Ditet e fundit te P. Anton Harapit
-- nga Pal Duka-Gjini
Erdhën ditë të zymta të cilat i njeh gjithkush kaloi periudhën e idhtë 1944-45. Gjermanët u tërhoqën prej vendit tonë mâ fort të lodhun prej luftet e të thyem në fronte të shumta të Europës; jo sigurisht prej të ashtu quejtunës luftës nacional-çlirimtare. Më kujtohen trupat e fundit të Gjermanëve në Shkodër, kur mbas kodrave të Tepes e të Rrencit shprazëshin pushkë e automatikë partizanët. Një divizion gjerman na kishte xanë kolegjën e lokalet pë rreth. Ishin shumica oficera të naltë që ndiqshin ushtarët e fundit në tërhekje prej Grekijet e vendit tonë. Qeshëshin kur ndigjojshin të shtimet e brigatave komuniste në ndjekje.
Shetitëshin lirisht ndër rrugë të qytetit dhe flejshin pa pasë kujdes tjetër jashta të lidhshin të sëmuetët e të varruemët më armatat e tyne, të cilat endè luftojshin në Jugosllaví. Më kujtohet si sot kur oficerat e naltë katolikë, të cilët nën nacizëm vuejshin si kemi vujtë na në brigata të punës së detyrueshme të Enver Hoxhës, na thojshin: "Për jú kanë me ardhë dit edhe mâ të vështira se për né që kemi me pështue gjallë. Keni me thanë një ditë: jemi kenë mâ mirë kur jemi kenë keq.
Në këtë ndërkohë Harapi, mbasi s’pat pranue as të ndalej në Austrí, ku në kohë të fundit shkoi me pá vendet, shokët e profesorat e vet endè në jetë, as në ditët e mbrame të tragjedisë së konfliktit botnuer – të largohej prej Shqipniet me mjete e mbroje ushtarake gjermane, për popull e për né françeskanët hupi gjurmë. Aq i shtërngueshëm kje sekreti i strehimit të tij, sá shumica e deri autoritetet e para kujtuen se regjenti frat e kolega i tij Lef Nosi, kishin kalue kufijtë e atdheut dhe ishin strehue kund njeti.
Përkundra Harapi u tërhoq ndër male, ne e parë në Kir, në shoqní me Martirin
tjetër të kombit, Lef Nosin, e mandej në Plan. Në këtë fshat ishte kryetár
këshillit Prekë Ndou, një ndër burrat mâ të përmendun të tre bajrakëve të Pultit,
njeri besnik dhe mik i françeskanëve. Në sekretin mâ të madhn ky e strehoi
fratin te një vejushë e vorfën me katër jetima, të cilën e mbajshin në jetë mâ fort lmoshët e katundit, se sa fryti i krahëve të sajë.
Kjo, simbas porosisë së kryetarit të këshillit, u zotnue ta pranonte në shtëpí në Lumaj, vend gadi
krejt i izoluem, pa dijtë as ajo vetë se kush ishte apo, mâ mirë me thanë, tue
kujtue se ishte një plak kosovár, i cili pritëte të çilej rruga për të kthye në
vend të vet. Për disá kohë puna shkoi pa i rá në sy kurrkujt. As vetë
famulltari i Planit, aso heret Atë Fabian Miraj, nuk iu kujtue mfsheftësisë. Ndërkaq
Lef Nosi, ishte dá prej kolegës dhe kishte marrë rrugën, mshehtas, për Tiranë
me shpresë të gjente pështim pranë ambasadës amerikane a angleze, endè të çiluna në Shqipní.
Me kaq brigatat komuniste, që herë mbas heret në vjetët e para kontrollojshin
malcitë tona, ku ishte e gjallë rezistenca, kalojnë prej Malit të Shoshit e
prej Qafës së Boshit e bien në Plan. Ishte 6 qershori 1945. Një kompaní e
brigadës së kontrollit merr rrugën e Kodër Kujës dhe prej shtëpisë së Lek Lecit
bjen në Lumaj për të kalue mandej lumin dhe për të dalë në lagje të Kishës. Në
Lumaj kontrollojnë dy shtëpijat e vetme që ndodheshin në këtë vend. Gjatë
kontrollit të shtëpisë së vejushës gjejnë gjurmë që lânë me kuptue se aty strehohej
ndokush jo vendas. Bâhen dyshim dhe kërkojnë me kërcnim prej grues e prej
fëmijëve se kush ishte ai që ata strehojshin. Deri këtu për gjithkënd mund
mendojshin, por jo për Atë Harapin. Dikur të rrahunat e fëmijëve bâjnë që njani prej
tyne të kallxonte se ata kishin mik të huej me emën Anton, i cili gjindej në
atë ças jashta shtëpijet, në Kashnjet të afërm. E ‘i mend Atë Harapi gjindej
aty ndejë mbi një gur me breviár në dorë kah thonte uratët e ditës. Ushtarët i
bërtasin kërcnueshëm: - Duart Lart! Dorëzò armët!
Ai qetësisht çon oficen e thotë: - Armët e mia janë të lutunat: jam në duer tueja. E kapin dhe pa
vështirësi kuptojnë se kush ishte. U duhet dijtë për nderë këtyne partizanëve që ndaj
tij s’përdoruen në këtë rasë, as dhunë as të shame, as të rrahuna, as tortura.
Muerën hetimet e para, i dhanë lajmin Tiranës dhe atë natë Atë Antonin e
dërguen në Kishë të famullisë ku, natyrisht i burgosun dhe me roje të forta, kaloi
natën. E para punë kje me hetue se a kishte pasë dije e lidhje me të frati i
famullisë, gjâ që u vërtetue negativisht mbasi orëdiftuesat e njenit e të
tjetrit kishin aq ndryshim orësh, sa që ishte e pamujtun mos t’i kishin akordue, po
të kishin pasë dijení e marrëveshtje njeni me tjetrin. Në të vërtetë Atë
Miraj, nëmosë për atëherë, s’kje burgosë as trazue.
Ne e nesre Atë Antoni kje ulë në Shkodër. Në udhëtim, prejse tepër i lodhun,
i kje gjetë një mushk e, me çka duket, nuk e muerën me të keq as nuk e prekën me dorë.
Në Shkodër e në Shqipní mbarë u hap menjëherë zâni se Atë Anton Harapi ishte
kapë në malet e Veriut. Në qytet na pritshim se do të bâhej një manifestim
masiv e se regjentin e xanun do ta siellshin në shpotí e dënim, ndër rrugët e
para të qytetit, si bâjshin atëherë me shumicën e antikomunistave, të
ashtuquejtun reaksionarë, që bijshin në thoj të tyre. Deshti Zoti e kurrgja e tille, mund
lejuen që të burgosunit t’i dërgohej zhguni françeskan dhe një palë ndërresa.
Me e pá, veç, s’lanë ta shifte kush. Mbas ndonjë dite u muer vesht se e
kishin çue në Tiranë, ku do të rrinte deri në dënimin e dekës.
Kalbej në burg për së gjalli, para se të kalbej së dekunit në dhé të
panjoftun. Kalonte ditë të errta e net të pafund në pranga i mëním posi tradhtár dhe i
përbuzun posi klerik. Pak përpara – në shkamb të madhnísë, ishte dashtun prej
të gjithve si njerí e si frat. Në poltronën e Këshillit të Naltë u mundue të
mshehë madhnínë. S’ndërroi sandale as konop, s’hoq zhgun as s’pranoi roje
nderi. Madhníja e tij tashti shprehej mâ dukshëm se në kulmin e pushtetit.
Anmiqtë e kishin zdeshë nga të gjitha sendet. Shi për këtë pasunia i shtohej.
Vërtetohej në tê aksioma: burri diftohet në ditë të ngushtë e prap: sá mâ
shumë të hiqet, aq mâ i madh bâhet njeri që din të hjekë.
E dënuen me dekë, përpara se të dënohej me gjyq. Gjyqi ishte tragjikomedi e
tragjikomedinë e lujshin "katilat – aktorë paburrní". E pse të paburra e që
s’mund të përballoheshin me burra, kërkojshin t’i zhdukshin burrat me brutalitet e poshtërsí.
Në burg shkruente me gjak kujtimet e veta. Thohet se shkroi rreshta e mbushi faqe. Kishte mjeft çka të shkruente. Mjerisht kujtimet e tija patën të njajtin fat me trupin e tij mbas dekës: s’dihet se ku shkuen me mbarue.
Në burg ditë me tjetrën prekte me dorë përherë e mâ ndieshëm, shfarosjen e françeskanizmit bë Shqipní e rrenimin e shpirtit shqiptár. Shihte përçudnimin e fizionomisë kombëtare. Zatí këtë burrë ia kishte vû vedit komunizmi enverian: synonte të formojë njeriun e rí mbas modelit stalinian të riprodhuem në "brutta copia" si brutta copia kjenë shkrimet e diktatorit. E ‘i mend, gati për një gjysë shekullit nuk u punue për tjetër veç për këte qëllim. Krim i pafalshëm përpara kombit! Mâ mirë që Harapi nuk e pau me sytë e vet këtë shemtim që lypë gjyq para historisë: do të kishte plasë mâ trishtueshëm se kur plumbat breshëri ia këputën zemrën.
Harapi diq tue lânë breznive të ardhshme një amanet: e amanetin e pat formulue ç’me kohë: atëherë kur muer barrën e randë të Regjencës:
"Të krijojmë një fuqí morale në Shqipní, - të krijojmë rendin shoqnuer me një disiplinë dhe me një organizim të pështetun në drejtësí e dashtëní. Të sakrifikojmë pikëpamjet tona e jo popullin as Shqipninë; të bashkohemi mbasi vendi pret pështimin prej nesh e jo prej të huejve".
Mbi vorrin e Patër Antonit nipat tonë do të mësojnë se me dashtë Zotin e Kombin dhe për Zot e Komb me dhanë jetën, âsht mâ i larti ideal i njerit. Për këtë ideal Harapi jetoi, për këtë ideal dha jetën.