“Ndue Kasneci, dukagjinasi që erdhi si diversant në shtëpinë e tij”

0
4809

— nga Dashnor Kaloçi, Gazeta Shqiptare

Dëshmia e 61-vjeçarit Mëhill Kasneci: “Në vitin 1951, axha jonë që ndodhej i arratisur në Jugosllavi, erdhi vet i shtati në shtëpinë tonë në Kir dhe pasi mori babën Nikën, ikën përsëri”.

Ndërsa mua me nanën, Dranen, Katrinën e vogël tre ditëshe dhe një motër tjetër tonën, që nuk ishte më shumë se dy vjeçe, forcat e Sigurimit na morën me vete dhe duke ecur nëpër dëborë, na ndaluan në fshatin Xhan të Pultit, ku na mbajtën për disa ditë të izoluara në një shtëpi. Pas disa ditëve ne na lejuan të ktheheshim në shtëpinë tonë e cila kishte mbetur vetëm me katër muret. Nga që nuk na kishin lënë asnjë shtroje dhe mbuloje, unë me nanën dhe dy motrat e vogla, u detyruam të flinim duke u futur në pluhurin e ngrohtë të dhive diku në një cep të shtëpisë.

Dy tre ditë më pas, motra jonë e vogël dy vjeçe, Lezja, vdiq nga të ftohtit dhe uria, pasi nga frika e njerëzve të Sigurimit, fshatarët e tjerë nuk vinin dot në shtëpinë tonë për të na marrë me fjetë në shtëpitë e tyre apo për të na dhanë ndonjë gjë për të ngrënë”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është 61-vjeçari Mëhill Kasneci nga fshati Kir i Pultit të Dukagjinit, i cili rrëfen të gjithë historinë e dhimbëshme se si u masakrua familja e tij nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, për arsye të arratisjes nga Shqipëria të axhës dhe babës së tij, Ndue dhe Nik Kasneci.

Familja Kasneci nga Kiri

Origjina e familjes Kasneci është nga fshati Kir i krahinës së Pultit të Dukagjinit dhe shtëpia e tyre ka qenë mjaft e dëgjuar në të gjithë atë trevë të Veriut të Shqipërisë, prej të parit të tyre, Mëhill Gjon Palit, i cili ka qenë një figurë mjaft e njohur për luftrat që ka bërë kundër forcave serbo-malazeze. Një prej atyre betejave të famëshme ku pati marrë pjesë Mëhill Gjon Pali, ka qenë ajo që njihet në histori, si: Lufta e Gurit të Kuq, ku mbetën të vrarë mjaft ushtarë serbë.

Lidhur me këtë dhe qëndrimin e familjes gjatë periudhës së Monarkisë dhe pushtimit nazifashist të vëndit, Mëhill Kasneci dëshmon: “Që nga krijimi i shtetit shqiptar në vitin 1912, e më pas gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, familja jonë Kasneci nuk u përzie asnjëherë me punët e politikës, por shikoi hallin e saj për të përballuar varfërinë e tejskajshme që e kishte pllakosur atë. Aty nga viti 1943, zyra e rekrutimit e nënprefekturës së Dukagjinit, e thirri nën armë babën tonë, Nik Kasnecin, të cilin e mobilizoi në frontin e luftës me Greqinë në kufijtë jug-lindorë të vëndit. Gjatë asaj lufte, Nika u dallua për kryerjen me korrektese të detyrave ushtarake që iu ngarkuan dhe pas përfundimit të saj ai u dekorua nga Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.

Por përveç babës, Nikës, që mori pjesë në rradhët e ushtrisë, gjatë periudhës së Luftës, e gjithë familja jonë nuk u përzie fare në punët e politikës, duke mos u bashkuar as me forcat partizane dhe as me forcat nacionaliste të Ballit dhe Legalitetit. Por këtë rregull, e prishi axha jonë, Ndue Kasneci, i cili aty nga fundi i vitit 1944 dhe fillimi i vitit 1945, iku në Bjeshkët e Shoshit dhe u bashkua me forcat e major Gjergj Vatës, ish-Qarkomandantit të Shkodrës që ishte arratisur në male dhe luftonte kundër forcave komuniste, së bashku me një grup të vogël njerëzish ku ndër më besnikët kishte dy kapitenët, Mark Mala dhe Pal Thani. Pasi qëndroi disa kohë në male së bashku me ta, axha Ndue u kthye përsëri në shtëpi dhe kjo gjë shënoi edhe përplasjen e parë të familjes sonë me regjimin komunist të Enver Hoxhës”, kujton 61-vjeçari Mëhill Kasneci lidhur me të kaluarën e familjes së tij.

Arratisja e Ndue Kasnecit

Aty nga viti 1946, njërin nga vëllezërit Kasneci, Markun, e thërritën për t’u paraqitur pranë zyrës së rekrutimit të Qarkut të Shkodrës, për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Por në vënd të tij, aty u paraqit i vëllai i tij, Nduja, të cilin e mobilizuan menjëherë dhe fillimisht e caktuan në një nga repartet e Garnizonit të Shkodrës. Lidhur me këtë dhe peripecitë që kaloi më pas Ndue Kasneci, nipi i tij, Mëhilli dëshmon: “Pasi e mbajtën disa kohë në një nga repart ushtarake të qytetit të Shkodrës, axhën Ndue e transferuan në Jugë të Shqipërisë duke e caktuar në Korpusin e Përmetit.

Gjatë asaj periudhe që Nduja qëndroi në atë repart ushtarak të Përmetit, ai filloi të fliste hapur me shokët e tij, duke shprehur pakënaqësi ndaj regjimit komunist dhe forcave partizane të cilat kur kishin kaluar në zonën tonë, kishin bërë krime të shumta duke ekzekutuar njerëz të pafajshëm. Si rezultat i kësaj, axha Ndue u arrestua nga njerëzit e Sigurimit duke u akuzuar për agjitacion e propagandë. Pas kësaj Nduen e mbajtën për gati dy vjet nëpër qelitë e errta të Kalasë së Gjirokastrës ku ai u torturua në mënyrën më çnjerzore, saqë kur shkonte baba jonë, Nika, për më e pa, ata nuk ja kallzojshin duke i nxjerrë lloj-lloj justifikimesh. Pas dy vjetëve, Nduen e liruan, pasi ai përfitoi nga amnistia e gjerë që dha qeveria asokohe për të dënuarit politik që u konsideruan si viktima të Koci Xoxes.

Pasi u lirue dhe erdhi në shtëpinë tonë në fshatin Kir të Pultit, axha Ndue, nuk qëndroi më shumë se dy tre javë, pasi në shkurtin e vitit 1948, së bashku me një grup të madh dukagjinasish, ai iku e kaloi kufirin shtetëror dhe doli në Jugosllavi. Në atë grup me të cilin u arratis axha Ndue, bënion pjesë dhe Gjeto Marku i Pecajt, i cili njihej si familje bajraktarësh, Vuksan Vata, si dhe Age Voci, vajza e bajraktarit të Kirit që familja jonë e kishte kojshi. I gjithë ai grup ku bënte pjesë dhe Nduja, e kaloi kufirin shtetëror në vëndin e quajtur Maja e Qafë-Pejë-Theth dhe ikja e tyre, sikurse u tha atëhere bëri një bujë shumë të madhe deri në qarqet më të larta në Tiranë”, kujton Mëhill Kasneci lidhur me arratisjen e axhës së tij, Ndue Kasnecit, në shkurtin e vitit 1948, i cili së bashku me një grup fshatarësh të tjerë nga Dukagjini kaluan kufirin shtetëror dhe dolën në Jugosllavi.

Raprezaljet e Sigurimit tek Kasnecët

Buja e madhe që bëri arratisja e grupit të dukagjinasve, i dha shkak organeve të Sigurimit të Shtetit për të kryer raprezalje të shumta në atë krahinë të thellë të Veriut të Shqipërisë. Lidhur me këtë, Mëhill Kasneci kujton: “Pa kaluar as dy-tre ditë nga arratisja e axhës Ndue, forca të shumta të Sigurimit mësynë zonën e Dukagjinit duke bërë raprezalje të mëdha nëpër të gjitha familjet e atij grupi që u arratis edhe axha jonë. Një pjesë e atyre forcave të Sigurimit, erdhën edhe në fshatin tonë në Kir, ku pasi na bastisën të gjithë shtëpinë, u sollën në mënyrën ma shtazarake me ne që na gjetën aty dhe nanën tonë, Dranen, e cila kishte në gji motërn tonë të vogël, Katrinën, (kishte vetëm tre ditë që kishte lindur) e tërhoqën zvarrë për krahësh nëpër dëborën që kishte ngrirë kallkan.

Pasi bënë një kontroll të imët nëpër të gjitha skutat e shtëpisë, ata e na i morën të gjitha plaçkat që kishim dhe e lanë shtëpinë vetëm me katër muret. Pas kësaj ata arrestuan babën tonë Nikën, së bashku me vëllanë e tij, Markun dhe të dy i morën me vete për t’i dërguar më pas në Degën e Brendëshme të Shkodrës. Ndërsa ata të dy i nisën për në Shkodër, unë me nanën, Dranen, Katrinën e vogël tre ditëshe dhe një motër tjetër tonën, (Lezen) që nuk ishte më shumë se dy vjeçe, forcat e Sigurimit na morën me vete duke ecur nëpër dëborë dhe na ndaluan në fshatin Xhan të Pultit. Aty na mbajtën për disa ditë të izoluara në një shtëpi dhe më pas na lejuan që të ktheheshim përsëri në shtëpinë tonë në Kir, e cila dukej sikur i kishte rënë flaka.

Pasi u kthyem në shtëpinë tonë e cila kishte mbetur vetëm me katër muret, nga që nuk na kishin lënë asnjë shtroje dhe mbuloje, unë me nanën dhe dy motrat e vogla, u detyruam të flinim në tokë duke u futur në pluhurin e ngrohtë të dhive diku në një cep të shtëpisë. Dy tre ditë më pas, motra jonë e vogël dy vjeçe, Lezja, vdiq nga të ftohtit dhe uria, pasi nga frika e njerëzve të Sigurimit, fshatarët e tjerë nuk vinin dot në shtëpinë tonë për të na marrë me fjetë në shtëpitë e tyre apo për të na dhanë ndonjë gjë për të ngrënë, Nisur nga ajo gjëndje mjaft e vështirë ku u ndodhëm ne, dajat e mi nga fshati Gimaj i Shalës erdhën dhe më morën mua, ndërsa nana me motërn e vogël. Katrinën qëndruan aty në shtëpi”, kujton Mëhill Kasneci lidhur me raprezaljet që bëri Sigurimi i Shtetit në shtëpinë e tyre në shkurtin e vitit 1948, pas arratisjes për në Jugosllavi të axhës së tyre, Ndue Kasneci.

Arratisja e Nik Kasnecit

Babanë e Mëhill Kasnecit, Nikën së bashku me vëllanë e tij, Markun, pas arratisjes së vëllait tëv tyre, Ndues, i morën nga Dega e Brendëshme e Shkodrës dhe i internuan në kampin e Kalasë së Porto-Palermos. Pasi qëndroi për tre vejt me rradhë në atë kamp, Nik Kasnecin e liruan prej andej dhe ai u kthye në shtëpinë e tij, në fshatin Kir, ku ndodhej bashkëshoirtja e tij, Drania së bashku me vajzën e vogël, Katrinën. Por edhe pas lirimit nga internimi, njerëzit e Sigurimit nuk e lanë Nik Kasnecin, që të shmallej me familjen e tij. Lidhur me këtë, i biri i tij, Mëhill Kasneci dëshmon: “Pas lirimit nga kampi i Porto-Palermos, baba, Nika, erdhi në shtëpinë tonë në Kir, por aty nuk qëndroi më shumë se një muaj e gjysëm, sepse iku dhe u arratis nga Shqipëria e doli në Jugosllavi.

Pak ditë para se të arratisej, Operativi i Sigurimit i zonës sonë, Kapiten Hasan Haxhija, i kërkoi Nikës, që “të punonte për shtetin”. Por baba iu përgjigj atij duke i thënë: “Unë dhe familja jeme nuk kem punue kurrë për asnjë qeveri, as për Zogun dhe as për njeri tjetër. Prandaj në rast se më keni liruar për këtë punë, më çoni përsëri atje ku isha” dhe ia vuri duart përpara kapitenit të Sigurimit, duke i lënë të kuptonte se ai më mirë pranonte prangat se bashkëpunimin me ta. Pas kësaj bisede, Kapiten Hasan Haxhija, i la babës të nënkuptonte se ai nuk kishte rrugë tjetër, veçëse të arratisej nga Shqipëria. Kështu, duke e parë gjëndjen e vështirë në të cilën ndodhej, baba vendosi që të arratisej edhe ai nga Shqipëria.

Por kjo gjë u realizua vetëm në korrikun e vitit 1951, kur axha Mark, që ishte i arratisur në Jugosllavi, kaloi kufirin dhe veti i shtati erdhi në fshatin tonë dhe e mori babën me vete e doli përsëri në Jugosllavi. Bashkë me axhën Ndue, në grupin e tij që erdhi fshehurazi në shtëpinë tonë në Kasnec, bënin pjesë edhe Kol Sokoli nga fshati Gimaj i Shalës, Mëhill Zefi nga Micaj, Gjon Marashi nga Gimaj, Vuksan Vata, Lulash Gjoni i Xhanit dhe një tropojan që nuk ia mbaj mënd emërin. Kur erdhën me marrë babën, ata ishin të veshur si ushtarë të ndjekjes dhe qëndruan për një kohë të gjatë në një vënd të fshehtë diku afër shtëpisë sonë. Aty në atë vënd, baba u bashkua me ta dhe menjëherë i gjithë grupi u çua e iku për në drejtim të vëndit të quajtur Kodra e Kujes në Plan dhe pasi ecën për tre javë duke udhëtuar vetëm natën, kufirin e kaluan në Maja-Pejë të Thethit”, kujton 61-vjeçari Mëhill Kasneci lidhur me arratisjen e babës së tij, Nikës, në korrikun e vitit 1951.

Vrasja e Ndue Kasnecit në Dragobi

Pas arratisjes së Nik Kasnecit, në shenjë hakmarrje, të vëllait të tij, Markut, që ndodhej i internuar në Tepelenë që nga viti 1948, ia shtuan edhe për tetë vjet të tjera kohën e internimit. Ndërsa Nik Kasneci pasi fitoi statusin e azilanitit politik dhe qëndroi për disa kohë nëpër shtete të ndryshme të Europës Perendimore, më në fund iu dha e drejta për të shkuar në SHBA. Ndërsa Nika ndodhej ende nëpër kampet e emigrantëve politikë, më 16 gusht të vitit 1952, i vëllai i tij, Nduja, së bashku me tre katër vetë të tjerë, kaloi kufirin shtetëror dhe duke tentuar të futej në Grykën e Dragobisë, mbeti i rrethuar nga forcat e Sigurimit. Bashkë me Nduen, në grupin që kishte ardhur me mission të fshehtë për të parë situatën në vënd, para zbarkimit të grupeve parashutiste, bënin pjesë dhe Ndue Noshi nga Mërturi, si dhe një tjetër nga Komuna e Komanit.

Ata të tre luftuan për gjithë natën deri sa mbetën të vrarë nga plumbat u ushtarëve të forcave të ndjekjes, që kishin rrethuar gjithë vëndin. Më pas trupat e tyre pa jetë i morën dhe i lanë për tre ditë me rradhë përpara Degës së Brendëshme të Tropojës deri sa iu dolën krimbat dhe më pas i groposën në një vënd të panjohur që nuk është gjetur edhe sot e kësaj dite. Ndërsa axha Ndue mbeti i vrarë dhe pa varr, e axha tjetër, Marku mbeti internimeve, me babën tonë Nikën që ndodhej në emigracion politik në SHBA, ne nuk mundëm të kontaktonim dot deri në vitin 1991 kur ai u kthye përgjithmonë në Shqipëri”, e përfundon Mëhill Kasneci, historinë tragjike të familjes së tij e cila për më shumë se 40-vjet me rradhë vuajti nga lufta e tmerrëshme e klasave.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.