Muzhani, njeriu që i ktheu Shkodrës historinë e munguar

0
3614

— nga Dashnor Kaloçi, Gazeta Shqiptare – 05-06.06.2003

Historia e panjohur e intelektualit Nikolin Muzhani i cili punoi një dekadë për botimin albumit fotografik ku paraqitet e kaluara e nacionalistëve shkodranë që ishte fshirë nga komunistët.

Një nga metodat më të preferuara që përdori në mënyrë kostante regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga ardhja në fuqi në dhjetorin e 1944 e në vijimësi, ndaj dy forcave politike rivale të tij, Legalitetit dhe Ballit Kombëtar, ka qenë manipulimi dhe falsifikimi i historisë. Pas dhjetorit të vitit 1944, kur komunistët triumfatorë e mbyllën kapitullin e luftës me armë kundër ballistëve dhe legalistëve, ata vazhduan kundër tyre luftën propagandistike duke angazhuar tërë arsenalin shtetëror që dispononte regjimi në fuqi.

Në këtë luftë propagandistike kundër ish rivalëve të saj, komunistët u kujdesën që të fshinin njëherë e përgjithmonë nga memorja historike gjithshka që kishte lidhje me ato dy forca politike, duke filluar që nga lufta që kishin zhvilluar ballistët e legalistët kundër pushtuesit nazifashit etj. Në këtë kontekst ishte edhe kujdesi që treguan komunistët për të sekuestruar apo grabitur të gjitha dokumentet, dorëshkrimet, fotografitë apo materialet e ndryshme me vlera arkivore e historike të të gjitha familjeve apo personave të veçantë që u goditën prej tyre duke u arrestuar, burgosur, internuar e pushkatuar. Aq të kujdesëshëm ishin komunistët në atë punë, sa që nuk mund të gjendet qoftë edhe një njeri i vetëm që të dëshmojë se ai është arrestuar me akuza politike prej tyre dhe nuk i është bërë kontroll banese për sekuestrimin e dokumenteve dhe fotografive që dispononte. Me anë të sekuestrimit të fotografive sidomos të atyre me karakter historik, regjimi komunist synonte që të fshinte nga kujtesa kolektive të gjithë luftën që kishin bërë ballistët e zogistët dhe të mos ngelej asnjë foto e vetme për dokument që mund ta dëshmonte atë gjë të cilën ata e kishin fshirë edhe nga historia zyrtare e librat e ndryshëm.

Në këtë luftë propagandistike komunistët ia arritën qëllimit dhe gjatë gjithë periudhës afro gjysëm shekullore që ata qëndruan në pushtet, jo vetëm që asnjë fotografi e çetave balliste apo zogiste nuk u botua në librat e historisë apo në gazetat e revistat e ndryshme, por edhe mbajtja e një fotografie e tillë nga cilido person, ishte shumë e rrezikshme dhe gjetja e saj të kushtointe disa vite burg apo pushkatimin. Nisur nga ky fakt, pjesa më e madhe e familjeve “reaksionare” që u goditën nga regjimi komunist dhe përfunduan burgjeve apo internimeve, u kujdesën që t’i fshihnin nga faqja e dheut dokumentet, dorëshkrimet e fotografitë e ndryshme familjare, duke i fshehur ato në mënyra nga më të pabesueshmet dhe një pjesë tjetër për të shpëtuar kokën i asgjesuan ato duke i djegur.

Vetëm pas viteve ’90 me shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, u bë e mundur dalja në dritë e një pjese të historisë së munguar të popullit shqiptar, pjesë e së cilës pa dyshim ishin edhe dy forcat politike Legaliteti dhe Balli Kombëtar. Përveç dokumenteve të shumta me karakter historike që disponoheshin nga arshiva e shtetit, për ato dy forca politike, dolën në dritë dhe një numër i madh dokumentesh të disponuara dhe të ruajtuar për disa dekada me rradhë nga ato familje apo persona të konsideruar si armiq të pushtetit popullor. Një nga ata persona që u mor me hulumtimin e mbledhjen e dokumenteve dhe fotografive të ndryshme me karakter historik, ishte edhe intelektuali shkodran Nikolin Muzhani, familja e të cilit u përfshi dhe u godit në mënyrën më barbare nga vorbulla e luftës së klasave. Për afro dhjetë vjet me rradhë, nga 1991 e deri në 2001, Nikolin Muzhani e përqëndroi punën e tij në mbledhjen e dokumenteve dhe fotografiive të ndryshme historike ku paraqitej organizata politike e Ballit Kombëtar dhe në veçanëti ajo e degës së Shkodrës, gjë të cilën ai e konkretizoi me grumbullimin e dhjetra e dhjetra fotografive ku pasqyrohej më së miri historia e gjallë e asaj organizate nacionaliste, e panjohur më parë për publikun e gjerë.

Atë punë kolosale, Nikolin Muzhani e përfundoi me hartimin e botimin e një albumi tepër luksoz të titulluar “Album Balli Kombëtar Shkodër”, i cili doli nga shtypi në vitin 2000. Por në atë album i cili u prit mjaft mirë nga publiku i gjerë, Nikolin Muzhani pretendoi të mbetej anonim dhe nuk e shënoi emrin e tij në kopertinën e albumit. Atë punë të nisur prej vitesh, Nikolin Muzhani nuk e la në mes por vazhdoi të mblidhte sërish materiale dokumentare e fotografi të ndryshme, me mendimin për të botuar pjesën e dytë të tij. Por ai nuk ia arriti dot qëllimit, sepse u nda nga jeta më 15 qershor të vitit 2002 dhe atë punë që Nikolini e la ta pambaruar, e përfundoi dega e partisë së Ballit Kombëtar të Shkodrës, nën kujdesin e Mentor Qukut, drejtorit të Muzeut Historik të Shkodrës. Në botimin e pjesës së dytë të albumit, Mentor Quku bëri edhe parathënien e tij duke shënuar edhe emrin e Nikolin Muzhanit, autorit të vërtetë të atij albumi, që padyshim, veç të tjerash i ka sjellë Shkodrës një pjesë të historisë së saj që i kishte munguar prej një gjysëm shekulli.

Kush ishte Nikolin Muzhani

Nikolin Muzhani lindi në Shkodër më 5 dhjetor 1931, në familjen e shquar shkodrane Muzhani. Figura të shquara të kësaj familjeje janë të njohura për aktivitetin tregtar, për transportin detar si dhe në jetën ekonomike, politike e fetare të vendit. Për shkak të aktiviteteve të shquara, e gjithë familja e Nikolinit u persekutua nga diktatura komuniste në mënyrën më barbare. Kështu ajo familja jo vetëm që u shpronësua dhe iu nënshtrua sekuestrimeve e taksave të jashtëzakonshme, por edhe u burgos e u internua në kampet e burgjet komuniste, duke filluar nga nëna Vitore dhe babai Zef Muzhani, e gjithashtu motrat dhe vëllezërit. Mësimet e para dhe studimet deri në shkollën e mesme, Nikolini i mori në qytetin e lindjes në Shkodër. Për shkaqe politike ai u përjashtua nga shkollat e Shqipërisë kur ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme pedagogjike në qytetin e Shkodrës. Ndonëse ai ishte një njeri i talentuar dhe si autodidakt fitoi kulturë të gjerë, u detyrua të punonte në ferma, në kantjere, në hidrocentralin e Ulzës, në kantjerin e Superfosfatit në Laç etj. Më pas ai punoi si punëtor në qytetin e Durrësit, ku edhe mori maturën e shkollës së mesme që ia kishin ndërprerë jashtë dëshirës së tij.

Më pas duke përfituar nga një depression i luftës së klasave, Nikolini u regjistrua në degën e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Tiranës, ku dha edhe provime për dy vitet e para, por u përjashtua prej andej, për shkak të biografisë. Kohët e fundit ai shërbeu në Parkun e Tregtisë në Shkodër ku punoi si mjeshtër elektroauto. I pajisur me një edukatë patriotike dhe me një vullnet e karakter të forte, ai u angazhua në jetën politike në periudhën e tranzicionit, duke u renditur fuqishëm në krahun e djathtë të spektrit politik shqiptar. Ai ishte anëtar i partisë “Balli Kombëtar” që në filimet e rikrijimit të saj, duke milituar në Degën e Shkodrës. Po ashtu ai mori pjesë si delegat në Kongresin e Tetë të Partisë “Balli Kombëtar”, të mbajtur në Tiranë më 16-17 maj 1993, si edhe në Kongresin e Nëntë që u mbajt po në Tiranë më 31 maj dhe 1 qershor 1998. Gjatë gjithë asaj kohe ai dha një kontribut të shquar duke u zgjedhur në postet më të larta të kësaj partie.

Megjithëse i sëmurë rëndë, Nikolini nuk u tërhoq për asnjë moment, deri sa vdiq, duke kryer me kurajo e profesionalizëm detyrat e tij të larta, si Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë “Balli Kombëtar”, Anëtar i Kryesisë së Degës së Shkodrës së kësaj Partie, ku kreu edhe detyrën e Sekretarit Organizativ të saj. Gjithashtu ai ka dhënë një kontribut të shquar në organizimin e strukturave të partisë “Balli Kombëtar” jo vetëm në Shkodër, por edhe në degët e Tropojës, Hasit, Kukësit, Mirditës, Lezhës, Malësisë së Madhe, si edhe në Kosovë. Nikolin Muzhani u nda nga jeta më 15 qershor të vitit 2002. në vëndlindjen e tij në qytetin e Shkodrës, dhe vepra që po botohet është frut i njohurive e pasionit të tij për historinë e Shqipërisë, si dhe i angazhimit që ai kishte për gjurmimin e dokumentave të historisë së “Ballit Kombëtar” të periudhës së Luftës të Dytë Botërore. Përveç këtyre, Nikoloni la edhe shumë dorëshkrime të tjera me mjaft interes”.

Mentor Quku: Ja vlerat e albumit

Albumi i dytë i Nikolin Muzhanit, të cilin ai nuk pati fatin që ta shihte të botuar, ka një parathënie e cila është bërë nga Mentor Quku, drejtori i Muzeut Historik të Shkodrës, i cili veç të tjerash ka qenë edhe një ndër njerzit që e ka ndihmuar më shumë Muzhanin në punën e tij. Në atë parathënie, Mentor Quku ka shkruar: “Kam një kënaqësi të veçantë sot që shoh të hyjë në rrugën e realizimeve një prej planeve më ambicioze të partisë “Balli Kombëtar”, Dega e Shkodrës, ai i botimit të veprave me karakter historik të “Ballit Kombëtar”. Kjo degë duke qenë në pararojë të lëvizjes për fuqizimin dhe modernizimin e partisë “Balli Kombëtar”, me shumë të drejtë ka pse të krenohet për botimet e shumta që ka bërë në drejtm të ndriçimit të historisë së saj gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Këtu mund të përmendim ribotimin e veprave të Mit’hat Frashërit “Mallëngjimi” dhe “Plagët Tona”. Gjithashtu u botuan Albumi i Ballit Kombëtar Shkodër, libri “Një vështrim i ri i Luftës së Reçit”, si dhe ribotimi i librit të studiueses nga Prishtina, Sabile Çekmezi (Basha), “Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë 1945-1947”.

Jemi pikërisht në këtë pistë, tani kur po realizojmë botimin e vëllimit të dytë të Albumit “Balli Kombëtar”- Shkodër. Eshtë një ndërmarrje ambicioze që po ecën përpara me guxim dhe po sfidon kohën me gjithë vështirësitë e pengesat e tjera. Autori i këtij botimi është politikani dhe historiani, Nikolin Muzhani i cili u nda nga jeta para pak ditësh. Në momentin që po shkruaj këto rradhë, e ndjej dhe e vuaj së tepërmi mungesën e një prej bashkëpunëtorëve të mij më të ngushtë e më të devotshëm, autori i kësaj vepre historike, i cili ka krijuar një boshllëk në radhët e partisë “Balli Kombëtar”. Kam dëshirë ta konceptoj këtë parathënie si një përmendore në kujtim të Nikos, mikut dhe shokut tim të ngushtë. Ai ka meritën e veçantë sepse, megjithëse i sëmurë prej tetë vitesh nga një sëmundje e pashërueshme, nuk u tërhoq për asnjë moment, po punoi me devotshmëri për partinë e “Ballit Kombëtar”, për Shqipërinë që aq shumë e deshti. Përveç se një politikan i klasit, ai ishte një studiues autodidakt i historisë sonë kombëtare.

Kishte trashëguar një bibliotekë të pasur të cilën edhe e kishte pasuruar vetë. I pajisur me një inteligjencë natyrale si dhe me interesa për historinë e kombit, ai me raste të ndryshme përpunoi kumtesa dhe vepra me karakter historik, që u dalluan për seriozitetin e tyre. Në këtë drejtim paraqet interes mbajtja nga ana e tij e kumtesave në seminare shkencore. Kohët e fundit ai mbajti një kumtesë mjaft interesante në seminarin e organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, me rastin e 62 vjetorit të themelimit të Partisë “Balli Kombëtar”. Punimet e tij historike ishin frut i pasionit të tij për historinë e kombit dhe sidomos për korrigjimin e padrejtësive të mëdha që iu bënë historisë së “Ballit Kombëtar”, si dhe i njohurive të gjera, i aktivitetit të tij gjurmues në arkiva e familje të dokumenteve e materialeve të ndryshme.

Ja vlerat e albumit

Eshtë pikërisht rezultat i këtij angazhimi serioz të Nikolin Muzhanit, botimi i këtij numri të dytë të Albumit të “Ballit Kombëtar” Shkodër. Nikolin Muzhani është ideatori edhe i albumit të parë të kësaj serie, por dëshira e tij ishte që të mbetej anonim sepse ishte në natyrën e tij që të punonte pa u krenuar për kontributet e tij. Kësaj rradhe ne shokët dhe bashkëpunëtorët e tij e kemi për detyrë që të kujdesemi që vepra e tij të përfaqësohet realisht ashtu siç është në të vërtetë. Duke marrë përsipër botimin e kësaj vepre ne realizojmë një amanet të shokute mikut tonë të shtrenjtë Nikolin Muzhanit. Ne premtojmë se do të vazhdojmë edhe më tej këtë botim serial. Ne nuk do lejojmë të mbesë në gjysëm të rrugës puna e shokut tonë. Thirrja që bëri autori i kësaj vepre në parathënien e numrit të parë më 25 prill 2000 gjithë lexuesve për të ndihmuar për pasurimin e Albumit me dokumente të reja e të panjohura dha rezultatet e veta. Autorit i erdhën shumë materiale fotografike dhe dokumente, revista të “Ballit Kombëtar” të kohës së luftës, materiale të diasporës etj. Një pjesë të tyre, autori i albumit, i përfshiu në këtë botim të ri.

Përmendim fotografitë e rralla dhe të çmuara të dhuruara nga ballisti nga Përmeti, Hasan Ismail Sakollari, i cili i ka sjellë nga toka ku i ka ruajtur të mbështjella me plasmas, fotografi nga Xhemal Alimehmeti nga Tirana, nga Tanush Mulleti, nga Shkëlqim Vogli nga Kavaja etj. Janë me interes të veçantë fotografitë që Hasan Ismail Sakollari i ka ruajtur nga diktatura komuniste. Janë fotografi të kërkuara për shumë kohë që në Shkodër nga ana e autorit, të cilat me një këmbëngulje të madhe arriti t’i zbulojë në familjet nacionaliste të Përmetit. Eshtë fjala për fotografitë e delegatëve të krahinorit të Shkodrës në Kongresin e “Ballit Kombëtar” në Berat më 3-6 janar 1944. Janë gjithashtu disa fotografi të rralla të çetave balliste të Shkodrës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dëshiroj të falenderoj zotërinjtë Isa Sekni, Basri Elezi, Hadi Bushati, Sadetin Kopliku, Ermal Dervishi etj për ndihmën që kanë dhënë në gjetjen e fotografive dhe dhënien e informacioneve që bënë të mundur botimin e këtij albumi. Ato janë një dëshmi konkrete që provojnë të kundërtën e asaj që kanë shkruar historianët e tipit Xhemil Frashëri, për 50 vjet, duke stigmatizuar “Ballin Kombëtar” me urdhër të Enver Hoxhës e të emisarëve jugosllavë.

Ndihmesa e tyre merr një kuptim të veçantë, sot kur pseudohistorianë të tipit të Xhelal Gjeçovit po nguten të nxjerrin versionin e tyre “të ri” të historisë së popullit shqiptar, me synimin për të çimentuar, me disa stukime, variantin e tyre marksist-leninist të kahmotshëm. Por nga ana tjetër po lind një brez i ri historianësh e studiuesish që duke gërmuar në arkiva, po zbulojnë dokumente mbi bazën e të cilave po shkruajnë të vërtetën historike të Shqipërisë. Bile vërehen edhe në rrethet akademike një grup historianësh si profesorët Sherif Delvina, Muharrem Dezhgiu, Beqir Meta, etj të cilët po shkruajnë me objektivitet vepra të rëndësishme që tregojnë të vërtetën e historisë së shtrembëruar të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Këto historianë po thonë me guxim të vërtetën mbi nacionalizmin shqiptar, duke bërë thirrje për një shtet kombëtar shqiptar. Ato kanë treguar me fakte historike se shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë agresorë dhe pushtues të trojeve të huaja.

Nacionalizmi shqiptar ka qenë në shekuj njerëzor duke treguar vlerat e kulturës dhe të traditave të itj. Ky album është kompozuar nga autori si një vepër me akribi shkencore, ku dominojnë sqarime e deçitura të goditura të mbledhura me durim e kurajo. Ajo plotëson në një farë mënyre numrin e parë të kësaj serie që pa dritën e botimit dy vjet më parë. Ajo merr përsipër të botojë faksimile të dokumenteve të partisë “Balli Kombëtar” të kohës së Luftës. E shohim me vend planin e autorit për t’i bërë vend, në fund të Albumit, një kapitulli më vete me fotografi e dokumente që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me historinë e “Ballit Kombëtar” të Shkodrës. Qëllimi i autorit ka qenë që të ngacmojë dhe të vejë në punë edhe degë të tjera me tradita historike për “Ballin Kombëtar”, si Tirana, Kavaja, Vlora, Librazhdi, Elbasani, Tropoja, Gjirokastra etj. Gjithashtu autori ka synuar të vazhdojë punën e nisur në diasporë për dokumentet dhe botimet e shtypit të partisë. Në këtë kapitull miks është përfshirë edhe ndonjë dokument që flet për përpjekjen për të mbajtur në këmbë partinë “Balli Kombëtar” në Curraj të Epër të Tropojës në vitet ’60. Ftojmë ato që kanë mundësi të ndihmojnë me foto e me dokumente për të bërë të mundur botimin e numrave të tjerë të këtij seriali”, thuhet në parathënien e albumit të Muzhanit, nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Mentor Quku.

Ideja për albumin

Ndërsa në parathënien e albumit tjetër të përgatitur nga dega e partisë së Ballit Kombëtar të Shkodrës, thuhet: “Ideja për krijimin e këtij albumi, lindi që në fillim të viteve ’89, atëhere kur në Shqipëri u hapën dyert për instalimin e pluralizmit politik. Që nga ajo kohë, propaganda neokomuniste ka hedhur në treg mendimin, se në Shkodër nuk ka patur traditë të Ballit Kombëtar. Diktatura komuniste i vrau, i burgosi, i internoi e i shpronësoi ballistët. Përmes luftës së klasave, pogromeve, bastisjeve zbuloi, zhduku e sekuestroi shumë nga dokumentet, fotografitë dhe faktet materiale, që provonin historinë e Ballit Kombëtar të Shkodrës. Një pjesë e ballistëve emigruan jashtë shtetit për t’iu shmangur një lufte civile. Një pjesë u torturuan nëpër 24 burgjet e famshme të Sigurimit të Shtetit, që funksiononin vetëm në qytetin e Shkodrës. Kështu ballistët e Shkodrës në fillim të viteve të demokracisë u ndodhën pa historinë e tyre, pa arkivat, pa dokumente të të vërtetës së tyre, u ndodhën përballë një historie dhe një letërsie plot mashtrim.

Të luftuar, të shpronësuar dhe të persekutuar, ballistët u ndodhën nën presionin e neokomunistëve të drejtuar nga strategu antikombëtar Ramiz Alia, i cili deklaronte: “Nuk mund të lejojmë partinë e Ballit Kombëtar dhe të legalitetit. Edhe bar do të hamë, edhe gjak do të derdhim dhe këtë nuk do e lejojmë”. Në përpjekjet e Ballit Kombëtar të Shkodrës, për identitetin e vet politik, për të punuar për organizimin e modernizimin e vet si parti fleksibile, që përpiqet të përmirësojë gjendjen e rëndë ku është zhytur vendi, departamenti i propagandës, ka punuar me durim për të mbledhur dokumente, fotografi, si dhe vlera të tjera materiale të mbledhura e të ruajtura me kujdes nga ballistët, është përpjekur të rindërtojë struktruat e historinë e Ballit Kombëtar. Ky album përpiqet të paraqesë një pjesë të identitetit dhe të historisë së ballistëve të Shkodrës. Balli Kombëtar u krijua në Shkodër më 31 gusht 1939. Ishte një organizatë pluraliste themeluesit e së cilës ishin intelektualë me ide demokratike e ndjenja atdhetare. Ballistët shkodranë ishin organizatë e pjesëmarrës aktivë në të gjitha demonstratat, ishin në ballë të qëndresës kundër pushtuesve të huaj.

Eshtë kuptimplote fakti që ndërsa kriste pushka, mes plumbave të armikut, pranë trupit të plagosur për vdekje, të komunistit Vaso Kadia, ishin ballisti Zef Staku, bashkë me komunistin Reshit Rusi që e dërguan atë në spital. Demonstrata më e madhe antifashiste në Shkodër qe ajo e 26 korrikut 1943, ku në krye ishin ballistët me kryetarin e Rinisë së Ballit Kombëtar profesor Mustafë Dervishi. Vetëm pse aty u vra kryetari i Rinisë së Ballit, profesor Mustafë Dervishi, ajo nuk u përmend fare në shtypin komunist. Cinizmi më i madh qe se edhe nëse në ndonjë rast u shkrua për të, u tha se në këtë demonstratë “u vra njëfarë ballisti”. Për këtë demonstratë nuk foli asnjë dokument i PKSH, asnjë trakt komunist i kohës, ndërsa Balli e nxori traktin brenda ditës si dhe në gjashtë mujorin e vrasjes. Balli Kombëtar vendosi edhe një pllakë përkujtimore të cilën e thyen komunistët. Për luftën e Reçit, e cila u zhvillua më 30-31 gusht 1943, ku luftën kryesore e bënë çetat balliste të komanduara nga Jup Kazazi, forcat e ushtrisë kombëtare të Ulqinit të udhëhequra nga drejtuesit e Ballit Kombëtar Fuat Dibra, Zenel Kazazi, forcat legaliste si dhe çetat popullore, nuk u tha asnjë fjalë nga shtypi komunist i kohës, asnjë fjalë nga kronikat e kohës, asnjë trakt. Ndërsa Balli Kombëtar botoi menjëherë raportin në shtypin e vet klandestin të kohës.

Më vonë Luftën e Reçit e përvetësuan komunistët, të cilët përmes historiografëve të tyre e quajtën atë si vepër vetëm të partizanëve. Ata ose e mohuan rolin e Jup Kazazit në Luftën e Reçit, ose e paraqitën si bashkëpunëtor të pushtuesit. Po citojmë një pjesë nga shkresa rezervate e 3 shtatorit 1943. ku Prefektura e Shkodrës i raportonte zyrës politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme me shkresën rezervat 396/4 (AQSH, Filmi 1870, nr.4): “Kemi nderin t’ju njoftojmë se operacionet e ushtrisë kundër çetave rebele të Jup Kazazit me shokë kanë filluar më datë 30 të muajit të kaluar në orën 4 të mëngjesit dhe ushtria u tërhoq më datë 31.8.1943”. Në gjithë tekstin e këtij raporti të kohës nuk thuhet asnjë fjalë për luftën e partizanëve kundër ushtrisë. Raporti i Qarkorit të Ballit Kombëtar për Luftën e Reçit dorëzuar për shtyp sqaron se forcat balliste të udhëhequra nga heroi legjendar Jup Kazazi, nuk bashkëpunuan me forcat e pushtuesit, as nuk tradhëtuan focat partizane, por përkundrazi luftuan me vetmohim duke bartur peshën kryesore të luftës. Në kronikat e luftës të botuara nga “Zëri i Popullit”, nuk përmendet Lufta e Reçit, ndërkohë kur aty kemi të botuara kronikat përmbledhëse të muajve gusht-shtator 1943. Vetëm në Dukagjin vepronin tre batalione të Ballit Kombëtar të komanduara nga Mark Sadiku, Ndue Pali dhe Pjetër Mehmet Shpendi.

Ndërsa komunistët shkonin në Kosovë për të shtypur lëvizjen kombëtare për t’ia shitur Kosovën Serbisë, në korrik 1943, të rinjtë idealistë të Ballit Kombëtar të Shkodrës shkonin në Kosovë për të luftuar me çetnikët serbo-malazezë. Botimi i këtij albumi përbën provën e parë për të paraqitur ata burra, djem e vajza nacionaliste shkodrane që punuan me përkushtim për çlirimin e vendit, pa dallim krahine, feje e ideje. Këto dokumente janë vetëm grimca të vogla që i kanë shpëtuar rrebeshit të egër të kohës, si dhe luftës së klasave. Kryesia e Ballit Kombëtar, dega Shkodër, kërkon të falur për mangësitë që ka ky album, për arsye që nuk varen nga ne. Për shumë persona e ngjarje, Balli Kombëtar është në kërkim të të dhënave shkencore, dokumenteve e fotografive që do zenë vend në ribotimin e këtij albumi. Shpresojmë që mangësitë do t’i plotësojmë me angazhimin e të gjithë atyre për të cilët është e shtrenjtë kauza e Ballit Kombëtar. Ftohen të gjithë ato që do e lexojnë këtë album dhe që kanë mundësi të ndihmojnë për pasurimin apo botimin e tij, të bien në kontakt me kryesinë e Ballit Kombëtar në Shkodër”.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.