Zef Zorba (1920-1993)

0
1459

Buzë të ngrira në gaz

vëllim poetik

Zef Zorba Zef Zorba lindi më 1920 në Kotorr të Malit të Zi në një familje shqiptare. Mbas mbarimit të gjimnazit në Shkodër, më 1941 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega e Studimeve Politike në Universitetin e Padovas në Itali. I ndërpret studimet më 1943 për arsye të Luftës së Dytë Botërore dhe kthehet në Shkodër, ku fillon punën si nëpunës banke. Në vitet 1945-1946 punësohet si regjisor në Shtëpinë e Kulturës së Shkodrës, ku vë në skenë mjaft pjesë dramatike me tingëllim të qartë desident si “Juda Makabe” e Fishtës, “Armiku i Popullit” i Ibsenit etj. Ndoshta edhe për këtë arsye arrestohet më 1946 dhe burgoset nën akuzën e agjitacion e propagandës.

Vuan dënimin ndër kampet e punës dhe “riedukimit” deri në vitin 1951. Më vonë punon ndër ndërrmarrje të rrethit të Shkodrës si logaritar deri në vitin 1980, kur dhe pensionohet. Ndërron jetë në janar 1993 në Shkodër. Në heshtjen e thellë të këtij gjysmëshekulli, Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e intelektualit të vërtetë, larg kompromiseve. Ai krijoi një afinitet të çuditshëm me letërsinë e filozofinë modernë duke përkthyer poetë të tillë si R. Frost, Xh. Ungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T.S. Eliot, dramaturgë si Shou, Pirandelo, Uelld, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer etj. Poezitë e mëposhtme janë shkëputur nga vëllimi poetik “BUZE TE NGRIRA NE GAZ”, 1994.


HENE TE REJA

Tash qiellnash enden
me qindra hënë
të reja.

Njeriu s’krijoka tjetër veçse kobe:
Çelik e gizë e refraktarë;
zogjtë artificialë,
lindur ndër ofiçina-inkubatriçe,
si hëna tokën përgjojnë,
e përpunojnë
epshe tinzare
trofesh e përdhunimesh.

E kush s’i ka të vetat këto hënë
vihe e sendërgjon
namë e terratisje.

NJE GOZHDE

Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë
e ngulur thik në mur, një gozhdë e ngulur…

Një gozhdë e futur thellë në mur, një gozhdë
e futur thellë në mur, një gozhdë e futur.

Një gozhdë e mbetur thatë në mur, një gozhdë
e mbetur thatë në mur, një gozhdë e mbetur.

e ngulurthik…
e futur thellë…
e mbetur thatë…

VAJTIMI I PLAKUT NE SHTEPINE E SHKRETUAR

Më lini. Unë vetë ankohem me vetvete;
harrohem ndër rrënoja e ngushllohem.

Deri këtu – a dole shpirt! – me zor u kapa,
gërmuç e kalamendas anësh së rrugëve;
(thellimin si me ça m’e avull të pakët?)

Të zhigatura, por prap në këmbë këto mure
qëndrojnë
këtu në qoshe sytë veri nuk i shikë
e në lotokan, lotojnë përmallë…

Më lini. Unë vetë ankohem me vetvete:
“Qetësia ndër kthina jehonte,
fëmia…….”

RRUGET NE VJESHTE

Hone të ndërlikuar
ku era faliset
e mbledh ndër praqe dyersh
shtëllunga gjethesh të thatë
përralla të marra.

MERIMANGE

(E V. 1947)

“Turn back, dull earth,
and find they center out”

SHAKESPEARE

Je kryqi im;
ngërthyer me pezëm,
në skaj të murit, lart
-shkarravinë e zezë
përbluan pusi.

Ah, shporru, shporru; ja, pritë!

Por menjëherë
fijet e këputura vihesh e lidhë

 

e endë, e endë, e endë…

TJERA BLERIME

Terezës

Si lule dylli gjethet
veshur me vapë e t’zberë
e nuk lëvizin…
e merrnin frymë me zor
e…oh…
S’andejmi
ku paskeshim ngelur kujtesë brymore
zgjohen flauri
tjera blerime,
rinore
(A të kujtohet? Atë verë
burimet heshtja na i trazonte.
Këndoja vijat e fatit
në dorën tënde flakë.
Endeshin rrugësh të çuditshme,
pa folë.

Pastaj, n’teatër; një Gjido
i larë me djersë
përpëlitej i falisur.
Ti shkuleshe n’gaz me të madhe,
por në sy të vetëtinte
stuhia e Shtatorit..
A të kujtohet?)

SHKALLA E KAKARRIQIT

E kapërthyer me lugetër hëna
njollat e territ përgjakë
e nata,
tinëzare fërshëllen mbas pritash,
si në kohën e cubave
kur thika vetëtinte e ftohët;
e buzagaz me pezëm.

Harbon përbindshëm rrëpira
e ngeshme në perspektivë
për t’u qepur në një kënd
me qiellin e detin.

(Më rrashtë e më tepër ferr
shkrepat ceporë,
kërcënuese për m’u shprazë në rrenojë
përmbi eshtra
që vetëm lëkura i lidhë
e vullneti).
O natë, o natë,
mos ky na qenka pikësynimi?

Të ngrysura ëndërrimet sërish vërshojnë
lëvyrëse e me të lutura,
por ndalem në vend:
shuplake
kulla picingule e katallanit të lashtë.

LODHJE

Nganjëherë trishtimi fjollë mbidhet
mullan në zemra të plasura,
nganjëherë përmallimi bëhet liman vajtimesh
ngushulluese;
të përgjumur ndehemi përmbi pellgje brengash
ndehemi shtijakë ndër gëzime që s’kanë jetë
e biem lëmuç
– thëllënza të rreshkura – ndër pasqyra.
Cekonet qielli prej vigmash pikë-e-vrer,
Cekohet guximi;
ushton ndër veshë e papushim
“pusho në paqe,
pusho në paqe…”
Ah, s’mundem më, nuk mundem;
më çoni…

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT