Ndrek Luca – madhështia e thjeshtësisë

0
958

— nga Rikard LJARJA

“Ndreka nuk kishte bërë ndonjë shkollë të veçantë për aktor, por dhuntit e tij të pafundëme aktorjale që ia kishte falë Zoti me bollëk, bënë shumë shpejt që ti besoheshin role të dorës së parë”.

Në një ditë të zakonëshme si gjithë ditët e tjera, u ngrit herët, bëri ritualin e mëngjesit mori biçikletën, një “Bianchi” femrash të zezë të paraluftës së Dytë Botërore që i sherbeu pothuajse gjithë jetën për të shkurtuar rrugët dhe për të kursyer kohën, futi nën sqetull një trastë dhe doli për të bërë pazarin…

U kthye rreth orës njëmbëdhjetë. Në njerën dorë trastën me ato që kishte blerë, në tjetrën biçikletën dhe ngjiti shkallët deri në aprtament.

Pas pak vdiq.
Thjeshtë.
Nga një goditje në zemer.

***
Në vitet ’50, unë isha tepër i vogël dhe kisha vesin që të ndalohesha i hutuar me orë të tëra para dyqaneve të zanatçijve që ishin me shumicë në atë kohë, si teneqexhi, saraç, bakraxhi, nallban, samarxhi, mjeshtër qendistarë rrobash popullore që të ulur këmbëkryq çorronin sytë në imtësirat e filigramave të kostumeve që ishin vepra të verteta arti, aty në dyqanet e tyre me taraba të ulura, para syve të kalimtarëve, blerësve dhe para hutaqëve si puna e ime të habitur nga çuditë e krijimit dhe të punës.

Në vitet ’50 kishte edhe vetrina të mëdha me xham që tregtonin stofra, argjendari, ëmbëlsira… por këto nuk më tërhiqnin.

Një ditë gjatë proçesioneve të mia të zbulimit, njohjes dhe kënaqësisë që ndjeja, i hutuar tërësisht nga xixat që lëshonte hekuri i skuqur kur e rrihte në kullë një farkëtarë që verë e dimër mbante veshur një kanatjere të trashë leshi, u kujtova që isha vonuar dhe si gjithmonë do të haja të bërtiturat e nanës sime për vonasat që bëja.

U nisa me vrap për në shtëpi.
Pa pritur u detyrova të ndaloj tek një vetrinë me xham të madh. Diçka e pazakontë më kishte detyruar të ndaloj aty pa vullnetin tim.
Nga përtej xhamit dikush po më shikonte me ngulm.
Vesi i im i të hutuarit para dyqaneve fitoj mbi frikën e të beriturave të nanës.
Ishte dyqani i fotografit Jakova.
Në vetrinë ishin tri fotografi të mëdha në kornizë. Tre portrete.
Njeri, ai që ishte në krahun e djathtë timin, këtë e mbaj mend mirë, më kishte ngulur sytë dhe diçka donte të më thoshte.

Pas pak hodha shikimin tek dy fotografitë e tjera: Ishin dy portrete të dy djemve me flokë të lëpirë, që u shkëlqenin nga brilantina dhe me nga një buzëqeshje të sforcuar ala Rudolfo Valentino ngjeshur mbi lëkurë të fytyrës.
Ndjeva neveri.
Ai portreti djathtas ishte me uniformë ushtarake.
Nuk e harroj atë shprehje fytyre. Në buzët e tija, në sytë e tij shkrepja e aparatit fotografik, kishte ngrirë atë që donte të më thoshte.
Kam ndej gjatë atë ditë (ishte mbasdreke) para asaj fotografije.
I ngurtësuar.
Kam kaluar prap disa ditë më vonë, dhe prap jam ndaluar gjatë.

Nuk e di pse! Nuk e di pse mu ngulit në mendje, sa edhe sot e kësaj dite, nuk e harroj atë burrë që më shikonte nga ajo fotografi, nuk e harroj atë shikim: Sy të fortë që të depertonin, sy të qeshur që shihnin larg, sy të mirë, sy të vendosur… Në atë portret oficeri kishte gjithshka: mirësi, zemer të madhe, zgjuarsi, vendosmëri, vullnet të paepur…

Shkova disa herë para asaj vetrine dhe u ngula para asaj fotografije me atë fizionomi që të mbërthente, që të knellte, që bënte një kontrast të jashtëzakonshëm me ato dy fotografitë e tjera me ata djemt me flokë që sapo ua kishte lëpirë lopa…

Më dukej se më shikonte përmes xhamit të vetrinës dhe se donte të më thoshte… Nuk e di, nuk e merrja vesh se ç’farë donte të më thoshte.. diçka… diçka si një premtim… Prandaj më tërhiqte ai portret në atë fotografi.
Sa herë ndaloja para asaj vetrine, sepse fillova të shkoj më shpesh, filloj të më krijohej përshtypja se tanimë ai burri aty në fotografi (në fakt ai nuk ishte burrë, por një djalë i ri) dhe unë, ishim bërë miq të mirë. Mbushesha me energji dhe vrapoja si i çmendur drejtë shtëpisë. Ai portret kishte aftësinë të më trazmetonte energji të brëndëshme.

Për shumë kohë kam menduar se vetëm mua më ndodhte kështu me atë portret oficeri në vetrinën e fotografit Jakova.

Sot jam i bindur se ai portret me kapele oficeri në vetrinën e fotografit Jakova, kishte një forcë të jashtëza- konshme shprehse, jam i bindur se edhe të tjerëve ashtu si mua që rrija si guak para tij, do tu jetë dukur se diçka donte tu thoshte…

… Dhe vertetë vite më vonë, ai portret u tha të gjithëve gjithshka me një forcë të jashtëzakonshme. Gjithshka nga shpirti i tij i fortë, i papërkulur, nga shpirti i tij i mirë, nga shpirti i tij polemik, nga shpirti i tij i mbrujtur me legjendat e fisit të malit që e lindi, nga shpirti i tij i dlirë dhe pafundësisht i lirë.

Zoti i kishte falë me bollëk këtij njeriu dhunti që shumë kush ëndërron ti ketë.

Në një prej ditëve, kur unë fëmijë kundroja përtej xhamit të vetrinës së foto Jakovës atë portret, që tashmë kisha krijuar një intimitet të fshehtë me te, mora guximin dhe pyeta dikë.

– Kush ësht ky oficeri?

Më thanë një emër: NDREK LUCA.

Pasi mora vesh emrin, shpejt mësova se ishte me origjinë nga Dukagjini, se ishte rritur në Shkoder në shtëpinë e Gjonajve (si qiraxhi) perkarshi Kishës së Madhe, se kishte qenë e ëma që kishte ngulur këmbë që të gjenin një shtëpi perkarshi Kishës së Madhe, kur kishin zbritur nga Dukagjini prej urisë që kishte pllakosë atë krahinë të vorfën, të egër dhe krenare, se ëma dhe ati ishin rropatë ta rrisnin, ta shkollonin, se të zotët e shtëpisë perkarshi Kishës së Madhe ishin njerëz shumë të mirë, dhe se njëri prej tyre me mbiemrin Gjonaj ishte aktor në teatrin e Shkodrës…

Më thanë që Ndreka njihej mirë në rrethet e djemve të rinjë të asaj kohe që merreshin me lexime dhe dije, se kishte qenë në Beograd në Akademinë e Aviacionit, se mëqë ishim prishur me Jugosllavët, ishte kthyer në Shqipëri si gjithë studentët e tjerë, se tashti ishte në Tiranë dhe se nuk donte më të ishte oficer, por donte të bëhej aktor i Teatrit Popullor.

Në Shkoder, kur një njeri binte në sy për mirë, merrej vesh gjithshka përnjëherë.
Peripecitë që hoqi për tu larguar nga ushtria dhe për tu bërë pjestar i Teatrit Popullor, nuk mi tha njeri. Me siguri nuk kanë qenë të vogla.

***

Ndreka nuk kishte bërë ndonjë shkollë të veçantë për aktor, por dhuntit e tij të pafundëme aktorjale që ia kishte falë Zoti me bollëk, zgjarsia, intuita, fantazia, kultura e përgjithshme dhe vullneti i paepur, bënë shumë shpejt që ti besoheshin role të dorës së parë dhe emri i tij të re- nditej në emrat e mëdhenj të Teatrit Popullor.

Këto kanë ndodhur heret.

Kur në vitin 1965 unë u ndodha për herë të parë përball tij si partner, u befasova edhe nga një karakteri- stikë tjetër e mrekullueshme e tij.

Unë sapo kisha dalë nga ”veza”, kurse ai ishte aktori i afirmuar plotësisht që kishte luajtur shumë e shumë role në teatër dhe në një film rolin e një heroit me sukses të jashtëzakonshëm. Pritsha – ashtu mendoja unë – njeriun e ftohtë që e di mirë se është personalitet (në faktë ishte), njeriun që mbanë distancë, që të sheh nga lart poshtë, artistin fodull etj. etj.

Përkundrazi, pashë njeriun që nga vetrina e foto Jakovës më kishte premtuar diçka, dhe se unë dhe ai ishim miq të lashtë e të mirë.

Ndrek Luca nuk vuante nga “kompleksi i duartro-kitjes” dhe kjo tregonte se ai ishte një njeri me sens më se të qartë në raportin e tij me punën dhe rolin, me partnerin, me regjisorin, me spektatorin, me dashamirësit që i kishte me shumicë në gjithë shqipërinë, kudo, në rrugë, në dyqan, në fshat, në kafene…

Ndrek Luca dinte të qeshte bukur.
Ndrek Luca dinte edhe të debatonte bukur.

Me temperamentin e tij të jashtëzakonshëm, dhe me ndershmërin e tij të kristaltë që buronte nga edukata dhe kultura familjare dhe e tokës që e lindi, ai nuk pranonte asnjë lloj hipokrizie, demagogjie a kompromisi.
Dikujt, apo disave mund të mos u pëlqente ajo që thoshte Ndreka drejtë, pa dredha, pa mbaskuptime e nenkuptime. Por shpesh ata bëheshin shumë. Dhe kur ata bëheshin shumë, Ndrek Luca kthente kokën dhe i linte, nuk i përfillte, përpiqej ti harronte.

Ai kishte shumë punë, nuk kishte kohë të merrej me fjalë e fjalime.

Ndrek Luca dinte të dëgjonte dhe të bindej. Ishte një nder aktorët më korrekt.

Ndrek Luca dinte të transformohej mjeshtërisht dhe në mënyrë të jashtëzakonshme nga roli në rol.
Ndrek Luca nuk harronte as imtësitë më të parëndësi- shme në dukje, deri tek një rekuizitë personale e vockël por që tipizon.

Ndrek Luca ishte i vertetë dhe i besueshëm në atë që bënte para spektatorit në sallën e teatrit dhe para kameras në sheshin e xhirimit.

Ai dinte të ndante interpretimin në teater nga ai në kinema.

Ndrek Luca kishte një zë që e përdorte në fungsion të ç’do figure që mishëronte dhe i jepte frymë.
Ndrek Luca sakrifikoi disa herë shëndetin e tij në punë.

Ndrek Luca kishte një energji fizike të pashterrshme që s’dihet nga i buronte, me gjithë se hante shumë pak.
Ndrek Luca njeriu-artist ishte madhështia e thjeshtë sisë.

Në gjithë këto sa thashë nuk teprova asgjë nga figura e njeriut-mjeshtër. Mund të kem lenë pa thënë shumë. Flas, jo si nxënës i tij, jo si partner i tij, jo si regjisor i tij, jo si mik i tij. Përpiqem të flas si profesionist, si i zanatit dua të them.

Per fat të keq kohët e fundit fjalët janë keqpërdorur shumë, kanë humbur vlerën kuptimore duke shkruar kot, për njerëz kotnasikoti që s’kanë bërë asgjë profesionale në jetë që ti shërbejë të gjithëve. Prandaj e kam të vështirë ti ve cilësorët që meriton vertetë Ndrek Luca. Të gjithë mbiemrat cilësorë, epitetet që mund ti vihen një artisti të kompletuar, ai ia ka dhënë vetes me vullnetin e jashtëzakonshëm, me dhuntit e tija të lindura, me talentin dhe hirin e tij.

Ai ishte në majë të majës së lavdisë artistike dhe (unë nuk çuditem aspak) ishte më i thjeshti në punë, në jetën përditshme.

Ndrek Luca ishte shqiptar i vertetë në të gjitha kuptimet. Rozafa dhe Gjergj, dy emrat e qellimshëm të fëmijve të tij janë kuptimplotë. Nuk po hy më thellë.

***

Rastësit me mua kan qenë të habitshme.

Dua të dëshmoj se Ndrek Luca, aktori i etur për punë, aktori që nuk ngopej me role, çuditërisht rolin që luan në filmin ku për herë të parë unë jam partner me të e refuzoj. Nuk i di arsyet. Nuk pata kurr guxim ta pyes për këtë refuzim.

Ishte ky refuzim, rastësia që unë hyra në kinemato-grafi.

Në atelje gjithshka ishte gati për ti bërë kinoprovë një kandidati, që ishte kryesori deri në atë çast, për të fituar rolin e heroit.

Ai ishte veshur, kishte bërë grim, dritat ishin vënë etj, etj.

Kinoprova nuk po fillonte. Njerzit filluan të merziten mbas disa orë pritje. Erdh një çast kur duke parë nervozizmin që ishte krijuar nga pritja e gjatë mora guxim dhe pyeta:

– Pse nuk fillojnë?
– Nuk vjen Ndrek Luca. Nuk e do rolin – më thanë.
– Po kjo kinoprovë, – pyeta – bëhet për Ndrekën apo?…
– Jo, Ndreka e ka rolin pa kinoporvë, por dikush duhet të ndihmojë për tekstin, dhe Ndreka do të ishte mirë se është roli i tij.
– Po deshët po e ndhmoj unë me tekst që të mbaroni punë për sot…

Ranë dakord menjëherë. Vesha veladonin e priftit, i mora syzet grimjorit Llazar Kënutit, gjeta aty rrotull në rrekuizitë një libër lutjesh dhe me dy tri prova gjihshka ishte gati. Kinoprova u xhirua.

Të kishte ardhur Ndreka, nuk do ta kisha ndihmuar atë kolegun tim, sepse do të ishte Ndreka që do të bënte punën e tij.

Pra Ndreka nuk e donte atë rol.

Kur u panë kinoprovat, rolin ma besuan mua, sepse kisha bërë një provë për rolin e heroit, dhe kur zevendësova Ndrekën për të ndihmuar kolegun tim, kisha bërë edhe një ”kinoprovë” për antagonistin. Siç dukej u kisha pëlqyer si aktor me gjithë difektet e mia, si kurrizi pak i kërrusur, nofulla pak shtrembër…

Ndreka u detyrua të vinte ta luante rolin që nuk e donte, me një shkresë nga Ministria e asaj kohe, që pak a shumë kishte si përmbajtje: Të mos i paguhet rroga në teater nëqoftëse nuk shkon në kinostudio të luaj… etj. etj.

Si? Rroga!? Hë!

Kështu Ndreka, atë premtim që donte të ma thoshte që nga vetrina e foto Jakovës kur unë isha ende fëmijë, më në fund e realizoj…

Kështu filloj jeta e jonë hoteleve, maleve e fushave, në diell e në shi, në ngricë e në vapë për shumë vite.
Të kisha dhuntinë e skulptorit me gjithë shpirtë do të të bëja një monument o Ndrekë. Jo se punova gjatë me ty, jo se isha kolegu i yt, jo se ziheshim nganjëherë, jo se isha miku i yt.

Por sepse ti i dhe kaqë shumë artit skenik e kinema-tografik, ti i dhe shikuesve anë e mbanë Shqipërisë aqë shumë vlera të verteta e të mirëfillta profesionale nga shpirti i yt i fortë, i lirë e i dlirë, dhe more shumë pak.

Ti ishe vertetë i madhërishm në thjeshtësinë tënde.

Makar një pllakë ku të shkruhet: Këtu lindi NDREK LUCA duhet të vihet. Kjo nuk të bën nderë ty. Kjo na bën nder ne të gjithëve dhe qytetit që të lindi…

… dhe në njerën dorë trastën me ato që kishe blerë dhe në tjetrën biçikletën e zezë “Bianchi” të paraluftës, ngjite shkallët e pallatit ku banoje rreth orës 11, dhe vdiqe thjeshtë nga një goditje në zemer.
Vdiqe vertetë siç do të vdesim të gjithë. Kjo ishte thjeshtë vdekja e jote.

Hamendësoj se vdekja e Ndrek Lucës nuk ishte si e gjithë njerëzve të vdekshëm normalë. Ajo ishte një plasje, një shpërthim. Një shpërthim i perplasjes së shpirtit të tij të pastër, pa dredhi, i kulturës shpirtërore malësore të kultivuar në vlerat më të mira të moralit pozitiv dhe ashpërsisë, ndyrësisë, fukarallëkut e varfërisë që ishte kultivuar në fshehtësi për dekada me rradhë dhe që shpertheu me tërë vlerat e saja bizantine të pafytyrë, të paskrupull, të pa atdhe e fe. U përmbysën kanune e vlera morale. U morën jetë, e pasuri të gjithfarëllojshme ranë në duar të paskrupullta grykësish.

Kjo e gjitha ndodhi shumë shpejt. Dhe siç duket Ndreka nuk e përballoi.

Atij i plasi shpirti.

Vdekja e tij ishte një protestë (vazhdoj të hamendësoj) kunder gjithë helmit e handrakut që gufoj e rridhte gjithandej e gjithkund, grykësisë, pseu dokulturës, pseudo demokracësë, pseudoatdhetarisë e pseudofetarisë.
Edhe këtë rradhë ai nuk kishte kohë, nuk kishte kohë dhe mundësi të merrej një i vetëm kunder gjithë asaj hipokrizije dhe shtirarakësh që e rrethonte, dhe iku. I la të gjithë. I përbuzi. Nuk i duronte, dhe i vetëm nuk mund ti përballonte.

Por Ndreka është gjallë, është gjallë në gjithë veprën e tij aktoriale, edhe atë të shkruar, është gjallë edhe në të gjithë vdekjet e pa numerta që ka interpretuar.

Fenomeni NDREK LUCA ishte madhështia e thjeshtësisë.
Duhet studiuar dhe duhet marrë shembull.

dërguar për Shkoder.net… nga Kolec Traboini, Boston

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT