Shkodra Free Zone

0
666

— nga Ferid R. Hoti

Ferid R. Hoti (1943 - 2007) - foto e bërë në korrik 2007 Dr. Ferid R. Hoti ka lindur në Shkodër më 21.11.1943 në një familje të vjetër qytetare, të njohur për ruajtjen e traditave më të mira nga paraardhësit e tyre në Hot (Malësi e Madhe). Vdiq papritur në moshën 64 vjeçare nga një sëmundje e rëndë me 5 tetor 2007.

Është diplomuar nga Departmenti i Mjekësisë në 1967. Për 28 vjet, ai i është përkushtuar shërimit të pacientëve, duke punuar si kirurg në spitalin e Shkodrës, ku i përmbahej principit: “Mjekësia nuk i shërben mjekut, por pacientëve”.

Për herë të parë në spitalin e Shkodrës, ai aplikoi teknikën e tubave narkotikë, skicoi dhe ndërtoi Njësinë e Kujdesit Intensiv – Reanimacioin dhe sallën kirurgjike të qenve eksperimentalë (i pari i këtij lloji në Shqipëri).

Ai ka patentën e dy teknikave të operimit kirurgjikal në stomak dhe veshka.
Në zgjedhjet e para demokratike, 1992, ai zgjidhet anëtar i Këshillit të Qarkut.
Më 1993, kreu një kurs specializimi 6 mujor në Francë.
Për një periudhë prej 4 vitesh, ai shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Malajzi, Indonezi, Brunei, Tailandë dhe Vietnam.

Gjatë misionit të tij diplomatik, ai u dallua për një asimilim të suksesshëm të politikave ekonomike, ndihmoi në kryerjen e disa investimeve me rëndësi në Tiranë dhe hapjen e Qendrës Shqiptare për tërheqjen e biznesit nga Azia e jug-lindjes dhe gjithashtu të agjensive të tregëtisë në Pinangut – Malajzi, Xhakarta – Indonezi, Perth – qendra e Australisë Perëndimore.

Më 1997, u zgjodh anëtar i Parlamentit Shqiptar dhe anëtar i Komisionit të Unionit Ndërparlamentar (IPU). » më tepër…


Shkodra – zonë e lirë

Bazat strategjike të zhvillimit në rajonin e Shkodrës

Ish-deputetit Dr. Hoti (i cili më pas u bë këshilltar i kryeministrit Berisha për çështjet sociale) me këtë libër, kishte idenë që të jepte sugjerime të rëndësishme ekonomike, duke shfrytëzuar shembuj të vendeve të tjera, se si mund të zhvillohej rajoni i Shkodrës, me hapa të shpejtë dhe të sigurtë, dhe se si Shkodra të fitonte gradualisht rëndësinë, që dikur kishte patur në zhvillimet ekonomike rajonale.

Rajoni i Shkodrës ka shumë burime natyrore, të cilat për shkak të një politike të gabuar, të ndjekur nga qeveria komuniste 50 vjetët e fundit dhe nga qeveri të tjera para dhe pas saj, janë atrofizuar, izoluar në vetvete, dhe këto burime nuk shfrytëzohen sa dhe si duhet, për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve, duke ngritur të ardhurat ekonomike të tyre.

Kapacitetet ekonomike e turistike të rajonit të Shkodrës, duke filluar që nga Plazhi i Velipojës; vendet turistike si Razma, Thethi e Vermoshi; mundësitë për të ngritur fabrikën e çimentos në Postrribë dhe punishte të tjera për përpunimin e mineraleve të ndryshme; ngritjen e hidrocentraleve elektrike; ngritjen e punishteve të ndryshme për industrinë ushqimore; thellimin e lumit Buna, që të bëhet i lundrueshëm, krijimin e një kaskade për të ruajtur nivelin liqenit, si dhe krijimin e një porti të brendshëm për Shkodrën; krijimin e një infrastukture rrugore për një komunikim më të shpejtë, si për resurset malore, ashtu edhe ato bregdetare e liqenore, në mënyrë që të hapen perspektivat për një komunikim ndërballkanik.

E gjitha kjo mund të arrihet gradualisht, nëse Shkodra favorizohet dhe kthehet në një zonë të lirë, qoftë komerciale apo industriale. Kjo është edhe ideja themelore e librit në gjuhën angleze “Shkodra Free Zone“, por jo vetëm kjo. Në librin e Dr. Hotit, lexuesi mund të gjejë një pjesë krahasimore të historisë ekonomike të rajonit të Shkodrës, që nga koha kur Shkodra kishte 50 mijë banorë dhe Tirana 3 mijë, kohë kur Shkodra kishte tregun më të madh rajonal, i dyti pas Stambollit në perandorinë turke, treg i cili u dogj nga malazezët më 1912, pas një pushtimi të shkurtër tre javor, kur Bixhisteni (tregu i Shkodrës), veç tjerash u shkatërrua plotësisht.

Në një stil të ri, Bixhisteni po ngrihet përsëri në këto kohë, por zhvillimi ekonomik në kohën e sotme, nuk mund të vijë pa krijimin e rrugëve të mira të komunikimit dhe infrastrukturës së domosdoshme. Duhet të zgjidhen drejtues të rinj në rajonin e Shkodrës, të cilët kanë pikëpamje perëndimore dhe integruese, që janë të aftë t’i kuptojnë dhe zbatojnë më mirë rregullat e ekonomisë së tregut, për t’i dhënë hov zhvillimit, dhe jo drejtues të paaftë, të korruptuar, të cilët nekrotizojnë zhvillimin me paaftësinë e tyre, servilizmin e tejskajshëm për eprorët dhe arrogancën banale për vartësit… prototipë të kulturës bizantine e orientale. Shkodra ka nevojë për drejtues pragmatistë, të aftë për të kuptuar kohën në të cilën jetojmë, dinamikë dhe të devotshëm në prirjen e tyre për ta dashur vendin e vet dhe zhvillimin perëndimor të tij.

Rruga Shkodër – Hani Hotit është premtuar si një investim italian prej rreth 22 milionë €, por projekti po vonohet pikërisht se pushtetarët lokalë, nuk mund të fusin në xhep 10 për qind të investimit – praktikë kjo që aplikhet për investimet vendore. Është premtuar gjithashtu një zonë industriale në Koplik, e cila, sidoqoftë, nëse bëhet dhe kur të bëhet, do të punësojë qindra banorë të zonës. Kjo po, do të jetë edhe fillimi i investimeve serioze rajonale, të cilat marrin shumë kohë këtej nga ne, për shkak të koncepteve të ngurta ekonomike, që ka klasa politike shqiptare dhe në veçanti, ajo e sotme shkodrane.

— Arben Çokaj, Korrik 2007

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here