Gjon Shllaku (1923-2003)

0
6711

Gjon Shllaku (Shkodër, 24 mars 1923 – 16 gusht 2003) ka qenë seminarist dhe më tej u shqua si përkthyes i klasikëve grekë, latinë, francezë.

Jeta
Leu djali i dytë i Prelë Shllakut dhe Pinës së Hilë Temalit, mes Lecit dhe Luigjit. Gjyshi i tij kishte rënë nga fundi i shek. XIX prej Logut të Gegajve të Shllakut në Shkodër, i ati kishte qenë blegtor në toka të marruna me qira. I ati i vdes qysh kur Gjoni ishte 1 vjeç, si rrjedhim duke mos e njohur të atin. Rritet jetim tek daja Ndoc Hilë Temali.

Tri klasët e para të fillores i kreu në kolegjën françeskane, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”. Nga 24 shtatori 1935 deri 9 dhjetor 1945 studioi në Seminarin Papnuer të Jezuitve duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë[1], zotëron mirë greqishten e lashtë, latinishten, frëngjishten dhe italishten[2]. Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus.

Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte në 23 vjeç. U dënua me burg të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si antar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe në batat e Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkop Visarion Xhuvani, me të cilin thellon njohuritë në greqisht[1]. Pas daljes nga burgu më 1957[3] ka punuar te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim[4]. Mbas rënjes së regjimit gëzon njohjen e duhur të mundit të bërë, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat.

Përkthime dhe leksikografi
Një ndër mjeshtrat e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit.[1] 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit[2]. Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”[5]. Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në gegnisht që ribotua në standard më 1979, me 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën[6].

Veprat
Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuara. Pas 47 vitesh i vëllai, regjizori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20 dt. 20 nëntor 1999[7].

Mirënjohje
Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti Sali Berisha. Në prill të 2003 i akordohet nga Pres.residenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh”[8] dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”[1]. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i “Penës së Artë” të dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001. Fitues i ”Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë[9].

Marrë nga WikiPedia

Shënim i marrë nga Facebook, me autor Shqiptaro Madhi, 30 prill 2016:
Gjon Shllaku i helmuar nga greket, ne nje konference shkencore ne greqi. E pyeten greket si ka mundesi qe perktheve Iliaden e ky tha: kam perkthyer shqip me shqip. F. Kraja thote se ai ishte zoterues i 18 gjuheve te huaja, pra renditet si i pari shqiptare qe zoteronte me shume gjuhe te huaja.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.