Ledia Dushi (1978)

0
4959

Letërsia shkodrane

Letërsia shqiptare trashëgon një fond të pasur vlerash nga krijuesit shkodranë. Që nga koha e Marin Barletit, në Rilindjen Kombëtare e deri pas Luftës së Dytë Botërore…

— nga Elsa Demo

Shekulli, 31 mars 2005

Jena t’shfrenuem, s’jena t’lirë

Ledia Dushi Paçin të gjithë fatin e Migjenit! Nuk është shumë e qartë si mund ta ndash këtë lëshim zemre, mes mallkimit që mori para kohe jetën e shkurtër të poetit më të njohur në gjallje e më pas apo adhurimit dhe sot të vargjeve të tij. Ora e poezisë në Shkodër sikur ka mbetur në vitet tridhjetë, po t’i higen ndërmjet vargjet e kohës së Partisë, një kohë bajagi edhe në zejen e të shkruarit. Nuk është e lehtë të flitet per poezi sot në Shkodër. Të pakënaqurit janë shumë, si s’po u lindet një poet që të ngrejë peshë emrin e qytetit. Si një sëmundje për leader shpirtëror në ditë të zymta politike e varfërie.¨

Ndryshe nga zakonisht, poezia mbi të cilën u ngrit të hënën një holl i vogël teatri në Shkodër, nuk është dhe aq e re. Aktori Bruno Shllaku e bëri këtë me poezinë e Ledia Dushit, e shkruar gati 10 vjet të shkuara, poezi nga librat “Ave Maria bahet lot” dhe “Seance dimnash”. Aktori shkodran i kinemasë dhe teatrit, përkrah koleges Merita Smaja, u mundua që në rolin e dirigjentit, pra të regjisorit dhe inskenuesit të gjithçkaje të sjellë një teatër me vargjet e Dushit. Elementë së tepërmi teatralë, kori, skenografia me një pemë në sfond ku miket gjejnë vdekjen në litar, një varr përbri skenës, gjurmimi i eshtrave dhe i një kafke të dashurisë, ndarjes dhe vdekjes vetë, një beze që valëvitet në skenën e ngushtë herë si valë, herë si erë, ishin të tepërta.

Poezia e Ledia Dushit është e mbushur me figuracione, e lëngët në përfytyrime, e kthjellët në imazhe, por nuk është teatër i lojës dramatike. Poezia e saj përfytyron vdekjen, dashurinë, fëmijërinë, ndarjen, por i mban larg nesh. Nuk janë nocione në kuptimin e parë, aq më pak nocione sociale që t’u kërkosh inskenimin e sotëm real. Poezia e Dushit e shkruar kaherë në gegërisht, duket sikur ka dalë nga një “fmij bark krisun“, të velur jo nga ëmbëlsirat, por, nga “të pangrënët“, nga mungesat. Një “fmij” që luan “me vedin“.

Vargjet e “Seance dimnash” dhe “Ave Maria bahet lot” janë biovargje, bioshkrime të shkrira në univers, në klimë, në mot, në bimë, në kafshë, në ujë, ndjesi të zhytura në to. Ledia Dushi nuk flet për miq, po për mikesha: “edhe bistakët/dashunohen/Mike/me gojën teme/e tanden/mbetun çilë/prej vajit“; nuk flet për vdekje të pastër po për flatrim “tue frymue dekën“; ajo nuk flet për Zot, po për rob zoti sepse “Zoti em/ka fytyrën teme,/shkruen/senset e mija“; për të nuk ka burrë të thyeshëm para gruas, por ligj të pashkruar: “Ti burrë/mos i the gjujt/para parzmit t’dhelpnës”; nuk ka liri, por iluzion të lirisë: “Jena t’shfrenuem/Shpirt/ Ahma!/s’jena t’lirë“; nuk ka dëshirë për çfarë sheh e gjen, sepse “Jam qenie… due gjanat/që nuk kam“.

Ledia Dushi ka 13 vjet që shkruan. Shkruan në vitin ’95, boton librin e pare në ’97, pikërisht në kohën kur siç thotë ajo “librat përdoreshin në vend të këmbës së sustave”. Shkruan në vitin ’97, boton në ’99. Nga kjo kohë deri në 2005 ka vetëm 12 poezi. Realisht nuk janë 12, po më mire që nuk ka botuar gjë. Nuk janë aq pak lexuesit e saj kur zyrtarisht u bë e njohur me të marrë çmimin kombëtar të letërsisë “Penda e Argjendtë”, në vitin 1998 me “Ave Maria bahet lot”.

Ajo shkroi siç shkruan, edhe kur dalin pushkët për të mbrojtur gjuhët e vdekura, edhe kur ftohen akademikët po për gjuhët e vdekura dhe reagimi dihet. Gegënishtja e saj gati 10 vjet pas njohjes zyrtare të poetes 27-vjeçare, është shprehje e lirisë në një vend që u dogj nga varfëria, nga’97 më pas dhe nga mospërmbushja e një jete më të mirë në liri.

A është poezia juaj skenike, aq sa për t’i hyrë një iniciative të tillë, një tatri poezie?

Skenike, pse jo. Mendoj që zëri i një përcjellësi të ndjeshëm, i një përcjellësi emocional, mundet të shkaktojë tek dëgjuesit prodhimin e një pafundësie imazhesh, vizionesh, gjendjesh, ndoshta dhe të papërcaktura. Përzgjedhja është bërë nga regjisori Bruno Shllaku, që është dhe aktori të themi kryesor, sepse nuk kemi të bëjmë me personazhe reale.

Poezia ka lidhje me imazhin skenik, me teatrin për atë vendosje interesante fjalësh dhe kjo do të ishte mirë të thuhej për skenën, por duke ruajtur gjithmonë pamjen e parë të saj, pamjen zanafillore, domethënë strukturën në të cilën është shkruar.

Poezia juaj që në thelb është lirike dhe nuk merret me probleme sociale, as e angazhuar, në skenë përkundrazi na u paraqit e tillë. Iu është dukur zgjedhje e drejtë kjo?

Ajo që mund të konsiderohet gjetje nga ana e dëgjuesit dhe lexuesit të poezisë për mua është kryer, sepse unë e kam shkruar poezinë, e kam kryer si të thuash atë që quhet gjetje e imja. Gjetje mund të jetë ose ka qenë për regjisorin e shfaqjes.

Ky “teatër” kishte në qendër fëmijërinë, dashurinë dhe vdekjen. Në të vërtetë si ju duk raporti mes tyre në skenë?

Në poezinë time simbolikat e nocioneve që ju përmendët më parë, ndërthuren dhe përdoren si pjesë e natyrshme e jetës së çdo njeriu, jo vetën fëmijëria dhe dashuria, po kemi të bëjmë me një filozofi shumë të thjeshtë edhe pranuese të jetës. Pra njeriu lind me të gjitha ndjesitë e mundëshme. Mendoj se duhet të lindë dhe duhet më fort të mësohet me praminë e ndjesinë e vdekjes. Kjo jo si shenjë e një pesimizmi, por si shenjë e një pranie të zakonshme, që na shoqëron gjithmonë. Kjo as nuk e afron, as nuk e largon vdekjen. Ky nuk është ogur, fakti që pranon filozofinë e të mësuarit me vdekjen.

Mendoni se këto fenomene kanë një lloj tragjizmi kaq lokal, të veriut të Shkodrës, siç na u paraqitën?
Nuk mundem ta përdor termin lokalizëm, por që janë këndvështrime që kanë të bëjnë me një formim të caktuar, me një mënyrë jetese të caktuar, ndoshta dhe provinciale.

Nëse do marrim vargjet që përkufizojnë fëmijërinë: kur t’rritem kam me kenë i vogël; për ndarjen apo dashurinë: flej shpirt, unë mbeta çuet dhe për vdekjen: me jetu s’mundem me dekë s’du. Në shfaqje janë përdorur si refrene, si stacione. Çfarë i lidh këto të trija në jetën e njeriut?

Unë nuk kisha dashur t’i quaja stacione, domethënë ku do kalosh njëherë dhe nuk do të kthehesh më, pra këto nuk janë detyrime, faza për t’u kryer. Pavarësisht se nga një këndvështrim i jashtëm, i ftohtë janë faza për t’u kaluar, por në fakt elementët e secilës pështjellohen, përzihen, rikthehen, hapen, marrin ngjyra, marrin hije brenda personit. Në fund të fundit, ky lloj përshtjellimi, kjo lloj përplasje, ky lloj kthimi herë me qejf e herë pa qejf i këtyre etapave e bën edhe më interesante jetën, mundësinë për t’i shkruar, për t’i shprehur, sigurisht nëse ekziston kjo mundësi artistikisht.

Kanë kaluar gati 6 vjet nga libri i fundit “Seancë dimnash”. Janë të mjaftueshme ndoshta për të bërë një lloj krahasimi mes dy librave, dhe gjërave të reja që keni shkruar?

“Seancë dimnash” është vazhdimësi logjike e vëllimit të parë dhe jo vetëm vazhdimësi, po dhe zbërthim. Nëse vëllimi i parë është një tërësi thelbesh poetike, duket sikur figurat, njësitë janë të mbështjellura në një lloj bërthame. Në çdo poezi ekzistejnë të mbledhura këto bërthama dhe në librin e dytë ato zhvillohen, hapen, zbërthehen. Ky zbërthim konsiston pikërisht në mënyrën sesi janë poezitë e librit të dytë.

Për të qenë e sinqertë e ndiej se diçka ka ndodhur në krahasim me dy librat e mëparshëm, shpresoj që kjo të jetë rrjedhojë logjike dhe jo lajthitje prej dy vëllimeve të para. Them jo lajthitje, sepse do të doja që poezitë në vazhdim të mos jenë krejt të tjera, por një përpjekje e paqëllimtë, jo qëllim në vetvete, për të shkuar drejt asaj të vetmes, drejt një poezie, drejt poezisë.

Në jetën reale ndërkohë çfarë ka ndodhur, çfarë ka influencuar?

Më e vështira ka qenë marrëdhënia me njerëzit. Në plan të parë, duket sikur nuk është thënë asgjë interesante, se jeta nuk është ndryshe përveçse marrëdhënie me njerëzit. E punësuar në një punë zyrtare, në Bashkinë e Shkodrës, ku punoj në zyrën e kulturës, e detyruar si të gjithë njerëzit që iu ofrohet një punë për ta bërë, ndodhem në lloj-lloj situatash, në lloj-lloj marrëdhëniesh që mbase nuk janë të rëndësishme për t’u thënë, por janë të rëndësishme për mua që e kam shumë të vështirë për të bërë gjërat që nuk dua t’i bëj.

Të njëjtën gjë e keni thënë dhe në intervistën e fundit…

E kam të vështirë të bëj gjërat që s’dua t’i bëj? Më vjen mirë për të vetmen gjë, që nuk kam shumë lëkundje prej parimeve të mia.

Në punën tuaj me fjalën, çfarë raportesh po ruani me gegënishten?…

Nuk më ka shkuar mendja të përmend fjalën pozicionim, për arsye se nuk kam nevojë të pozicionohem në raport me atë çka është e imja. Eshtë si të mbash pozicionin me veten me atë çka unë ndiej, me mënyrën se si unë mendoj, me tërësinë e ndërgjegjëshme dhe të pandërgjedjëshme të fjalëve që bartim, kështu që e kam shumë të thjeshtë dhe të natyrshme të shkruaj në të njëjtën mënyrë. Eshtë shprehje pa vend të them që unë shkruaj kështu sepse do të mbroj gegënishten. Gegënishtja nuk ka nevojë për asnjë lloj mbrojtje apo ruajtje. Kjo është për mua mjeti më i mirë për të shkruar, mjeti me anë të së cilit, zëri, ndjesitë, fjalët e mia dalin kthjellët.

Dhe që nuk përbën problem as për përkthimin në një gjuhë të botës si gjermanishtja siç ka ndodhur dy vitet e fundit?

Fakti po e tregon që jo.

Çfarë ka ndryshuar sipas jush në mentalitetin e boshkëqytetarëve tuaj që zakonisht e kanë quajtur Shkodrën një metropol kulturor të veriut?…

Unë vetë mbaj gjithmonë qëndrim, për të mos thënë distancohem për një përcaktim të këtij lloji, apo çdo përcaktimi të këtij lloji, të tipit metropol, djep kulture, për të cilat unë jam e ndërgjegjëshme se nuk ka më kohë për fjalë. Sepse këto do të ekzistojnë vërtet nëse njerëzit me aftësi të veçanta në fusha të ndryshme, do të evidentohen dhe do të kenë një prodhim real të përpjekjes. Vetëm atëherë, madje as atëherë, nuk di në do të mund ta përdor fjalën metropol. Por fjalët e mëdha thuhen atëherë kur s’ke asgjë.

Mendoni se një nga arsyet e kësaj mospërmbushje ka qenë lëvizja, ikja e energjive intelektuale nga Shkodra drejt Tiranës?

Kështu thuhet dhe në njëfarë mënyre kështu është. Nuk jam në pozicionin e fajësuesit, nuk mundem t’i fajësoj, nuk iu vë faj. As nuk po ankohem, por ndryshe mund të thuhet se nuk janë realizuar dhe nuk janë gjetur në Shkodër.

Juve po, fakti që vazhdoni të jetoni në Shkodër?

Që domethënë se jam realizuar në Shkodër? Nuk di të them po ose jo. Di që këtu vazhdoj të jetoj, punoj, këtu shkruaj me sukses, pa sukses.

Ju vë në siklet kjo pyetje?

Gjithmonë, kur vihesh në qendër të një vëzhgimi e të një analize, je në siklet.

— marrë nga gazeta Shekulli

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.