Vermoshi

0
1152

Artikuj nga gazeta “Malësia”

Gazeta Malësia
Hoti
Gruda
Kuçi
Kastrati
Rrjolli
Kryengritja e 1911
Prek Cali
Cur Gjeloshi
Malësorët prishin Shkodrën?


SHKODËR – Korrik 2002 – Vermoshi është një ndër fshatrat e komunës së Kelmendit, skajit më verior të Shqipërisë, 1200 metra mbi nivelin e detit. Ai është fshati më i largët në kufi me Malin e Zi. Ky fshat alpin, me bukuri natyrore të rralla, klimë të mrekullueshme, pyje e kullota, përballet me dukurinë e largimit të banorëve të tij jashtë Shqipërisë.

Lepusha - VermoshLepusha – Vermosh
 

Më 1992 fshati kishte 1300 banorë, ndërsa aktualisht 530 prej tyre janë larguar në drejtim të SHBA-së, veçanërisht në Detroid ku jetojnë mjaft familje vermoshase.

59 shtëpi banimi në këtë fshat janë kyçur. Banorët e mbetur aty tregojnë se është bërë zakon që kur ndonjë vermoshas largohet në SHBA dhe njofton se ka arritur në tokën e premtuar, familjarët e tij shtijnë në ajër me armë. Atëherë mësojmë se u largua edhe një. Infrastruktura e dobët, papunësia, premtimet e politikanëve të çdo krahu, i kanë lodhur banorët e fshatit më të skajshëm verior që mendojnë vetëm emigrimin.

Terreni i thyer malor të ofron më shumë kullota dhe pak tokë të punueshme, por edhe prodhimet blegtorale mbesin aty pasi distanca e largët nga qendrat urbane (120 km larg nga Shkodra) dhe mungesa e infrastrukturës bën që të mos tregtohen apo grumbullohen këto prodhime.

Është premtuar hapja e pikëkalimit kufitar të Gërçarit si dhe ndërtimi i 12 km rrugë nga Vermoshi në Mal të Zi. Kjo rrugë, që dikur ka ekzistuar, e shkurton me 150 km distancën me Kosovën duke kaluar nga Gucia. Për këtë, thonë banorët, është nënshkruar një marrëveshje mes dy qeverive, por akoma asgjë nuk është bërë. Në këtë fshat mungon sinjali televiziv dhe telefonia fikse, ndërsa ka një stacion meteorologjik që funksionon prej 52 vjetësh. Të dhënat e tij dërgohen një herë në muaj në Tiranë, pasi më shpesh është e pamundur. Kjo për mungesë të mjeteve të komunikimit. Sakaq Vermoshi është shumë piktoresk dhe i përshtatshëm për turizëm malor, por kjo duket e parealizueshme për banorët e tij.

Anila Dushi, Koha Jonë


A do të hapet ndonjëherë pika kufitare e Vermoshit?

Pas disa njoftimeve shpresëdhënëse, Vermoshi vazhdon si më parë, në atë ndasinë e “pavarësinë” e vet.

Aty nga fundi i muajit korrik të këtij viti, prefektura e Shkodrës, organizoi një takim pune për zonën e Kelmendit. Në dy ditë, pjesëmarrësit u njohën me pasuritë natyrore të komunës së Kelmendit: Me mjedisin dhe territorin, ekonominë dhe traditën etj. Po kështu pjesëmarrësit e këtij “Ëork-Shop”, siç kanë zakon, e i quajnë tani takimet e punës, panë me sytë e tyre edhe bukuritë e kësaj krahine, “qeleshja” e Shqipërisë, siç e ka quajtur një udhëtar i huaj.

Për organizimin e këtij takimi, koordinuan punën e tyre disa institucione, siç ishin Shërbimi gjeologjik shqiptar, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Drejtoria e Pyjeve dhe ajo e Bujqësisë e Malësisë së Madhe, Shoqata e gjeografëve të Shkodrës si dhe vetë komuna e Kelmendit. Diçka më kuptimplotë ishte fakti, se kush e sponsorizonte këtë aktivitet, si të thuash: Përveç prefekturës si dhe tre ministrive tona, ajo e Mjedisit, Turizmit dhe e Pushtetit Vendor, që në fund të fundit, kanë bërë detyrën e tyre, sponsorë ishin edhe Ambasada Austriake, Konsullata Italiane e Shkodrës, Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë, UNOPS-i dhe COOPI. Vetë interesimi i këtyre ambasadave dhe fondacioneve, e kishte një arsye: Prej kohësh diskutohet hapja e pikës kufitare në Vermosh, midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Madje, sipas të dhënave, ka qënë më përpara interesimi i palës malazeze, që ka filluar e para vlerësimin për pasuritë natyrore të përtej kufirit dhe kjo ka ndikuar që edhe këndej të lëvizet në këtë drejtim. “Lëvizja” ka bërë që të bashkojë sponsorët e mësipërm për të arritur në një pikë të përbashkët, jo vetëm të “kalimit kufitar”

Duke iu referuar historisë, Vermoshi i Shqipërisë, me vite ka patur lidhje, jo vetëm shpirtërore me pjesën përtej kufirit, por edhe ekonomike, tregtare etj. Në një shkrim të mëparshëm për Tropojën kam thënë se, dy zona kanë qënë të njohura në Veriun e largët të Shqipërisë, për lidhje te shumanshme, me pjesë të vendeve përtej kufirit shtetëror: Vermoshi i Malësisë së Madhe dhe Tropoja në Malësinë e Gjakovës. Duke mbetur vetëm te Vermoshi, nuk është e tepërt të kujtojmë se edhe sot të moshuarit malësorë e quajnë Vermoshin, në bisedat e tyre të përditshme, “Vermoshi i Plavës”. Vetëm kaq mjafton për të treguar ato lidhjet e pazgjidhshme të malësorëve të Kelmendit, kryesisht të bajrakut të Selces, por edhe të Nikçit apo Vuklit, me qytezën e Gucisë. Malësorët e Kelmendit, pak e kanë njohur Tiranën, jo vetëm si qeveri, por edhe për probleme të tjera të jetesës. Malësorët e Kelmendit, e kanë dashur e respektuar Shkodrën, por vetëm si qytet e qytetarë të saj, por jo si qeveri që ka patur në shekuj. Malësorët e Kelmendit, nuk e kanë dashur kurrë atë “që ka sunduar kalanë e Shkodrës”, sepse gjithmonë kanë qënë vetë kala. E kësisoj, vermoshasi “është çilë” në Plavë e Guci. Në Plavë ështa bërë tregtia, në Plavë është blerë kallamoqi për bukën e të tërë vitit, në Plavë kanë patur “miqtë e kumbarët”. Në Plavë, Prek Cali, ka patur të ndërtuar edhe një shtëpi të vetën.

Kanë kaluar më shumë se tre muaj nga koha e një interesimi masiv për bukuritë e pasuritë e Vermoshit. Kanë kaluar më shumë se tre muaj nga koha kur prefektura e Shkodrës, siç duket me shtytjen e ndonjë faktori tjetër, “i ra gjoksit”, se “do të bëhet nami” për Vermoshin, se do të flitet ndryshe për të ardhmen e tij etj, etj. Përveç atij takimi të punës, ku janë shpenzuar, s’do mend, kohët e para, asgjë nuk është bërë tjetër dhe interesimi për Vermoshin ka mbetur në vendnumëro. Gazeta “55”, nëpërmjet korespondentes së saj në rrethin e Shkodrës, Merita Garuja, e njofton tash disa herë, afrimin apo shtyrjen e afatit të hapjes së pikës kufitare në Vermosh. Korrespondentja në fjalë, me entuziasmin që të sjell dhënia e një lajmi të mirë për popullsinë e kësaj treve, nuk përton të njoftojë gazetën e saj herë pas here, e bindur se një ditë kjo pikë kufitare, sipas premtimeve të dhëna, do të hapet. Por nuk është e thënë. Një afat shtyhet nga pala shqiptare dhe një tjetër prej palës malazeze. Në fillim pala malazeze është dukur më e interesuar për këtë pikë kufitare dhe tash, sipas informacioneve, gjendja është në një pikë të ngrirë.

Duke hequr paralele midis Bajram Currit e Vermoshit për historinë e tyre të bashkëpunimit, ashtu siç e kemi përmendur, me banorë e vise të përtej kufirit shtetëror, nuk pretendohet që Vermoshi, si, vetëm një krahinë, të ketë atë vëmendje që duhet të ketë Tropoja si një rreth i tërë në hapjen e pikave të reja kufitare. Megjithatë, mendoj se tashmë në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, fryjnë erëra të tjera dhe Vermoshi nuk ka pse të shihet si një shtojcë e territorit zyrtar të Shqipërisë, e të mos krijohen mundësitë për ta lidhur me pjesën tjetër të rajonit në rrugën më të lehtë. A mos duhet të mallkojmë Prek Calin, Uc Turkun e seljanë të tjerë, që e mbrojtën Vermoshin me gjak e me mençuri pa iu aneksuar qysh më 1913 Malit të Zi?

Lajmi më i fundit na bën me dije se filluan këto dy ditë punimet në rrugën që të shpie në Vermosh nga ana e Malit të Zi, ose më mirë me thënë, në Gërniqar, përballë qytezave të Plavës e të Gucisë. Gjithsesi, bëhet fjalë për punime nga pala malazeze dhe kuptohet deri në vijën kufitare të të dy vendeve. Nga pala shqiptare, megjithëse zv/ministri i Jashtëm Luan Hajdaraga, e ka firmosur një marrëveshje qysh më 22 shtator të këtij viti, akoma nuk është investuar asgjë në këtë drejtim.

Gjovalin Gjeloshi, Koha Jonë

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT