të Heroit Nacional Gjergj Kastriotit, si mbrojtës i civilizimit, krishtërimit arbëror e europian. Shohim se në vepra nuk ruan një linjë kronologjike të shekujve në vijim, por kalon në shekujt e hershëm. Këtu analizon Aleksandrin e Madh (Leka), që jetoi në epokën pellazgjike, si pjesë përbërëse e qytetërimit botëror. Ndonëse Leka jetoi vetëm 33 vjet u shqua në mesin e fytyrave të ndritshme të kohës dhe sundimit të tij, duke pasur asokohe si mësues filozofin e madh grek Aristotelin, nga ku mësoi dora-dorës, se si të dashurojë retorikën, mjekësinë, politikën, metafizikën, filozofinë, literaturën dhe sikurse vlerëson studiuesi “Aleksandri i Madh kaliti moralin”.
Në vijim shohim se me pak rreshta, por në mënyrë esenciale përshkruan jetën dhe veprën e rrymës së re humanitare e kristiane që dhuroi Nënë Tereza e gjithë njerëzimit, e cila në të gjallë të saj u njoh nga banorët e planetit si Shenjtneshë, si një rast i rrallë në historinë e shenjtënve të krishtërimit botëror.
Ilirët dhe Justianiani i Madh, në kohën e Perandorisë Romake jepen sëbashku me shtatë perandorë të Romës që janë të gjakut ta pastër ilir, si: Aureliani, Probini, Diokleciani, Konstandini i Madh, Justianini dhe Justiniani i Madh, të cilët njëri pas tjetrit kanë bërë karrierë të suksesshme ushtarake. Pas tyre, jemi përsëri në shekullin XX të mbushur me ngarkesa e ngjarje të rëndësishme historike për popullin tonë. Këtu një vend e hapësirë të dukshme zë Shpallja e Pavarësisë dhe liria nga nata e gjatë dhe e egër që përjetoi populli ynë nga barbarët otomanë, kur më së fundi i nxitur apo me vetëdije plaku i mençur i Vlorës Ismail Bej Qemali ngriti më 28 nëntor 1912 Flamurin e Gjergj Kastriotit.
Si bashkëkohës i dekadave në vijim, autori ka trajtuar lëndën historike të kohës së Mbretërimit të Natmadhnisë së Tij Ahmet Zogu, i cili ka meritën e padiskutueshme, se për herë të parë shqiptarët bëjnë shtetformimin sipas modelit europian (1928-1938). Mbreti, krijoi shtetin e parë modern shqiptar, duke i vënë atij themelet e qëndrueshme të një shteti sovran të pavarur dhe e njohur nga e gjithë bota. Autori jep edhe argumentet e tij, për vlerat pozitive që sunduan në kohën e paharruar të Mbretërisë, ku mbi të gjitha esencialisht përmblidhen në këto pika kryesore: organizimi i një sistemi të përsosur të xhandarmarisqë me autoritet dhe efektive; krijoi nga themelet një ushtri dhe administratë shtetërore, sipas standarteve bashkëkohore perëndimore…
Në kapitullin e dytë, trajtohen Ilirët si pjesë e Perandorisë Romake, organizimi politik i tokave shqiptare dhe lulëzimin ekonomik që njohu asokohe. Ai vjen natyrshëm në shekujt e mëvonshëm me temen e invazioneve sllave në territorin e Arbërisë, të shoqëruar me pasojat që përfshinë popujt e lashtë në gadishullin e vjetër të Ballkanit. Në kreun e katërt jepet periudha historike nga ilirët tek arbërit, si dhe ecurinë e përhapjes në mënyrë paqësore dhe me vullnet të lirë të krishtërimit ndër shqiptarë dhe arbëreshët në Itali. E gjithë koha e pushtimit të gjatë 5 shekullor në Arbëri dhe degradimet që erdhën nga ky kolonizim i gjatë, që e ktheu Arbërinë në një lagje të vjetër të Perandorisë së Turqisë, shoqërohet me pjesët interesante: Gjergj Kastrioti; Aleanca me mbretin e Napolit, karakteri i Gjergjit dhe cilësitë e tij si prijës ushtarak; Triumfi i fundit dhe vdekja e Kryetrimit. Në vijim kemi shkrimin e kthimit të vendit në epokën e Mesjetës, që shoqërohet me kumtesa histori ke: e para që shtjellon përhapjen e islamizmit me dhunë në territorin e Arbërit dhe së dyti dekadenca ekonomike dhe të tjera që solli pushtuesi barbar otoman.
Pjesa e dytë e librit, zë fill me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878 në qytetin e mirënjohur historik me të njëjtin emër, e cila shoqërohet me çështjen: Lidhja e Prizrenit dhe qeveria turke. Një vend të rëndësishëm në historinë e kryengritjeve çlirimtare kundër Portës së Lartë të “pathyeshme” asokohe zë triumfi i Malësisë, sikurse e ka pagëzuar Mali. Më interes, mund të lexohen pjesët historike: Rilindja Nacionale; Poetët e shkrimtarët të Rilindjes Nacionale dhe Letërësia e kontributi i arbëreshëve në Itali. Studiuesi grish hap pas hapi aspektet e rëndësishme dhe të diskutueshme në median marramendëse në kohën tonë në lidhje me shekullin XX. Kështu trajton 28 nëntorin e vitit 1912, figurat e anashkaluara në kohën e rregjimit komunist, ku për çudi mbi disa prej tyre është hedhur baltë dhe disa nuk janë përmend apo janë shtuar përsona që nuk kanë të bëjnë me ngjarjet historike, por kanë patur lidhje farefisnore me diktatorin.
Lënda e parë burimore në vepër mbetet historia e Shpalljes së Pavarësisë; Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe Kryengritja e Kosovës. Në krerët në vijim jepet historia e mbretërimit të Princ Vidit; Lëvizjen esadiste dhe mbyllet me rebelet e Haxhi Qamilit, që kërkonin me mall rikthimin e nostalgjikëve pushtues të Mesjetës së errët të kohës së “Baba Dovletit" (Turqisë). Shqipëria në Konferencën e Paqes; Komisioni ndërnacional i kufijve dhe rregulli i tyre; Kongresi i Lushnjës (1920); Triumfi i Vlorës; Shqipëria në Lidhjen e Nacionaliteteve; Fan Noli; Kryengritja e Qershorit; Fan Noli në krye të Qeverisë shqiptare; Republika shqiptare dhe Alesanca me Italinë, i lënë vendin më pas ngjarjeve me ngarkesë të dendur politike, si: Mbreti Zogu I; Ekonomia e Administrata; Arsimi dhe Kultura (Lekat në Shqipëri); 7 Prill 1939 dhe shfrytëzimi ekonomik.
Kohën dhe ngjarjeve që vijnë më pas, sikurse janë sundimi fashist dhe komunist në vendin e shqiponjave, për të mbërritur gradualisht në atë që më të drejtë autori Mali e quan katastrofa nacionale. Ai gjerësisht flet për periudhën më të zezë të historisë nën rregjimin ateisto-komunist të diktatorit gjirokastrit në harkun e viteve 28 nëntor 1944 deri më 13 dhjetor 1990. Lidhjet e PK të Shqipërisë me PK të Jugosllavisë, analizohen përmes temes: “Me Jugosllavinë e Titos dhe kundër saj”, ku argumenton rrjedhimet negative që patën trojet shqiptare nga kjo lidhje proletare e robëri nacionale, mbasi hambari i ish-Jugosllavisë Kosova do t’i jepet si peshqesh Titos nga kryeantishqiptari. Autori shkruan, se Kosova u trathtu, duke shtuar më tej argumentet, se kush fitoi dhe humbi prej Jugosllavisë së Titos. Në fletët në vijim lexojmë historinë e zezë të vendit tonë, përmes temave: Shqipëria në bllokun e Bashkimit Sovjetik; Kolektivizimi i bujqësisë; Tregti në Francë; Një 50-vjeçar në komunizëm; Luftë kundër të gjithë besimeve fetare; Agjitacion e propagandë; Hrushovi mik për jetë; me Kinën e Mao Ce Dunit.
Ndoshta nga malli apo dashuria sublime për vendlindjen e legjendave të trimërisë, malet kreshike, që ruajnë jehonën e luftrave, fitoret dhe humbjet e bijve të kastriotit, të stërnipave të Dedë Gjon Lulit, hulumtuesi, një vend të dukshëm i ka dhënë kapitullit të dymbëdhjetë. Ai hapet me Kanunin e Lekë Dukagjinit, të cilën sikurse thotë edhe në parathënie, e ka studiuar qysh herët me shumë kujdes prejardhjen dhe ndarjen e fiseve, duke dhënë pas shumë viteve këndvështrimin e tij. Të tilla janë çështjet, që kanë të bëjnë me Lekët e Maleve të Mëdha-Malësia e Madhe; Malet e Mëdha (Lëkët e Malësisë së Madhe); Mali i Hotit dhe Bajraku i Trieshit; Shkodra etnografike; Pashalleku i Bushatlinjve të Shkodrës; Mali Grudës dhe Bajraku i Kojës; Kryengritja e armatosur e Malësisë së Madhe; Pasojat e ardhura mbas Kryengritjes; Mali i Kelmendit; Mali i Kastratit; Mali i Shkrelit; Vojvodlleku i Dedajve të Shkrelit. Libri shoqërohet edhe me fotografi origjinale, një pjesë e mirë prej tyre botohen për herë të parë.
Libri: “Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare”, me autor studiuesin Marash Malin, është mundësuar për botim në saj të kontributit bujar të zotërinjve bashkëatdhetar shqiptaro-amerikan, si: I. Gjeloshaj, Gj. Turmalaj, R. Rrethatoku, V. M. Shkreli, Ll. L. Grishaj, A. D. Grishaj, Gj. N. Preka, Ar. Ivanaj, A. Marku, D. Gjoka, P. Durgaj, Leonard Lumaj, P. Gjoni. Redaktimi është bërë nga poeti e publicisti Pjetër Jaku, që është njëkohsisht edhe drejtor i Shtëpisë Botuerse “KUVENDI” në Detroit (Michigan) e Lezhë (Shqipëri). Vepra është shtypur në Shtypshkronjen “GEER” në Tiranë në vitin 2003 dhe ka 377 faqe.
Pak fjalë për autorin Marash Mali
Studiuesi 83-vjeçar, u lind më 1921 në Dedaj të Shkrelit në Malësi të Madhe. Ai vjen nga një familje e njohur “vojvodë” dhe mjaft e përmendur për burra të urtë dhe atdhetarë, shkruan ndër të tjera në biografinë e autorit prof. dr. Hasan Lekaj, pedagog i Letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Babai i Marashit, Kola, ishte njeri ndër krerët e grupuar me ata të qytetit, siç ishin asokohe patriotët Rexhep Shala, Sulço Beg Bushati, Dan Hasani, Vas Kiri etj., në përpjekje për organizimin territoriale të krahinave në rrezik nga synimet malaziase. Si opozitar, që ishte gjatë trazirave u vra në vitin 1923. Marashi, shkollimin fillor dhe të mesmen i bëri në qytetin e Shkodrës, sepse si jetim i ishte dhënë një bursë për në Jetimoren e konviktit “Malet tona”. Ndërkohë shkon në Itali dhe kryen një shkollë specializimi në degën e Pyjeve. Në prag të kapitullimit në nazifashizmit në Shqipëri, bashkohet me katër oficerë madhorë të Malësisë së Madhe, në organizatën e quajtur “Besëlidhja e Malësisë së Madhe”, e me vullnetarët e kësaj treve kishte për qëllim mbrojtjen e krahinës, pa u përfshirë në asnjë grupim politik.