Zbulohet Skënderbeu i Kol Idromenos

0
2005

Kol Idromeno
Ismail Lulanipiktor i njohur shkodran

Portreti i panjohur i Heroit tonë dhe i një burri ndodhet në Galerinë Kombëtare të Arteve

— nga Ylli DRISHTI*)

Të dy veprat janë realizuar në teknikën e vajit në kanavacë. Fatmirësisht, janë të nënshkruara nga piktori i madh shkodran dhe e para (Skënderbeu) mban datën 1887, ndërsa e dyta (Portreti i burrit) 1904

Kohët e fundit, një qytetar nga Shkodra i ka ofruar Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë për të blerë dy vepra të piktorit tonë të shquar të traditës Kol Idromeno (1860-1939).

Kolë Idromeno - Skënderbeu
Të dy veprat janë realizuar në teknikën e vajit në kanavacë dhe paraqesin njëra portretin e Skënderbeut dhe tjetra portretin e një burri. Fatmirësisht, të dy veprat janë të nënshkruara nga piktori dhe e para (Skënderbeu) mban datën 1887, ndërsa e dyta 1904.

Duke qënë dhe vepra më e hershme e autorit Idromeno, tabloja “Portret i Skënderbeut” ka disa elementë me mjaft interes, për të cilat mendojmë se duhet të ndalemi. Së pari, vepra ka vlerë historike, sepse është një ndër veprat e pakta që i kushtohen kësaj figure të rëndësishme historike në fundin e shekullit të XIX. Në tipologjinë e zgjedhur nga piktori Idromeno, vërejmë se ai mbështetet në gravurat e botuara në veprën e humanistit të madh të epokës Marin Barleti, që sigurisht përpunohet dhe plotësohet me koloritin e tij të veçantë. Stilistikisht, Idromeno për herë të parë deri më sot na prezantohet me një stil krejtësisht të veçantë dhe do të thoshim virtuoz. Në realizimin e portretit, ai i përdor penelatat në mënyrë të zhdërvjellët, e ngjesh ngjyrën dhe evidenton tiparet më me forcë.

Në krye, Skënderbeu mban një kapelë rrethore ngjyrë vishnje, që rrethohet (poshtë dhe lart) me dy shirita të artë, ndërsa në pjesën e përparme, kapelja ka një stemë mbi të cilën ngrihet lart një pendë e bardhë.

Realizimin e këtij portreti piktori e kryen në vitin 1887, pra në fillimet e krijimtarisë së tij, kur ai ishte vetëm 27 vjeç dhe vjen 4 vjet më vonë nga data e realizimit të veprës së tij më të shquar dhe të një prej perlave të pikturës shqiptare: portretit të “Motrës Tone” (1883). Në kronologjinë e veprave të tij, tabloja “Portreti i Skënderbeut” është vepra e parë e njohur, që i kushtohet figurës së heroit tonë kombëtar Skënderbeut nga piktorë shqiptarë. Vepra, në përgjithsi, paraqitet në gjendje të mirë (përveç disa dëmtimeve në pjesët e veshjes dhe pjesës së sipërme) dhe është në format të madh (62.5 x 75 cm). Ajo rrethohet me një kronizë të gjerë e të zbukuruar me ornamente floreal (stukoreliev) në pjesët anësore.

Në harkun kohor të viteve 1886-1889 njihen dy vepra në gjininë e peisazhit: “Bardhaj” dhe “Lugu i kusarëve” (Galeria e Arteve Shkodër) dhe me këtë vepër njihemi dhe plotësojmë hapsirën kronologjike krijuese të autorit. Vepra tjetër me titull “Portret burri”(1904) paraqet një figurë burri me veshje të kohës (veshje qytetare), me pamje përballë dhe që paraqitet deri poshtë gjoksit. Portreti i figurës ka një lëvizje të lehtë majtas, flokët i ka të prerë shkurt e në kokë mban një kësulë vishnje të gjerë rrethore. Mbi xhaketën e zezë me jakë të gjerë që i mbyllet para gjoksit del jaka e bardhë mbi papijonin e zi. Burri paraqitet me një moshë rreth të 50-tave dhe mban mustaqe të plota ngjyrë gështenjë, që porsa kanë filluar të thinjen. Piktori e ka përqëndruar dritën në portretin e figurës, i cili realizohet me një kolorit delikat, me kalime sfumature nga drita në hije dhe me realizim shumë të kujdesshëm të tipareve e detajeve të portretit.

Duke vëzhguar me kujdes krijimtarinë e piktorit Kol Idromeno në gjininë e portretit, vërejmë se ai është i larmishëm në mënyrën e vendosjes së tyre, duke ia përshtatur secilës figurë që ai pikturon. Në përgjithsi, këto tablo janë në dimensione që variojnë nga 56.5 x 41 cm (autoportreti i tij) deri tek vepra më e madhe “Portret burri” (100 x 74.5 cm, fondi i GKA-Tiranë).

Pas realizimit të veprës “Portret i Marubit, (1881), shok i piktorit, ku vërejmë të njëjtën veshje qytetare me portretin tonë, tabloja në shqyrtim evidenton dhe dëshmon për ndofta portretin e parë serioz të autorit në ciklin e portreteve në fillimet e shekullit XX (1904). Vepra në shqyrtim mendojmë se plotëson ciklin e portreteve të Idromenos, që ai realizon me porositë e ardhura nga qytetarë apo zyrtarë të lartë të qytetit të tij, Shkodrës. Në fondet e GKA-Tiranë numërohen dy tablo me portrete të titulluara “Portret Burri” dhe që janë realizuar në vitet 1920-30. Kështu që portreti ynë, përveç portreteve të familjarëve të tij, rezulton të jetë i pari dhe më i hershmi në ciklin e portreteve të realizuar prej tij në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vështrimin stilistik, vërejmë se ajo është në karakterin e veprave që Idromeno realizon në vijimësi, ku evidentohet realizimi i tij i fuqishëm, që transmetohet me një ekuilibër koloristik dhe kompozicional. Ai krijon dhe konsolidon stilin e tij vetjak, që shpaloset nga vepra në vepër me mjete artistike të kursyera, me një ngrohtësi shpirtërore dhe dashuri për njeriun.

Kol Idromeno, duke qënë një nga piktorët e parë laik në Shqipëri dhe i pari në Shkodër, i takonte të ishte nismëtari i një pikture të re, asaj realiste me temë qytetare, një guxim dhe shembull i papërsëritshëm për kohën kur jetoi. Siç u shprehëm që në fillim të këtij shkrimi, të dyja këto vepra presin që të hyjnë në fondin e artë të kulturës sonë Kombëtare. Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, me mbështetjen edhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të bëhet së shpejti zotëruese e këtyre veprave me një rëndësi të jashtëzakonshme, që pasi të restaurohen nga laboratori i restaurimit të GKA-së, të jenë në sallat e ekspozimit për publikun artdashës shqiptar. Shumë vepra të tjera të mjeshtrit Idromeno dhe të artistëve të tjerë të traditës ndodhen jashtë fondit të kësaj Galerie dhe me krijimin së shpejti të shoqatës së “Miqve të Galerisë” me kontributet financiare të tyre, por edhe të qytetarëve të tjerë artdashës, do të krijohen mundësi më të mëdha për vënien e këtyre veprave në shërbim të publikut sa më të gjerë.

*) Studiues arti

NUK KA KOMENTE

SHKRUAJ NJË KOMENT