Kanadaja të njohë Pavarësinë e Kosovës
-- nga Beqir SINA, Nju Jork (SHBA)
Një grup shkollarësh shqiptaro-kanadezë, me banim në Toronto, kanë kërkuar që edhe Paralamenti i Kanadasë duhet të paraqesë një rezolutë të ngjashme me atë të kongresit amerikan H. Res 28, për pavarësinë e Kosovës.
Toronto, ON: Nën udhëheqjen e ish-kongresmenit të njohur në bashkësinë shqiptare z. Xhozef DioGuardi dhe Këshilltares për Çështje të Ballkanit znj. Shirli Klojs Dioguardi, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka arritur që të bindë dy prej udhëheqësve kryesorë të politikës së jashtme të SHBA në Kongres, z. Henri Haid (Henry Hyde), ligjvënës i shtetit Illinois dhe Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Kongresit Amerikan, dhe z. Tom Lantos, Demokratin numër një të Kalifornisë në këtë Komitet, që të paraqesin para Kongresit Amerikan Rezolutën Nr. 28 (H. Res. 28) që mbështet Pavarësinë e Kosovës dhe i kërkon SHBA-së (politikës së Jashtme) të njohë pavarësinë e Kosovës tani.
Eshtë i një rëndësie të jashtëzakonshme të trajtohet fakti; se sa është e përfshirë e gjitha, bashkësia shqiptare në Amerikë e Kanada, për të vlerësuar fushatën për pavarësimin e Kosovës me pergjegjësi të madhe kombëtare. Fushatë, e cila kjo ka arritur në fazën më të rëndësishme, duke u shoqëruar edhe me një peticion ndërkombetar, të nëshkruar deri tani nga qindra mijëra shqiptarë, anembanë globit. Bashkësia shqiptare në Amerikë e Kanada në këtë mënyrë të vepruarit, po e përshpejton punën dhe veprimtarinë e saj në këtë drejtim. Pikërisht, javën e kaluar një grup përfaqësues i Lidhjes Shqiptaro-Kanadeze, nën drejtimin e shkollarëve shqiptarë zhvilluan nje takim të rëndësishëm me Ministrin e Jashtëm Kanadez të nderuarin Uilliam Graham (William C. Graham). Me këtë rast Ministrit të Jashtëm kanadez iu përcoll mendimi i rreth 25 mijë shqiptarëve të Ontarios dhe rreth 50 mijë shqiptarëve të Kanadasë për pavarësinë e Kosovës. Zyrtari i lartë kanadez e zhvilloi këtë takim në vazhdën e takimeve zgjedhore me përfaqësues të bashkësive kanadeze të boshnjakëve, ukrainasve dhe somalezëve.
Grupi përfaqsues përbëhej nga Fisnik Prishtina, Ismet Mirena, Luan Banka, Roland Isaj, Saimir Lolja, Sami Ademi e Visar Xhaferri. Gjatë bashkëbisedimit, Ministrit të Jashtëm kanadez iu dorëzua edhe një letër-kërkesë e përgatitur me kujdes dhe e bashkëshoqëruar me letrën shoqëruese të firmosur nga Kongresmenët Henri Haid dhe Tom Lantosh dhe dokumentin H.Res.28.
Letra e përcjellë me këtë rast Ministrit të Jashtëm kanadez parashtron kërkesën që edhe Parlamenti kanadez të nxjerrë një Rezolutë të ngjashme me atë H.Res.28. Në letrën e tyre përcjellë Qeverisë kanadeze së pari falenderohet Qeveria kanadeze, SHBA, NATO e OKB për çka kanë bërë deri tani për çlirimin e Kosovës dhe rrugën drejt demokratizimit e statusit përfundimtar. Gjithashtu, ata vlerësuan Qeverinë kanadeze për sistemin shtetëror të të drejtave dhe përgjegjësive, atë të sigurisë, tatimor dhe ambjentit. Më tej ata kanë arrirë që me anë të kësaj letre të spjegojnë disa arsye se pse ndodhi dhuna e muajit mars në Kosovë, etj..
Ato pohuan se një Kosovë e qëndrueshme don të thotë një Europë Juglindore e qëndrueshme, që do të thotë një Europë e sigurt, e cila do të thotë një Amerikë Veriore e sigurt. Ato ritheksuan se historia shqiptare është një listë e pafundme e lirisë fetare, e bashkëjetesës, arsimimit, përpjekjeve për jetën, e respektit për popujt e tjerë dhe kulturën e tyre, dhe etjes për zhvillim. Biles me këtë rast, u shpreh edhe dëshira që cilësitë shtetrore si në Kanada të investohen për shqiptarët në Europën Juglindore.
Qëllimi i shkollarëve shqiptarë në Toronto është që të punohet sa më shumë dhe të shfrytëzohet çdo takim me zyrtarët e lartë kanadezë për ndërkombëtarizmin e çeshtjes shqiptare, me përparësi zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës tani dhe gjetjen e mënyrave të frytdhënëse për zgjidhjen e çështjes kombëtare e cila nuk është më vetëm problem i shqiptarëve, por edhe i shteteve të mëdha. Nëpërmjet këtij aktiviteti Dr. Saimir Lolja, thotë se iu përcjell shqiptarëve në botë mesazhin që nëpërmjet shoqatave të tyre të punojnë me politikanët e vendeve ku jetojnë që parlamentet e tyre të nxjerrin edhe ata nga një rezolutë të ngjashme me H.Res.28 të Kongresit Amerikan.
Ndërkohë që takime të tilla intensive të shqiptarve në disaporë, të paktën në çfarëdo nivelin qofshin ato, po e fuqizojnë edhe më shumë vetë rolin dhe pozitën e shqiptarëve në këto vende. Ato janë kontribut i madh i çështjes kombëtare në relacionin vend-lindje - perëndim dhe dëshmojnë formalisht, se sa i fuqishëm tani është zëri i shqiptarëve në diasporë.