Viti 1913, si u sakrifikua Gjakova dhe Dibra për të shpëtuar Shkodrën

0
3820

Nga nacionalalbania.com, 6 tetor 2013

Nga Gazmend SHPUZA

Tema e këtij shkrimi përfshin një moment fare të shkurtër të historisë diplomatike të Shqipërisë, me rëndësi vendimtare për fatet e saj. Fjala është për çështjen e kufijve të shtetit të porsanjohur, me të cilën Konferenca e Londrës u mor shumë gjatë. Dhe kjo përfaqëson pjesën më të dhimbshme të saj për shqiptarët. Porse po në këtë konferencë fuqitë europiane njohën, falë Shën Adriatikut, dhe pavarësinë e Shqipërisë, çka nuk mund të injorohet kurrsesi. Pas përgjysmimit të trupit të Shqipërisë me vendimet e padrejta të marsit dhe të gushtit të vitit 1913 nuk do të hedhim poshtë dhe vendimin e 29 korrikut të po atij viti. E shohim të nevojshme ta theksojmë këtë fakt sepse gjatë këtyre muajve në mjaft artikuj të shtypit dhe në ndonjë veprimtarie shkencore vendimi shumë i rëndësishëm, madje jetik për të ardhmen e shtetit shqiptar, ngatërrohet keqas me vendimet e mëparshme dhe të mëvonshme të fuqive të mëdha për copëtimin e trojeve shqiptare.

E pasaktë është gjithashtu të pretendohet se vendimet për copëtimin e trojeve shqiptare qenkan sanksionuar në një traktat të Londrës të vitit 1913. Keqkuptimi arrin deri atje sa një parti politike ka afishuar mbi një urë të Lanës thirrjen patetike: “Viti 2013 fund! Traktati i Londrës”!! Me sa duket, ngatërrohen vendimet e Konferencës së Ambasadorëve me Traktatin e Fshehtë të Londrës të vitit 1915, i cili parashikonte copëtimin e plotë të shtetit shqiptar. Këtë traktat populli shqiptar, duke përfituar nga koniunktura e re ndërkombëtare pas Luftë së Parë Botërore, e hodhi poshtë me Luftën e Vlorës dhe me vendimet e Kongresit të Lushnjës.

Dibra – qendra e kuvendeve dhe kongreseve historike të Rilindjes

Dibra ndodhej në mesin e trojeve shqiptare të përfshira në vilajetet perëndimore të Perandorisë Osmane. Megjithëse rrjeti rrugor i kohës nuk ia mundësonte, ajo u shndërrua, në saje të bijve të saj më të shquar, në qendrën më të parë e më të rëndësishme të Lidhjes Shqiptare të themeluar më 15 qershor 1878 në Kuvendin e Prizrenit, të kryesuar nga biri i saj Iliaz pashë Qoku. Ky bir i madh i Dibrës dhe i mbarë Shqipërisë përkrah pati Pashko Vasë Shkodranin. Atë e zgjodhën kryetar të Lidhjes, detyrë të cilën ai e kreu me qartësi politike dhe me vendosmëri deri në fund, duke mbledhur rreth vetes atdhetarët më të vendosur nga të gjitha trojet shqiptare.

Në ballë të forcave radikale të Lidhjes, duke përballuar elementët e lëkundur dhe neutralizuar të moderuarit, duke pasur përkrah tashmë jo vetëm Ali pashë Gucinë, por dhe kryetarin e Lidhjes Shqiptare për Toskërinë, Abdyl bej Frashërin, Iliaz pasha organizoi Kuvendin e Dibrës më 14 tetor 1878. Nën kryesinë e tij ky kuvend i Lidhjes së Prizrenit siguroi bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare rreth programit të saj kombëtar të 15 qershorit 1878. Me autoritetin dhe prestigjin që gëzonte vijoi të punonte energjikisht, pa marrë parasysh moshën, për mobilizimin e mbarë shqiptarëve në luftën për vënien në jetë të programit autonomist të Lidhjes. Nga Kuvendi i Dytë i Dibrës, që u mblodh më 10 nëntor 1880, të organizuar dhe të kryesuar po prej tij, iu parashtrua sulltanit edhe në emër të Lidhjes Shqiptare të Toskërisë të përfaqësuar nga Abdyl Frashëri dhe një herë kërkesa për krijimin e vilajetit të Shqipërisë.

Meqë Stambolli bëri sërish veshin e shurdhër, udhëheqësit e vendosur të Lidhjes, të udhëhequr nga Omer Prizreni, u vunë në ballë të luftës për vënien në jetë, tashmë pa hirin e sulltanit, të vendimit të Kuvendit të Dytë të Dibrës. Ata formuan qeverinë e Lidhjes, e cila nisi të zgjerojë dhe thellojë kompetencat qeverisëse që i kishte njohur vetes që me formimin e saj. Pas Kuvendit të Dibrës ajo e shtriu pushtetin e saj nga vilajeti i Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës në shumicën e trojeve shqiptare. Siç mund të konkludohet, në Dibër në vitet 1878-1881 u zhvilluan takime dhe bisedime në shkallë kombëtare dhe u morën vendime themelore nga udhëheqësit më të vendosur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këto vite udhëheqësit më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me Vaso Pashë Shkodranin, ideolog i saj, Iliaz pashë Dibrën, Ali pashë Gucinë, Abdyl bej Frashërin.

Omer efendi Prizrenin, kryeministri i parë i mbarë shqiptarëve, e të tjerë, hodhën themelet e pavarësisë shqiptare. Pas revolucionit xhonturk dhe rivendosjes së kushtetutës Lëvizja Kombëtare Shqiptare njohu një zhvillim të vrullshëm në fushën kulturore. Të trembur përballë zhvillimeve të tilla, pas konsolidimit të pushtetit të saposhtënë në dorë, qeveritarët xhonturq ndërmorën menjëherë masa drastike kundër shqiptarëve. Më 23 korrik 1909 ata organizuan pikërisht në Dibër ongresin, ku morën pjesë përfaqësues të zgjedhur nga bashkitë dhe komitetet e tyre lokale. Meqë nuk ishin të sigurt që delegatët shqiptarë, edhe pse të zgjedhur nën kontrollin e tyre, do të pajtoheshin me programin e tyre, organizatorët ftuan në kongres dhe përfaqësues të vilajetit të Selanikut.

Synimi i tyre për t’i paraqitur shqiptarët mbështetës pa kushte të regjimit të tyre dështoi. Në rezolutën e kongresit u parashtruan kërkesa për realizimin e të drejtave autonomiste të shqiptarëve dhe për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat ekzistuese në përputhje me vendimin e Kongresit të Manastirit dhe në shkollat e reja që kërkohej të ngriheshin. Shpërthimi i kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912 në Kosovë u mbështet së pari nga Dibra dhe nga lëvizja e oficerëve opozitarë të komanduar nga Tajar Tetova. Si qendër e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Dibra u vu në shënjestër të terrorit xhonturk gjatë ekspeditës ndëshkimore të komanduar nga Shefqet Turgut pasha më 1910, ekspeditë që u shtri në Kosovë, në Shkodër, në Tiranë e në Manastir.

Me gjithë kontributin e dhënë nga dibranët në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare kundërosmane, ata, sikurse gjysma e popullsisë shqiptare, nuk e gëzuan pavarësinë e shpallur më 28 nëntor 1912 dhe të njohur ndërkombëtarisht disa muaj më vonë. Në Konferencën e Londrës, në fillim të muajit shkurt 1913, diplomacia ruse në vend të Shkodrës këmbëngulte që Serbisë veç tokave të tjera t’i dhuroheshin dhe Gjakova dhe Dibra, tërësisht shqiptare. Parimi etnik nuk merrej parasysh dhe pretendimet sllave mbështeteshin, siç shënonte Theodhor Ipen, mbi traditën fetare. Gjakova dhe Dibra kërkoheshin nga Petërburgu për Serbinë meqë karakteri sllav i tyre nuk mund të provohej me arsye kishtare. Manastiri serb i Deçanit kishte prona të gjera tokësore në krahinën e Gjakovës. Ndërsa Dibra ishte selia e dy peshkopëve ortodoksë dhe fare pranë saj ndodhej manastiri ortodoks i Shën Jovan Bigorit.

Pleksja e fatit të Dibrës me atë të Shkodrës

Fati i Dibrës dhe ai i Gjakovës u lidhën ngushtë nga diplomacia ruso-franceze, e mbështetur nga ajo angleze, me atë të Shkodrës. Pretendimet serbo-ruse mbi Dibrën dhe Gjakovën u bënë edhe më këmbëngulëse pas dorëzimit të qytetit verior në duart e ushtrisë malazeze. Esat pasha e dorëzoi qytetin verior pikërisht pasi Konferenca e Londrës kishte vendosur që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë, atëherë kur Beogradi urdhëroi tërheqjen e forcave serbe nga rrethimi i qytetit. Fuqitë e mëdha kërkuan në mënyrë ultimative nga Mali i Zi tërheqjen e forcave nga rrethimi i Shkodrës. Mbrojtësit e Shkodrës që nga maja e malit të Taraboshit kishin parë dritat e flotiljes ndërkombëtare, që kishte ardhur në brigjet e Malit të Zi dhe të sanxhakut të Shkodrës për ta detyruar krajl Nikollën që t’i nënshtrohej vendimit të fuqive të mëdha.

Të gjitha këto rrethana nuk e përligjin kurrsesi qëndrimin kapitjes të pashait. Përballë qëndrimit këmbëngulës proserb të Rusisë dhe të Francës Shkodra u shpëtua nga diplomacia austriake, duke sakrifikuar Gjakovën dhe Dibrën. Pra, akti tradhtar i pashait toptanas qe fatal për fatin e Dibrën dhe të Gjakovës. Pretendimet e Serbisë për Gjakovën dhe Dibrën në shkëmbim të një qyteti të madh siç ishte Shkodra për ambasadorin e Francës në Londër P. Cambon na ishin një “kërkesë e arsyeshme”. Dhe sipas ambasadorit angles Kartrajt pazarlleqet e Londrës në kurriz të trojeve shqiptare bëheshin “në emër të paqtimit në marrëdhëniet midis fuqive të mëdha”.

Ndërkohë 1000 e ca dibranë vijonin të luftonin në mbrojtjen e Shkodrës. Porse këto sakrifica të mbrojtësve dhe të qytetarëve të Shkodrës të mbështetur nga dibranët u tradhtuan nga Esat pasha. Vrasja e Hasan Riza pashës dhe dorëzimi i Shkodrës u bënë viktima të ambicieve të pashait toptanas, siç kujton atdhetari i shquar dibran Ismail Strazimiri, partizani 73-vjeçar, dëshmor i LANÇL.

Shkodra me rezervat ushqimore dhe luftarake të siguruara ishte në gjendje t’u rezistonte sulmeve të pareshtura të malaziasve edhe katër-pesë ditë të tjera. Këto ditë ishin të mjaftueshme deri në zbatimin e vendimit të fuqive të mëdha për heqjen e rrethimit nga ana e krajl Nikollës, që ndodhej nën presionin e demonstratës së tyre detare. Esat pasha duke ia shitur Shkodrën Malit të Zi në të vërtetë shiti Gjakovën dhe Dibrën. Me demagogjinë tij dhelparake dhe të paskrupull në kurriz të dibranëve, që morën pjesë në mbrojtjen e Shkodrës, Esat pasha u përpoq të bindte dibranët se do “ta çlironte Dibrën e pushtueme prej serbëve”!

Marrëveshjet e tij me Pashiçin një vit më vonë flasin për pazarllëqe të reja në kurriz të trojeve të mbetura brenda shtetit shqiptar. Demagogjia e Esat pashës Toptanit arriti kulmin gjatë kryengritjes së shtatorit 1913, e cila nisi në Dibër, duke premtuar ndihma në armë e municione. Në të njëtën kohë ai ushtronte presion mbi Ismail Qemalin që qeveria e Vlorës të angazhohej direkt në ndihmë të kryengritësve. Me këtë aventurë synonte t’u jepte pretekstin ushtrive serbe për të marshuar brenda tokave të shtetit shqiptar. Forcat që mblodhi në Tiranë ndërkohë që kishte përhapur fjalë se do t’i niste në ndihmë të dibranëve, ai i drejtoi kah Lushnja kundër qeverisë se Vlorës.

Më sipër u përpoqëm të provojmë se Dibra e kuvendeve dhe e kongreseve historike të Rilindjes, sikurse afro gjysma e trojeve shqiptare, nuk e meritonte fatin historik që i caktuan përfaqësuesit e fuqive të mëdha në Konferencën e tyre të Londrës më 1913 pa dëgjuar të paktën zërin e përfaqësuesve legjitimë të popullit shqiptar. Nga ana tjetër, dibranët dhe mbarë populli shqiptar nuk ua pati borxh të gjithë atyre që u vunë në shërbim të armiqve të kombit tonë në të gjithë atë vorbull të pazarllëqeve diplomatike të fuqive të mëdha dhe të monarkive të Ballkanit.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.