Migjeni – jo sfinksi, por shkrimtari modern i shqipes

0
9248

[ Migjeni – hyrje ]
Konferencë shkencore “Migjeni sot”

Migjeni (1911-1938) Në këtë veprimtari të organizuar me 28 gusht 1998 në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, vepra komplekse migjeniane u ndriçua në shumë aspekte nga punimet e studiuesve Jorgo Bulo, Kristaq Jorgo, Shaban Sinani, Mark Marku, Dhurata Shehri, Moikom Zeqo, Klara Kodra, Ardian Doko dhe Geron Kamberi.

Në sallën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave së RSH organizoi konferencën shkencore “Migjeni sot”, me rastin e 60-vjetorit të vdekjes së tij. Ishin të pranishëm punonjës të institucioneve shkencore, shkrimtarë, kritikë, pedagogë të Universitetit të Tiranës, gazetarë etj. Mori pjesë në këtë veprimtari edhe kryetari i Akademisë së Shkencave, prof. Ylli Popa. Konferencën e çeli drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, prof. Jorgo Bulo. Ndër të tjera ai vuri në dukje rolin dhe vendin që zë Migjeni në historinë e letrave shqipe. “Pas Naimit, tha ai, Migjeni është reformatori më i madh i letërsisë shqipe”. Migjeni është i vetmi që krijoi shkollë. Ai ka mbetur i lakmuar, por i pakaluar deri tani. Më tej, duke theksuar edhe keqkuptimet që kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, por edhe sot në kuptimin, interpretimin dhe vlerësimin e veprës migjeniane, prof. Bulo ishte i mendimit se krijimtaria e Migjenit qëndron në themelet e letërsisë moderne shqipe. Thyerja e normës gjuhësore si përmbushje e funksionit letrar.

I pari e mori fjalën për të kumtuar materialet e përgatitura për këtë konferencë, dr. Kristaq Jorgo. Ai paraqiti kumtesën “Për një teori për Migjenin”. Në fillim ai vuri në dukje kompleksitetin e veprës migjeniane, gjë që lyp një teori më vete për interpretimin e saj, pasi kritika dhe studimet e mëparshme, sipas tij, kanë nxjerrë rreth saj edhe përfundime të gabuara. Më tej, duke shqyrtuar poezinë “Një natë pa gjumë” ai e cilësoi tekstin e Migjenit të tipit konspektiv. Me këtë sintagmë, Jorgo nënvizoi se kuptonte tekstin me maksimum domethëniesh të shprehur me minimum shenjash gjuhësore. Lidhur me konstatimin e kritikës së Migjeni nuk e zotëronte mirë gjuhën shqipe dhe kjo bëri që tekstet e tij të kishin të meta, Jorgo tha se kjo mosnjohje e bëri atë të kishte lirinë e duhur në përdorimin me funksion poetik të leksikut dhe të strukturave gramatikore të shqipes. Thyerjet e normës leksikore, gramatikore e morfologjike te Migjeni kishin funksion tekstual në krijimtarinë letrare. Ai nuk u pajtua me faktin se për këtë arsye, Migjenit iu dhunua gjuha e veprës së tij letrare në të gjitha botimet e ribotimet e saj. Kjo ka bërë që ajo t’i largohet hera-herës origjinalit dhe domethënieve të saj.

Shaban Sinani në punimin e tij me titull “Miti i idesë në vend të heroit” u mor me risitë që solli Migjeni në letërsinë shqipe. Ai tha se Migjeni ndërroi rrugën e letërsisë shqipe dhe bëri që ajo të shihej sy ndër sy me kohën. Ai kërkoi lexues dhe jo dëgjues dhe solli në letërsi qasje dhe tema të reja të lëvruara në letërsinë moderne evropiane si jeta dhe vdekja, natyra dhe Zoti, morali individual dhe shoqëror, etj. Letërsia e Migjenit i dha fund shikimit historicist të jetës shqiptare dhe futi përmasën e së tashmes. Thelbi i novacionit të veprës migjeniane, sipas Sinanit, është se në vend të botës së heronjve solli botën e ideve. Ai zëvendësoi kultin e heroit që zotëronte letërsinë e mëparshme me mitin e idesë. Prandaj poezia dhe proza e tij hyn natyrshëm në rrjedhat e letërsisë bashkëkohore evropiane. Me letërsinë e tij Migjeni mprehu vetëdijen kritike të kulturës shqiptare…

marrë nga gazeta ‘Rilindja’

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.