KATEDRALJA E SHKODRES

0
10856

Klementi XI – Albani
HISTORI SHKODRANE
Kisha Zoja e Shkodres
Xhamia e Plumbit
Kisha ortodokse
Sahati i Inglizit
Teatri shkodran


Dio vede totto” shkruhet në gurin trekëndësh në hyrje të Katedrales së Shkodrës, njohur ndryshe si Kisha e Madhe, ndërtuar në tokën e dhuruar për këtë qëllim nga Palok Krandja. Ndërtimi i kësaj kishe, sikurse dhe i asaj ortodokse, nxori në pah anën tjetër të medaljes së shtetit islamik turk.

Kjo anë ka të bëjë me atë që shpeshherë është quajtur terror fetar i perandorisë turke. Që me ardhjen e Sulltan Mehmetit të II Fatih, në kushtetutën e atëhershme të turke u sanksionua e liria e besimit për të gjithë nënshtetasit e perandorisë, pavarësisht nga përkatësia fetare. Kjo, padyshim, ishte ana pozitive e medaljes, pasiqë, ana tjetër mbetej ajo e politikës praktike që ushtronin autoritetet vendore turke. Kështu, ata nuk ndalonin dhe nuk lejonin që besimtarët jomyslimanë të mos kryenin ritet fetare, madje dha lejet për hapjen e kishave jo vetëm në Shqipëri.

Parimi ishte: çdo i krishterë duhet të ketë postin e tij në kishë, porse asnjë vend nuk duhet të jetë tepër, çka do të thotë se, nëse favorizohej ndërtimi i një kishe, aty, medeomos, do të ngriheshin dhe dy – tre xhami. Edhe pse besimtarëve myslimanë u mjaftonin xhamitë ekzistuese. Për të dalë tek historia e ndërtimit të Katedrales së Shkodrës, vlerësuar si një ndër më të mëdhatë në Ballkan, duhet nënvizuar data e fillimit të punimeve: 7 prill 1858. Kjo ditë u hap me një ceremoni të bujshme zyrtare me pjesmarrjen e përfaqësuesve të të gjithë besimeve fetare, krahas autoriteteve vendore. Ndër personalitetet e kohës, pjesmarrës në këtë ceremoni, ishin dhe Dom Ejëll Radoja, Daut Boriçi, si dhe përfaqësues të krejt trupit diplomatik të akredituar në Shkodër nëpërmjet konsullatave.

Kisha e Madhe, si çdo objekt tjetër, kishte ferman nga Sulltani. Por rasti i Katedrales është i veçantë, ngase bashkë me fermanin, Sulltan Mexhidi kishte dërguar edhe 700 lira ari turke, ndërkohë që edhe Papa Piu IX dha 1000 skude floriri për kishën, faza e parë e ndërtimit të së cilës përfundoi më 1867 pas një maratone të vërtetë fushatash për mbledhje fondesh. Katedralja është rreth 74 metra e gjatë, 50 metra e gjërë dhe 23.5 metra e lartë. Në periudhën e hershme, holli i madh kishte një kapacitet prej 6000 vetash në këmbë. Ndërtimi i Katedrales së Shkodrës është ndoshta, i pari aksion vullnetar i përmasave gjigande në tërë vendin. Veç derdhjeve vullnetare të fondeve prej secilës familje, veç detyrimit të mëvonshëm po për dhënien e të hollave për ndërtimin e kishës, çdo familje katolike shkodrane kontribuoi me nga një punëtor pa pagesë për gjashtë muaj. Edhe gratë katolike nuk mbetën prapa në këtë aksion, pasi kujtohet se shumë prej tyre dhanë stolitë e arta.

Ndërtimi i Katedrales është një histori më vete. Shëmbet dy herë gunga (harku) i madh i kishës, derisa, në momentin e fundit, thirret një inxhinier i huaj. Kupola, fillimisht e ndërtuar me trarë druri, desh u shemb pas 35 vitesh kështu që, më 1897 u zëvendësuan me materiale të cilat janë dhe sot. Më 1909, Kolë Idromeno, ndër më të shquarit artistë që Shkodra ka pasur detyrën të nxjerrë ndonjëherë, i bën tavanit të harkuar të Katedrales zbukurimet e nevojshme. Edhe sot, fare mirë mund të shihen pikturat e mrekullueshme të Idromenos dhe sidomos, Zonja e Shkodrës, ndjekur nga dy ëngjëj, – të cilët artisti i madh i ka dhënë të veshur me kostume qytetare shkodrane. Në sfond të kësaj pamjeje është qyteti i Shkodrës me Rozafën si kurorë lavdie e mbrojtëse. Punimet për ndërtimin e Katedrales janë ndërprerë disa herë, më së shumti për mungesë fondesh. Kështu, pas një ndërprerje pesëvjeçare, në një moment kritik, vetëm 36 vetë dhuruan 1750 napolona flori.

Një histori më vete, brenda historisë së madhe të Katedrales, përbën dhe rasti i Gurash Shënkollit, cili meqenëse ndodhej në Vjenë ditën e martesës së Franc Jozefit, i shorëruar nga disa shkodranë të tjerë, i shkoi perandorit në tryezë dhe i kërkoi ndihmë financiare për kishën e Shkodrës. Perandori i ri, jo vetëm që i dha Gurashit 150 napolona flori, por dhe e përgëzoi për guximin “tipik shqiptar”.

Por ndërkohë, edhe napolonat e Franc Jozefit mbaruan, ndërkohë që kisha ishte ende pa këmbanare. Të mbledhur nga ipeshkvi i kohës Guerini, përfaqësuesit më të lartë lokalë vendosën që familjet e krishtera, të ndara në tre kategori (sipas pasurisë), të nxirrnin secila nga 20, 15 e 10 napolona flori. Si gjithnjë, kjo marrëveshje u bë shkak grindjesh, pasi kishte nga ata, që ndonëse donin të mos fyheshin duke u renditur në kategoritë e ulta, paguanin më pak se detyrimi. Atëherë, Gjon Nushi i thotë një tjetër besimtari katolik, Filip Parrucës:

“Kishen po e mbarojm’ un’ e ti edhe n’mur t’kishes po vem `i gur t’gdhendun që e kena goditë un’ e ti!” Kaq mjaftoi për t’i ndezur më shumë gjakrat, porse, këtë herë, në të mirë të fushatës. Askush nuk pranonte emrin e dikujt në derën e kishës, ndaj u shkundën edhe një herë xhepash. Pjesa plumbi e këmbanares u sigurua në Venecia nga Filip Parruca dhe Mark e Pjetër Pema.

“Para se të shestohej themelimi i kishës, besimtarët kërkonin një kishë të madhe sa të zinte vend një lëkurë lope e preme rrypa-rrypa. Rreth caktinmit të gjatësisë së ndërtesës së katedrales plaku i quejtun Gjergj Nikë Sheldija që ka ndodhë aty në atë kohë, ka tregue: “Ma s’parit e mori lamshin e spagës Valiu i Shkodrës, i cili ffilin e penit e kishte lidhë për gisht të vogël të dorës dhe i dha krah, mbas tij e mori konsulli i Anglisë-Bonati, i cili e hodhi shumë ma poshtë se Pasha e me radhë e hodhën atë fill spangoje konsulli i Francës-Hiancit Hekardo, madje i Rusisë Iliç, i Greqisë Apostolaqi e në fund ai i Austrisë-Ballarini, i cili kapërceu shumë larg masen e sundimtarit. Ky, tue nënqeshë, i paska thanë: “Dashke me shti brenda të tanë katolikët e Arnautllekut.”

Tërmeti i 1905 në Shkodër nuk e kaloi në “heshtje” Katedralen, së cilës i hoqi një pjesë të mirë të rregullsisë planimetrike. Po kështu, edhe bombardimet malazeze të 12 marsit të 1913 i shkaktuan një dëm jo të vogël këmbanares dhe sahatit, i cili ishte dhuruar nga vëllezërit Kakarriqi. Më 1925, familja në fjalë solli një tjetër sahat, i cili ka punuar deri vonë. Më 1967, Katedralja e Shkodrës u kthye në Pallat Sporti, dhe fatmirësisht, nuk pësoi ndonjë dëmtim të pariparueshëm. Tani, 9 vjet pas rifillimit të aktivitetit të saj, Katedralja e Shkodrës është hijeshuar si asnjëherë. Në prill 1993, kjo Katedrale është vizituar dhe bekuar edhe nga shenjtëria e tij Papa Gjon Pali II.

Fjala e Shkodres Nr. 6 shtator 1999

dërguar për Shkoder.net… nga Kolec Traboini, Boston

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.