Zyliha Miloti, aktorja e të gjitha roleve

0
1234

Shkodra është quajtur dhe e quajnë ende “Djep i kulturës dhe i qytetërimit”, ky djep që ka përkundur kaq e kaq emra kolosësh. Një ndër këto emra është edhe aktorja e mirënjohur e humorit, Zyliha Miloti.

[ Humori shkodran ]

M. Garuja: Si spektatore, gjithmonë kam vënë re se artdashësit kërkojnë të dinë diçka nga ju?
Zyliha Miloti: Nuk ka shumë kohë që jam kthyer nga një turne në Amerikë, së bashku me Sandër Ruçin, nje partner i denjë, ku kam qenë e ftuar nga komuniteti i shqiptarëve të Miçiganit në Amerike dhe në Kanada. Kemi patur një pritje të jashtëzakonshme nga shoqata “At Gjergj Fishta”, nga shkodranët dhe artistët. Emocionet kanë qenë të mëdha, sidomos gjatë shfaqjes së parë, ne Kishën e Shën Palit. Aty takova shumë shkodranë, që vetëm nga emri më njihnin, por që më ndenjën shumë afër. Ata i kishte marrë malli për humorin shkodran, biles më folën si shkodranë.

– Sa është mirëpritur humori shkodran në ato ambiente?
Në fakt, kudo që shkuam i njihnin materialet tona. Sa më shihnin, thonin: Paska ardhë Hana! Apo paska ardhe Lokja! Më thërrisnin me emrat e roleve te mia.

– Si u ndjetë pas kthimit nga Amerika në qytetin e Shkodrës?
Në turne e kam ndjerë shumë mungesën e spektatorit tim, që nuk e ndërroj me asnjë tjetër dhe jo vetëm spektatorin, por edhe Shkodrën. Asnjë vend s`është më i bukur se Shkodra, megjithë problemet e saj të shumta. Është vendlindja ime e dashur…

Ajo që më bën përshtypje kur kthehem, është kur shoh kalanë e Shkodrës. Atëherë them me vete, se asgjë nuk e zëvëndëson qytetin e vendin tim.

– Keni realizuar role të shumta. Çfarë apo kush ju ka ndihmuar për këtë?
Rolet e mia kanë qenë shumëplanëshe, në një karrierë 35-vjeçare. Ata që më kanë ndihmuar në realizimin e roleve të tilla, qenë i ndjeri Tano Banushi, me të cilin kemi patur një cikël parodish, që më vonë është pasuar me kohën e Gjosho Vasisë, apo së fundi, me Zef Dedën, në mbrëmjet e Vitit të Ri.

– Çfarë mendoni për gjendjen e kulturës në Shkodër dhe cilat janë, sipas jush, shkaqet e këtij kolapsi kulturor?
Humorin e duan kudo, ai largon streset dhe mendimet e ditës, por arti nuk ndihmohet, as dhe në Shkodër, ku ka lindur. Më shumë sponsorizohen miss-et apo koncertet shou, sesa arti i vërtete dhe me vlera.

– Jeni vlerësuar me çmimin “Gruaja e vitit 2000-2001” nga Instituti i Biografive ne Kembrixh te Anglise, duke u zgjedhur mes 2000 personaliteteve botërore. Çfarë ndjeni?
Për mua ishte një ngjarje e madhe dhe vlerësuese. Është një kënaqësi e madhe, megjithëse nuk kam qenë e pranishme në këtë ceremoni. Pllakën e mermerit e kam gjetur në shtëpi dhe u stepa për momentin, por i falenderoj për vlerësimin

– Ndoshta do të merrni dhe tituj të tjerë?…
Në fakt, që në 40-vjetorin e estradës të Shkodrës, së bashku me Paulin Prekën, na është bër propozimi nga bashkia per titullin “Mjeshtre e skenës”, por për çudi edhe pas 3 vjetësh për neglizhencën, e nuk di se të kujt, ajo dosje është e papostuar për presidencë. Në të vërtetë, nuk e di në do të aprovohet apo jo. Mjafton që më do populli dhe unë e dua shumë! Kjo ka rëndësi për mua

– Programet tuaja të afërta?…
Me datë 27, do të jemi në Tiranë ne Pallatin e Kongreseve për recitalin e Sandër Ruçit. Do të ketë materiale të reja, por edhe ndonje kujtim ne vite. Të ftuar do të jenë pjesëtarët e Estrades se Shkodrës, si Paulin Preka, Bep Shiroka, Gezim Kruja, Drande Xhai.

Ndërsa kengëtarë të ftuar do të jenë Florinda Gjergji, Bujar Qamili, Myfarete Laze, Ledina Çelo, Eduard Jubani dhe Mimoza Selimi. Do të jetë një program i bukur dhe i arritur, mendoj. Në tetor, Estrada e Shkodrës ka një plan të bëjë një turne në Londër, mes bashkatdhetareve tane atje.

M. Garuja | Gazeta 55

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT