At Gjergj Fishta (1871-1940) – ungjill i ngrohtë atdhedashurie

0
7910

CUBAT – përgatitur nga Zef Ahmeti
Metamorfoza– përgatitur nga Enis Sulstarova

Pavion për Fishtën
Fishta për gjuhën
Fishta pa veladon
Tregojnë për Fishtën
Fjalimi i panjohur
Poeti Kombëtar
Letër e pabotueme
Shkurorëzimi i poetit
Fishta-gjeniu pa varr


Klajd Kapinova Vepra e “Poetit Kombëtar”

— nga Klajd KapinovaNew York, USA

“Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjer, veçse mbas qindra vjetsh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes”

Maksimiliam Lamberc

Një “curriculum vitae” e shkurtër e Fishtës

At Gjergj Fishta

Mësohet nga burimet familjare, se kishte lindur pas tre vëllezërve dhe një motër të cilën e donte shumë. Në moshën 7 vjeçare, nis mësimet e para të edukatës në qytetin e lashtë të traditës kulturore Shkodër në vitin 1878. Dy vjet më pas, vijon mësimet e rregullta në Seminarin e Troshanit (shkollë e klerikëve katolikë). 6 vjet më vonë shkon për të ndjekur studimet në Bosnje (në Kuvendin e Sutiekës), ku, merr dijet e qendrushme në degën filozofike, ndërsa në Kuvendin e Livnos, mëson me adhurim në linjën teologjike.

Në një ndër ditët e ftohta të 25 shkurtit të vitit 1894, në kishën e Troshanit çon meshën e parë, duke qenë i veshun me zhgunin e sandalet e zbathura të shën Françeskut të Asizit. Në vitet në vijim, ishte kapelan në famullinë e Lezhës, mësimdhënës e meshtar në Kolegjin e Troshanit dhe për 12 muaj gjendet në Gomsiqe të Pukës. Në bashkëpunim me abatin e Mirditës, imzot Prenk Doçi, i jep jetë tek themelon Shoqninë Letrare dhe Kulturore “Bashkimi”, boton artikuj të rëndësishëm e të mprehtë, duke përhapur të vërtetën në një numër sa më të madh njerëzish. Ishte i pari që hapi klasat qytetëse, duke futur gjuhën shqipe në mësim, në kohën që ishte emëruar drejtor i shkollës fillore françeskane. Më pas ishte kryetar i Komisionit të Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir (1908), si dhe themelon dhe drejton deri sa mbylli sytë revistën e njohur kulturore-shkencore “Ylli i Dritës” (Shkodër, 1913).

Ai, hapi Shtypshkronjën Françeskane, nga ku nisën të dalin rregullisht periodikë të shtypit katolik dhe kulturorë në qytetin e Shkodrës. Krijoi lidhje dhe ura bashkëpunimi me të gjithë albanologët e njohur evropian asokohe, duke i pasur si bashkëpunëtorë dhe bashkëtrajtues të shumë temave interesante mbi Shqipërinë, gjuhën, visaret e kombit, traditën, letërsinë dhe krishtërimin e hershëm ndër shqiptarë. Në bashkëpunim me të madhin liberator Luigj Gurakuqin (të cilit i kishte venë në ambientet e Kuvendin Françeskan në Shkodër një dhomë përsonale në dispozicion, ku shpesh Gurakuqi strehohej, sa herë që nga kundërshtarët politikë vihej në rrezik jeta e tij, shënimi im K.K.), themelon “Komisien letrare” (1916) të Shkodrës dhe paralelisht me këtë drejton gazetën e rëndësishme “Posta e Shqypnisë”.

At Gjergj Fishta duke studiuar Përvoja e tij e gjërë në zotimin për çështje nacionale shqiptare bëri të mundur që ai me veshjen e fratit, të përfaqësojë Atdheun e vet, në Konferencën e Paqes në Paris, ku kryeson delegacionin diplomatik.

Duke përfaqësuar denjësisht alternativën e opozitës, Fishta ishte deputet i Shkodrës dhe zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Me dorën e vet, përuron hapjen e gjimnazit të njohur “Illyricum” në Shkodër, që pas vdekjes do të marrë emrin e tij, por komunistët e suprimojnë menjëherë me të ardhur dhunshëm në pushtet. Në vitin 1924, merr pjesë në lëvizjet politike të kohës, duke qenë përkrah opozitës noliste dhe më pas emigron në Itali.

Për kulturën e gjerë që kishte, emërohet Lektor Jubilar në Teologji e Filozofi. Më pas, dy herë është përfaqësues i delegacionit shqiptar në Athinë e Stamboll. Për 3 vjet me radhë zgjidhet si Provinçial i Urdhërit Françeskan në Shqipëri (ky urdhër është ndër më të vjetrat në vendin tonë, së bashku me benediktinët, të cilët janë vendosur për herë të parë në shëk.XII-XIII, shënim im K.K.) dhe një vit para se të mbyllte sytë ishte akademik i Italisë, një ndër titujt më të mëdhenj, që ende se ka fituar asnjë njeri i nacionit të vet deri më sot. Pikërisht për këtë fat dhe nder historiografia komuniste, e anatemoi Fishtën deri në përbaltje për gjysëm shekulli, duke mos thënë asnjëherë arsyen, se ishte një atdhetar dhe kundër shovinizmit pushtues barbar sllav.

At Gjergj Fishta me familje 5 ditë pas Krishtlindjeve, më 30 dhjetor 1940 mbylli sytë, ai, që i hapi sytë gjithë popullit shqiptar. Fishta varroset në Shkodër, mes lotëve dhe pikëllimit të madh të bashkëqytetarëve, bashkëluftëtarëve të idealeve të senjta të lirisë dhe demokracisë perëndimore, vëllezërve të dashur në Krishtin e Atdheun. Kur eshtrat e tij, ishin pajtuar me lumninë e pasosur, ndodhi ai akti më antinjerëzor, kur zvarroset nga regjimi ateist i Enver Hoxhës, ashtu sikurse kishin vepruar turqit me eshtrat e Pjetër Bogdanit autorit të “Çetës së Profetëve”, serbët me babain e grumbulluesit të zellshëm e kodifikimit të “Kanunit të Lekë Dukagjinit” at Shtjefen Gjeçovit dhe së fundi përsëri komunistët eshtrat e Dedë Gjo Lulit fatosit trim të Kryengritjes së Malësisë së Madhe (më 6 prill 1911) të cilat me përbuzje i hodhën në ujërat e ftohta të lumit Drin… Pushtuesit e huaj dhe komunistët trathtarë me gjak e gjuhë shqiptari, kishin një emërues të përbashkët: të shkatërronin sa më themel, çdo vlerë dhe figurë të ndritur të trojeve amtare shqiptare.

6 vjet pas vendosjes së demokracisë, për vlerat e së cilës ai punoi e jetoi gjithnjë, më 28 dhjetor 1996, pas 56 vjetësh rivarroset me një cerëmoni, ku, merr pjesë gjithë hierarkia e klerit katolik, duke i bërë edhe një herë nderim relikeve të rigjetura të eshtarave të tij. Para atyre pak eshtrave që Zoti deshti t’i ruante, u bënë nderime e humazhe në qendër të kishës françeskane dhe filloi puna për të ribotuar serinë e veprave të tij…

Pa Fishtën historia e letrave shqipe do të ishte e mangët

At Gjergj Fishta duke lexuar Esencialisht, për të gjithë françeskanët e përvujtur, Fishta, ishte një intelektual dhe klerik i madh. Një njeri me vizione të kjarta. Vepra e tij u bë burim frymëzimi dhe dashurie për Fe e Atdhe dhe përparim, çka në mendjen e Fishtës, ato jetonin në një unitet, duke e ngritur gjeniun në nivele të reja cilësore, që i kanë qendruar kohës edhe sot.

Vlerësime pozitive kishte vazhdimisht sipas këndvështrimeve të ndryshme, për Fishtën e letrat shqipe, si njohës i kthjellët i tërësisë së kulturës së tabanit të lashtë autentik dhe përtej tij. Opinione pozitive kanë shprehur përmes pendës dhe mendjes në kohë dhe në rrethana të ndryshme shumë intelektualë të shquar, albanologë evropianë ashtu dhe bashkëatdhetarët e tij në Veri dhe Jug të Shqipërisë, shkrimtarë dhe studiues të kulturës shqiptare asokohe dhe sot.

Kështu Karl Shtainmes e krahason Fishtën me Gëten e Shilerin, ndërsa francezët e thërrasin “Tirteu i Shqipërisë”. Albanologu i njohur italian at Fulvio Kordinjano, që punoi dhe jetoi për një kohë të gjatë në Shqipëri, radhiti këto fjalë të ngrohta zemre: “Pak kush kujtoj, në letërsi të mbarë botës, ia del at Fishtës si poet satirik, si i tillë me nji fui të çuditshme ther e pren aty ku djeg”. Ndërsa 5 vjet më vonë, albanologu i shquar italian, Prof. Gaetano Petrotta, me pendën dhe mendjen e tij ka lënë të gdhendur këtë vlerësim shumë domethënës: “Ndër veprat e këtij është shprehur e pasqyruar në mënyrë më të kthjellët shpirti i popullit shqiptar. Këto vepra kanë për të mbetur të pavdeshme e kanë për t’u bërë poezia e kombit të Skënderbeut…”. I madhi për të madhin Faik Konica për at Gjergj Fishtën, në shenjë nderimi dhe respkti të thellë ka lënë si dëshmi të tij vlerësimin konçiz: “Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”. Prof. Ernest Koliqi, thotë: “Fishta, ishte vravashka e shqiptarizmës, e bashkimit në gjakun dhe gjuhën e përbashkët”.

Për poetin e pendës, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen Nacionale, Prof. Abaz Ermenji shkruan: “At Gjergj Fishta, është ndoshta m’i madhi poet shqiptar gjer më sot. Edhe ky pjesën më të rëndëishme të veprave të tij, ia pat kushtuar çështjes nacionale”. Në vitin 1989, At Daniel Gjeçaj (që këto ditë ndërroi jetë), studiues i afërt, (botues i “Lahutës së Malcis” në Itali), jep esencialisht këtë formulim: “…Fishta, këndohej pa dijtë se i thojshin emnin; këndohej përse në këngët e tija ishte shqiptar; shqiptari në doke, në kanu, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë, në luftë e në ngallnime”. Poeti i madh i valëve të liqenit të Pogradecit dhe miku i tij Lasgush Poradeci, e pati cilësiar bukur meshtarin françeskan, si: “Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar”. Gjykim të mirë ka hartuar edhe albanologu dr. Antonio Baldacci, ku midis të tjerave sintetizon: “At Fishta mund të thirret apostull i Atdheut të vet…”.

Shkurt e saktë, duke bërë paralelizëm në historinë shumëshekullore shqiptare ka lënë të shkruar edhe at Augusto Gemelli, kur vlerëson: “Në historin e Shqypnis, emni i at Fishtes do të rrijë krahas me atë të Gjergj Kastriotit. Dy emna këta, të cilat janë e do të mbesin nji flamur i vetëm, nji nxitje e vetme e nji lumni e vetme”. Prof. Martin Camaj, shkruan: “…Mua më ka bërë përshtypje një gjë në seleksionimin e shkrimtarëve të vendit, janë ndalur shkrimtarë që ishin krejtësisht të talentuar është edhe Fishta, që ishte shumë i kulturuar në pikëpamjet e letërsisë”. Kritiku i sotshëm bashkëkohorë Dr. Aurel Plasari midis shumë konsideratave për jetën dhe veprën e Fishtës ka dhënë edhe vlerësimin e veçantë: “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë”.

Dr. Sabri Hamiti, një ndër njohësit më të mirë të letërsisë së traditës dhe bashkëkohores, mbi lirikën dhe poetikën nacionale, renditë edhe këto fjalë në parathënien e lirika fishtiane: “…zotërojnë figurat ambientale dikund edhe figurat historike, por gjithnjë më të freskëta janë krahasimet që dalin nga një botë elementare shqiptare e shkëmbit, malit, fushës, lules, erës; pra një botë e tërë konkrete që don të pavdeksohet e të përgjithësohet në art”. Mbi korpusin e botuar të veprave të Fishtës në Kosovë, të ndara në katër vëllime, shquhet edhe shkrimi hyrës që shoqëron kryeveprën “Lahuta e Malcis”, shkruar me art nga studiuesi i shquar i ditëve tona Dr. Anton Nikë Berisha, ku mund të kundrohet me endeje parathënia me titull kuptimplotë: “Vepër e qenësisë së botës dhe shpirtit shqiptar”, ku ndër të tjera autori Dr. Berisha sintetizon: “Rëndësia dhe vlera e “Lahuta e Malcis” dëshmohet pos tjerash edhe me aktualitetin që ka kjo sot, qoftë si tematikë, qoftë si pasuri gjuhësore shprehëse dhe si kuptimësi: – ruatja e qenësisë shqiptare, forcimi dhe pasurimi i vetëdijes dhe vetëdijësimit kombëtar, për atë qëllimin e fundit thelbësor që del nga gjithë vepra letrare e këtij krijuesi madhor – për mirëqënien tonë të sotme dhe të nersërme”.

Vepra e Fishtës një ungjill i ngrohtë atdhedashurie

Mund të thuhet hapur, se kontributi i Fishtës, është simbol i shqiptarizmit të kulluar dhe gjithë vepra e tij madhore përbën një ungjill të ngrohtë atdhedashurie. Si meshtar i përvujtë i popullit të vet që e donte dhe e respektonte aq shumë, u nderua, u respektu si bari shpirtëror shembullor nga delet e veta dhe bashkëkohësit, mbasi si një shqiptar i vërtetë ruante besë e burrëri, kishte guxim e trimëri, për të cilat gdhendi me pendën e fuqishme magjinë e madhe të veprave që krijoi mendja e begatë, duke ia bërë dhuratë krenarie gjithë Shqipërisë.

Pikërisht për këto virtyte të çmueshme, vepra e “poetit nacional” shpaloset me vizione mjaft të gjëra, me vlera të shumta e të një rëndësie të madhe për letërsinë shqipe. Ajo që e dallon më së shumti poetin si gjeni origjinal, midis shumë të tjerave është arsyetimi bindës se: Homeri shqiptar nuk është aspak transplantim i teologjisë a i parimeve të Urdhërit Françeskan, të cilit me devocion ai i përkiste, por ndryshe, ishte më shumë se kaq, sepse ishte gjithnjë një vlerë e re që ripërtërihej e ridimensionohej në një sistem origjinal vlerash, që asnjëherë nuk i kundërvihej kuptimit esencial kristian, në veprat e të cilit identifikohet si një lloj bagazhi i pasur me vlera ripërtëritëse bashkëkohore. Për me tepër, kjo dëshmohet në tërësinë e kulturës solide që kishte pasur fatin e mirë të merrte Fishta, duke përthithur ajkën kulturore botërore e në veçanti atë evropiane dhe e transmetoi nektarin si një trashëgim të denjë brez pas brezi përmes puplës së shkrimtarit.

Pohimi i thjeshtë i autorit, shpjegon dukshëm mesazhin filozofik të tij të shprehur në veprat “Odisea”, “Shën Françesku i Azisit”, “Kryepremja e Shën Gjonit”, të cilat janë respektivisht: ngallnjimi i lirisë, vëllazërimi dhe inifikimi sipas vështrimit të kthjellët të doktrinës kristiane. Gjithsesi mund të pohohet me të drejtën e qytetarisë shqiptare, se kryevepra aq shumë e adhuruar nga shumë breza si një margaritar brilant shkëlqen brenda universit që shpalosë mendja dhe dora e palodhur e shkrimtarit të përkushtuar tërësisht interesave të nacionit shqiptar. Ky prodhimtar i begatë i fushës së letrave shqipe, asokohe me të drejtë ishte përfshirë me të drejtë vlerësimi, në listën e Çmimit Nobël, si i nagjishëm në pendën artistike, çka në këtë mënyrë kishte kaluar kufijtë etnikë dhe i përkiste tashmë edhe fondit të artë të letërsisë botëore.

Si një intektual universal, eruditi i gjërë e i thellë Fishta, ka lënë gjurmë në fusha po aq të vështira sa ajo e letërsisë, ku në mënyrë të dukshme, është shquar si arkitekt shqiptar me shije të hollë.

Disa nga projektet e realizuar nga mendja krijuese e Fishtës janë: balli i kishës së Rubikut, qela e Lezhës. Ndërsa në Dukagjin (Malësi e Madhe) ka mbetur si gjurmë e freskët dora mjeshtërore e tij, që e skicoi në kartë kishën e Prekalit, kishën e “Zojës Rruzare” në qytetin e Shkodrës, ashtu sikurse projektoi kishës së Troshanit. Po ashtu Fishta organizon me vetëinsiativë ekspozitën simbolike me titull kuptimplotë “Rozafat”, ku për vizitorët e shumtë ardashës, ofroi 25 punime të nënshkruara nga dora e frymëzimit të padër Gjergjit.

Kraharori i poetit ruajti tituj nderi e fisnikërie

Fishta i madh nuk mbeti pa u vlerësuar nga qarqet e interesuara të kancelarisë së kulturës dhe të civilizimit evropian dhe nga bashkëkohësit e vet. Ai është nderuar me kurora dafinash argjendi nga Klubi “Gjuha Shqype” i Shkodrës në vitin 1911, “Penda e Artë” dhënë për merita të spikatura në cilësi shkrimore dhënë nga qyteti po aq i Beratit në vitin 1917. Medalja “Mearif” e Klasit II, dhënë nga shteti i Turqisë më 1912, “Rihter-Kreuz” të dorëzuar nga Austro-Hungaria në vitin 1912, “Benemerenza” dhuruar nga Selia e Shenjtë në Vatikan më 1925, medalja me emrin e një zogu mitologjik “Phoenix” dorëzuar nga shteti i Greqisë në vitin 1931, etj.

At Gjergj Fishta, duke u vlerësuar, ka sot një trashëgimi, një mal të tërë me emrin dhe rrymën e pastër gjithsesi të vlerësuara sa dhe si duhet. Ekzistenca e plotë e botimit të tij, do të nxisë kërshërinë e studiuesve letrarë që t’i qasen kësaj vepre dhe t’a vështrojnë atë mbi bazën e studimit të kohës në mënyrë sa më komplekse e më të gjithanshme.

— marrë nga Gazeta 55

  NGA VEPRAT E AUTORIT
Cubat | Metamorfoza | Fishta për gjuhën | Fishta pa veladon | Tregojnë për Fishtën | Fjalimi i panjohur | Poeti Kombëtar | Në mbrojtje të Joklit | Shkurorëzimi i poetit | Gjeniu pa varr

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.