REVISTA „URTIA“ TRAJTON FENOMENIN E BIOETIKËS NË SHOQËRINË E SOTME

0
744

— nga Shefqet Dibrani, Zvicër, 9 fror 2003.
Urtia

Numri më i ri i revistës “Urtia” 1-2 (15) dhjetor 2002, që e botojnë studentët e teologjisë së ipeshkvisë së Kosovës, përveç anëve religjioze që trajtohen nëpër faqet e saj, temë qendrore e këtij numri është “Bioetika” si një fenomen kulturor që ka provokuar mendimin e çdo kulture, ideologjie dhe religjioni, duke krijuar siç thuhet në studimin e Robert Jakajt një “urë” ndërmjet shkencave humane (filozofike dhe antropologjike) dhe shkencave biologjike. Kjo harkore që i ngjet ylberit i cili puth dy brigjet e ndara, në këtë trajtesë, sikur me mënyrë mekanike janë lidhur përmes një ure duke i bashkuar brigjet e ndara, kurse në rastin konkret “bioetika” na qëndron ajo “ura” ndërlidhëse në mes shkencave humane dhe atyre biologjike.

Bioetika – Jeta njerëzore përballë sfidave të kohës” është titulli i një studimi që e ka bërë Robert Jakaj, kushtuar çështjeve të sotme bioetike në krahasim me jetën njerëzore. Robert Jakaj i lindur më 1978 në Prishtinë, shkollën tetëvjeçare e ka mbaruar në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, pastaj ka maturuar në Gjimnazin Teologjik “Pjetër Mëshkalla” në Shkodër, pastaj ka studiuar filozofinë në Lubjanë kurse momentalisht vazhdon studimet teologjike pranë Fakultetit Teologjik në Messina të Italisë, filial i Universitetit Papnor Salezian-Romë. Ky studim është i paisur me tabela e literaturë duke i shpjeguar besueshëm zhvillimet e kësaj shkence të re, e cila e bashkon termin bio-s në dritën e ethos-it.

Në një prizëm krejt tjetër në kuadër të kësaj çështje bëhen “persiatje teologjike, morale dhe juridike për fenomenin e abortit” autorë të kësaj teme janë Fatmir Pera dhe Zef Ahmeti, deri sa i pari është prift katolik i dioqezës së Kosovës, që ka kryer studimet filozofiko-teologjike në Institutin Filozofiko-Teologjik të Shoqërisë Jezu në Zagreb, Zef Ahmeti (1975), është student i vitit të fundit në Fakultetin Juridik në Universitetin e Sankt Gallenit në Zvicër. Kjo çështje analizohet në detaje të hollësishme, temë e cila trajtohet me sukses si në planin juridik po ashtu edhe në pikpamje teologjike, gjë që e dëshmon edhe literatura e shënuar me mjaftë kujdes, e vendosur në formë fusnotash. Autorët i kanë prezentuar edhe pikpamjet e vendeve të zhvilluara evropiane dhe në SHBA rreth çështjes së abortit duke i kushtuar një kaptinë të veçantë “Rregullimit të abortit në Shqipëri dhe Kosovë”.

Me çështjen e abortit merret edhe studimi i Tereza Salajpal, studiuese e njohur e cila ka specializuar në lëmin e neuropsikiatrisë në Zagreb, si dhe ka kryer funksione me rëndsi në ente e institucione të ndryshme në Kroaci.

Një temë interesante është ajo për “Kodin gjenetik të njeriut” studim i Valentin Pozaiq, jezuit i cili ka doktoruar teologjinë morale në Universitetin pontifikal Gregoriana në Romë, ligjerues i teologjisë morale pranë Institutit filozofiko-teologjik të Shoqërisë Jezu në Zagreb. Autor i shumë punimeve shkencore nga lëmi i bioetikës, etikës medicinale dhe ekologjisë.

Në kapitullin e shkrimeve nga “Tradita” janë me rëndsi të theksohet Ivo Boshkoviq me shkrimin “Nga Shqipëria e vitit 1915” shkrim i publikuar qysh në vitin 1917. Ky shkrim është me interes të veçantë, sepse autori trajton me sukses krijimin e shteteve në bazë të etnive ku një shtet e përbëjnë të gjitha ato troje që kanë një gjuhë e kulturë, gjë që për shqiptarët kjo rregull nuk ka vlejtur sepse sipas tij, po të rrespektohej kjo rregull, Shqipëria do të ishte vend me mbi 2 milion banorë, e jo kaq e tkurrur diku në 800 mijë frymë. Pastaj autori mirret me fatin e kishave në Shqipëri por me një qasje interesante kur shkruan se: “…në seminarin e Shkodrës gjinden 50 klerikë, që i mban Selia e Shenjtë dhe Austria. Kjo është shumë pak. Për t’iu dalë përpara nevojave shpirtërore të popullit, do të duheshin edhe tri herë aq; sidomos tani kur nën Serbi dhe Mal të Zi bashkëfiseve tona u kanoset martirizimi njëqind herë më i madh sesa më parë nën Turqi.

Përveç mostolerancës së madhe fetare heqin shumë keq këtu edhe myslimanët kështu që, këtij dimri, mbi 3000 u shpërngulën prej Malit të Zi, sepse nuk mund t’i durojnë zullumet për shkak të urrejtjes fetare të malazezëve. Prej Serbisë po shpërngulen me një numër edhe më të madh, po ashtu edhe prej Greqisë”. Pavarsisht nga pikpamja e trajtimit fetar ku kryesisht merret me fatin e popullsisë së krishterë, autori qet në pah dredhitë dhe barabaritë serbe, këtu e një shekull më parë. Por, për të plotësuar të vërteten e krimit serb mbi shqiptarët, flet shkrimi në 22 faqet vijuese, studim i gjatë i historianes kroate Ljubica Shtefan me titull “Njëqind e njëzet vjet terror mbi shqiptarët”, botuar në gazetën Vjesnik të Zagrebit nga data 9-17 dhjetor 1997, duke zhveshur lakuriq qëllimet e dhunës serbe në Kosovë, dhe kjo nuk ka ndodhur si një koincidencë rasti, por si njohëse e mirë, duke iu paraprirë ngjarjeve të përgjakshme, vetëm një muaj para se të fillonte lufta në Kosovë.

Në rubrikën “traditë” të revistës është përfshirë edhe shkrimi i Jeton Thaqit “At Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, shkrimi i Peter Bartl përkitazi me “Kriptokrishterizmin dhe format e sinkretizimit religjioz tek shqiptarët” , duke e përmbyllur këtë kapitull me shkrimin e biografisë të Nënës Tereze, Dr. dom Lush Gjergjit me titull “Dashuria do ta shpëtojë botën”.

Kapitulli “Zëri i Kishës”, fillon me një shkrim nga fusha e bioetikës i parë nga prizmi laik “Mbi abortin e qëllimshëm” dhënë në Romë, në selinë e Kongregatës së shenjtë për doktrinën e fesë, 18 nëntor të vitit 1974, në përkujtimin e shenjëtrimit të Bazilikës së shën Pjetrit dhe shën Palit, nga Kard. Franjo Sheper dhe Jeröme Hamer. Poashtu publikohen edhe tri fjalime të Papa Gjon Palit II, drejtuar mjekëve katolikë pjesëmarrës të Kongresit Ndërkombëtar “Medicina dhe të drejtat e njeriut” mbajtur në Romë, më 4-7 korrik 2000, tjetri mbajtur
para pjesëmarrësve të asemblesë gjenerale të akademisë pontifikale për jetën, mbajtur në Vatikan në sallën Clementina më 3 mars 2001 si dhe fjalimi i tretë i mbajtur më 27 shkurt 2002. Në kapitullin “Kulturë biblike”, do të gjindet një fjalor i vogël i kulturës biblike, përgatitur nga Shtjefën Dodes, kurse rubrika “Meditime” niset me fjalët e Nënës Tereze, si dhe mjaftë lutje të tjera të strukturuara në formë poezish, të cilat, këtë përceptim laik e bëjnë mjaft poetik, pa iu shmangur ideve e porosive fetaro-filozofike.

Revista shoqërohet edhe me mjaft recensione për libra filozofiko-fetar si dhe asi të karakterit studimor siç është libri i Zef Mirditës “Religjioni dhe kultet e dardanëve dhe dardanisë në antikë”.

Po ashtu shtojcën e revistës e përcjellin edhe mjaftë dokumente të tjera të botuara qofshin si materiale të shkencave humane, qofshin aso të karakterit fetar.

Revista “Urtia” i ka gjithsejt 210 faqe dhe gati të gjitha shkrimet e karakterit shkencor përcillen me fjalët përmbyllse në gjuhë të huaja, dhe secili material i ka të theksuara literaturen dhe udhëzimet përkatëse, ku janë bazuar dhe në cilën arkivë gjindet dokumenti cituar.

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT