Shkodra e 1916-ës në pesë fotot ekskluzive të bëra nga austriakët

0
420

— nga Rezarta Delisula, Gazeta Shqiptare, 22.02.2003

Tonine Fishta Jeta e 88-vjeçares Tonine Fishta, e cila ruan fotot e pabotuara ku protagoniste ka qenë edhe vetë. Historia e oficerëve austriakë që pasqyruan jetën e qytetit veriperëndimor.

Padre Gjergj Fishta. Kështu e quan Toninja kushëririn e saj, ndërsa kujton se “kur vinin fretnit te “Arra e Madhe”, shtyheshim si fëmijë të vegjël me i puthë dorën. Mue më dallonte nga të tjerët e më thonte me mësu ma mirë”. Një prej njerëzve të njohur në këtë familje është Filip Fishta, ose siç e quanin ndryshe “mini i bibliotekave”

Shkodra e vitit 1916 është pasqyruar në kartolinat austriake të asaj kohe, ndërsa një pjesë e oficerëve që qëndronin në qytetin veriperëndimor fokusonin në aparatet e tyre veshjet tipike, urën e Bunës, pazarin e vjetër, fëmijët, gratë dhe pamje nga punët e përditshme që ata kryenin. Një pjesë e këtyre kartolinave të pabotuara dei tani, janë ruajtur nga 88-vjeçarja shkodrane Tonine Fishta, e cila, veç historisë së fotove të rralla, ka qenë vetë objektiv i këtyre kartave postale.

Po kështu nën fokusin austriak kanë qenë edhe halla e kushërinjtë e tjerë të saj. Toninja atëherë ka qenë vetëm 2 vjeçe. Kartolinat kanë qenë të botuara në katër ngjyra: Të kuqe të verdhë e të bardhë zezë.

Oficerët austriakë

Në shtëpinë e Fishtajve në vitin 1916 banonin dy oficerë austriakë, njëri prej të cilëve fotografonte të gjithë njerëzit që hynin e dilnin në këtë shtëpi. Djali i xhaxhait të Tonines në atë kohë ishte oficer në ushtri dhe kjo ishte arsyeja që ai kishte ftuar në shtëpi dy prej kolegëve austriakë. Megjithatë, në shkodër të gjithë oficerët austriakë strehoheshin në shtëpitë e qytetarëve. Këta të fundit kishin ndenjur disa kohë te familja e njohur shkodrane dhe më pas ishin larguar. Toninja tregon se për shumë kohë familja e saj dhe dy austriakët kanë mbajtur korrespondencë, por, siç thotë ajo, “kena pasë korresopndencë me ta, por tue qenë kohë lufte nuk dihet fati i tyne, mbasi tue qenë ushtarakë, ku janë mbjell, s’janë korrë”. Në përgjithësi, të gjithë oficerët austriakë që ishin vendosur në qytetin verior, banonin në shtëpitë e vëndësve, duke gjetur mes tyre zakone të reja, një kulturë të re. Disa prej kartave postare të prodhuara në Austri, mbërritën edhe në Shkodër, ndërsa Toninja i ruan me kujdes, pasi aty janë fragmente të historisë së familjes së saj.

Familja Fishta

Fishta është një prej familjeve më të hershme qytetare shkodrane dhe, si e tillë, asaj nuk i mungonin as krushqitë e mira mes të cilëve përmendim atë me Vaso Pashën. Shtëpia e tyre ishte ndërtuar te “Arra e Madhe”, ka qenë një katëshe, me katër shkallë si tipi i shtëpive elbasanase, e rrethuar me një lulishte të bukur dhe me shumë pemë. Padre Gjergj Fishta. Kështu e quan Toninja kushëririn e saj, ndërsa kujton se kur vinin fretnit te “Arra e Madhe”, shtyheshim si fëmijë të vegjël me i puthë dorën. Mue më dallonte nga të tjerët e më thonte me mësu ma mirë”. Një prej njerëzve të njohur në këtë familje është Filip Fishta. Ky i fundit ka studiuar në Fakultetin e Filologjisë në Beograd. Pas diplomimit u specializua në Paris për bibliotekat. Në Shkodër Filipin e thërrisnin “mini i biblotekave”, pra miu i tyre pasi kishte kuriozitet të vizitonte të gjitha bibliotekat europiane. Në kohën e komunizmit, Filipi u dëbua nga Tirana dhe u burgos, por duke pasur nevojë për të e thërrisnin shpesh për përkthime që i nevojiteshin Ndërmarrjes së Librit, apo Bibliotekës Kombëtare.

Mësuesja e merituar

Toninja është gruaja 88-vjeçare që ka ruajtur në foto një pjesë së historisë së saj. Babai i saj, Ndreka, ishte tregtar i vogël e shiste në pazarin e vjetër që nga gjërat ushqimore, deri te kinkalerinat. Po kështu ai mblidhte lëkurë bagëtish dhe i shiste në Trieste e Venedik. Nga martesa e tij pati 6 vajza dhe më e vogla ishte Toninja. Ndreka vdiq i ri duke i lënë fëmijët të vegjël. E vogla kryu shkollën e Normale të Motrave, ndërsa në vitin 1933 u emërua mësuese. Për 33 vjet radhazi ajo ka punuar në shkolla të ndryshme të qytetit e për punë të mirë e frytëdhënëse në edukimin e brezit të ri dhe për metodologjinë e re të punës Tonine Fishta u dekorua me titullin “Mësuese e Merituar”. Tani 88- vjeçarja jeton vetëm me nipin Lukën, ndërsa shoqëruese të saj janë bërë letrat e gjata që ua dërgon jashtë shtetit nipërve dhe mbesave. Të diturit e gjuhës italiane e favorizon Toninen 88- vjeçare të dëgjojë televizor nga kanalet televizive të shtetit fqinj, duke gjetur kështu një tjetër shoqëri.

Fotografitë

Foto e parë e dy grave katolike shkodrane të mbuluara me çarçaf, është bërë nga oficeri austriak që ka ndenjur në shtëpinë e Fishtajve. Çarçafët dominoheshin nga ngjyra e kuqe. Fije bogosije, fija e kuqe ka ardhur nga Anglia, ndërsa fija e bardhë ka qenë prej liri dhe me raste mëndafshi.

Vajzat e veshura me çarçaf janë morta Roza dhe Lezja vajza e xhaxhait të Tonine Fishtës. Kartolinat e ruajtura janë pak të dëmtuara, megjithatë në kartën postale të dytë janë dy gra, kunata, të cilat po endin mëndafshin në shtëpinë e Fishtajve. Në foton e tretë është halla e Tonines me furkë, ndërsa vajza e vogël është pikërisht Toninja apo siç e thërrasin shkurt Tonja 2- vjeçare. “Fëmijët shqiptarë”- është titulluar kartolina tjetër në të cilën janë ekspozuar dy vëllezër, Ludovik e Luigji Gjyshja, e cila pasohet me fotografinë tjetër me fëmijë ku më e vogla është Tonja nga Shkodra, ndërsa më i madhi është Prendi nga Zadrima, një mik i familjes Fishta. Kjo foto pasqyron veshjet e krahinës së Shkodrës dhe ato zadrimore. Këto janë kartat postale të ruajtura nga 88 – vjeçarja shkodrane, foto, të cilat pasqyrojnë fragmente të jetës në Shkodër në vitin 1916.

Kartolina ku ka dalë halla e Tonines me të voglën janë të shkruara disa rreshta që Toninja mundohet të na i shpjegojë. “Grueja me furkë, endë nëpër duert e saja, asht jeta që kalon nëpër mendimet e pafund. Ndërsa vajza e vogël e ka traditën, por nga mendimi i ghyshes ajo nuk kupton asgja… E ardhmja asht ma mendime të lodhuna. Sytë e vajzës së vogël tregojnë optimizëm. Ky është shpjegimi i kartolinës së bërë nga austriakët. Toninja ruan dhe fotografi të bëra nga një prift italian më 1940, i cili banonte po në shtëpinë e Fishtajve. Këto fotografi të pabotuara ndonjëherë mbajnë në vetvete historinë e kulturës shkodrane gjatë Luftës së Parë Botërore, kostumografinë, punët.. dhe këto kartolina na i paraqet Toninja, vajza e vogël që ka qenë objekt i fokusit austriak.

(Fotot nuk kanë cilësi të lartë, pasi janë marrë nga Gazeta Shqiptare on-line)

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT