Klementi XI – Albani
HISTORI SHKODRANE
Kisha Zoja e Shkodrës
Kisha e Shirqit
Xhamia e Plumbit
Kisha ortodokse
Sahati i Inglizit
Teatri shkodran


— nga Tonin Zadeja

Shoqëria “Rozafat”, e pagëzuar me emrin e kështjellës së Shkodrës, që një ndër shoqëritë më me emër të këtij qyteti në vitet ’20 dhe’30 të shekullit XX.

Shoqëria “Rozafat” e pati bazën e vet dhe elementët e saj formues tek Shoqëria Ndihmëtare Punëtore që u krijua në Shkodër që më 1905. Kjo shoqëri kishte për qëllim jo vetëm mbrojtjen dhe ndihmën e punëtorëve, por edhe edukimin e tyre kulturor dhe artistik. Nismëtarë për formimin e shoqërisë “Rozafat” ishin këpucarët Simon Gurakuqi (Rranxi) e Shuk Paloka; marangozët Cin Nush Daija; rrobaqepësi Gjon Laca; mekaniku Luigj Dajçi; berberi Ton Dajçi; mësuesi Kolë Kosmaçi dhe nëpunësit Kel Luka e Gegë Gurakuqi. Përkrahje materiale dhe morale shoqëria “Rozafat” pat edhe nga mjaft atdhetarë e dashamirë të kulturës dhe artit si: Luigj Gurakuqi, Kel Marubi, Ndrekë Kaçulini, Nush Topalli, Shuk Gurakuqi, Tef Pogu, Dedë Shan Deda etj, që mbetën deri në fund anëtarë nderi të shoqërisë. Mbledhja e 36 anëtarëve të parë të shoqërisë në shtëpinë e Simon Gurakuqit (Rranxi) me 13 shkurt 1918, mbahet si dita e themelimit të shoqërisë. Numri i anëtarëve të shoqërisë “Rozafat”, nga 100 që ishte në vitet e para, arriti në 220 në vitin 1938.

Në kanunin e vitit 1919, paragrafi 3, thuhet: “Qëllimi i shoqnis asht me permirsue shijen estetike të popullit shqyptar per muzikë neper msim kndimi e veglash muzikore”. Por, më kalimin e kohës (shih Rregulloren e vitit 1921, paragrafi 2, dhe Statutin e vitit 1937, neni 2), veprimtari për t’u shënuar zhvilluan gjithashtu dega teatrore dhe ajo letrare.

Lidhur me formimin e shoqërisë “Rozafat”, fletorja “Posta e Shqipnis”, në artikullin “Nji vepër qytetnije”, datë 23 shkurt 1918, shkruan: “Tuj kuptue pra fuqin e madhe të muzikës, disa djelmoça shkodranë, të shtymë e të nxitun prej ndesijet kombëtare, sikurse gjithmonë nder vepra kombësije, edhe në këte u danë në shej. Çuene e thirrnë nji farë Aleks Ivanoviçit, i cili ka krye mesimet e veta në Konservatorin e Pragës, e ky zotni i ndershem nisi të apë mësim në shumë vegla muzikore në shtëpi të Simon Gurakuqit (Rranxi) ku natë për natë mblidhen do djem shkodranë pa ndërlikim bësimi: muhamedanë, katolikë e ortodoksë per me xanë vegla muzikore. Këta djelmoça e mbajnë dhe e paguejnë vetë mësuesin…”

Shoqëria “Rozafat” kishte flamurin e vet me fushë ngjyrë të kaltërt. Në njërën anë, në mes, stema e shoqërisë (pamja e këshjellës “Rozafat”) me emrin e shoqërisë përreth; kurse, në anën tjetër, simbolet e muzikës. Në ushtrimin e veprimtarisë së saj, shoqëria ka qenë gjithnjë e vendosur ndaj çdo ndërhyrjeje nga jashtë. Në të tre dokumentet bazë të shoqërisë “Rozafat” (Kanuni i vitit 1919, Rregullorja e vitit 1921 dhe Statuti i vitit 1937) thuhet shprehimisht: “Shoqnija ka karakter thjeshtësisht kulture”. Kuptimplotë është fakti i refuzimit në vitin 1935 i propozimit të Ministrisë së atëhershme të Arsimit për të aderuar në “Bashkimin shoqnuer shkodran”apo në “Shoqninë jashtëshkollore”, si u qujt më vonë.

Anëtarët e shoqërisë “Rozafat” ndaheshin në anëtarë themeluesa; anëtarë besnikë (me veprimtari pesëvjeçare në dobi të shoqërisë); anëtarë nderi; anëtarë vepruesa dhe ndihmëtarë (ata që nuk marrin pjesë aktive në shoqëri, por paguajnë kuotën mujore).

Parija e shoqërisë zgjidhesh prej mbledhjes së përgjithshme të anëtarëve dhe qëndronte në fuqi për një vit. Secila nga të tri degët në të cilat vepronin anëtarët e shoqërisë, sipas aftësive dhe zgjedhjes personale, kishte drejtuesin e vet.

Parija që doli nga mbledhja e parë e përgjithshme e anëtarëve të shoqërisë “Rozafat” përbëhesh nga: kryetar Kel Luka; nënkryetar Simon Gurakuqi (Rranxi); këshilltarë Cin Daija, Luigj Dajçi e Gjon Laca; ekonomat Shuk Paloka.

Duke rradhitur më poshtë disa nga veprimtaritë kryesore muzikore e teatrore të organizuara nga shoqëria “Rozafat” gjatë 20 viteve të ekzistencëssë saj, shënojmë se në mjaft raste këto veprimtari gërshëtoheshin njëra me tjetrën. Megjithatë, për qartësi e saktësi, do t’i trajtojmë veç.

Dega muzikore. Veprimtaria e degës muzikore e shoqërisë “Rozafat” ka qënë e vazhdueshme dhe e një cilësie gjithnjë në rritje. Koncerti i parë i përgatitur i shoqërisë është dhënë më 28 Nëntor 1918 në lulishten Popullore me rastin e përvjetorit të gjashtë të festës sonë kombëtare. Në koncert, ku vendin kryesor e zinin këngët patriotike dhe popullore, për herë të parë del para publikut një vajzë shkodrane, Lajde Gurakuqi, që nën tingujt e mandolinatës, reciton plot zjarr një poezi atdhetare.

Para se të vazhdojmë me kronikën e disa manifestimeve më të realizuara muzikore, kujtojmë se bazën e tyre e përbënte orkestra e shoqërisë. Në fillim ajo kishte karakter mandolinate (braç, mandolinë, mandolë, bugari). Pas afro dhjetë vitesh, orkestra numëronte 24 instrumentistë dhe në përbërjen e tyre kishte edhe 6 violina, 2 viola, kontrabas, flaut, klarin, saksofon, trombë, xhezband e pianofortë (Flautin e klarinin ia dhuruan shoqërisë shqiptarët me banim në Bukuresht). Në përgatitjen dhe drejtimin e koncerteve dhanë ndihmesën e tyre, pas largimit të Aleks Ivanoviçit, muzikantët e njohur të qytetit tonë, Frano Ndoja, At Martin Gjoka, Zef Kurti, Luigj Prela dhe specialisti italian Antonio Mucci.

Koncertin e dytë të suksesshëm, shoqëria “Rozafat” e dha në sallonin e shkollës Platore të Parrucës, më 27 prill 1919. Programi i koncertit përmbante këto numëra muzikore: 1. Galopp, për orkestër të plotë; 2. Detarët në të përshndetun, për mandolina; 3. Kuartet për violina e Richard Tourbie, 4. Sonatë për piano në F- dur e W.A. Mozart; 5. Kujtim, valle katër zërash i A. Mendelssohn, 6. Mbretnesha e Keomit e D. Hruza; 7. Tercet violinash dhe harmonium nga opera “Lohengrin” e R. Wagner; 8. Shqiptarët e muzika, valle korale e At Martin Gjoka; 9. Marsh për orkestër të plotë.

Lidhur me këtë koncert, në një kronikë të kohës lexojmë: “programi kje zhvillue prej të gjithë pjestarve të orkestres me shumë mjeshtëri. Shoqnija muzikore pat pse me dalë para popullit, pse tue kqyrë kohen e pakët që paten për gatim të koncertit, asnji nuk kishte pritë qi shoqnia “Rozafat”, do të mund paraqitte copat e një Wagneri e të një Mozarti. Ky përparim i shpejtë i don diejtë per nder kryeparis qi ka kjo shoqni pse mundohet me shpirt me i dhanë shkase perherë ma të forta zhvillimit të muzikës nder djelm shkodranë, e i don diejtë edhe At Martin Gjokës, i cili ja ka vu barrë vedit msimin e muzikës e qi drejtoi at ditë edhe koncertin. Në koncert mueren pjesë edhe disa msuesa e fmi shkolle. ( Revista Zani i Shna Nout”, qershor1919).

Duke u nisë nga pritja shumë e mirë që iu bë koncerteve të mësipëme, kryesija e shoqërisë vendosi që për çdo vit të jepeshin 5 koncerte në këto raste: natën e Vitit të Ri, me 28 Nëntor, ditën e Karnavaleve, në përvjetorin e themelimit të shoqërisë me 13 shkurt dhe në përvjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar në kështjellën Rozafat në vitin 1914. Kështu, duke ndjekur disa nga veprimtaritë që lanë më shumë mbresa, kujtojmë koncertin e dhënë në kafen “Park” me 31 maj 1932, në drejtimin e mjeshtrit Antonio Mucci, mësuesit të muzikës në gjimnazin e shtetit. U dallua në kët koncert kori i pleqve, i plotësuar në këtë rast edhe me disa të rinj e të reja shkollarë. Repertori koral mbante kryesisht këngë popullore. Shumë mirë u prit edhe premiera e vodevilit në dy akte “Pata”, shfaqë në kinema “Gloria” më 19 mars 1933, në variantin e përkthyer nga Cuk Simoni dhe vënë në skenë nga Henrrik Laca. Formacioni orkestral nën drejtimin e mjeshtrit Luigj Prela, ekzekutoi me nivel artistik numërat e ndryshëm muzikorë në përbërje të vodevilit. Me kërkesën e publikut, vodevili u dha disa herë rradhazi.

Më 10 dhe 20 gusht 1934, orkestra e shoqërisë, nën drejtimin e Luigj Prelës, dha në kinoteatrin “Rozafat” dy koncerte që tërhoqën vemendjen e dëgjuesve për nivelin e kënaqshëm të interpretimit. Me të ardhurat e vjelura nga shitja e biletave, shoqëria arriti të blej një pianofortë.

Vend të veçantë në veprimtaritë e shoqërisë “Rozafat”, zinte edhe organizimi i mbrëmjeve argëtuese për anëtarët dhe pjestarët e familjeve të tyre. Ja dy kronika të nxjerra nga shtypi i kohës. Në kronikën e parë lexojmë: “Shoqnija e mirënjohun “Rozafat”, më 11 maj 1936, në mbrëmje, bani nji mbledhje dëfrimi për pjestarët e vet e në të cilën u dha edhe nji koncert prej orkestrës së shoqnisë….. U kduen disa kangë prej zojushave Albina e Luigj Dajçit e Antonjeta e Gjon Shllakut. Zonjusha Albina deklaroi edhe nji fjalim të rastit dhe të dyja kjen duertrokitë…. “. (E përkohshmja kulturale popullore “Cirka”, Viti I, Nr.5, f.78).

Kurse nga kronika e dytë mësojmë se: “Me 8 tetuer 1936 ishte caktue mbledhja e gjithë pjestarëve për nji koncert defrimi…, ndoqën shumë copa të bukura muzike, ndër të cilat disa të hartueme prej nji kompozitorit bashkatdhetar qi deri tash asht i panjoftun, megjithëse punon shumë në lamën hartuese muzikore. Ky asht z. Pjetër Dungu, me shërbim në bandën ushtarake të Tiranës; i cili në atë mbramje u da në shej sidomos me tangon e kompozueme prej tij “Deri kur do t’rri tuj pritë” mbi fjalët e Prof.Dr. Henrrik Lacës”. (E përkoshmja kulturore popullore “Cirka”, Viti I, Nr. 10,f.158).

Para se të kalojmë në dy koncertet e periudhës së fundit të veprimtarisë koncertale të shoqërisë “Rozafat”, më poshtë po shënojmë programin tipik të një shfaqjeje të kombinuar, dhënë me 28 Nëntor 1936: 1). “Kombi e Flamuri”, bocet dramatik një akti; 2). farsa “Shikuesi me rrema”; 3). copa orkestrale të zgjedhura; 4). Gjashtë kangë korale tre zanesh dhe 5). recitim “Bija Shqipëtare”.

Me 15 gusht 1937 shoqëria dha në kinoteatrin “Rozafat” një koncert të pasur. Të ardhurat e realizuara nga shitja e biletave iu dhanë komisionit të ngritur në qytetin e Shkodrës për ndërtimin e monumentit të “Dëshmorëve të Lirisë”.

Koncerti i fundit që njohim, por njëkohësisht edhe ndër me të realizuarit nga ana muzikore, qe koncerti jubilar i 25-vjetorit të shpalljes së Pavarsisë dhënë në prag të festës së 28 Nëntorit 1937. Programi, i ndarë në dy pjesë, përmbante këto numra muzikorë: 1) “Fliegermarch – Willy Kuhn; 2).Herzev und Blumen (walzer) – A. Tellier – Czibulka; 3).”Bebè” – S. Ferruzzi; 4). “Cosa rara” (valzer nga opera “Una cosa rara”) – V. Martini; 5). “Sarà ma non ci credo” – Ristori- Roger; 6). “Quand l’amur meurt” (valse lento) – Octave Cremiex; 7). “Suite Orientale”- Francis Popy; 8). “Serenata al vento”- V. Mascheroni; 9). “Tombuctu”- V. Tamburini; 10). “Destyny” (Walse- Boston)- Sydney Baynes;11). “Tango dell’addio”- F.Lunetta; 12). “Campane a sera”-V. Billi; 13). “Stornello appassionato”- G. Zuccoli; 14). “Si j’etais roj”(Ouverture)- V. Adam.

Në këtë koncert lujatën këto instrumentistë: Zef Alimhilli, Ugo e Dario Arditi, Noc Shllaku, Ciril e Vasil Pistoli, Rrok Plani, Angjelin Zojzi, Zef e Gjon Sheldija (violina), Paulin K. Pali (flaut), Loro Kovaçi (klarinetë), Luigj Doda (saksofon), Tonin Mala (trombë), Ton Alimhilli (zhezband) e Shuk Shllaku (pianoforte).

Koncerti u dha edhe në kinema “Magjistik”- Tiranë 27.nëntor 1937.

Me interesë ka qenë bashkëpunimi i orkestrës së shoqërisë në koncertet e dhëna gjatë viteve 1936-37 në qytetin e Shkodrës nga këngëtarët e mirënjohur të vendit tonë Tefta Tashko, Marie Paluca, Kristaq Antoniu dhe pianistët Lola Gjoka dhe Tonin Guraziu. Kështu, në programin e koncertit të dhënë në kinoteatrin “Rozafat” në pranverën e vitit 1937 nga këngëtarja Tefta Tashko dhe pianistja Lola Gjoka me pjesmarrjen e orkestres së shoqërisë me rastin e vizitës që bëri në Shkodër poeti Aleksander Drenova (Asdreni), krahas arjeve operistike, këngëve popullore, solove në pianoforte, figuronin edhe numra të ndryshëm orkestralë, luajtur nga orkestra e shoqërisë.

Dega teatrore – Nga shfaqjet me dinjitet të degës teatrore, shënojmë komeditë “Bylbyli në Shkodër” (1923) dhe “Dy gungaçat” e Ndoc Vasisë; farsat “Sarrafi” (1931) dhe “Nata e Karnavalit” (1933) e Gjush Sheldisë; dramat “Besa” (1933) e S. Frashërit, “Mojs Golemi” (1933), e Kol Mirditës (Helenau), “Atdheu nuk mohohet” (1934) e Gjush Sheldisë, “Kthimi i Skenderbegut për liri të Shqipërisë”, (1937) e Henrik Lacaj, interpretuar nga aktorët Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Gjon Karma, Ndoc Gjonej, Ndoc Gora, Zef Mirashi etj.; ndonjë farsë një akti si “Njeriu me hënë”, “Metamorfoza shkodrane” (interpretuar nga aktori komik Lin Gjonej), “Sorrat”, “Tre cubat”, e cituar më sipër etj., që sipas zakonit të athershëm, gërshëtoheshin me numrat e vokalë apo orkestralë të koncerteve të ndryshëm.

Duke i mbyllur këto shënime për veprimtarinë e gjallë 20 vjeçare të shoqërisë “Rozafat” në fushën e muzikës dhe të teatrit, dy fjalë për organizimin e përvitshëm nga ana e shoqërisë të festës popullore të karnavaleve. Mjetet dekorative të punuara me shije e fantazi si anije, glob, shtëpi etj, të vendosura në automjet; larmia e veshjeve dhe maskave, këngët dhe tingujt e instrumentëve muzikorë, letrat fluturuese etj, i japin këtyre festave një bukuri të veçantë. Nga mengjezi deri në darkë, me ndalesa të vogla nëpër shtëpitë e anëtarëve, karvani i karnavalit kalonte nëpër rrugët kryesore të qytetit, duke dhënë koncerte të improvizuara apo duke recituar bejtet e vitit, përmes të cilave fshikulloheshin zakonet dhe shfaqjet negative të shoqërisë shkodrane duke mos kursyer edhe nëpunësit e sferave të larta qeveritare, përfshirë edhe vetë anëtarët e qeverisë. Mjeshtër të këtij organizimi e realizimi kanë qenë anëtarët e pasionuar të shoqërisë Kolë Shiroka, Ndoc e Kolë Tivari, Shuk Paloka etj. Me poezitë e tij më të mira humoristike Kolë Shiroka botoi në vitin 1932 vëllimin “Lamtumirë djalëri”.

Ashtu si të gjitha shoqëritë e pavarura kulturore-artistike të qytetit të Shkodrës, edhe shoqëria “Rozafat” e nderpreu veprimtarinë e saj me urdhër të autoriteteve pushtuese fashiste në tetor të vitit 1939.

Shkodër, 14.09.2000

© Phoenix – Qendra e Studimeve Shqiptare “Ernest Koliqi” Shkodër
Riprodhimi dhe shpërndarja vetëm me lejen e redaksisë.

http://www.dardania.com/phoenix

dërguar për Shkoder.net… nga Kolec Traboini, Boston

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT