Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe

0
1494

[ Migjeni – hyrje ]

Marrë nga libri me të njëjtin titull i Ismail Kadaresë

Migjeni

Kur Millosh Gjergj Nikolla, me pseudonimin Migjeni, djali i ri nga Shkodra, i brishtë, elegant dhe serioz… nisi të magjepsej nga arti i të shkruarit, letërsia shqipe kishte katërqind vjet që ekzistonte. Për të kuptuar se ç’përfaqësonin këto vepra, mjafton të përmendim “Rrethimi i Shkodrës”, të shkruar nga Marin Barleti, që ndonëse botuar më 1504, lexohet me një frymë edhe sot. Midis shkrimtarëve që u shquan në këtë periudhë ishin Pjetër Budi (1566-1622), Frang Bardhi (1606-1643) dhe Pjetër Bogdani(1625-1689), personalitete të kulturës shqiptare e të asaj evropiane njëkohësisht.

Migjeni erdhi në kohën e zhgënjimit të madh

Migjeni shkroi dy vepra kryesore, “Vargjet e lira”, në poezi, dhe “Novelat e qytetit të veriut”, në prozë. Asnjëra prej tyre nuk e pa dritën e botimit në gjallje të tij. Shqipëria sapo kishte dalë nga nata islamiko-osmane. Dalja e saj, përmes një kaosi e anarkie të paparë, kishte qenë një ndër më të dhimbshmet në historinë e shteteve. Kufinjtë e prerësipas një kirurgjie të pamëshirshme dhëmbnin ende. Gati gjysma e shqiptarëve kishte mbetur jashtë tyre. Vendi ishte i varfër, i trishtë, gjysmë i rrënuar.

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyrat tona

Me këtë varg ai nis vjershën e famshme “Vjeshta në parakalim”.

Ngjyrën e verdhë lozin në vallen e fundme
(Dëshirë e marrë e gjetheve që një nga një vdesin),

Gëzimet, endjet tona, dëshirat e fundme
nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.

Dhe më poshtë:

Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
Tundet dhe përgjaket në pasjon të viganit,
“Jetë! Jetë unë due! e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkymë ajrin… por në fund ia nis vajit.

Përballë euforisë dhe vetëlavdatave prej të cilave po i merrej fryma artit shqiptar, Migjeni dhe shkrimtarë të tjerë të kohës i parashtruan botës shqiptare një vizion të ri: sensin vetëkritik. Sfida e migjenit ka të bëjë me “malin që s’bëzan”, pra me krejt mendësinë shqiptare, me idolet, kanunet, mitet, komplekset e paragjykimet të shtresuara shekull pas shekulli…

O si nuk kam një grusht të fortë
ti bij mu në zemër malit që s’bëzanë

kështu shkruan Migjeni në vjershën “Recital i malësorit”. Dhe fare i vetmuar midis këtij kori, lëshon një thirrje të re.
Migjeni

Mali hesht dhe në heshtje qesh
e unë vuej e në vuejtje vdes.

Kështu Migjeni i Brishtë, djaloshi i krehur me kujdes, kërcënimi i të cilit do t’i bënte të shqyheshin gazit banorët e maleve, goditi i pari atë që ngjante e paprekshme: tradicionalizmin mesjetar. Noli, Poradeci dhe Migjeni ishin të tre, ndonëse në mënyra të ndryshme, shkrimtarë të tipit të ri. Ç’prej kohësh letërsia shqipe kishte nevojë për ta. Letrat shqipe prisnin me ngut ardhjen e shkrimtarëve novatorë, ata që do të thyenin rutinën, që do të zgjeronin venat e saj të ngushtuara, që do të shkatërronin klishetë parazitare, që do u kthenin fjalëve lirinë e humbur.

Të tre shkrimtarët e mëdhenj të epokës mund t’i përfytyrojmë si të vendosur në tri zona: në zonën qiellore, Poradecin, në një zonë mërgimi, një farë purgatori, Nolin, dhe në ferrin e ditëve të zakonshme, Migjenin; të tre së bashku përbënin një gjeni të plotë.

Ditët e fundit…

Në dhjetor 1937, me vaporin që bënte rrugën Durrës-Bari, Migjeni u nis për t’u kuruar e ndoshta pastaj edhe për të studiuar për letërsi në Itali. Nga kjo rrugë, ai nuk do të kthehej më. Në senatoriumin San-Luigji të Torinos kur e ndjen se ditët i ka të numëruara, gjithçka tek ai merr formë testamentiale. Në tre rreshtat e fundit që shkroi, përpara se t’i fillonin krizat e të binte në koma, prej së cilës nuk do përmendej më, për herë të parë në veprën e tij përmend emrin e Skënderbeut. Nuk dëshiron të vdesë pa shkruar diçka për Heroin Kombëtar të popullit të vet. I shkroi, pra, ato tre rreshta në prozë (fjalët e fundit ishin “s’flitet ma”), dhe ndoshta me një lehtësim të fundit nisi të shuhej, gjersa vdiq, fare i qetë, siç dëshmojnë të gjithë, më 26 gusht 1938.

Vargu i Poradecit:

“Fluturoi dhe shtergu i fundit madhështor me shpirt të gjorë”, do t’i shkonte kësaj vdekje tragjike, aq më tepër që, sipas moshës, Migjeni duhej të vdiste vërtet i fundit.

Unë djepi juej e ndoshta vorri juej, kishte shkruar vite më parë Migjeni për veprat e tij. Ai e kishte shpërthyer më në fund varrin dhe po vinte t’i sillte letërsisë shqipe kumtin e tij të veçantë, me të gjitha vulat dhe peshën që i jepte rikthimi nga terri.

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT