GOMONIA SOCIALISTE
Kthimi i Djalit Plangprishës
-- nga Prof. Dr. Apollon Baçe, TemA, 22.01.2004
Frazën e parë, si të një vodevili a estrade, "zogu i lirë fluturoi sërishmi dhe sërishmi u ngërdhesh me historinë e hidhur që la pas bishtit" e fshiva për ta rishkruar prapë. Shprehjen boshe e kishte amalgamuar subkoshienca që kishte marrë dhe përzier ngjarjet e fundit me copëza kujtese nga një darkë e stërzgjatur në Bonn, me 28 mars të vitit '98. Nga momenti kur dikush nga ora 3 e mëngjesit i kishte thënë Fatos Nanos që po përshkruante i pikëlluar një ngjarje të dhimbshme, "qënkeni i ndijshëm" dhe Fatos Nano kishte shpërthyer në gaz duke pyetur "kush? unë?". Pikërisht nga momenti kur Fatos Nano na kishte vënë të tërë në lojë.
"Shoh flakën e qiriut të digjet brënda meje... Jam zogu vetmitar që e kam çuar tufën e zogjve drejt qiejve..." u tall sërishmi Nano në kongresin e partisë së tij me kongresistët e tij. U tall me tufën popull që e sjell vërdallë jo qiejve por detrave. U tall edhe me Naimin që u dogj si qiri për t'i hapur rrugë Nanos. Teknikën e të qeshurit me zë dhe pa zë Nano e zotëron në perfeksion.
Foli kështu për të fituar votat e delegatëve - tha media. Vërtetë Nano arriti që të shembë Meidanin dhe Ramën falë "Fjalëve të Qiririt" dhe "Zgalemit", apo falë korrupsionit? Asaj çimentos që lidh grupet dhe grupazhet socialiste. Fotografia ku Nano ushqen me lugë si gjel pulastreni ish armikun Gjergj Koja, s'është tjetër veçse varianti satirik i tablosë së Rembrandt-it "Kthimi i Djalit Plangprishës". I cili simbolizon edhe talljen, edhe lezet-grykësinë, edhe amoralitetin, edhe mercenarizmin mercenar, që sipas K.Th. Spirit "nuk bëhet theror për Arbëror, por për lakror". Me një fjalë ai variant që simbolizon makro dhe mikrobotën socialiste shqiptare.
Gomonia proletare
"Ka implikime të strukturave me pushtet në këtë udhëtim që çoi drejt vdekjes... Këto shoqërohen patjetër me dorëheqje... "Por kjo ka anën politike dhe anën morale" thotë i përmoralshmi Gjinushi, i cili s'ia fal që s'ia fal dot Nanos dëbimin nga pushteti.
"Zoti Gjinushi e shtroi problemin në parim dhe ai e kishte fjalën që nëse vetë kryeministri e shikon të moralshme të japë dorëheqjen, le ta japë" thotë butë-butë, pajtueshëm-pajtueshëm, Makbule Çeçoja, dikur kundërshtare e Nanos.
"Sigurisht që po", e mbështet Zonjën Çeço PR-ja i PS-së Zotni Agasi, edhe ky dikur jo mik me Nanon. "Ajo që është më e rëndësishme është se ai mbështeti Qeverinë dhe Koalicionin për Integrim". Uniteti mbi të gjitha. Proletarë të të gjithë vendeve rrihuni, çirruni, pështyhuni, kafshohuni, por pastaj bashkohuni. Puthuni dhe flini bashkë. "Votuam që të mos rrezikohej pushteti socialist, por kjo nuk do të thotë se... Nano e ka mbushur kupën tashmë dhe duhet që..." thotë metist antinanoisti Spartak Braho, të cilit po i shungullojnë mbi kokë "Rrjetën e Hekurt".
Deri këtu Nano është në rregull. Asnjë valë socialiste a social-demokratiste nuk e përshkund atë nga gomonia proletare.
Me se kapet peshku?
Furtunat në qiellin politik shqiptar nuk mbajnë gjatë dhe barometri po shenjonte një përmirësim moti për Nanon e PS-së dhe PS-në e Nanos: Parlamenti e kishte mbështetur bindshëm, president Moisiu kishte konstatuar preraz se fajin për mbytjen e 21 vetëve e ka kryesisht BE-ja dhe kishte urdhëruar edhe më preraz "Tragjedia të mos politizohet në asnjë mënyrë". Lëvizja "Mjaft" e kërcënuar thuajse për "lidhje me agjenturat e huaja" u vetëridimensionua dhe tha "nuk do kishim dëshirë që të vazhdonim me protesta të tipit politik". Opozita veç nxjerrjes tym nuk po nxirrte gjë tjetër. Media e tromaksur nga deklarata e vogëlushit manar "Do të godasim të gjitha pasuritë e pista.
Edhe ato që kanë shërbyer për të financuar disa media" po e çlironte Nanon dhe PS-në e Nanos nga morsa e ditëve të para. Pas hutimit paraprak lehtësisht rozët e medias së pavarur po ulnin në bankën e drunjtë PD-në, më bashkëfajtore se PS-ja dhe po sprovonin t'ia kthenin fytyrën opinionit drejt 60 veturave, skafeve me dhe pa motor, shtëpive dhe pastiçerive që kishte kapur në rrjetë "Rrjeta e Hekurt": "Është momenti që kreu i shtetit të thotë hapur dhe prerë se do të mbështesë këtë aksion... Është momenti që mediat ta mbajnë gjallë këtë aksion... "Mjaft" t'i thotë Mjaft! edhe indiferencës dhe heshtjes ndaj këtij aksioni... Po humbi ky aksion, fatalisht e humbur është e gjithë shoqëria".
Nuk e di përse emri aksion më kujton aksionet me goditje të përqendruar për vaditjen e ullinjve në ditë shiu dhe emri Rrjetë e Hekurt anekdotat me policë:
"Me se kapet peshku?"
"Me rrjetë"
"Me çfarë rrjete?"
"Me rrjetë hekuri!"
Ndërkohë që të tërë e dinë se peshku kapet vetëm me rrjetë të lakueshme nejloni dhe se rrjeta e shtangët prej hekuri përfundon pingul e në fund të detit. Për të "zënë kum" thonë skafistët e "Qytetit Hero". Në të kundërt përkthimi në italisht "rette d'acciaio" kërcet bukur si një daulle lufte, e cila nuk ka të bëjë as me peshq dhe as me kum. Në gjuhën e Nicolo Machiavelli-t "rette d'acciaio", ka kuptimin e asaj këmishës së hekurt që mbronte nga shpatat dhe ushtat kalorësit e fisëm, cavaliere-t. Si të tillë e përllogariti atë dhe Cavaliere Nano-ja: Si një këmishë të hekurt, të prerë enkas për vizitën në Komisionin Europian dhe BE ku do ta prisnin gjermanë, francezë etj., të cilëve gjatë luftës në Irakut u pat kujtuar me delikatesë se po të mos kishte qenë Amerika do të kishte qenë dhe sot e kësaj dite naziste ose nën hyqmin e nazistëve. Duke i bërë kështu një shërbim tejet të vyer kombit të tij.
Surpriza e Europës
Bashkëbiseduesi i Fatos Nanos, Romano Prodi, nuk ngjet kërkundi me idhnakun spanjoll Havier de Solana, i cili i pati vërvitur Nanos shprehjen "nuk jemi mbledhur për të qeshur me barcoletat e tuaja, por për fatin e atyre që po vriten në Kosovë". Në të kundërt Romano Prodi e kishte harruar edhe rrengun e PS-së në '97, kur një nga duart e para që shtrëngoi në Shqipëri para kamerave televizive ishte ajo e delinkuentit ordiner Zani Çaushi. Sipas PS-së lokale "çlirimtarit të Vlorës". Përkundrazi me 31 janar të vitit të shkuar, Prodi i kishte thënë Nanos "Unë kam besim të madh tek Shqipëria. Vitalitetin e saj nuk e shoh në asnjë vend tjetër... Hartoni një ligj efikas për zgjedhjet dhe pronat, luftojeni korrupsionin dhe krimin e organizuar". Dhe Nano i kishte bërë jehonë me atë stilin e tij rokoko "unë jam specialisht i vendosur që të shmang mungesën e ligjeve, korrupsionin dhe oportunitetin e penetrimit të rrjetave kriminale në shoqëri". Ne "do të bëhemi europianë" e pati përfunduar Nano fjalën e tij, duke e bërë Prodin të mendojë se ndoshta Shqipëria ndodhet në Afrikë dhe të thotë "Shqipëria do të jetë një surprizë për Europën".
Në 20 janar 2004, surpriza Nano tregoi se e njeh bukurmirë teknikën e autokritikës m-l: "Përgjegjësitë e qeverive përkatëse nuk mund t'u vishen të tjerëve... Tani ne jemi të ndërgjegjshëm për dobësitë... Tani jemi më të përkushtuar... Tanimë kemi një këndvështrim... Tani veprimtaria qeveritare është më e programuar...". "Qeveria ime po bën çka është e mundur që të çrrënjosë shkakun e emigracionit të paligjshëm që është varfëria," tha Nano. Gjasisht pa e ditur se sipas treguesve ekonomikë, të cilët Komisioni Europian nuk i merr nga INSTAT-i i Nanos por i nxjerr vetë, "rritja e GDP është 4,5%, mjaft më poshtë shifrës 6,5 % të '2001 (Commision Staff Working Paper, Brussels, March 26, 2003-SEC (3003)- 339)". Dy herë më pak se sa e jep INSTAT-i. Por jo vetëm kaq: nëse këtij 4,5 % i zbritet hoteleria dhe ndërtimi, ku kalon shumica e parave të pista, e tëra përfundon në një rënie rreth 6 përqindshe të GDP-së. Kjo sa për "çmosin e çrrënjosjes së varfërisë shqiptare" nga Nano dhe PS-ja e Nanos.
Nazarko sjell parashikimin e ngjethshëm providencial të Andreotit, të mbytjes së Shqipërisë si në kënetë nga klasa politike socialiste. Jo menjëherë. Dalëngadalë. -6% pas -6%.
"Gjatë 18 muajve të fundit, ne kemi punuar në ndaljen e trafikantëve të njerëzve... Gjatë 16 muajve të fundit numri i atyre që ka kaluar kufirin ilegalisht në Itali ishte zero" tha Nano, ndërkohë që Prodi gjasisht e dinte se strukturave ushtarake italiane në Shqipëri ndihma për të mbyturit iu kërkua nga gazetarët dhe jo nga policia. Se shteti u mundua, por nuk ia doli që ikanakët t'i linte të mbyteshin në hije pa e marrë vesh kush. "Po nuk të kapën, nuk je hajdut" thotë një proverb rus.
Nano nuk foli as për 1 miliard dollarët e pritshëm nga droga për vitin 2003. As për 1,2 ton drogë të kapura vetëm në tremujorin e parë të '2003. As për deklaratat e Dr. Mandoit se "monopoli i drogës në Itali, Belgjikë, Gjermani... është në duart e shqiptarëve. Ndoshta nga që kjo dihej mirë.
Asnjë afat nuk caktoi KE-ja dhe BE-ja për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocimit. As për liberalizimin e dhënies së vizave. A do të jetë brenda vitit, e pyetën Prodin dhe ai u përgjigj: "Nuk e di. U përket atyre të bëjnë atë që kemi vendosur". Këto tha Prodi janë "lufta kundër kriminalitetit, sistemi juridik, krijimi i plotë i një sistemi demokratik zgjedhjesh dhe sistemit parlamentar". Po ato që u thanë një vit më parë. "Mbreti Filip i Spanjës qau kur u mbyt flota e tij. Por vallë vetëm mbreti Filip qau?" pyet Bertold Brecht-i, në një poezi të tijën.
Epilog
"Shoku Fatos! Unë jam një anëtar i thjeshtë i Partisë Socialiste" i zgjati dorën para kamerave televizive në votimet e '97 një gjynahqar i dobët i veshur për ibret. "Edhe unë jam kryetari i Partisë Socialiste" iu përgjigj Fatos Nano, duke i kthyer shpinën, pa i nxjerrë duart nga xhepat e pardesysë. Mospërfillës dhe përbuzës në neveri i vulgut, ai nuk merr mundimin as për të qenë hipokrit ndaj vulgut, si pararendësi i tij që rrinte "gju më gju me popullin". Por e keqja më e madhe e gomones socialiste nuk është personi mbi gomonen, por gomonia vetë: Nëse Fatos Nano zhvishet nga ekstravaganca, snobizmi, arroganca dhe playboy-izmi, ai shndërrohet në një nënprodukt standard të partisë së tij.