Pashko Gjeçi: “Si e bëra Danten të flasë shqip”

0
8791

— nga Dashnor Kaloçi | Gazeta Shqiptare

Historia e dhimbshme e një prej kollosëve më të mëdhej të letrave shqipe, i cili përktheu Komedinë Hyjnore dhe Odisenë. Diplomimi në Romë dhe burgosja nga komunistët.

Pashko Gjeçi Nuk do të shpreheshim fare gabim po të thonim se janë të pakët ata intelektualë shqiptarë apo dhe njerëz të letrave të cilët e dinë se përkthyesi i famshëm i “Komedisë Hyjnore”, që përbën një prej kryeveprave të letërsisë botërore, apo më saktë njeriu i cili e bëri Dante Aligerin dhe Homerin të “flisnin shqip”, quhet Pashko Gjeçi. Gjithashtu nuk do ta tepronim aspak po të shtonim përsëri se janë të pakët ata shqiptarë që e dinë se ai njeri, është ende gjallë, sa vjeç është dhe se ku jeton.

Madje për t’i dhënë fund këtyre hamëndjeve dhe për t’i qëndruar asaj çka thamë më lart, flet dhe ky fakt: Profesorin e famshëm të lauruar për Filozofi e Letërsi në Universitetin e Romës, ish shokun e bankës të Qemal Stafës, nxënësin e Padër Gjergj Fishtës, kolegun e mikun e ngushtë të Eqerem Çbabejt, Henerik Lacajt, Mark Demës dhe Fejzi Dikës, nuk e njihnin as banorët e shkallës së tij, ndonëse prej më shumë se 20-vjeësh ai jeton së bashku me zonjën e tij në atë apartament fare të vogël, në katin e parë tek “Shallvaret”.

Të habitur nga portreti dhe fiziku që na u shfaq në aparencën e njeriut që na uroi mirseardhjen, as nuk e kishim menduar kurrë se ai për të cilin interesoheshim dhe kishim përfytyrime nga më të çuditëshmet, ishte vetë Pashko Gjeçi që po takohej me ne! Pas prezantimit dhe duke i treguar qëllimin e vizitës sonë, Pashko Gjeçi na u përgjigj jo pa humor: “Të jeni të sigurtë se do ju dëftoj çfarë më kujtohet”. Ndonëse tashmë në moshën 85-vjeçare dhe tepër i lodhur nga peripecitë e streset e një jetë plotë dallgë e shtërngata, kollosi i letrave shqipe me fizik shtatëshkurtër e me portret prej fisniku, i quajtur Pashko Gjeçi, hera-herës na befason me memorjen e tij brilante dhe humorin e hollë të shkodranit tepër intelekt, që përveç të tjerave, është shkolluar dhe në Kolegjin e Jezuitëve.

Në bankë me Qemal Stafën

Pashko Gjeçi u lind në vitin 1918 në qytetin e Shkodrës dhe familja e tij në atë kohë banonte tek “Arra e madhe”. Babai i Pashkos quhej Gaspër dhe në atë kohë ai kishte hapur një dyqan të vogël fare pranë shtëpisë së tij, me të cilin siguronte jetesën. Pas vdekjes së babait dhe një motre të vogël të quajtur Nikolina, Pashko mbeti vetëm me nënën e tij dhe motrën tjetër Margaritën. Pasi mbaroi shkollën fillore me rezultate shumë të mira, ai u regjistrua në Kolegjin e Jezuitëve, të cilën nuk arriti ta mbaronte pasi në atë kohë u mbyllën shkollat fetare. Lidhur me këtë, Pashko Gjeçi dëshmon: “Pas mbylljes së Kolegjit të Jezuitëve të gjithë ne vazhduam mësimet në gjimnazin klasik të shtetit po në qytetin tonë të Shkodrës.

Në atë kohë unë kisha shok të ngushtë Qemal Stafën me të cilin rrinim në një bankë. Po kështu përveç Qemalit, në klasën tonë kishim dhe Nikolla Shurbanin, Xhemal Brojën, Kol Ashtën, Arshi Pipën dhe Lazër Radin, me të cilët gjithashtu kam pasur një shoqëri të madhe. Qemal Stafa dhe Arshi Pipa dallonin nga të gjithë ne shokët e klasës për zgjuarsi dhe inteligjencë, e Qemali ka qenë nxënësi më i mirë që kam njohur në jetën time. Ndërsa unë shkëlqeja kryesisht në lëndën e letërsisë pasi që i vogël isha i dhënë pas sajë, isha shumë i dobët në vizatim të cilat m’i bënin të tjerët e unë i dorzoja si të miat. Në atë kohë mësuesi që kishim më përzemër unë dhe Qemali, ishte Pashko Geci, i cili na jepte greqishten e vjetër dhe latinishten.

Në fillim ai më kishte në patronazh vetëm mua për të më mësuar greqishten e vjetër, por më duke më pasur mua shok të ngushtë, dolën vullnetarë dhe Qemali me Nikolla Shurbanin e të tre arritëm ta mësonim atë gjuhë. Profesor Pashko Geci, m’i blinte librat dhe për të mos më ofenduar se nuk kisha lekë t’ia paguaja, m’i fiste në bankë. Pak kohë para mbarimit të Liceut, Qemali u largua nga klasa jonë se familja e tij u transferua në Tiranë”, kujton Pashko Gjeçi vitet e gjimnazit klasik të Shkodrës ku mësonte së bashku me Qemal Stafën.

Student i Filozofisë në Romë

Pas mbarimit të gjimnazit klasik të Shkodrës me rezultate shumë të mira, në vitin 1938 Pashko Gjeçi fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur studimet e larata në Itali. Lidhur me këtë ai kujton: ” E drejta e studimit për në Itali m’u dha vetëm në sajë të rezultateve që kisha arritur në gjimnazin e shtetit dhe Ministria e Arsimit më akordoi vetëm një bursë shumë të vogël që mezi mund t’i përballoje nevojat e jetesës. Por unë nuk kisha rrugë tjetër dhe isha mjaft i kënaqur që do të shkoja të studjoja në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Romës. Këtë kënaqësi ma shtonte më tepër fakti se bashkë me mua ishin dhe Kol Ashta, Lazër Radi e Luigj Ljarja. Gjatë asaj periudhe që vazhdoja studimet në Romë, unë fillova përsëri të përktheja nga latinishtja apo të shkruaja ndonjë poezi të vogël.

Poezinë dhe përkthimet i kisha pasion që nga bankat e Liceut të Shkodrës dhe ato që shkruaja i botoja në revistën “Cirka” apo “Shkëndia”. Më kujtohet se asokohe unë pata shkruar dhe një artikull për Padër Gjergj Fishtën lidhur me “Lahutën e Malsisë”, të cilën ma botuan në “Hylli i Dritës”. Pasi doli revista unë së bashku me disa shokë të tjerë shkuam dhe ia çuam Padër Gjergjit në studion e tij. Pasi e pa artikullin, Padër Gjergji pyeti: “Kush është ky që paska shkruar për mua?” Ndërsa unë qëndroja pa folur dhe i turpshëm në fund të dhomës e shokët i treguan se isha unë, ai tha: “Ajo grimca atje paska shkruar gjithë këtë artikull?” Kështu dëshira dhe pasioni që kisha për poezinë e përkthimet, nuk mu shua as në Itali dhe ato që shkruaja i nisja për t’i botuar në Shqipëri.

Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë e përfundova në vitin 1943 me rezultate të larta dhe mora gradën Doktor i Shkencave. Nisur nga ato rezultate mua më ofruan që të qëndroja si asistent profesor pranë atij Fakulteti, por unë refuzova dhe u ktheva në Shqipëri. Dëshirën për t’u kthyer në Shqipëri ma nxiti akoma dhe më shumë ish-Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, i cili në atë kohë kishte ardhur në Itali për të marrë pjesë në ceremoninë e dorzimit të diplomave tona. Koliqi më tha: “Kthehu në Shqipëri të japësh kontributin tënd”, kujton Pashko Gjeçi lidhur me diplomimin e tij në fakultetin e Filozofisë në Romë, ku i ofruan të qëndronte si asistent-profesor.

Kthimi në Shqipëri e burgosja

Pas diplomimit në Itali, në vitin 1943 Pashko Gjeçi u kthye në Shqipëri dhe Ministria e Arsimit e asaj kohe e emëroi si profesor të letërsisë dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës, ku ai kishte qenë vetë nxënës pak vite më parë. Edhe gjatë kësaj periudhe e deri në mbarimin e luftës, përveç mësimdhënies në atë gjimnaz, Pashko u muar përsëri me përkthime të cilat i sillte dhe i botonte në Tiranë në revistën “Shkëndia”. Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Pashko vazhdoi të jepte mësim pranë atij gjimnazi deri nga mesi i vitit 1945 dhe më pas ai u transferua në qytetin e Durrësit, ku do të fillonte dhe kalvari i vuajtjeve të tij. Lidhur me këtë, Pashko Gjeçi dëshmon: “Gjatë asaj kohe që punoja si mësues i letërsisë në qytetin e Durrësit, unë kisha miqësi të ngushtë vetëm me familjen e Jusuf Vrionit, të cilët si shumë familje të tjera nga Tirana i kishin internuar atje. Në atë kohë përveç mësimdhënies, isha zgjedhur dhe kryeja edhe funksionin e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për degën e Durrësit.

Nuk e di se si ndodhi, por mbaj mënd se atje më arrestuan, gjoja si i implikuar në një organizatë e cila kishte për qëllim të përmbyste më dhunë pushtetin komunist në Shqipëri. Kjo gjë ishte e gjitha e sajuar nga Sigurimi i Shtetit, ashtu si dhe ajo organizatë për të cilën akuzohesha se bëja pjesë, pasi unë nuk isha marrë asnjëherë me politikë. Në atë kohë përpara meje arrestuan dhe Arshi Pipën po me të njëjtën akuzë siç më kishin arrestuar mua. Gjyqi më dënoi me pesë vjet burg të cilat i bëra kryesisht në Durrës dhe në kënetën e Maliqit ku na dërgonin muajt e verës. Puna atje ishte tepër e rëndë dhe cfilitëse, por unë munda ta përballoja atë dhe gjithë burgun, pasi isha i ri”, dëshmon Pashko Gjeçi, lidhur me arrestimin e tij dhe dënimin me pesë vjet burg, akuzë e cila ishte krejtësisht e sajuar nga Sigurimi i Shtetit.

Përkthimi i Dantes e Homerit

Pas lirimit nga burgu, Pashko Gjeçi u kthye në qytetin e tij të lindjes në Shkodër, ku e priste nëna dhe motra. Lidhur me këtë periudhë ai dëshmon: “Si ish i burgosur politik e kisha të pamundur që të filloja punë si mësues dhe në atë kohë mezi u rregullova në një punë krahu. Pas dy tre vjetëve në atë punë, më lejuan që të largohesha nga vëndlindja ime dhe më sollën në qytezën e vogël të Fushë-Krujës, ku u emërova si mësues në shkollën shtatëvjeçare. Në atë shkollë ku unë dhashë mësim për tre vjet me rradhë, ishim gjithsej katër mësues dhe aty unë vendosa që të përktheja poetin e famshëm italian Dante Aligerin, poezitë e të cilit unë kisha filluar që t’i përktheja që kur isha 17-vjeç në bankat e Liceut të Shkodrës. Që nga ajo kohë përveç Dantes, unë kisha dobësi edhe për Leopradin dhe Safon, poezitë e të cilëve i mbaja gjithnjë me vete. Përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes, unë e mora përsipër për arsye se ai ishte përkthyer edhe në Bashkimin Sovjetik, e përkthyesit të saj i ishte dhënë çmimi “Stalin”.

Për përkthimin e saj unë shfrytëzoja orët e para të mëgjezit para se të fillonte mësimi dhe çdo ditë hidhja në letër nga katër vargje në gjuhën shqipe. Disa prej këtyre vargjeve, në mos gaboj ato të “Ferrit”, unë ia tregova mikut tim të ngushtë Llazar Siliqit, i cili i botoi menjëherë në revistën “Nëntori”. Ndonëse ato u pëlqyen mjaft dhe u vlersuan nga shumë njerëz dashamirë, kritika e asaj kohe heshti, sepse nuk mund të shkruante për një ish të burgosur politik. Meqënse i kisha vënë detyrë vetes që ta përktheja me çdo kusht Danten, vazhdoja të punoja çdo ditë dhe kishte raste që për një varg më duhej tre katër ditë punë. Pasi kisha përkthyer mijra vargje në ato tre vjet, katër vargjet e fundit i kam përkthyer një ditë të shtunë kur tre kolegët e mi kishin shkuar në Tiranë. Ato i mbarova aty rreth orës katër të mëgjezit dhe kur i mbarova, mu duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm”, kujton Pashko Gjeçi atë çast kur mbaroi së shkruari në shqip një nga kryeveprat e letërsisë botërore, “Komedinë Hyjnore” të Dante Aligerit.

Vlerësimi nga Enver Hoxha

Pasi e mbaroi së përkthyeri poetin e famshëm italian, Pashko Gjeçi u konsultua me mikun e tij të ngushtë Llazar Siliqi, i cili i sugjeroi që t’i bënte një letër Enver Hoxhës, ku t’i parashtronte të gjitha problemet që kishte. Për këtë Pashko Gjeçi kujton: “Në atë kohë i shkrova një letër Enver Hoxhës, ku i bëja të ditur se kisha në dorë përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligerit dhe se për përfundimin e saj kisha nevojë që të studjoja në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe të konsultohesha me kolegë e studjues, për t’u marrë mendimet. Pas asaj letre Enver Hoxha dha urdhër që unë të transferohesha në Tiranë, ku të më bëhej dhe pashaportizimi. Kur erdha në Tiranë, në fillim qëndrova tek familja e djalit të xhaxhait, Ernest Gjeçit dhe më pas mora një dyqan të vogël me qera aty prapa Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilin e adaptova për banesë. Në atë kohë me ndihmën e Llazar Siliqit, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” e botoi të plotë përkthimin tim “Komedia Hyjnore”.

Pas asaj pata përgëzime të shumta nga miq e shokë, siç ishin profesori im Pashko Geci, Mark Dema, Henerik Lacaj dhe sidomos nga profesor Eqerem Çabej, i cili më vinte shpesh në shtëpi”, kujton Pashko Gjeçi lidhur me peripecitë që kaloi për të botuar përkthimin e Dantes, që u bë i mundur vetëm në sajë të ndërhyrjes së Enver Hoxhës. Pasi “Komedia Hyjnore” pa dritën e botimit në gjuhën shqipe, Pashkon e sistemuan me punë si profesor në Universitetin e Tiranës, ku ai dha lëndën e latinishtes deri sa ajo u hoq nga programi mësimor në fillimin e viteve 70-të. Në atë kohë Pashkon e dërguan si redaktor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, ku ai dhe doli në pension në vitin 1977. Nga ajo kohë ai kujton me respekt miqësinë me kolegun Llazar Siliqi, por dhe atë me nxënësin e tij Pëllumb Xhufi, për të cilin shprehet: “Ka kenë një nga nxënësit më të mirë dhe më të sjellshëm që kam pasur”.

Për kontributin që Pashko Gjeçi kishte dhënë në përkthimin në gjuhën shqipe të dy prej kryeveprave të letërsisë botërore, në vitin 1979 me porosoi nga lart u urdhërua Komiteti Ekzekutiv, që t’i jepte atij një apartament banimi. Por gabimisht autorizimi i shtëpisë iu dërgua Pashko Gecit, i cili hyri në shtëpinë e re. Kur shkuan për t’i kërkua falje Pashkos për gabimin e bërë, ai iu tha: “Le ta gëzojë Pashko Geci atë shtëpi dhe nuk bën me ia marrë, sepse ai ka kenë profesori im ma i mirë”. Që nga ajo kohë, kur Pashko Gjeçi refuzoi të merrte shtëpinë, që gabimisht ia kishin dhënë ish-profesorit të tij, ai banon aty në atë apartament të vogël, (tip bodrumi) tek “Shallvaret” dhe pret që të shohin dritën e botimit disa nga përkthimet e tij, si “Fausti” i Gëtes, “Hamleti” i Shekspirit, “Andromaka” e “Atalia” të Rasinit, të cilat ai nuk i kujton se kujt ia ka dhënë për botim.


PERKTHYESI I RRETHUAR NGA HARRESA

Pashko Gjeçi, të sfidosh duke heshtur

Pashko Gjeçi në familje Tamtamet e mediave nuk ranë dy javë më parë, edhe pse përkthyesi më i madh i gjallë i gjuhës shqipe kishte 84-vjetorin e lindjes. Askush nuk trokiti në apartamentin, te pallatet e Shallvareve, ku ngrys ditët Pashko Gjeçi. Për të bota e këtushme ka perënduar prej kohësh, rron vetëm në kujtesën e tij. Prej vitesh nuk e kujton më askush, as shoqëria e as miqtë e dikurshëm. E harruan që kur ra në burg, e gjithnjë i venin rrallë e më rrallë. I vetmi që grishte harresën ishte Eqerem Çabej.

Sot shumkush e di në anën tjetër të vdekjes. Në këtë harresë më 7 qershor festoi edhe lindjen e tij. Megjithëse kurrë tamtamet nuk kanë rënë për të, Pashko Gjeçi bën pjesë ndër ata intelektualë që nuk e la veten të rrëmbehej nga ai pesëdhjetëvjetësh ndeshjesh të fëlliquara në emër të pushtetit.

I rrethuar me heshtje endi shkronjë pas shkronje udhën drejt përjetësisë. Ndryshe nga shumë njerëz që rreken të ecin duke u zvarritur në emër të karierës, Pashko Gjeçi kurrë nuk e bëri këtë. Vepra që ai krijoi e ngjiti në majën e Olimpit të letërsisë shqiptare, edhe pse nuk është zvenitur kurrë me lavde dhe çmime. Përgjatë dyzet vjetëve ka jetuar në një dhomë shumë të ngushtë, sipër apartamentit të tanishëm. Aty ka përjetësuar emrin e tij, megjthëse në ngrysje të kësaj jete nuk ndihet mirë me shëndet. Këtë askush nuk e di. Ashtu siç pak vetë e dinë që “Komedia hyjnore” erdhi nga Pashko Gjeçi.

Ferrparajsa e Pashko Gjeçit

Përkthimi ka qënë kurdoherë ai i thjeshti, që s’i gjendej muzë në Parnas që t’i bëhej krah. Në këtë formë ka ardhur dhe Dantia në gjuhën shqipe. Me sa duket çdo njeri që pas lë një emër të mirë ka një fat të çiditshëm. Kur e arrestuan më 4 shtator të vitit 1947, ” për fajin pjesëmarrje në grup kundër pushteti”, Pashko Gjeçin e kyçën për tre muaj në një dhomë izolimi. Me tu mbyllur porta metalike, pas shpinës së tij drita mbeti përjashta. Në ditët e para, i mbështjellë nga kundërmimi i lagështirës nuk arrinte të përceptonte hapësirën. Kurr terri nisi ta mbështjellë, endi me emër shpirtërat e ferrit. Edhe pse jo plotësisht e botur, vepra e përkthyer e Pashko Gjeçit nuk shkohet lehtë nëpër duar. Madje edhe vetë Noli nuk mori përsipër të përkthente Danten. Nasho Jorgaqi thotë se “i bërë propozim Nolit por ai nuk e mori përsipër”. E ndërsa Pashko Gjeçi e shqipëroi nga qelitë e ferrit të diktaturës komuniste.

Kush është Pashko Gjeçi

Lindi në Shkodër më 7 shtator të vitit 1918. Mbaroi shkollën e Jezuitëve si dhe gjimnazin Jezuit në qytetin e lindjes. Nga pedagogët kujton me nderim të madh Eqerm Çabejn, Pashko Gecin. Që në moshë të re, aty nga viti 1934, përktheu disa poezi të poetit italian, Xhakomo Leopardi. Në shkollë mëson mirë italisht, më pas në gjimnaz, greqishten e vjetër dhe latinishten, gjuhë në të cilat përktheu mrekullitë e letërsisë botërore. Në vitin 1938, me gjysmë burse të siguruar nga qeveria e asja kohe, regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë. Pashku gjithnjë kujton me kënaqësi leksionet e prof. Ernest Koliqit edhe pse shoqërimi me të do të kushtonte në atëdhe 5 vjet burg . Me 15 korrik të viti 1942 diplomohet Doktor në Letërsi.

Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947, ndalohet me akuzën “Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit”. Në lirim e trasferojnë në Fushë Krujë ku punoi shumë gjatë për përkthimin e “Purgatorit” dhe të “Parajsës”. Kur Noli nuk e mori përsipër përkthimin e Dates në prag të 700-vjetorit të poetit të madh, ata të shtëpisë botuese iu drejtuan sërish Pashko Gjeçit. Kështu që në vitin 1960 u botua kantiku i pare, ajo pjesë e parë e komedisë “Ferri”. Veprës nuk u bë ndonjë jehonë e madhe. Por ish-drejtori i shtëpisë botuese në atë kohë, Nasho Jorgaqi, thotë se shqipërim të tillë mund të bënte vetëm Pashko Gjeçi. Menjëherë pas botimit të “Komedisë hyjnore” nisi të përkthente “Odisenë”. Të gjitha honorarët e “Komedisë” i harxhoi në ato ece-jakjet Tiranë-Durrës. A thua se ishte në ndjekje të Homerit për të krijuar “Odisenë” në shqip.

Nasho Jorgaqi: Jemi të padrejtë ndaj Pashko Gjeçit

Përkthimi i Dantes ishte një ngjarje jo vetëm për letersinë, por edhe për kulturën tonë kombëtare. Duhet t’i jemi mirënjohës këtij përkthyesi shumë të zotin, por tepër modest. Megjithëse ka sjellë në shqip kryeveprat e letërsisë botërore, kurrë nuk u kujdes për emerin e tij. Në heshtje të plotë, ashtu në vetmi përktheu veprën më të vështirë të letërsisë, që edhe Noli nuk e mori përsipër. Ashtu në vetmi të plotë e gjeje shpesh Pashkun tek përsëriste trecinat e Dantes. Duhet t’i jemi mirënjohës Pashko Gjeçit, madje prej vitesh jemi treguar të padrejtë me të. Është në nderin e Ministrisë së Kulturës të nderojë Pashko Gjeçin, tani që është ende gjallë.

Edmond Tupja, Pashkun do ta krahasoja me Nolin

Pashko Gjeçi ka sjellë në shqip mrekullirat e greqishtes së vjetër. Këtë nuk e ka bërë dhe s’ka për ta bërë njeri tjetër. Pashku me përkthimet që u ka bërë kryeveprave të letërsisë botërore ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë shqiptare. Në fushën e përkthimeve është ndër më të mirët, unë do ta krahasoja me Nolin. Për atë çfarë i ka lënë letërsisë shqiptare mendoj se do të ishte në nderin e Ministrisë së Kulturës dekorimi i Pashko Gjeçit. Mendoj se këtë duhet ta bëjë tani në mënyrë që Pashko Gjeçi të mos ketë fatin e Vedat Kokonës dhe Isuf Vrionit të cilët u dekoruan pas vdekjes.

Në fakt ky është një paradoks shqiptar, sepse më shumë janë të huajt që njohin vlerat tona se sa ne vetë. Përshembull, të dy përkthyesit që përmenda janë vlerësuar më parë nga të huajt e më pas nga ne. Kështu që them se është në nderin e Ministrisë së Kulturës të respektojë figura të njohura të letrave shqipe. Megjithesë edhe pa këtë respekt të istitucioeve, Pashko Gjeçi ka endur në vetminë e tij emrin që i siguron përjetësinë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.