Zef Prela Ivezaj (1880 - 1964) katër herë plagosur në krahasor e shumë herë dekoruar me Medaljen e Artë të Shqiponjës
-- nga Prof. John Frani Ivezaj,
historian (Queens72@aol.com)
Lindja e djemëve në çdo familje shqiptare mes malëve, është shoqëruar me batare pushke, që është dëgjuar në bjeshkët e thepisura, ku shqiponjat ngrinin folenë e tyre. Qendrat e banimit, në zonat rurale shqiptare, kanë qenë shumë të përhapura e rrallë ka ndodhur, që kullat të jenë buzë njëra tjetrës.
Vetë kullat me frëngjitë e tyre, kanë qenë një mburojë e mirë kundër pushtuesve të huaj dhe serbo - malaziasve, që gjithnjë kanë synuar të grabisin trojet shqiptare, të cilat historikisht në fillim të shekullit XX u favorizuan nga Fuqitë e Mëdha të kohës, që ende sot me ndërgjegje nuk e kanë bërë shpagimin e gabimit të tyre të padrejtë, ndaj trojeve, ku 7 milionë shqiptarë etnik enden në pesë shtete.
Katundi Ksheve në Grudë të Malësisë, kishte një gëzim, se në shtëpinë e Ivezajve u lind një djalë, që kur u rrit ndoqi udhën e shkelur për guxim e trimëri, besë e burrëri, tradita e doke, fe e atdhedashuri nga të parët pararendës.
Duke qenë pjesë e fisit Ivezaj, si studiues e historian do të përpiqem të jem i paanshëm, duke nxjerrë ose zbuluar para bashkatdhetarëve të mi emrin e mirë, që ndër shekuj ka trashëguar Dera në zemër të Malësisë, që përherë ka qenë ndera dhe krenaria e shqiptarëve.
Historia e çdo familje shqiptare në Malësi, është edhe historia legjendare e malësorëve trima, që me grykën e ngrohtë të pushkës ruajtën dashurinë për Arbërinë, sikurse trimat e Gjergj Kastriotit shumë shekuj më parë…
Historishkrues të kohës dhe deri në ditët tona, janë munduar të ofrojnë fakte e jetëshkrime, për përsonalitetet e Malësisë, katundeve, fiseve e komunitetit në tërësi.
Me modesti, po radhis për herë të parë në këtë shkrim, një përkujtimore, me sa kam mundur të hulumtoj në venlindje e diasporë nga stërnipërit, jetën dhe veprën e birit të paharruar të Malësisë, birit të Grudës kreshnikë Zef Prela Ivezaj.
Babai i tij, i quajtur Prelë Marashi Ivezaj, është shquar në mbrojtje me armë në dorë kundër pushtuesve sllav në Kryengritjen e vitit 1881, që Malësia me bijtë e vet organizoi. Ishte një luftë me të vërtetë e rreptë sikurse shkruajnë kronistët sllav të kohës, që në një farë mënyrë janë detyruar të përshkruajnë edhe trimërinë e kundërshtarëve sllav, që ishin malësorët e veshur thjeshtë, me armë të thjeshta, por me ideale të larta të mbrojtjes së tokave shqiptare.
Ata kishin një motiv më shumë e arsye pse kishin dalë në fushë të mejdanit, për jetë a vdekje, sepse nuk donin që tokat e tyre të ishin pjesë e Perandorisë Sllave, nuk donin që fëmijët e tyre të merrnin emra sllav, zakone e tradita të pushtuesit, nuk donin që të harronin varret e të parëve, që këtë tokë shqiptare ndër shekuj e kishin larë me gjak trimash. Gjithsesi, shqiptarët etnik nuk donin asgjë, që ishte dhuratë e verbër e pushtuesve sllav.
Eshtë pikërisht ndershmëria e trashëguar e malësorëve, që i ka ruajtur virtytet më të pastra të shqiptarit, që ndonëse bënte një jetë të vështirë mes malëve, nuk iu nënshtrua lëmoshave apo ofiqeve gllabëruese të sllavëve.
Në Kryengritjen Spushit, që ndryshe njihet edhe si Lufta e Spuçit e vitit 1881, pati shumë humbje nga të dy krahët e pjesëmarrësve. Sigurisht, që malësorët e prirë nga Bajraktari i tyre asokohe Smajl Martini i Grudës, sikurse flasin dëshmitë historike, Prelë Marashi ka qenë ndër luftëtarët e dalluar kundër malazezëve.
Gjatë luftimeve të ashpra në Kalanë e Spushit, trupat sulmuese malaziase, kanë vrarë vëllanë e Martin Marashit. Trimat shqiptarë, që e kanë shoqëruar në luftime kundër malaziasve i kanë çuar fjalë, se vëllai të është vrarë heroikisht në mbrojtje të trojeve, duke nderuar familjen dhe fisin e njohur Ivezaj.
Për Prelën lajmi mortor, ka qenë një goditje e rëndë në shpirt, sepse vëllanë e vet Martinin e ka dashtë si sytë e ballit. Prela, një burrë me shtat të lartë, i veshur tërësisht me kostumin tradicional popullor vendas, ka pasë një ballë të gjërë, sy gështenjë, flokë të zinj, me mustaqe që i hijeshonin portretin e një sokoli trim të bjeshkëve të Malësisë.
Humbja e vëllait në luftë, ishte një tronditje për te dhe fisin Ivezaj. Por Prela, gjen forca burri, për t’a kthyer dhimbjen në forcë hakmarrjeje. Ai, me një qetësi dhe gjakun, që i vlonte në gji, mendoi disa minuta dhe u lut për shpirtin e Martinit, duke thënë uratë, që shpirti i tij pushoftë në paqë.
Prela mbi kalin me shpatë në dorë, është turrë drejt ushtrisë malaziase, i mbështetur nga luftëtarët, që i sollën lajmin mortor dhe në të njëjtën kohë u rinisën sërisht drejt ushtrisë pushtuese. Ai, tashmë nuk ndalej para asgjëje dhe e kishte llogaritur vdekjen ose lirinë e trojeve, që lëngonin nga zgjedha e re sllave.
Ai ishte betuar para luftarëve shqiptarë se pa prerë kryetin e Vojos, që kishte vrarë të vëllanë Martinin nuk do të kthehej i gjallë në shtëpi. Sipas tij dhe traditës së Kanunit të Malëve gjaku paguhet (shkonte) me gjak. Dhe pas shumë sulmeve, ndaj çadrave të ushtrisë serbe, mundi të gjente vrasësin sllav, e me disa lëvizje të rryfeshme gjeti momentin, që gjatë dyluftim t’i priste kryetin. Trofenë e luftës, e mbante në dorë dhe ia solli si peshqesh Bajraktarit Smajl Marinit të Grudës, duke i thenë këto fjalë: “Ky është ai që më ka vrarë vëllanë”.
Prelë Marashi e Smak Deda si kushërinj, kanë qenë trima më të dalluar që ka pasur katundi i Ivzikut e Gruda. Djali i tij, Zef Prela, ndër burrat ushtarë trima, që ka pasur Batalioni i Grudës, i cili është drejtuar nga Kolë Zefi Ivezaj (1880-1953).
Lufta e Vranës e vitit 1908, ka qenë gjithashtu në historinë e Malësisë, si një ndër betejat më të përgjakshme, ku shqiptarët edhe pse kanë pasur humbje ndër luftarë, kanë dhanë shembuj qëndrese të papërkulur, duke shënuar faqe të lavdishme në historinë e popullit shqiptar. Krahas shumë pjesëmarrësve të tjerë kreshnikë, që kanë ngjeshur pushkën për liri kanë qenë Zef Prela, Nik Smakaj, Ujk Smakaj, Lekë Marashi, Gjek Prela, Gjelosh Prela etj. Asnjëherë turqit dhe prijësit e tyre ushtarak nuk e kanë parë vedin më ngusht se në betejën e Vranës, ku kanë lënë në fushë të betejës shumë të vrarë e të plagosur.
Zef Prela, ka qenë i martuar me Pashken e Nikoll Mirash Hasit, prej Derës së Vuksan Lekës të Hotit të njohur si Vojvodë. Zef Prelën përsëri do ta shohim si protoganist në Kryengritjen e Malësisë së Madhe më 6 Prill 1911 të udhëhequr nga trimi i bjeshkëve Ded Gjo’ Luli. Kjo betejë zë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit tonë, sepse përmbajtja e saj ishte shumë më e thellë dhe tepër ambicioze për nga kërkesat kundër ushtrisë së Perandorisë më të madhe të kohës.
Rezistenca dhe qëndresa, kundër pushtuesve shekullorë ishte më e madhe në zonën e Malësisë, që ndër shekuj ishte shtypur dhe kishte mbijetuar në saj të besimit në Zotin dhe në lirinë e vatanit të lënë trashëgim nga Gjergj Kastrioti.
Shqiptarizma ishte pjekur e kishte filluar të vepronte me armë në dorë, mbasi diplomacia e Europës plakë kishte luajtur mbi kurriz të popullit më të vogël e më të vjetër në Ballkan. Mizorisë së Lindjes otomane i kishte ardhur fundit dhe se malësorët trima ishin vënë në ballë të betejës së përgjakshme, për të ngritur në majë të Deçiqit shqiptar flamurin e Gjergj Kastriotit, që u bë për 25 vjet me radhë mburojë e Atdheut dhe e qytetërimit europian.
Duke e ditur këtë sakrificë të madhe, që Gjergj Kastrioti kishte bërë për Europën e vendin e tij, Europa pas shumë shekujve do t’ia shpërblente me copëtim të Arbërisë, që fiqnjët ta kishin më të lehtë për ta kapërdirë e zhdukë nga faqja e dheut popullsinë e Ilirëve të lashtë.
Nën komandën e Major Kolë Zefi Ivezaj, që kishte studiuar për akademi ushtarake dhe Bajraktarit të Grudës Smajl Martinit, me flamur në dorë Ded Nikë Bajraktari treguan se kush ishte raca e fortë arbërore. Përsëri Zef Prela ishte kryengritës në Luftën e Shkodrës me 1908, ku kryngritësi i Flamurit në Kështjellën e lashtë të Rozafatit, krahas me Ded Nik Bajraktarin e Grudës, do të dalloheshin, për aktet e tyre të trimërisë. Burrëria dhe trimëria shëmbullore spikat në çdo luftë në mbrojtje të tokave të Arbërit.
Portreti i tij fizionomik, ka mbetur i fiksuar brez pas brezi në gojëdhanat popullore në shtëpitë e malësorëve të Grudës, si një burrë i gjatë si lisat e pastër të bjeshkëve alpine, me krahët sa pushka që mbante ngjeshur në male e shtëpi, i zgjuar nga natyra dhe kuvendar i saktë në odat e trimave të Malësisë, besnik deri në vdekje e fjalë pak, fetar e bujar me shpirt të pastër, human e largpamës për të ardhmen e bijve të Grudës.
Kujtojnë, se në një nga përleshjet me pushtuesit e huaj, ai ka qenë i varruar katër herë në kraharor. Kështu nëse i kthehemi retrospektivës historike, kujtojmë se në Kryengtjen e vitit 1909, në istikamin e kodrës së Deçiqit, është plagosur, duke luftuar përkrah trimave të Malësisë, asokohe nën komandën e Kol Zefi Ivezaj kundër turqve.
Zef Prela me heroizëm të pashembullt kishte mundur të depërtonte thellë në garnizonte e taborreve turke, duke prerë me shpatë në dorë ushtarë të hordhive aziatike të Bosforit.
Aty u plagos në kraharor, ku gjaku i tij gufonte si shkumë deti. Zef Prelës nuk iu ndal kurrë turri. Pranë trupit të tij mbeti i plagosur edhe Nik Smakaj. E ashtu sikurse ishte i varruar, ai vijoi të luftoi. Ai, mundi në një moment të caktuar të zinte rob një ushtar turk, të cilit i mori pushkën dhe e vuri përpara nizanin dhe ia dorëzon Kol Zefit të Grudës.
Asokohe ka qenë nder e lavdi shoqëruar me respekt e trimëri të madhe, që armikun me e zënë gjallë dhe me i marrë armën. Për të parë besën dhe burrërinë e këtij malësori tipik kreshnik, po ofroj një shembull të jetuar asokohe të përshkruar nga gojëdhënat popullore brez pas brezi.
Kështu, sikurse thamë, Zef Prela zuri rob një ushtar turk. Ushtria e Malësisë e përbërë nga luftëtarët vendas e të krahinave përrreth, donte që robin e zënë gjallë dhe të çarmatosur ta vriste. Por në ato momente ka reaguar menjëherë Zef Prela, duke kundërshtuar me këto fjalë: “Unë nizamin e kam zanë gjallë dhe po ua nap besën e Zotit, se kush e vret nizanin tim më vret mua.” Besoj, se nuk ka nevoj për koment, se besa e shqiptarit paguhet shtrenjtë.
Edhe sot në majë të Deçiqit (viti 1909), ka mbetur emni Guri i Nizamit, që nga koha e luftës kundër ushtrive turke, ku Zef Prelë Marashi i varruem e zuri nizamin gjallë dhe nuk shkeli ligjet ndërkombëtare të luftës dhe besën e shqiptarit.
Lufta e Shipshanikut e vitit 1910, ku kanë marrë pjesë malësorët e Malësisë, në luftë kundër garnizoneve në kalanë e pushtuar nga kolonizatorët turq. Më 1911, në kalanë Rozafat në qytetin e Shkodrës, ndër 7 batalionet e Maleve të Malësisë Zef Prela Marashi u dallua, si i dyti luftëtar, që mori Dekoratën Vlerësuese nga Komiteti Çlirimtar i Shkodrës e quajtur asokohe “Medalja e Artë e Shqiponjës”, në motivacionin e së cilës thuhet: “Zef Prel Marashi shquhet për trimëri tradicionale kundër pushtuesve otoman e shkjave.”
Më 1907, prej Komitetit Qendror Çlirimtar të Podgoricës është dekoruar me “Medalja e Artë e Trimërisë”, ku medalja ka formën e Kryqit.
Në vitin 1906 përsëri në gjoksin e tij i është vënë “Medalja e Shqiponjës”, me motivacionin e përhershëm si luftëtar i dalluar për çështjen e shenjtë nacionale.
Zef Prelë Mirashi, është varrue (pagosur) dy herë në Shkodër e dy herë në kalanë e Deçiqit. Ai ka qenë bir i Prelë Marashit, që edhe një ndër historinët e shkrimtarët e njohur në Malësi imzot Simon Gjoni, ka shkruar me shumë respekt dhe me vlerësimet maksimale, për jetën dhe verpën e tij në dobi të çështjes kombëtare.
Ai, kur shkruante për këto beteja, tregonte bujarinë dhe trimërinë e pashoq të Prelë Marashit, saqë Veziri i Shkodrës Hazi Pasha, i kishte hy frika në palc prej Prelë Marashit e Smak Dedës, mbasi ato i sillnin gjithnjë dëme dhe humbje në radhët e ushtrisë turke, që me garnizone kishin rrethuar tokat shqiptare në Malësi.
Ata pasi sulmonin kampet e ushtrisë turke, merrnin armët e tyre dhe kur hynin në Pazarin e Shkodrës (Bexhisteni, hapur për herë të parë në vitin 1751 dhe kishte 3000 dugaje, rrëzë Kalasë Rozafat), dy trimat delnin njerëzit, për t’i parë e përshëndetur.
Historia ka folur e flet me respekt për këto trima që e bënë historinë e Malësisë. Ata gjithnjë kanë qenë shpata e mprehur kundër të gjithë hordhive pushtuese turke e malaziase.