Një qiri i ndezur për penelin dhe shpirtin e piktorit Enrrik Mendoja (1956-2001)

0
15738

Piktorët shkodranë përmes penelit të tyre

Referencë për artin grafik shkodran.

Piktura është njëra nga gjinitë e artit figurativ që ka patur dhe ka lulëzimin e vet në Shkodër. Përgjatë pjacës dhe rreth saj gjen disa studio grafike të piktorëve shkodranë, ku ekspozohet puna e tyre dhe ku mund të blini pikturat e tyre.

Enrrik Mendoja
Enrrik Mendoja
Kalaja e Shkodrës - vaj në kanavacë nga Agim Kadillari
Kalaja e Shkodrës – vaj në kanavacë nga Agim Kadillari
Deti në perëndim - vaj në kannavacë nga Liliana Çefa
Deti në perëndim – vaj në kannavacë nga Liliana Çefa
Qyteti im - në vaj nga Jetmira Kraja
Qyteti im – në vaj nga Jetmira Kraja
Pa titull - në vaj nga Ormira Lulani
Pa titull – në vaj nga Ormira Lulani

— nga Klajd Kapinova, Manhattan, New York

Klajd Kapinova

Vepra e tij për motive të pastra shqiptare, mbetet një bazë e shëndoshë në tabanin e gurrës së pashtershme shqiptare, si një art i mirëfilltë, dhe një gur i çmueshëm në artin shkodran dhe gjerdanin e pasur shqiptar.

Të gjithë miqtë dhe shokët e thërrisnim Rrik dhe lajmëronim njëri-tjetrin sa herë që piktori hapte ekspozita ose për të parë ndonjë punim të ri në studion e tij private dhe shtëpi. I thjeshtë, buzagaz, melankolik dhe shumë ëndrrimtar, Rriku gjithnjë kërkonte mendime nga piktorët shkodranë, njerëz të thjeshtë dhe miqtë për veprat e paraqitura në galeri arti. Ai ruante respekt të madh për mësuesin e pikturës Nexhi Bakalli, i cili qysh në fillim kishte parë tek ai një të ri të talentuar. Ndoqi rrugën e mjeshtërit të vet, por pa u bërë asnjëherë me tabllo rob i tij. Takimet me mjeshtrin Bakalli ishin çaste të bukura dhe i kujtonte përherë.

Raffaello - Madonna, Jesu an angel - reproduction - oil on canvas - 70x60 cm

Bocetet me akuarel, ishin një punë që gjithnjë i jepte kënaqësi dhe sukses në ekspozita. Ai pëlqente shumë ngjyrat e ndezura dhe kostumet popullore të vajzave zadrimore dhe të qytetarëve shkodranë, për të cilët i kishin treguar të parët e tij dhe futej thellë në botën e veshjeve dhe traditave shqiptare. Ishte një meditues i thellë dhe pas disa ditësh reflektonte me një punim. Pëlqente shumë nudizmin dhe disa nga piktorët bashkëkohorë shqiptarë dhe evropianë.

Shumë vite më parë, para se demokracia të shkelmonte gjumin letargjik të komunizmit, ai kishte një koleksion të pasur të nudizmit në shtëpi, figura shenjtorësh të kishës katolike dhe diskutonte shumë për emisionet italiane të pikturave murale dhe peisazheve me tematikë të ndryshme. Admironte autorët e huaj dhe shqiptarë, si: Ticianin, Rafaelin, Butiçelin, Pikason, Goyan, Rembrandin, Kolë Idromenon, Odhise Paskalin, Pjerin Shedijën, Ndoc Gurashin, Ferdinand Pacin, mikun e ngushtë të tij me të cilin punoi në një lokal Asllan Zenelin, etj.

Rriku i heshtur, fjalë pak e punë shumë, fliste vetëm me ngjyrën e tubeteve, penelet dhe telejot e njëpasnjëshme. Ai qysh fëmijë me vizatimet e moshës, shfaqi talentin e një piktori që premton. Edhe babai i tij kishte kryer dy vjet shkollë në Liceun Artistik në Tiranë, por për arsye ekonomike, ndërpret studimet. Axha i tij, Simoni herë pas here punonte piktura të ndryshme. Edhe vëllai i tij Gjovalini është paraqitur shpesh si piktor i talentuar me ekspozitat në Shkodër, Tiranë, Durrës etj.

Udha e pikturës dhe bota e magjishme e ngjyrave mbi telejo

Shiroka - oil on canvas - 90x70 cm Rriku ka jetuar dhe zhvilluar prirjet e tij në një mjedis të përshtatshëm artistik. Shkollën e mesme e kreu në Liceun Artistik në Tiranë në vitet 1971-1975, ku reflekton talent në gjinitë si peisazh, portret dhe kompozim. Diplomën e mbrojti shkëlqyeshëm dhe u vlerësua me notën 10. Por, si gjithnjë, për arsye politike të regjimit të kaluar, nuk mundi të vijonte shkollën e lartë. Filloi të punojë në hidrocentralin e Fierzës (1976-1978) si punëtor, e cila e bëri të njihej më afër me njerëzit, vuajtjet, sakrificat, mjerimin, njohu njerëz me zakone e karakteret e tyre, që do t’i përdorte në punën krijuese. Rriku për disa vite punoi në dekorin e qytetit. Megjithëse orari i punës ishte i gjatë, ai e gjente kohën për të punuar në pikturë.

Ai ka paraqitur punime në ekspozita kombëtare, lokale dhe në galeritë e ndryshme në botë. Më 1999 hapi një galeri vetjake në qytetin e lindjes. Po këtë vit në galerinë “Te & Gi”, paraqitet me disa punime me një grup piktorësh. Më 1998 me galerinë “Te & Gi” hap ekspozitë në Itali, Slloveni, Spanjë, Angli. Dy punimet me motive fetare të titulluar “Udha e Kryqit” i ka realizuar në Kishën Katedrale të Shën Shtjefnit në Shkodër, për të cilat thoshte se ka pasur një fat që ia besuan dorës së tij. Ishte një ndër njerëzit më aktivë në Shoqërinë Kulturore “Illyricum” të qytetit, ku ishin tubuar pjesa më e madhe e artistëve shkodranë. Në të gjitha veprat Rriku është shumë serioz, i natyrshëm dhe origjinal në stil, duke përcjelljë mesazhe të kthjellta arti, siç dijnë të bëjnë vetëm artistët.

Raffaello - Thick woman - reproduction - oil on canvas - 80x60 cm Një frymë e pastër realiste, pa mbingarkesë spikat në të gjitha punimet që i përshkon një ndjenjë e hollë artisti. Në penelin e punës frymëzuese, shumë qartë shquhen bashkërendimi me saktësi i bukurisë me harmoninë e të gjitha linjave kompozicionale artistike në punimet e reja mbi telajo. Ai kishte zgjedhë temën e historisë së Shkodrës, që nga legjenda e Rozafës e të gjitha periudhat kryesore historike deri më 28 nëntor 1944. Në përmbajtje ishte një cikël shtatë tabllosh, të lidhura organikisht në vijimësi prej njerës tek tjetra, në një sipërfaqe të vogël, që formonte një brez të ngushtë, rreth 70 centimetër, që ecte natyrshëm në formë rrethi për t’u mbyllë atje ku kishte filluar. Çuditërisht përballë tabllosë së tij, të duket se je para një salle shumë të madhe dhe monumentale, ku dialogojnë me piktorin personazhet e larmishme të skicuara për ngjyrim.

Autori u mundua organikisht të bëjë bashkimin e rrymës tradicionale me frymën e re bashkëkohore në pikturë, pa rënë në përsëritje apo siç quhet ndryshe, në fotografizëm. Shquhej si vizatues i mirë ngjyrës. Atributet mund të jenë me shume se një dhe dallohen në linjën kryesore dhe dytësore. Ne ikonografinë e një shenjti nuk duhet të mungojnë atributet kryesore. Shen Maria (pikturë e Raffalellos e riprodhuar nga Enrrik Mendoja gjithnjë është paraqitur me rrethin e artë mbi krye po kështu edhe Krishti fëmijë dhe Shën Jozefi, si pjesë e Trinisë së Shenjtë. Devocioni popullor shikonte në figurës e Shën Marisë personifikimin e dlirësisë, virgjërisë, nënës se mëshirës dhe të devocionit, të se përzgjedhures së Zotit, Krisht e Njeri. Ekspozitat e tij ishin imazhe të një figure pakufi të situatës, që fatmirësisht vetëm arti arrin ta faktojë në një realitet pothuajse të tjetërsuar, ku fjala tkurret deri në “pafuqinë” e saj dhe imazhet i jep, duke i dhënë kuptimin e vërtetë termit “art bashkëkohor”.

Çdo peneli të hedhur me delikatesë dhe finesë artisti i nënshtrohej mendimit të pjekur, që i buronte nga galeria e pasur e shpirtit të edukuar për art. Detajonte deri në imtësitë më të vogla elementët e tablosë së re dhe dinte të dallonte atë që duhet të ishte si boshti i idesë së realizimit të kompozicionit artistik. Vepra me kohë ishte realizuar ne mendjen e tij, por punonte me kujdes për ta ofruar të gjallë me penel. Piktura e tij qëndron elegante, plot dritë, tejdukshmëri, e përpunuar në ngjyrë dhe të bën për vete, mbasi është tërësisht autoktone e shpirtit shqiptar. Kudo në motivet qytetare, ndihet drita, ajri e jeta e Shkodrës. Çdo milimetër e tabllosë së tij flet. Nuk kishte asgjë të rastit. Talenti, mendja e zemra ishin të unifikuar në një të tërë me emrin e vetëm ‘Enrrik Mendoja’.

Ai ka dashur të dëshmojë se zgjidhja klasike e harmonisë së përkryer nuk është e vetmja zgjidhje që mund të mendohet, mbasi thjeshtësia e natyrshme është njëra rrugë për të arritur bukurinë. E në këtë plan dhe këndvështrim, për dashamirësit më të rafinuar të artit, ngjyrimi me penel artistik ka edhe rrugë të tjera më pak të drejtpërdrejta për të arritur efekte tërheqëse me plot sukses.

Si një artist i vërtetë në shpirt e në penel, Rriku krijoi diçka të re dhe befasuese. Miku i tij i afërt dhe kolegu Nikolin Luci gjatë bisedave të shpeshta në studion e tij kujton: “Rriku ka qenë i vendosur për t’i rrëfyer ato legjenda, portrete, peisazhe në një mënyrë tjetër e për ta bërë shikuesin të ndjejë atmosferën e gërshetimit, kompozicionit artistik”. Piktori i mirënjohur Pjerin Sheldija, një mik i afërt i tij thotë: “Rriku ishte një shembull pune këmbëngulëse dhe gjithmonë në kërkim. Ai diti aq bukur të lidhë talentin me vullnetin, arsyen me ndjenjën. Si një njeri me taban kulturor, harmonizoi në mënyrë të shkëlqyeshme detajin me të përgjithshmen, vizatimin me ngjyrën, tradicionalen me kohoren. U mbështet fort në artin popullor, duke stilizuar aq mirë motivet tona, pa rënë në dekoratizëm”.

Dhe Rriku vërtetë ishte i tillë, mbasi diti me shumë mjeshtëri të nxjerrë në pah dhe të vlerësojë atë çka i nevojitet pikturës si një vlerë origjinale. Çdo punim i tij ishte i kuptueshëm dhe i dashur prej të gjitha shtresave të shikuesve. Vepra e tij për motive të pastra shqiptare mbetet një bazë e shëndoshë në tabanin e gurrës së pashterrshme shqiptare, si një art i mirëfilltë dhe një gur i çmueshëm në artin shkodran dhe gjerdanin e pasur shqiptar.

Pedagogu i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” piktori Andi Hila shprehet: “Arti i skalitur buron nga dashuria për vendlindjen dhe artin popullor, art i cili përcillet deri te ne me një talent befasues e shumë profesionalizëm. Duke kaluar nga një pikturë natyraliste deri në një dekorative e ornamentale, piktori ynë Rriku shpalos magjinë e artit të tij”. Me ndjenjë të lartë respekti formulon një vlerësim të veçantë bashkëqytetari e piktori Shpëtim Garuci, i cili ndër të tjera thotë: “Unë kam pasur fatin ta ndjek nga afër punën tij. Ai punonte shumë si në sasi e cilësi, që i jep atij mundësinë e të qenurit një nga piktorët më prodhimtar dhe më të shitur në elitën e piktorëve shqiptarë. Temat e veprave të Rrikut janë të veçanta, për vetë tematikën që përdorte në realizimin e tyre, duke sjellë para syve të shikuesit vlera sa më origjinale”.

Rriku studion me zell të ftohtë portretet e zadrimoreve

Piktori Mendoja, studion me zell të ftohtë portretet e zadrimoreve, me ditë, muaj dhe vite. Ai kërkonte gjithnjë të përsosurën në punime, sepse kërkonte të ruante emrin e mirë të familjes dhe dorës së tij. Rriku donte që bukuria e zadrimoreve ta ndihmonte për të përcjellë vegimin e tij, për botët e dikurshme të dinjitetit dhe të pafajësisë. Por, portreti më i arritur është portreti i rrumbullakët i zadrimores, që punoi në fund të jetë së tij. Punonte çdo ditë deri në orët e vona të natës, mbingakesë e cila më pas do të ndikonte mbi shëndetin. Kushdo që e sodit me kujdes dhe imtësi zadrimoren, detajet që e hijeshojnë atë do të shoh se autori e ka realizuar portretin e dashur në mënyrë perfekte, duke merituar fjalën “është vërtetë një pikturë e gjallë”.

Këtu nuk ka asgjë dramatike, asgjë që të pushojë syri menjëherë, por sa më gjatë ta sodisim, aq më shumë duket mjeshtëria e tij virtuoze. Edhe në gjininë e peisazhit ka punuar shumë. Ato janë plot diell e paqë. Tani e kuptojmë frymën solemne të kulturës së pikturës, gjestet plot droje e respekt, vënien në mendime të figurave anësore që shohin varrin dhe admirojnë edhe më shumë atë bukuri, me të cilat figurat që do të lexojnë mbishkrimin u përgjigjen lëvizjeve të njëri-tjetrit.

Në kompozimet e tij autori duket mjaft i thjeshtë, por është thjeshtësi e lindur nga një njohje artistike e thellë. Vetëm një njohje e tillë mund të gjallë këtë vegim nostalgjik, prehje të qetë në të cilën vdekja ka humbur tmerrin e saj. Por për pikturat e tij, ai ka zgjedhur vetëm ato motive që i quante me vend, në një vegim ëndërrimtar të së kaluarës dhe atë siluetën e ka zhytur në një dritë të praruar, ose në një ajër të argjendë, që vjen e transfiguron tërë veprën sepse aty është sekreti i artit të Enrrikut, mjeshtëria e magjishme për t’i dhënë jetë të gjallë, të plotë, të hareshme gjithçkaje.

“Vite më parë në një nga ekzpozitat lokale, më tërhoqi vëmendjen një peisazh me borë”, kujton piktori i mirënjohur i qytetit të Shkodrës, Ndoc Gurashi. Kjo të kujtonte se një talent i ri po i shtohej vargut të traditës së pikturës në qytetin e njohur në këtë fushë. Veterani i penelit Gurashi kujton: “Pyeta se kush ishte piktori. Dhe një koleg i tij më tha: “Ky asht autori i peisazhit e quhet Enrrik Mendoja”. E përgëzova duke i uruar suksese. Ai bukur thuri pikturën e mjeshtërit të madh Kolë Idromenos, prof. Simon Rrotës, Kolombit e Vladimir Janit, me penelin e tij të madh sa realist e modern”.

Piktura e Rrikut është e mbërthyer me vizatim të saktë, e shoqëruar me një ngjyrë shpërthyese, duke futur hijshëm motivet kombëtare të qytetit dhe rrethinave të saj. Këto i dhanë gjithnjë e më tepër personalitet të dallueshëm autorit në gjininë e arteve figurative shkodrane dhe kombëtare. Spikasin për veçanti tematike punimet: “Zadrimorja”, “Gjeli”, “Idil dashurie”, “Fusha e Bunës”, “Legjenda e Rozafës”, etj.

Në shumë portrete duket se shprehjet e tyre s’mund t’i kapim kurrë. Por natyrisht, nuk është papërcaktueshmëria që e krijon këtë efekt. Ka shumë gjëra të tjera prapa saj.

Dikur, kohë më parë, në të kaluarën e largët, njerëzit i kishin vështruar portretet me adhurim, sepse duke krijuar i ruheshin ngjashmërisë me personin. Ndërsa artisti në një farë mënyrë ruante artistin në nivelin e personit të pikturuar. E kësisoj kishte ngjarë me piktorin e talentuar Enrrik Mendoja, që sot mbetet i gjallë dhe përkujtohet me ndjenjë të thëllë respekti nga të gjithë bashkatdhetarët, bashkëqytetarët dhe miqtë e ngushtë në Shkodër, Tiranë, Durrës, Itali, Gjemani, Angli, Francë, ShBA etj.

Ai me penelin e palodhur bëri realitet ëndërrat dhe shqetësimet e artdashësve tashmë të shpërndarë udhëve të botës. Piktori ynë zotëronte ato magji që u jepte jetë ngjyrave të hedhur me penelin e tij vërtetë të mahnitshëm… Rriku u nda i ri (viti 2001) nga Shkodra e tij e dashur, që i dha lëndën e parë në punimet në pikturë, duke i lënë trashëgim një galeri të pasur punimesh që ruhen nën përujdesin e Rites, bashkëshortes, prindërve në Shkodër, që gjithnjë i qëndruan pranë së bashku me vajzën Antonela.

Në shumë punë që ai mbaroi brenda në ngjyrat që hidhte në telajo, në temën që paraqiste ishin derdhur çastet e frymëzimit të ditës, dashuria për vajzën e vetme Antonelën, gruan Ritën dhe njerëzit, që për te ishin muza frymëzuese në veprën që i dhuroi vendlindjes e Shqipërisë…

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.