Gjekë Marinaj (1965)

0
774

Gjekë Marinaj Ka lindur në Brrut të Kastratit, Shkodër. Ka emigruar në Amerikë para ngjarjeve të vitit 1990 dhe pas përfundimit të studimeve të larta për letërsi dhe arte botërore, ai ka filluar punë si mësimdhënës në një kolegj amerikan në Dallas, Texas.


Vizito uebfaqen zyrtare: marinaj.info

  • Poezia e Gjekë Marinaj – nga Dhurata Hamzai
  • E veçanta e poezisë së Marinajt – nga Mujo Buçpapaj
  • Ana tjetër e pasqyrës – nga Arben Çokaj

    “Mos më ik larg” deri në “Infinit”

    Shënime për dy vëllime poetike të Gjekë Marinajt

    — nga Kolec Traboini

    Në dy libra te botuara, njeri ne Shqiperi me 1995 dhe tjetri ne Teksas me 2000, qe me rane ne dore kohet e fundit, gjeta poetin e vërtetë, poetin që në fillimet e veta ne 1990 modestisht kishte botuar nje poezi ne gazeten “Drita”, poezine “Kuajt” qe i dha autorit te ri nga Bajza e Shkodres, sa fame aq dhe travaje.

    Nderkohe qe shumë lexues ane e mbane Shqiperise e admironin, madje ato 21 rradhe i kishin kopjuar e kaluar dore ne dore, sigurimi i asaj kohe e therret autorin ne Degen e Brendeshme ne Shkoder per nje bisede informative, ç’ka nenkuptonte rrezikun e arrestimit te tij. I ndodhur perpara dyerve te hapura te burgut te diktatures, autori preferon arratine ne Jugosllavi. U tha atehere se autori iku duke mos lene kurrfare gjurme, e kjo per shume dashamires te poezise krijoj nje boshellek, trishtim e pshtjellim te madh, sepse kurrkush nuk e ndjente veten te sigurtë e te perjashtuar nga kesisoj thirrjesh ogurzeza te Sigurimit.

    Do te kalonin 5 vjet (kohe e bjerrjes se madhe intelektuale per Shqiperine) dhe ne librarite e vendit do te shfaqej libri “Mos më ik larg” çfare perbente aktin e kthimit poetik te Gjek Marinajt tek lexuesit shqiptare, qe nga Teksasi i Amerikes ku ai tashme jetonte e krijonte. E ne kete kthim poetik poezia e shume njohur “Kuajt” kishte te drejten e qytetarise per te qene ne krye te 52 poezive qe perben vellimin e pare poetik te autorit…


    Cikël poetik

    VAJZAT E KALIFORNISË

    Ecin majë gishtave mbi krahët muskuloz të tokës
    duke endur çudira në lëvizjen e hijeve,
    çudira të pasqyrta – kurthe vështrimesh,
    prekje që e ndajnë gjithësinë në kube të qelqta.

    Vajzat e Kalifornisë
    heshtin në gjuhën tamlore.
    Me termetet dhe njerëzit u mjafton dialekti i trupit.
    Ndërsa me djemtë – syze
    përtej të cilëve deti u duket si një trandafil në çelje
    ato përdorin gjuhën e mjaltit;
    zëri u zgjatet si një ushtimë në të ardhur
    diku nga një lëndinë e bardhë dhe e virgjër yjesh.

    Kalifornia ka gjelbërim vajzëror të përhershëm.
    Ndaj
    retë e bardha nderen konfuze midis tyre dhe qiellit.
    Ndaj
    vullkanet në Majami shpërthejnë gjoksin e zjarrtë
    duke i përcëlluar me inat buzët e kripura të ujrave.
    Ndaj
    pa vajzat e Kalifornisë vet bukuria ndjehet jetime.

    Ato, të bukurat, bjondinat, vajzat zëmjaltë
    jetën e djemëve e ngrejnë tek orët e zgjatura të ëndrrave,
    dhe ëndërrave të tyre u japin sisë të rritem të qashtra.

    SHOQET E ZYRËS TIME

    Ato hyjnë në zyrë si boja e freskët në varg.

    Takohem me të gjitha si me puhizën e mëngjesit:
    sytë e ditës mbushën me aromën e tyre njerëzore.

    Ndërsa unë, që s’e imagjinoj Akilin të ketë pasë thembra,
    pa e kuptuar kërkoj nënshtetsi tek atdheu i tyre i bukurisë.

    SEPSE NJË DITË TË PASHË ME DETIN

    Aherë, për të mbrritë tek dashuria
    ishim akoma të pakrahë.
    Si zogj të porsalindur prisnim dashuria
    të na hidhej vetiu në gojë.
    Prekjet janë të dëmshme për fëmijët
    me thoje,
    puthjet janë të rrezikshme
    si loja me zjarrin.
    Të bësh dashuri, pa u rritur,
    jo, jo shtoje.
    Por unë merrja frymë
    prej mushkërive tuaja.
    Tek flija, ti ishe ëndrra
    ku akoma
    lumturia dhe ndrojtja ime
    lëkundeshin të ekuilibruara.
    Tek ecja, ti më mbaje në ajër
    rrugëve baltore të Bajzës
    të mos njollosja pantallonat
    e hekurosur vetëm për ty.
    Çdo e rrahur zemre
    më qarkullonte në gjak emrin tënd.
    Larg teje
    isha si njeriu larg syzeve të tij optike –
    ngjyrat e universit më ngjanin
    po aq të lodhura sa unë.
    Imazhi yt ishte shkrirë
    në materiet e botës që thirrja në ndihmë.
    Pra, unë dhe ti, ishim një trup,
    një shpirt, një dashuri;
    po të mblidhnim moshën e ne të dyve
    do të ishim tamam 32 vjeç.
    Megjithatë
    je akoma i vogël, akoma, përsëritje.
    E prapë më gënjeje se të pëlqente
    të ishe e pacikëshme.
    Them më gënjeje
    sepse një ditë të pashë me detin.
    Krahët e tij muskulozë
    të tërhiqnin fort rreth thellësisë.
    Ai, deti, ti puthte sytë e tu
    si të ishin të parët sy që shihte.
    Ti madje, për ca sekonda,
    harrove frymëmarrjen.
    Të mbushëm ajër
    harrova edhe unë duke ju parë.
    Ti largoheshe në bluhtësinë e gjoksit të tij
    si një ëngjëll i bardhë.
    Po, po, e pashë atë detin
    tek i petëzonte gishtërinjët e ujët
    dhe si për inatin tim
    t’i preku lëmueshëm flokët, fytyrën.
    Madje i shtriu si nëperka tinzare
    edhe nën kostumin tënd të banjës.
    Ti e di. Këto gjëra
    vetëm unë duhet t’i kisha bërë me ty.
    Po, po! Atë që ti e bëre me detin
    duhet ta kishe bërë vetëm me mua.
    E ku ta dija unë
    se po ta lashë dashurinë për më vonë ajo brymoset.

    PËR TY

    Me të dyja duart e shkunda hapsirën trilluese.
    Si nga një pemë mbushur portokalle trishtimi
    yjet më ranë mbi buzëqeshje dhe ma velën atë.
    Unë ziej ndjenjat të bëj raki sa për te dehur veten.
    Por pa ty, kuptimi i dritës më është qorruar keq,
    si një pasqyrë e lagur
    ku shoh njëqind fytyra dhe s’di cilën të deh.
    Të ndarë tek dashuria, e dashur,
    jemi vetëm dy të pandehur vetdënuar pritje.
    Dy lule të këputura nga lëndina e lotëve jemi.
    Për ty
    ia kam pirë të gjithë ujin e njelmët detit të mungesës.
    Mos ia pashë kurrë fundin e mnershëm kësaj zgavrre:
    oh, sa puthje të njoma kanë kryqëzuar duart atje.
    Sa prekje të buta i kanë lënë rrobat e mëndafshta
    në një anë…
    Sa fjalë të ëmbla kanë vdekur në grevë urije për ne.
    Si ta mbrrijë qetësinë, t’ja përkundë djepin e padukshëm?
    Si ta përshkoj tunelin e vranët të gushtit pa ty?
    Unë i di mirë arsyet që kemi për botën, detyrimet.
    Po jeta është kaq e shkurtër, e dashur
    sa ne vetëm shkrihemi si dy copëza akulli mbi të,
    si mbi një kaki të skuqur, nën të cilën pjeket fytyra
    e vyshkjes.
    Le të mbetën sa gjëra përgyjsmë, e dashur
    se mungesa kasollen e saj prej prushi ka ngritur
    nën lëkurën time,
    e cila djersin shkujdesur imazhin tënd.

    JETA DO SOSET MË VONË

    Vinsent Van Gongut

    Koha e fëmijëzuar futë këmbët e vockla
    në këpucët e tua të enjtura arti.
    Dhe si endacake vete të matë veten
    me lartësinë midis dy poleve të globit.
    Jeta do soset më vonë,
    sepse koha ka shtangur para “Lulediellit” tënd.

    FËMIJËRIA NUK ËSHTË ME ATY

    Një të kthyer kokën dhe fëmijëria ikën prej teje
    si një puhizë erotike që lëvron buzëqeshje gjoksit të gushtit.
    Ajo, fëmijëria, var akuarelet e saj mureve ajërore të kujtesës
    duke na ftuar në hyrje-daljen e definitetit të fantazisë,
    duke na e larguar veten nga vetja pa as më të voglën britmë,
    duke na e ngjyrosur realitetin në një ylber të pakapshëm,
    duke na i rritur këmbët sa këpucëzat kurr më t’mos na bien.
    Kështu, edhe gjurmët të lëna muzgjeve e humbën fosforin.
    Ndaj zërat e pasditeve na u ngurtësuan në pluhur të bardhë
    që busulla të ketë një tjetër shigjetë që shoqëron drejtimet tona,
    drejtimet tona drejt horizonteve të panjohura as nga zoti as nga djalli.
    Ndoshta na duhet një frymëmarrje e thellë, miq,
    një frymëmarrje gjaknxehtë si në çudirat e dinosurëve.
    Dhe të imagjinojmë veten krahëhapur si një kryq pa lidhje me krishtin.
    Ku në njërin krahë mbajmë çiltërsinë e fëmijërisë
    dhe thesin e mëkateve të rritjes përpiqemi të ekuilibrojmë në krahun tjetër.
    Le të bëhemi vetë peshorja e drejtësisë së vetvetes.
    Eh, jo! Nuk është vonë të kthejmë kokën prapa nga fëmijëria,
    ndonëse fëmijëria nuk është më aty.
    Sepse hijet e trupave tanë u tjetërsuan anekseve të dashurisë, urrejtjes.
    E sa më tepër që këto hije rritën,
    aq më pak vertetësi shohim tek vetja!

    ANA TJETËR E REBELIMIT

    Mos të kthehemi tek britma e ëndërrës së mbrëmshme,
    apo tek durimi i shkrirë në të bardhën e syve, njerëz.
    Le t’i lëmë djegiet e brendëshme të avullojë të luhatura…

    Ngadalsoi gjurmët drejt varrezave të ndjenjave, njeri.
    Dua të vuaj me ty!
    Por qelqen e qytetit të nëndheshëm dëshiroj ta thyej.

    Brinjët e së sotmes s’duhet të mbeten skeleti i së nesërmes.
    Fundi dhe fillimi i jetës s’duhet të cikin njëri – tjetrin.

    ANTIGONA

    Ajo nguli gishtërinjtë në javën e fundit të tokës
    si shtatë kalemet e mbetura të Sofokliut.
    Pastaj
    la dorëshkrimin e rëndësisë së dheut mbi të vdekurin
    dhe fshiu të gjithë kufijtë në hartën e dashurisë.

    Antigona
    për të qeshurën e shkyer të së vëllait
    mbushi bulçinjtë me vdekje
    dhe pa derte
    me jetën e saj pështyu mbretin Kreon në fytyrë.

    E kujt i duhet jeta
    kur ajo vetë brenda njeriut është e pajetë!


    Le ta percjellim tek lexuesi, per te risjelle emocionet e asaj kohe, kur na dukej vetja se ishim më shumë kuaj se sa njerëz:

    KUAJT

    Tërë jetën duke vrapuar rrimë
    Shohim veç përpara
    Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë.
    Ne nuk kemi emër
    Të gjithëve kuaj na thonë.
    Nuk qajmë,
    Nuk qeshim;
    Heshtim,
    Dëgjojmë;
    Hamë atë ç’na japin,
    Ecim nga na thonë,
    Asnjë nga ne s’është mendje hollë.
    Kush qe kalë mbreti,
    Posti qe i lartë
    Kush qe kalë princeshe
    I bënë shalë të artë
    Kush qe kalë fshatari
    Pat samarë me kashtë
    Kush qe kalë i egër
    Tërë jetën fjeti jashtë.
    Po qemë dhe mbetem kuaj, para njeriut!

    Ne vëllimin e pare poetik, te shkruar sa ne Shqiperi ne arratine kampeve te perqendrimit ne Beograd dhe me pas me 1992 poezite ne token e lire amerikane, Kalifornia dhe Teksas spikat ritmi poetik i jetes me vargje lirike si: “Ku po me shpie kaq thelle vetmia ime”- nga poezia “Sot ndjehem tretur bote”, apo ankthi i pritjes ne boten e mergimtarit:

    “Pemet i leshuan neper toke gjethet…
    E zogjte vrapojne pas tyre te te gjejne
    me mendimin se jane gjurmet e tua…
    Ata ecin dhe lendine e mundon
    nje pritje e gjate.”

    [ Nga poezia “Vonesa e motrës” ]

    Ndryshe prej vellimit te pare ku spikatin ndjesi te brishta rinore, pas pese vjete udhe ne shtigjet poetike Gjek Marinaj vjen me nje ze te formuar e vecanesi ne artin poetik. Ai shfaqet si poet i konsoliduar, mjeshter i vargjeve te cilat pershkohen mme nje intensitet drite e figuracioni ne levizje te vazhdueshme, abstragime pertej realitetit, frymemarrjen qe tretet ne avujt e tokes, ne pellumbat e Nerudes, llaven e vullkaneve dhe vajzat e Kalifornise, duke e shfaqur botene vet poetike here si gjysemplanet i perskuqur e here-here si luledielli vangogian ne nje metamorfim te shndritshem sic pershkohet drita ne fibrat optike. Perceptimi i botes prej ndjesive poetike te autorit te librit “Infinit” eshte modern dhe shpreh ne vetvehte zhvillimet marramendese qe ka marre shoqeria njerezore, e cila ne aparence te krijon pershtypjen se teknologjia e sofistikuar e ndjenjat e holla jane ne kahje te kunderta ekstreme, por ne te vertete tek poetet me potencial te larte artistik unisohen, sepse, le ta citojme serisht poetin marinajn ne vargjet per Van Gogun:

    Koha e fëmijëzuar fut kembet e vockla
    në këpucët e tua të enjtura arti.
    …………………………..
    Jeta do të soset më vonë
    pse koha ka shtangur para “Lulediellit” tënd.
    [ Nga poezia “Jeta do të soset më vonë” ].

    “…Tokesoret dergojne astronome, anije kozmike, Apollo 13…
    te zbulojne jete ne planetet e tjera, e dashur.
    Pa e kuptuar se dicka magjike per te mire ka ndryshuar
    me rritjen tuaj,
    pa e ditur se te gjitha planetet jane te vargezuara
    dhe te varura si stolisje enderrore ne qafen tende.”
    [ — nga poezia “Pa e kuptuar – Dusites” ]

    Parathenien e ketij libri, Agron Tufa, vec te tjerash ben edhe kete vleresim te cilin desherojme ta citojme: “Infinit” ashtu si gjithe poezia shqipe e vjeter dhe e re, ruan ne qender te saj unin lirik, porse tek Marinaj, ky fare uni lirik eshte i dhene ne modusin e objekteve rreshqitese, pamundesise, mallit elegjiak per ate “une” te zhdukshem ne strukturat e ngurta dhe te vrazhda te botes.”

    “Sonte do te shkas tinezisht nga gjumi
    me masken e embel te nje enderre ne fytyre…”
    [ Nga poezia “Shqiperi” ].

    Njeri prej krijimeve me perfaqesues te mjeshtrise dhe figuracionit poetik te Gjek Marinajt eshte poezia titullin e se ciles autori ja ka vene vellimit te vet:

    Infinit

    Pika qendrore e ekuadorit te drejtesise
    nuk mund te jete e barazlarguar nga ne.
    Sepse jeta mbetet nje teoreme
    ku kushti dhe perfundimi
    na jepen krejtesisht paradoksale;
    minus dicka ne arsyetim
    e plus dicka tjeter ne perberje.
    Keshtu vehtja ne grafikun e gjithesise
    del prej nesh ne kahe te kunderta.
    Dhe mbesim ne pozicionin:
    minus pafundesish te ashtushem
    dhe plus pafundesisht te keshtushem.

    Padyshin qe vellimi poetik “Infinit” i Gjek Marinajt bashke me librat “Dritarja e nje britme” e Anton Çefes dhe “Vjeshta ne aeroporte” e Luigj Çekajt, perbejne nje perfaqesim dinjitoz e kualitativ te poezise se kultivuar ne Diasporen Shqiptare ne Amerike ne kuadrin e pergjithshem te Letersise Shqipe, prandaj kjo e fundit nuk duhet t’i leje ne harrese por t’i terheqe ne gjirin e saj. Ato jane si burime te pazevendesueshme dhe vitale te lidhjeve se degeve ne trungun shqiptar te poezise e te jetes kulturore mbareshqiptare.

    Ne nje leter qe me dergoi keto dite shkurti poeti Gjek Marinaj, me shkruan: “Sot, per mendimin tim, artistet jane heronjtë me te ndershem qe ka kombi yne. Te jesh sot artist do te thote te shkyesh nga shpirti per te krijuar dhe te rrjepesh nga lekura e kurrizit per te botuar. Por, ngaqe nuk mund te leme pas dore kete pune, nuk na e ka kush fajin.”

    — nga Kolec Traboini, Boston – 11 Shkurt 2001

  • NUK KA KOMENTE

    SHKRUAJ NJË KOMENT