Në vazhdën e martirëve të gjallë
-- nga Uran Kalakulla
Fytyra, pasqyra e shpirtit - Bep Kuqani
(Facies speculum animae) Proverb latin
Fytyra kjo pasqyrë e gjallë e shpirtit njerëzor, ka qenë dhe mbetët për psikologët, ashtu si dhe për krijuesit e penës, daltës dhe penelit, një objekt fort i kërkuar, në evidentimin gjithnjë e më të saktë të këtij shpirti, sepse ata e dinin dhe e dinë sot e kësaj dite që ajo (fytyra), në dinamizmin e jetës është shumë herë pasqyrë mjaft besnike dhe e saktë e tij.
Madje duke u shtyrë edhe në qëniet e tjera zoologjike, që vijnë fill pas njeriut, tek primatët, artistët në riprodhimin e tyre nga natyra, gjejnë se edhe në fytyrat kafshore dalin mjaftë elementë të natyrës së tyre shpirtërore. Kështu, imazhi i fytyrës së luanit zbulon nga një anë forcën, por edhe krenarinë. Ai i fytyrës së majmunit, me grimasat e saj, qesharaken. Sytë dhe turiri i gjatë i dhelprës, dinakërinë e saj klasike. Imazhi i kokës së gjarpërit të flet njëherazi për fshehtësinë, pabesinë, përshtirosjen dhe helmin vdekjeprurës. Dhe më fort se kudo, këto imazhe dalin fort bukur në pah tek filmat multiplikativë, të një Walt Disney, apo Hana e Barbara të Holliwood-it.
Nga ana e tjetër, nofulla e madhe dhe e dalë e Musolini-t, për piktorë fashistë ishte shprehje e vullnetit, ndërsa për piktorët e vërtetë ishte shenjë e një mendjemadhësie qesharake, që përfundon në tragjizëm, sepse i ngjan më fort fryrjes tej mase të bretkosës së Ezopit që desh të rritej sa një ka dhe plasi. Kurse cullufja në ballë dhe mustaqet nevrike të Hitlerit, nxjerrin fort mirë në pah paranojën kriminale të diktatorit nazist, ashtu si fytyra e akullt, e vrarë lije, me mustaqet e rënda të Stalinit, si prej derrit të egër, vë në dukje fare qartë kriminelin cinik të miliona e miliona njerëzve të pafajshme të të gjithë vendit të madh ku sundonte ky kasap.
Vini re me kujdes fytyrën e Krishtit, në linjat e së cilës, duke filluar nga sytë e përvujtnia shkrihet aq ëmbël me shenjtërinë. Fytyrën simbolike të një Bude, ku mistika e thellë unjizohet me qetësinë harmonike e të përjetshme të Nirvanës. Apo portretet e burrave të mëdhenj të shtetit: Një Cromwell, Willima Pitt i Ri, Bismark, Winston Churchil, Woodroë Wilson, si dhe përvijimet akoma më të theksuara të një Ataturku. Shikoni edhe kotësinë e një fytyre të një Nikolle të II të Rusisë, egërsinë prej një xhandari të një Stolipini apo "shenjtërinë dinake" të një mistiku vagabond tek fytyra e një Rasputini. E ndër filozofët, fytyrën plot rrudha e grimsa të një ironie që anon fort tek sarkazmi të një Voltaire-i, ose harmoninë një bukurie shpirtërore dhe ndershmërisë së një Viktor Hygo-i.
E kështu me radhë. Fytyra e shokut tim bashkëvujtës, e mikut tim të mirë, Bep Kuqanit, është sigurisht diçka më vete. Padyshim aty ravijohet fort qartë e mira dhe pashmëria e matur flet për mirësi të shpirtit, sytë e menduar për thellësinë e mendimit dhe llogjikën e shëndoshë, si dhe për një ekuilibër shembullor mes ndjenjës dhe mendimit dhe nganjëherë një rrudhë e vogël mes ballit flet qartë për afinitetin ndaj filozofisë dhe shkencës.
Shpirtin e Bepit e përbëjnë harmonishëm katër elementë parësorë:
Karakteri i hekurt, ku e ka folënë ndershmëria; drejtpërshimi dhe fjala e matur, ashtu si qëndrimi pa sqimë e poza, flasin vetë për një modesti dhe thjeshtësi të lindur; ndjenja e thellë për të bukurën dhe të drejtën, dashurinë e madhe për artin, dashuri dhe pasioni për shkencën e filozofinë, që harmonizohet fort bukur me vullnetin dhe vendosmërinë e patundur.
Te personaliteti i Bep Kuqanit nuk ka dualizëm mes tre pasioneve që e ndihmojnë dhe e ushqejnë fuqishëm njeri-tjetrin: Pasioni për dijeni dhe ai për artin. Dhe mbi këta të dy një i tretë, edhe më thelbësor tek ai, që u rri si diametë përfaqësuesve dhe kryesore dy të parëve: Një atdhedashuri e pakufishme, ku e ka bazën njëkohsisht një ndjenjë e fuqishme qytetare, elementë këto të fundit që fatkeqësisht nuk janë fort të rëndomtë në jetën e sotme shqiptare...
Bep Kuqanin nuk e kam njohur në burg, por ka qëlluar, edhe për fatin tjetër, se ai ka kaluar para meje në atë kalvar. E njoha pas burgut në Shkodër, nga fillimet e vitit tashmë të largët 1991.
Si dy vjet më parë (1989-1990), Shkodra ziente nga përpjekjet për liri. Ajo sikur i paraprinte startit drejt lirisë e demokracisë, duke i dhënë një shembull vetmohimi heroik gjithë vendit, që lëngonte rëndë nën diktaturën komuniste. A nuk është një fakt sa i dhimbshëm, aq edhe heroik, 2 Prill i 91-shit, me tributin e gjakut në djegien e Komitetit famkeq të Partisë?
Me Bepin punuam së bashku me pasion për themelimin e Shoqatës në Shkodër, madje pak më parë se ajo të shpallej edhe në Tiranë. Ishte koha e pasioneve të mëdha, e shpresave të mëdha. Por kur Shoqata e qytetit heroik ra në dorë të ndonjë apo disa elementëve të padenja, u distancuam për krijimin e konsolidimin e Partisë së Bashkimit Demokratik (jo kjo e sotmja), parti që në thelb të saj mblodhi elementët më të ndërgjeshëm dhe më të mirë të masës së ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë, parti që kishte si qëllim bashkimin e ish-ballistëve, zogistëve, intelektualëve të ndershëm, fshatarëve dhe punëtorëve që nuk kishin qenë fëlliqur sado pak nën komunizmin, si dhe masës së rinisë së gjërë.
Bepi ishte nënkryetari efektiv i Degës së asaj partie, duke punuar me ngulm, pa u lodhur kurrë, ditën dhe natën, duke e konsideruar partinë si shtëpinë e tij të lindjes. Por kur edhe kjo parti ra në duar të njerëzve me horizont tepër të kufizuar, pa asnjë largpamësi, madje me një fanatizëm të sëmurë, atëherë edhe Bepi i distancua, duke u marrë me veprimtari publicistike.
Gazeta "Liria", për vite me radhë ka faqet e saj shumë artikuj kritikë me firmën e Bep Kuqanit, me problematikë të zgjedhur për shtresën e martirizuar të ish- të Dënuarve Politikë. Kurse sot tepër i zhgënjyer, i lodhur dhe i sëmurë është tërhequr në vetminë e tij, në moshë tashmë të thyer, afër 70-ave...
Megjithatë në izolimin e tij sa vullnetar aq edhe detyruar nga gjendja e rëndë shëndetësore, interesimi për problemet politike të kohës dhe për kulturën vazhdon po me atë pasionin e viteve të shkuara. Ai nuk lë gazetë apo libër të ri pa lexuar, sa për politikën, aq edhe për letërsinë dhe dijet shkencore. Sepse tek ai dija shkencore shoqërore, si edhe arti janë si dy kotiledonet e një fare të vetme.
Si shkodran autentik, pas virtyteve të tjera morale dhe intelektuale, Bepi kanë gjak edhe atë thimthin e mprehtë të satirës dhe të humorit. Si fishtjan dhe njohës i mirë i humorit të qytetit të tij, ai e ka për zemër të qeshi, të bëj shaka të kripura, herë duke qeshur me gjithë zemër, herë duke shpotitur të metat apo veset dhe duke stigmatizuar nga ana e tjetër negativitetin e njerëzve të këqinj e punët e tyre.
Tek përpiqem të hulumtoj mbi formimin dhe botëkuptimin e tij, më shkon mendja sa tek Pitagora e lashtë, aq edhe tek Descates-i e Pascal-i, këto tre filozof të mëdhenj, që njëkohsisht ishin edhe matematikanë të mëdhenj. Si duke dashur të ndjekë udhën e tyre në fushën e dijes, në bazë të qënies së tij menduese, ka llogjikën dhe intuitën matematike, disiplinë kjo ndër të zgjedhurat e tij.
Racionalizimi kartezian është tek Bepi në epiqendrën e argumentimit të tij të gjatë një diskutimi serioz apo shkrimi kritik. E kritik sigurisht në kuptimin kartian. Po në këtë më hyn shpesh edhe intuita, ky element parësor në filozofinë e Bergson-it, tjetër filozof e matematikan edhe ky. Kam mendimin se botkuptimi filozofik i Bepit është një lloj e mesme proporcionale (që të shprehemi si ka dëshirë ai, matematikisht) mes idealizimit dhe materializmit, a më mirë mes argumentave më tërheqëse të të dy rrymave kontradiktore.
Kështu, kam përshtypjen se tek ai, ka një lloj ekletizmi, ku filozofia, shkencat e natyrës dhe posaçërisht abstraksioni matematik shkrihen me njera-tjetren, në masën e duhur për të dhënë një rezultante logjike.
Por me gjithë këtë Bepi e nderon fenë. Sipas meje ai ka një koncept volter në këtë drejtim. Dhe dihet, që Voltaire, nuk ishte aspak ateist. Botkuptimi i tij politik është vendosmërisht i djathtë. Por djathtizmi i tij nuk është aspak konservatorizëm. Përkundrazi është një djathtizëm modern, i përbërë nga tre elementë bazë: shpirtin e vendosur nacionalist, respektimin e dindividit, duke filluar me të drejtën e pronës private dhe një politikë sociale moderne dhe efikase për shtresat e varfëra të komunitetit.
Pra, në këtë botëkuptim ka shumë elementë të socialdemokracisë moderne evropiane perëndimore, që i bëri ato vende të arrijnë primate të tilla të shkëlqyera në të gjitha fushat e mirëqënies materiale, morale, kulturore, etj.
Bep Kuqani me idealizimin e tij klasik politik e qytetar nuk do asgjë për vete. Atij i qan zemra për popullin, rininë, për të ardhmen e tyre. Ai me modestinë që e ka karakterizuar gjithë jetën e tij të kaluar me vuajtje, varfëri, mundime, është i qetë dhe relativisht i kënaqur në atë apartamentin e tij në lagjen "Rus" të Shkodrës, një apartament i vogël, i katit përdhes, i errët, pa asnjë lloj komoditeti, pa le luksi, gjithë lagështi!...
Ai është vërtet i zhgënjyer nga jeta e vet, si çdo njeri i mençur tek e fundit, e sidomos si çdo shqiptar i brezit tonë. Por, prapë pesimizmi nuk zë kurrë vend në shpirtin e tij. Madje edhe pse mjaft i sëmurë, hera-herës ende një rreze drite i përshkon ata sytë e tij inteligjentë. Eshtë si një rreze shprese për Shqipërinë, për popullin e tij martir, për mbarë kombin shqiptar. Po a është ky rrezatim, më fort, shpresë, apo urim për të ardhmen?...