— nga Dashnor Kaloçi

Historia e panjohur e klerikut dhe intelektualit të famshëm nga qyteti i Shkodrës, i cili denoncoi komunizmin në Kinemanë “Rozafa” dhe vuajti 20 vjet në burgjet e regjimit enverist

Hafiz Ali Tari Të flasësh për jetën dhe veprimtarinë e Hafiz Ali Krajës, duhen orë dhe ditë të tëra, ashtu siç duhen edhe volume të tëra për të përshkruar aktivitetin e atij burri të madh të qytetit të Shkodrës. Hafiz Aliu ishte një figurë e madhe, i paisur me dije dhe me kulturë, i kthjellët në mendime dhe tepër i qartë në misionin e tij fisnik që i kishte vënë vehtes. Ai ishte gojë-mjaltë, rrezatonte një mirësi të thellë dhe mjaft i dashur e i respektuar me të gjithë njerëzit pa dallim feje, krahine e bindje politike.

Por krahas këtyre virtuteve tepër të larta që gëzonte Hafiz Aliu, ai gjithashtu ishte një armik i papajtueshëm dhe hasëm i përjetshëm me të keqen, e në veçanti ajo që e dallonte nga të tjerat, ishte një armik i betuar i doktrinës komuniste”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për “Gazetën”, është studjuesi i njohur shkodran, Nexhmi Bushati që rrjedh nga një familje mjaft e njohur dhe e pereskutuar gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili rrëfen mbi klerikun dhe intelektualin e famshëm myslyman nga qyteti i Shkodrës, që veç të tjerash është tepër i njohur edhe për fjalimin e tij brilant mbi varrin e Padër Gjergj Fishtës në 31 dhjetorin e vitit 1940.

Hafiz Aliu, student në Kajro

Hafiz Aliu u lind në vitin 1900 në qytetin e Shkodrës në një familje mjaft të njohur për traditat atdhetare dhe devocionin ndaj besimit islam. Lidhur me shkollimin e Hafiz Aliut dhe më pas kthimin e tij në qytetin e Shkodrës, Nexhmi Bushati dëshmon: “Mësimet e para të shkollës fillore dhe më pas ato të shkollës së mesme, Hafiz Ali Tari i morë në vëndlindjen e tij, në qytetin e Shkodrës dhe në atë kohë atë e kishte nën kujdestari Hafiz Ismail Hakiu. Nga ky klerik i famshëm myslyman që ishte mjaft i njohur jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por edhe në të gjithë Shqipërinë, Hafiz Aliu mori mësimet e para të besimit islam, ose siç quhet ndryshe “Xhazatnamen”.

Po kështu përveç Hafiz Ismail Hakiut, prej të cilit ai mësoi dhe përfitoi shumë, Ali Tari kishte kontakte të vazhdueshme edhe me klerikë të tjerë të besimit islam mjaft të ditur që shërbenin në atë qytet, si Sali Efendi Myftija, Sheh Ali Kruja, Hafiz Musa Dërguti, Haxhi Muhamet Begteshi etj. Duke qenë se Ali Tari që në atë moshë kishte një adhurim të veçantë për fenë islame, gjë e cila shkonte deri në veneracion, Hafiz Ismail Hakiu e ndihmoi dhe i hapi rrugën atij që të shkollohej në një nga universitetet më të famshëm të teologjisë, në “Al-haksar” të Kajros në Egjypt. Studimet në atë universitet të njohur dhe me famë të madhe ku mësonin me qindra studentë të besimit islam nga e gjithë bota, Hafiz Aliu i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1924 duke u diplomuar për Filozofi islame.

Po kështu gjatë asaj periudhe që ndoqi studimet teologjike, Hafiz Aliu paralelisht studjoi edhe u diplomua edhe për Jurisprudencë Islame. Pas mbarimit të studimeve në atë universitet të famshëm, ai u pais edhe më shumë jo vetëm me dituritë për fenë islame, por edhe me një kulturë të përgjithshme e sidomos në përvetësimin e disa gjuhëve të huaja. Kështu gjatë atyre viteve ai mundi të përvetësonte në mënyrë të shkëlqyer gjashtë gjuhë të huaja, nga të cilat tre orientale: arabisht, turqisht dhe persisht, që i fliste dhe i shkruante njëlloj si gjuhën e tij, shqipen. Përvetësimi i këtyre gjuhëve në mënyrë perfekte, u harmonizua me vullnetin e madh që ai kishte dhe ajo gjë i dha mundësinë e i hapi rrugën Hafiz Aliut, që në të ardhen ai të studjonte akoma dhe më shumë në fushën e studimeve teologjike, të cilave u kishte kushtuar jetën e tij”, kujton Nexhmi Bushati lidhur me shkollimin e klerikut të famshëm shkodran të besimit myslyman, Hafiz Ali Tarit.

Hafiz Aliu në Shkodër

Pas diplomimit në Kajro, në vitin 1924 Hafiz Ali Tari u kthye në Shqipëri duke u emëruar në vëndlindjen e tij në qytetin e Shkodrës. Gjatë gjithë asaj kohe që shërbeu në atë qytet, Hafiz Aliu vuri të gjitha energjitë e tija në shërbim të banorëve jo vetëm të qytetit, por edhe të fshatrave të besimit myslyman në të gjithë qarkun. Lidhur me fillimet e para të karrierës fetare të Hafiz Ali Tarit, Nexhmi Bushati dëshmon: “Hafiz Ali Tari bënte zbërthimin dhe komentimin e verseteve Kur’anore dhe të haditheve të Profetit Muhamed (A.S.) të cilat ua trasmetonte të gjithë besimtarëve, duke arritur që të depërtonte në thellësitë e shpirtit të tyre, si në xhaminë e Plumbit, Fushë-Çelë, në xhaminë e vjetër të Parrucës etj, si dhe në disa fshtra si Grizhë, Grudë-fushë, Gruemirë etj. vaset që ai jepte, ishin të planifikuara sipas një grafiku nga kryemyftinia e Shkodrës.

Shpesh herë në shërbesat fetare që bënte Hafiz Aliu nëpër fshtarat e ndryshëm të besimit islam, atë e shoqëronte edhe Hafiz Sali Efendi Myftinë dhe ata të dy nuk i ndiqnin vetëm besimtarët nga shterast e varfëra të popullsisë së atyre zonave, por edhe ato të shtresave të pasura dhe kryesisht intelektualët. Tek ato shtresa shoqërore, Hafiz Aliu gëzonte një popullaritet të madh me respekt e simpati, sepse ata shihnin tek ai hoxhë një personalitet tepër të aftë për t’i shërbyer islamit dhe atdheut të tij me të gjithë kapacitetet e tija.

Kjo gjë vërtetohet edhe me faktin shumë kuptimplotë, që ka të bëjë me propozimin që iu bë Hafiz Aliut nga Komuniteti Myslyman i Shqipërisë me qëndër në Tiranë, i cili kërkoi ta emëronte atë në postin e Myftiut të Durrësit dhe gjithashtu të drejtonte revistën “Zani i Naltë”. Por megjithë dashamirësinë e Komunitetit Myslyman, Hafiz Ali Tari nuk pranoi që të shërbente në ato detyra që iu ngarkuan, pasi ai i kishte vënë vehtes si qëllim që të shërbente dhe të jetpte kontributin e tij maksimal atu ku feja e atdheu kishin më shumë nevojë”, shprehet studjuesi Bushati, lidhur me fillimet e para të Hafiz Aliut në shërbesat fetare që i mbante në qytetin dhe fshatrat e Shkodrës si dhe përkushtimin e vendosmërinë e tij për t’u shërbyer atyre njerëzve të thjeshtë dhe besimtarë të devotshëm.

Kundërshtari ideologjisë komuniste

Kleriku i famshëm i besimit islam, Hafiz Ali Tari ka qenë mjaft i njohur edhe si një nga kundërshtarët më të papajtueshëm të ideologjisë komuniste. Lidhur me këtë, Bushati dëshmon: “Hafiz Aliu e njihte mjaft mirë ideologjinë komuniste, që veç të tjerash ishte dhe armiku më i madh i besimit islam. Ai dinte t’i parashikonte mjaft mirë pasojat dhe rreziqet që i vinin njerëzimit prej asaj ideologjie, jo vetëm si besim, por edhe në mbarë popullin. Prandaj për të mbrojtur fenë dhe idealet e larta të atdheut, Hafiz Aliu iu kundërvu hapur ideologjisë komuniste dhe thelbit të asaj filozofie, duke deklaruar me të madhe se të gjithë ata që ndiqnin atë ideologji të importuar nga stepat e Uraleve, ishin antifetarë dhe antikombëtarë.

Ai nuk e luftoi atë ideologji me sharje dhe ofendime, por duke e shpjeguar islamin si një fe hyjnore që i sillte njërëzimit mirësi, dashuri, respekt, progress e prosperitet. Dhe e gjitha ajo nuk kishte asgjë të përbashkët me me ideologjitë çnjerzore siç ishte ajo komuniste, të shpikura dhe të trilluara nga njerëz të ndryshëm që ishin kundër besimit tek i madhi zot. Këtë propagandë dhe veprimtari bindëse, ai e bënte jo vetëm gjatë kontakteve me popullin në shërbesat e ndryshme fetare, por edhe në bisedat e lira në xhami, në shtëpia etj, ku fjala e tij depërtonte në të gjitha rrethet shoqërore.

Në vitin 1934, Hafiz Aliu botoi studimin e tij “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, të cilin e botoi në shtypëshkronjën “Ora e Shkodrës”. Në parathënien e atij libri, në mes të tjerash Hafiz Ali Tari ka shkruar: “Me antë të këtij botimi, lus vëllaznit myslymanë të mos gënjehen nga fjalët e bukura të asaj pjese intelektualësh, pse qëllimi i tyre është me dobsue konviksionin dogmatic në shpirtin e fitoreve që nuk janë të bazueme si thamë ma sipër në shkencë e filozofi dhe përfundon duke thënë: “Këtë parathanie të shkurtër po e mbylli tye iu lutë të Madhit Perëndi me e ruajtë popullin shqiptar prej ateizmit që është një humnerë e rrezikëshme për komb e atdhe”.Krahas atij libri ai botoi edhe një sërë artikujsh të tjerë fetarë në shtypin islam të asaj kohe, si “Zani i Naltë” etj. Duke pasur parasysh kohën dhe momentet e daljes së atij libri, vëmë re se ai është prezantuar në si në mënyrën teologjike ashtu dhe atë filozofike.

Në atë libër ai argumenton në mënyrë bindëse domosdoshmërinë e fesë, besimin tek i madhi zot dhe përcakton rolin absolut të fesë për bashkimin kombëtar. Ai mbasi bënte analiza të sakta mbi fatëkeqësitë e mëdha që sillte doktrina komuniste, jepte dhe konkluzionet e rrugët nëpër të cilat duhet kalohe për të shpëtuar nga jo murtajë, shprehet studjuesi Bushati lidhur me luftën që bënte Hafiz Ali Tari kundër ideologjisë komuniste. Përveç shumë klerikëe të njohur, Hafiz Aliu kishte miqësi të ngushtë dhe me shumë intelektualë të tjerë jashtë sferave fetare si Hamdi Bushati, Sheuqet Muka, Hamit Gjylbegu, etj me të cilët ai kalonte orë të tëra në biseda intelektualësh që nuk u linin gjë mangut atyre të elitës europiane. Kështu në broshurën “Kunora e lumnis, caku i filozofis” (Shkodër 1931) Hamit Gjylbegu i kushtoi Hafiz Aliut, vjershën e shkurtër të titulluar: “Tingëllimi i mordës”, me kushtimin: “Teologut të ri dhe mikut të vjetër, të përndritshëmit Hafiz Ali Krajës”.

Në burgjet komuniste

Edhe pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Hafiz Ali Tari nuk e pushoi luftën propagandistike kundër tyre. Kështu komunistët nuk ia harruan Hafiz Aliut fjalimet që ai kishte mbajtur në Kinemanë “Rozafat” kundër rrezikut që vinte prej ideologjisë komuniste dhe sidomos atë që ai kishte mbajtur në Besëlidhjen e krerëve të Shqipërisë së Veriut. Nisur nga ky fakt, që në vitet e para të pasluftës, ai u arrestua prej Sigurimit dhe poërfundoi në burgun famëkeq të Burrelit. Lidhur me respektin e madh që gëzonte Hafiz Aliu nga të dënuarit politikë gjatë kohës së burgut, Caf Jonuzi, një nga bashkëvuajtësit e tij shkodranë, dëshmon: “Unë pata rastin apo fatin që me të përndritëshmin Hafiz Ali Kraja të jetoj si bashkëvuajtës në burgun Nr. 5 në Tiranë në vitet 1955-56 që për mua ma shumë se burg, ato vite i konsideroj si universitet. Asokohet në atë burg skëterrë , kishte një kontigjent të madh intelektualësh, që ishin diplomuar në universitetet ma prestigjoze të Perëndimit, si në Kembrixh, Oksford etj.

Në ato ambjente burgu, Hafiz Ali Kraja jo vetëm gëzonte një nderim dhe respekt apsolut, por vlerësohej si një ndër figurat ma të spikatuna të atdhetarizmit, fesë, dhe kulturës Shqiptare”, kujton Caf Jonuzi lidhur me respektin e madh që gëzonte Hafiz Aliu kur vunate dënimin në burgjet komuniste. Një nga të dënuarit e tjerë politikë, Padër Konrad Gjolaj, në librin e tij “Çinarët” lidhur me Hafiz Aliun në mes të tjerash është shprehur: “Hafiz Ali Tari ishte një njeri i madh për kohën. ishte pa dyshim ndër hoxhët ma të kulturuem që kam pas rastin me njoftë, për mos me tahën ma i dijtuni. Studimet teologjike i kishte mbarue në Kajro të Egjyptit dhe kujtohej shpesh fjala e tij me rastin e vdekjes së Fishtës. Një fetar i mirë si Ali Tari kurrë nuk mundet me qenë fanatik”. Pas daljes nga burgu i parë, Hafiz Ali Tari, vazhdoi pasionin e tij të vjetër studimet dhe mbante kontakte me miqtë e tij të një rrethi të ngushtë, si me Hamit Bushatin e Sheuqet Mukën.

Por ai nuk qëndroi shumë kohë jashtë hekurave, sepse në kuadrin e luftës që ndërrmorn komunistët kundër fesë, në shkurtin e vitit 1967, ai u arrestua përsëri. Lidhur me këtë, Nexhmi Bushati dëshmon: “6 shkurti i vitit 1967 i shkaktoi traumën dhe shkatërrimin e dytë Hafiz Ali Tarit, mbasi atij iu ke gjithë biblioteka, ku kishte thesarin e diturisë hyjnore, filozofike dhe shkencore. Ajo bibliotekë që dispononte ai ishte blerë në kajoro me një vlerë prej 700 napolona ar, saqë kur ishte në burgun e parë, ai porosite shpesh të shoqen e tij, Zenepen duke i thënë që ta ruante fort atë që të mos dëmtohej nga mungesa e tij”, kujton Nexhmi Bushati lidhur me bibliotekën e famshëme të Hafiz Aliut dhe merakun që ai kishte për të. Pas daljes nga burgu ku ai vuajti për 20 vjet, Hafiz Aliu nuk pati fatin të jetonte shumë gjatë dhe u nda nga jeta në vitin 1974, por emri, jeta dhe vepra e tij, ka mbetur e` gjallë në kujtimin e qytetit të Shkodrës.

Fjala e Hafiz Aliut mbi varrin e poetit të madh

“Poet Kombëtar, Patër Gjergj! Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat Tueja, rrin shtag, hutohet, pse jan shum, janë të mëdhaja edhe të madhënueshme, aq sa është e vësjtirë me caktue se mbi të cilën aso veprash duhet të flitet. Vepra Yte o Poet, ka për të formue një faqe të të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse me aktivitetin, qi ke zhvillue ndër Konferencat politike ndërkombëtare, nuk ke tjetër veçse me i sigurue kombit t’onë të drejta që ai ka jhetike e si ma i vjetri komb në Balkan. Shkrimtarët e ardhshëmtë historisë shqiptare jetën politke tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë” Kryevepra jote monumentale. Ta jesh i bindun, o Poet i Madh se Shqyptari me Lahutën e Malcisë ka për të qenë gjithmonë kryenaltë si çë janë Helenët me Iliadën e Persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar.

Sot, djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep besën shqiptare, tue, t’u betues se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësin shqyptar, do ta ruejm e do ta mbajnë si gja të shtrenjtë morale. Gjithashtu edhe populli mbarë, i fushavet e i malevet, anë e kand në Shqypni sot të nep besën se lahuta e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima, gra, djelm e varza me fjalën shqiptare të napin besën, se vëllaznimin kombëtar, qi Ti çfaqe në Lahutën, do ta mbajnë me forcën ma të madhe. Mbreti Perandor e Duçja i Fashizmit, e çmuene vlerën e madhe tanden, tue t’emnue anëtar të Akademis ma të naltë të Perandorisë romane. Me këtë rast ti u njofte një personalitet botnuer, u bane shoq me Markezin e vehtje tjera të botës kulturale, veçanërisht t’Evropës Oksidentale. Me ty, Patër Gjergj, Kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”.

— marrë nga Gazeta Shqiptare, 28.06.2003


Portret ndër pasqyra:

Hafiz Ali Kraja (Tari) 1900 -1973

nga Agron TUFA

1.

“Hafiz Alia ishte një hoxhë i pashëm, me një shtat të hajthëm, imcak, mbi mesataren. E mbante veten me shumë sqimë e elegancë në veshje”. Kështu e mban mend në vitet `30 Hafiz Aliun bashkëkohësi i tij, kleriku i mirënjohur Vehbi Ismaili. Ky përshkrim është ndër të paktët që ndeshet dhe i përket viteve antimonarkiste, kohë kur u burgos (1936) nga autoritetet e mbretërisë e më pas u lirua në gjyq, si pasojë e një krize të fortë nervore.

Vite më vonë, më 1947, një tjetër dëshmitar, Ejëll Çoba, e përshkruan kështu Hafiz Aliun në librin e tij memuaristik “Jetë e humbun”: “Edhe dyqani i Ulqinakëve ishte transformuar në burg… makina priste … Prej andej doli Hafiz Ali Tari (Kraja) i veshun me xhybe, që mbante në krye një fes të zi pa çallmë. Si gjithmonë, i pastër, me një mjekërr të shkurtër e të mbajtun mirë. Edhe në atë rast nuk i mungonte nji buzëqeshje e lehtë, që i jepte fytyrës nji gjallni inkurajuese. E kisha njohë Hafizin edhe ma përpara. Më kishte dhanë përshtypjen e nji njeriu të kandshëm, optimist, me një farë kulture, që kishte qejf me vu në pah. Orvatej dhe deri diku kontribuoi për nji farë marrëveshje midis Sylçe beg Bushatit e Gjon Marka Gjonit. Në fillim të pushtimit italian u tregue filoitalian. Kishte qenë në dijeni të komplotit antizogist, që do të pranonte për mbret nji princ nga shtëpia e Savojës. Kur doli puna ndryshe, ashtu si Shuk Gurakuqi, nuk pranoi të shkonte në asamable për t`i dhanë kunorën Viktor Emanuelit. Kur Italia po kalonte ditët e fundit në Shqipni, deshën ta internonin, por ardhja e gjermanëve e shpëtoi”1.

Ka një pasaktësi të vogël në kujtimet e Ejëll Çobës: Hafiz Ali Krajën jo vetëm që e internuan italianët në verën e vitit 1943 në Porto-Palermo, por e internuan bashkë me të atin dhe dy vëllezërit.

Edhe At Zef Pllumi në kujtimet e tij pohon: “Hafiz Ali Tari (Kraja) ishte njeri i madh për kohën e padyshim njeni ndër hoxhët ma të dijtun. Kishte përfundue studimet universitare në Kajro – Egjipt – dhe njihej si një teolog mysliman që dinte shumë gjuhë dhe ishte gojëambël. Në vitin 1939 ishte caktue edhe ai në delegacionin për të çue kunorën prej Shkodre dhe, siç e tregon vetë Hafizi, nuk shkoi për meritë të atë Anton Harapit. Kujtohej shpesh fjala e mbajtun prej tij me rastin e vdekjes së atë Gjergj Fishtës. Në bindjet politike ishte antizogist dhe i lidhun shumë me anën katolike, sidomos me françeskanët; simpatizonte malësorët e veriut. Pjesëmarrës në jetën politike që në rininë e tij kalon mjaft vështirësi e rreziqe. Arrestohet që në vitet e para (komuniste) dhe akuzohet randë: rrezikon edhe pushkatimin. Edhe në burg mbeti ndër miqtë më të mirë të katolikëve çka nuk shihej mirë nga ana e fanatikëve në burgun e Burrelit. Shpëton duke vuajtur mjaft vite burgu…”.

Çfarë kishte thënë Hafiz Aliu që i mbahej mend fjala në varrimin e dhimbshëm të Atë Gjergj Fishtës më 1940? Ai i drejtohen poetit të vdekur në vetën e dytë bisedore:

“Poet kombëtar, o Patër Gjergj! Një orator, tue dashtë me folë mbi veprat Tueja, rrin shtang e hutohet, sepse ata janë shumë, janë aq të mëdhaja e të madhnueshme, sa asht vështirë me caktue se mbi cilën aso veprash duhet me folë. Vepra Yte o Poet, ka për të formue nji faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk kje tjetër veçse me i sigurue kombit tonë të drejtat, qi ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën tande politike do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së malcis” – kryevepra jote monumentale. Të jesh i bindun o Poet i Madh, se shqiptari me Lahutën e Malcis ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamenë, mbasi, ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psiqikën e karakteristikat ma të ndjeshme të popullit shqiptar.

Sot djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep besën shqiptare tue t`u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësinë shqiptare, do ta ruejnë e do ta mbajnë si gja të shenjtë morale. Gjithashtu edhe populli mbarë, i fushave dhe i maleve, anë e kand në Shqipni sot nep besën, se Lahuta e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në Lahutë, do ta mbajnë me forcë të madhe… Me ty, patër Gjergj, kombi shqiptar mburret, naltësohet dhe madhnohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet; djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot në faqe të përcjellim me mallnjim e dhimbje në jetën e pasosun”.

Realiteti politik e nacionalist, jo vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë e atyre viteve ka qenë lexuar përmes atdhedashurisë dhe jo vetëm prej klerit katolik: elitat fetare myslimane, që kishin mbijetuar luftrat e mbijetesës nga Besëlidhja e Prizrenit në mbrojtje të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Tivarit dhe Ulqinit, ashtu siç paraqiten organikisht në bashkëveprim, pa dallime fetare në “Lahutën” e atë Gjergj Fishtës , luftonin në një front për mbrojtjen e tokave shqiptare. Sigurisht, realiteti i luftrave për mbijetesë nacionale me ushtritë serbo-malezeze, duhet të ketë mbetur i ndezur në vatrën familjare ku u rrit dhe u edukua Hafiz Aliu-fëmijë. Duke qenë kufitarë dhe duke qenë dëshmitarë të masakrave sllave mbi popullsinë shqiptare, familja krajane e Hafiz Aliut ia kishte përcjellë atij që në vegjëli fatin tragjik që i pret popujt jetimë, pa shtet. Por jo vetëm Hafiz Ali Kraja; në lagjen ku u rrit hafizi, në atë mëhallë mes bahçesh pafund e me rrugë që dredhonin bri muresh të larta me gurë Kiri, u rritën edhe klerikë të tjerë të nderuar myslimanë, që nuk i shkëputën fjalët “atdhe” e “fe”, por pa hezituar, disa syresh, u vunë në krye të bashkëqytetarëve të vet në ballafaqim me turq e sllavë, siç kanë qenë rastet e Haxhi Idriz Boksit, Sheh Alisë e Hafiz Musa Dërgutit.

Tradita qytetare shkodrane ka qenë dhe fole e klerit patriotik mysliman, djep dhe sofër njerëzish të ditur e atdhetarë, si Sali Myftiu (plaku dhe i riu), Hafiz Ibrahim Repishti etj. Edhe klerikët myslimanë e kishin të ngulitur fort në vetëdije binomin “Për atdhe e fe”, të njëllojtë si priftërinjtë françeskanë të Shkodrës. Marrëdhëniet mes klerit mysliman e katolik kanë qenë gjithnjë të njëjta në pikëpamje të atdhedashurisë, madje edhe në ferrin komunist, përkundër perçarjeve dhe inskenimeve nëpër hetuesi e burgje, nuk ia arritën t’i kundërvinin kundër njëri-tjetrit; përkundrazi, pikërisht në atë pikë të ferrit, ata përjetuan përvojën mortore të kundërshtarit të vërtetë. Është krejt tjetër punë tendenca për të manipuluar dhe për të bërë alibi sot, se gjoja komunizmi paskësh qenë më mizor me katolikët e më i butë me myslimanët.

Janë dy pasazhe të shkurtra të nxjerra nga “Shënimet” e Hafiz Ai Krajës, nga të cilat kuptojmë se si e kishte bërë ai bilancin e jetës së tij të trazuar, me një “credo” të ngjeshur e të shkurtër: “I jap llogari, më parë, të lumit Zot, gjyqi i Tij asht ma i randsishmi!” dhe: “Jam kryenaltë që jam mundue me krye misionin fetar e kombëtar për sa kam mujtë. Lus Zotin të më falë për mungesat që mund të kem ba në kryemjen e këtij misioni”.

Hafiz Ali Kraja ishte një nga figurat kyçe e moderatore të elitës intelektuale islame. Ideali i tij ishte të shihte një shoqëri harmonike të bazuar te respekti për besimin e njëri-tjetrit dhe se vetëm mbi themelet e harmonisë fetare mund të shpresohej përparimi shoqëror, njeriu cilësisht etik, suksesi i tij me bazë etike, me një botë shpirtërore të pasur, të ndriçuar duke eleminuar konfliktet me besimin e tij tek Zoti.

Komunistët e konceptuan terrorin kundër fesë në dy periudha: deri në vitin 1967 u bë likuidimi fizik dhe organizativ i klerit, ndërsa mbas kësaj periudhe u vazhdua me program likuidimi total i objekteve të kultit, duke mos kursyer as ato që konsideroheshin monumente të kulturës. Në fund të kësaj ploje nga 1306 hoxhallarët ekzistues, mbetën fare pak të mbijetuar. Mjafton të kujtojmë se në vitin 1945, sipas statistikave të Bashkësisë Islame të Shqipërisë, në gjithë territorin shqiptar kishte: 1127 xhami e 17 shkolla-medrese që u rrafshuan pothuajse të gjitha. Janë mbi 60 klerikë myslimanë të persekutuar e ndër ta, ka të pushkatuar. Hafiz Ali Kraja është pjesë e kësaj ploje bashkë me Hafiz Ali Korçën, Hafiz Ibrahim Dalliun, Hafiz Ismet Dibrën, Hafiz Sabri Koçin etj.

Në vitin 1965, pas 3 vitesh ilegalitet dhe 18 vitesh burg, Hafiz Ali Kraja u lirua. Të nesërmen i shkon në shtëpi për kafen e urimit, Patër Mëshkalla, një prift i njohur françeskan, i cili më vonë u arrestua dhe u pushkatua. E pyet patër Mëshkalla:

– Hafiz Ali, ç`kemi ndonjë të re nga burgu i Burrelit?
– Nuk ke me kënd me bisedue, pater! Kanë dekë të tanë!

Si duket, përgjigja e Hafiz Aliut përkon me etapën e parë të spastrimeve komuniste: likuidimin fizik të klerit shqiptar…

2.

Kush ishte Hafiz Ali Kraja? Çfarë përfaqësonte dhe cili ishte botëkuptimi dhe vizioni intelektual i këtij martiri të klerit mysliman të Shkodrës, i burgosur nga Zogu, nga italianët dhe përfundimisht, i persekutuar deri në ditët e mbrame nga diktatura komuniste?

I lindur në vitin 1900 në një familje intelektuale e tregtare-manifakturiste të malësisë së Krajës, që ishte shpërngulur në qytetin e Shkodrës fill pas problemeve tragjike që sollën vendimet e Kongresit të Berlinit (1878), duke lënë jashtë kufirit shtetëror shqiptar krahina të tëra dhe qytete shqiptare nën mbretërinë Jugosllave, Hafiz Aliu kreu shkëlqyeshëm studimet fillore në Shkodër, çka i hapi udhën studimeve të mëtejshme në Kajro, në një prej qendrave me të njohura universitare të kohës, siç ishte Universiteti i El-Ez–Herit. Hafiz Aliu e kreu këtu gjithë ciklin e formimit të tij teologjik e filozofik dhe pas përfundimit të fakultetit të shkencave Islame u kthye në qytetin e lindjes.

Iu ofruan shumë poste në Tiranë, ndër to edhe kryeredaktor i revistës prestigjioze “Zani i Naltë”, por ai parapëlqeu të shërbejë kryesisht në qytetin e lindjes.

Në personalitetin e tij, që në të ri, krahas zgjuarsisë, përkushtimit fetar, kulturës universale (ai zotëronte 6 gjuhë të lindjes dhe perëndimit), spikat një veçori e pazakontë për një klerik: pasioni për politikën. Krahas aktivitetit shkencor fetar, aktiviteti politik do ta shoqërojë Hafiz Aliun që në rini. Është veçse 33 vjeç kur shkruan veprën “A duhet feja? A e pengon feja bashkimin kombëtar”, një vepër ku gërshetohet analiza e hollë e fakteve me argumentin filozofik e teologjik, duke kombinuar çuditshëm erudicionin fetar kuranik, me traditën e filozofisë së lashtë, klasike e postklasike. Referencat e shumta nga sofistët, Sokrati, Platoni, Aristoteli, Dekarti, Spinoza, Lajbnici, Rabie, E. Spenser, Byshner, Shopenhauer e deri tek Gystav Lë Bon ndërthuren vazhdimisht me filozofët e lindjes, komentatorët e Kuranit dhe thëniet e profetit Muhamed (a.s).

Hafiz Aliu ishte ithtar i idesë së Gazaliut, dijetarit të madh islamik, se politika është ndër më të naltat e më të çmueshmet dije, prandaj mbrojti idenë, se njerëzit e politikës trashëgojnë cilësitë e Zotit sepse mbajnë rendin dhe drejtësinë, që janë aq të domosdoshme për zhvillimin e një kombi e të një shteti. Ai shkruan, se vetëm feja, vetëm individi i mbrujtun me zjarrin e besimit fetar është në gjendje të ëndërrojë për të mirën dhe të jetë garant i drejtësisë. “Feja islame, thotë Hafiz Aliu – të mirën (hajrin) e gjen vetëm në njohje dhe në adhurim të së drejtës; aty ku nuk qëndron e drejta nuk kundërmon asnjë e mirë; feja Islame këtë e konsideron si një dëm. Ja, prej këtyre shpjegimeve kuptohet se fanatizmi nuk pajtohet me Islamin”. Frika e tij për shpërthimin e epidemisë ateiste (sikundër më vonë, dublimin e ateizmit me komunizëm) Hafiz Aliu e shpreh që në parathënien e librit të tij: “Këtë parathanie të shkurtë po e mbyll tue iu lutë të madhit Perëndi me e ruejt popullin shqiptar prej ateizmit, që asht nji humnerë e rrezikshme për komb e atdhe”.

Në kapitullin “Islami dhe ateizmi” ai shprehet: “Çdo mysliman më parë se çdo gjë beson se “Gjithësia është vepër e një Krijuesi”. Me argumenta të mprehtë Hafiz Aliu polemizon me pikëpamjet pozitiviste e ateiste mbi moralin dhe disiplinën si përbërës të ndërgjegjes. Ai argumenton se të gjitha ndërgjegjet e formuara prej burimesh jofetare, të shpien pashmangësisht në konflikt: “Njeriu nga natyra është narcisoid dhe kur gjen rast dhe mbetet i lirë prej vërejtjeve të ligjit ose disiplinës, ai vepron sipas ëndjes së vet. Pra, për ta ndaluar dhe për ta ruajtur prej të këqijave, e vetmja fuqi është disiplina fetare”. Sepse, sipas tij “Morali fetar është një moral filozofik”. Për Hafizin, ndërgjegjja e vërtetë është ndërgjegjja fetare, përndryshe morali i saj është i dyshimtë. Hafizi citon Herbert Spenserin kur thotë: “Urdhrat e moralit në ditët e sotme janë duke sjellë fuqinë e cila përcillet vetëm nga burimet e shenjta. Rreziqet më të mëdha vijnë kur morali fetar merr tatëpjetën”.

Hafiz Aliu i sheh me dyshim të gjitha përkufizimet që i bëjnë ndërgjegjes si domethënie. Ai citon filozofin Edmond Golbot në definicionin e tij mbi ndërgjegjen, që e cilëson atë si “Shqisa për ta ndarë të mirën nga e keqja”. Por Hafiz Aliu shkon më larg duke përkufizuar vetë moralin e ndërgjegjes: “Ajo që përcakton moralitetin ose imoralitetin e një vepre nuk i përket mendjes, por kjo është detyrë e ndërgjegjes. Mendja është një dëshmitare e cila e dikton të mirën prej të keqes, kur ndërgjegjja është sunduese”. Por Hafiz Aliu pranon se ndërgjegjja është gjithmonë konfuze, ndaj ajo duhet të ketë një prijës të ndritshëm: “Që ndërgjegjja të mund të jetë e fuqishme, duhet të ketë lidhje me një burim të shenjtë, përndryshe ndërgjegjja, e cila kuptohet prej sofizmave dhe smirave personale, nuk mund të veprojë si duhet. Ky prijës i ndërgjegjes mund të jetë vetëm Feja dhe se një moral i ndërtuar vetëm mbi ndërgjegje personale, pa pasur prijës Fenë, nuk mund ta ketë vulën-përulëse”.

Ndërsa kur komunizmi qe shndërruar në lëvizje të kamufluar luftarake, Hafiz Aliu ndërmori predikime fetare të veçanta kundër ideologjisë marksiste-komuniste, siç është fjala e mbajtur para besimtarëve në xhaminë e Fushë Çelës, ku ai iu drejtua audicionit me hytben “Ç`është komunizmi dhe pasojat e tij për popullin shqiptar”. Në vitin 1944, duke parë rrjedhën e ngjarjeve, ai iu vu punës për krijimin e një besëlidhje të përgjithshme, si një front antikomunist, i cili, midis të tjerave, do të hynte në kontakt me forcat aleate dhe do t`u kërkonte atyre zbarkimin menjëherë pas largimit të trupave gjermane.

Parashikimi dhe largpamësia e Hafiz Ali Krajës dolën, mjerisht, të sakta: komunizmi erdhi si fatkeqësi dhe u ngul për gjysmë shekulli në Shqipëri, në variantin e tij më gjakatar e më të shëmtuar stalinist. Ndërsa Hafiz Aliu dhe bashkëmendimtarët e ngjashëm me të, u hodhën në ilegalitet.

3.

– Unë kam thirrë “babë” në shpi për herë të parë më 12 dhjetor 1965, atëherë kur im atë u lirue prej burgut të Burrelit, – thotë i biri i Hafiz Aliut, Mehdi Kraja, të cilin i ati e la në moshën 2 vjeçare, së bashku me të vëllanë, Asimin 4 vjeçar dhe të motrën, Feleken, 6 muajshe. “Këtë emën “babë” e kisha shqiptue në moshë të rritun edhe ma parë, por vetëm përmes hekurave të burgut”.

Fill pas dorëzimit, si shumë “ilegalë” të regjimit komunist, Hafiz Aliu u dorëzua me rastin e amnistisë që nxori partia-shtet në vitin 1946. Përkundër premtimit se do t`i falnin, dhuna e verbër e komunistëve nuk kurseu asnjërin: në sallat e gjyqit dhe në rrugë, antikomunistët, intelektualët, tregtarët, ish-funksionarët e qeverive të mëparshme e sidomos klerikët, nën thirrjet e turmës histerike “Tradhtarët në litar!” – u pushkatuan apo u burgosën me vite të gjata nën një terror çnjerëzor e të pakrahasueshëm.

Hafiz Ali Kraja qëndroi kambë e duar i lidhur me Ejëll Çobën, gjithashtu i dorëzuar më rastin e asaj kinse amnistie. Ndërsa që me datë 24/10/1945, kur Hafizi qe arratis, Komisioni i Posaçëm për Konfiskimin e Pasurisë së të arratisurve dhe të të dënuarve politikë, nëpërmjet një urdhëri të lëshuar nga Këshilli NÇL i Prefekturës së Shkodrës e ka futur në listën prej 28 emrash Hafiz Ali Tarin (Kraja), të cilëve do t’u konfiskohet pasuria e tundshme dhe e patundshme: Hafiz Aliu është në këtë listë i 23-ti.

“Policët, që erdhën për konfiskim, – thotë Mehdiu, – morën tekstualisht gjithçka, deri dhe lampadarin, madje dhe portollampën. Atë natë u shtrimë me fjetë për dysheme e mbetun lakuriq, pa dyshekë, pa jorgan… leri mobiljet! Shpia jonë e vjetër ishte e madhe, tre katëshe, me telis: baba kishte mobilu me shije e merak të madh dy dhoma me orendi të zgjedhuna: njënën allafranga e një tjetër allaturka. I morën të gjitha.

Familja e Hafiz Aliut, siç merret me mend, mbeti në mëshirë të fatit, me tre të mitur nën kujdesin e nanë Zenepes e gjyshes, sepse edhe xhaxhallarët aso kohe, Hushi dhe Maliqi, qenë arrestue. Që të dy provuan tortura të tmerrshme në hetuesi, që të tregonin ku ishte fshehë i vëllai, kaluan edhe në karrige elektrike, por nuk treguan. Tregon Mehdiu: “Filluen me e torturue dhe nanën, por deshti Zoti dhe ndërhyni Bahri Kopliku, që ishte mjeku ligjor, i cili i jepte raport, si e sëmundë me zemër dhe ata kishin frikë mos u mbetet në dorë. Por ata shpikën nji torturë edhe ma të tmerrshme… Ka kenë nji hetues xhahil, nji Durlaq Lekiqi… Ai na merrte ne, dy vllazënve, dha para syve të nanës na përplaste krenjat me njeni-tjetrin, që kjo, tue mos e durue atë mizori, të mujtte me tregue. Kështu përditë… Atëherë lagjja, sa herë na shifte me nanën se na shtinin në makinën e Durleq Lekiqit, dhe mandej kur dilnim, krenjat tona të enjtuna e me xhunga, filloi me sajue… sapo shihnin se po vjen makina e tij në lagje, vraponin dhe na fshihnin… përfytyroni… unë isha rreth 3 vjeç, e vllau em katër e gjysëm.

Na i përplaste krenjat fort… ne na binte të fikët ai zgërdhihej (sot i biri është anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës!). Prej asaj dite asht kujdes lagjja. Kaspi na e jepte mishin pa pare. Dyqanxhinjtë e furxhiu po ashtu. Në rrugë e në shkollë jemi rritë nën thirrjet përbuzëse: “bijtë e armikut të popullit!”. Nuk kishte natë që në shtëpinë tonë të mos vinte kontrolli. Që i njomë fillova me mësu e me punu zanatin e marangozit. Që në fillim, pa përvojë, këputa dy gishtat e njënës dorë… ashtu kam punue tan jetën. Motra u fut në një kurs rrobaqepsie, por s’mundi me e mbarue, se e dëbuen si “e prekur”. Të tanvet na ka rritë nana me majën e gjylpanës. Ishim familje e madhe, por nanës i kishte falë Zoti nji dhunti: ajo ishte rrobaqepse e zonja dhe bante jorgana.

Gjatë kohës para dorëzimit, Hafiz Ali Kraja gjendej i strehuar në familjen patriotike të Esat Lezhës, bashkë me nacionalistin antikomunist, Hamdi Sinanaja. Rrinin të fsheun në bodrum. Ata i kishin dhanë besën njeni-tjetrit me mos ra gjallë në duart e komunistave. “Njëherë, tregon Mehdiu, dikush i rrethit familjar kishte spiunue. Erdhën kontroll dhe e bastisën shpinë. Ata (sigurimsat) kërkonin bodrumin, por nuk po gjenin kapanxhën… dhe nuk e gjetën. Nuk u shkoi ndërmend, se kapaku gjendej bash në votrën e zjarrmit. Gjatë kohës që vazhdonte kontrolli, Baba dhe Hamdiu, që i kishin dhanë besën sho-shokut se nuk do të binin gjallë në duert e komunistave, rrinin në gjunjë përballë njeni-tjetrit me kuboret e puquna në tamthat e njeni-tjetrit. Në rast se kapaku hapej, ata njikohësisht do të shkrehnin koburet në tamthat e njeni-tjetrit… Për fat, nuk e gjetën kapakun”.

“Ngjarja ma e randë, tregon Mehdiu, ka qenë përjashtimi nga gjimnazi. Në ato ditë na erdhi dhe lajmi i internimit tonë familjar në Bajram Curr. Atje në fillim mezi i shpëtuam vdekjes. Kemi banuar në një dhomë të errët mulliri. Sa herë binin shirat, uji vërshonte dhe përmbytte krejt dhomën. Ma vonë u zuna për pune dhe fillova me fitue. Pikërisht atëhere i thashë nanës: boll je robtue vetë, tue i ra mbas babës. Tash jam rritë vetë. Do t’ia blejë vetë babës ushqimet dhe do shkoj ta shof vetë. Kështu vazhdova, deri kur baba u lirue… “.

“Edhe para se me u rritë e me e njohë babën tem, më kishin thanë, se tan ditën e lume e nji pjesë të natës e kalonte në studion e tij, që i thirrshin “oda e qitapëve”. Dhe e thirshin vetëm në vaktet e ngranies. Të njajtën situatë të tregueme, e mbrrina vetë, kur baba ishte kthye prej burgut: kohën e kalonte mes leximeve. Por mbrriti vjeti i mallkuem i 1967-ës dhe baba u kthye prej nji mbledhje ku e kishin thirrë në lagje, ata të organizatës. Ishte i zbehtë dhe tha me të pëshpëritun: kjo asht mordja ma e keqe! Organizata e lagjes e kishte urdhnue, që të nesërmen duhej të rruente mjekrrën dhe të dorëzonte bibliotekën. Kjo për te ishte vdekja ma e randë! Biblioteka vlerësohej me 700 napolona ar, nji ndër bibliotekat ma të mdhaja në Ballkan.

Pjesa ma e madhe e librave shkoi në fondin e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Nji ndër ata që zgjodhi libra me i marrë për vete ka kenë Jup Kastrati, i njohun për marrje të librave edhe prej bibliotekave të konfiskueme të priftave françeskanë. Kishte pse me ardhe keq: ishte biblioteka, bashkë me atë të myftive të tepes, ma e pasuna. Kishte mija libra në gjashtë gjuhë: libra teologjikë, filozofikë, artistikë. Mue mu dha me terhjekë nja 700 kopje të librit “A duhet feje, a e pengon bashkimin kombëtar”. Hapa një gropë, i mbështolla me mushama dhe i groposa. Mbi të mbolla nji fik. Kur e kam çelë gropën, munda me nda vetëm 17 kopje në gjendje të mirë. Pjesa tjetër qe kalbë.

[1] Çoba Ejëll “Jetë e Humbun”, fq. 26, Tiranë 2010.

— marrë nga Drita Islame

SHKRUAJ NJË KOMENT