Ernest Koliqi (1901 – 1975)

0
28534

[ Shkarko falas Tregtar flamujsh (novela dhe tregime) në PDF ]

Rreth autorit:
Klasiku i letrave shqipe — nga Erjon Tase, Klan
Në kurthin e fashizmit — nga Xhuzepe Valentini, Shejyt
Ministri që dogji libra — nga Aurel Plasari
28 vjet pas vdekjes — nga Koçi Petriti, Shekulli
Fillimet e prozës moderne — nga Ndue Ukaj
tregim
Një çuterr në Helveti — kushtuar Dom Lazër Shantojës


Nga jeta dhe vepra e autorit

Ernest Koliqi (1901 - 1975) 1901 – Lindi në Shkodër me 20 Maj 1901, në nje familje te njohur patriotike.
1921 – Perfundon shkollën e mesme në Bergamo dhe në Milano, Itali, dhe kthehet ne Shqiperi, ku dy vjet me pas themelon se bashku me pater Anton Harapin dhe Nush Topallin, revisten “Ora e Maleve”.
1924 – Ben pjese ne Shoqerine patriotike “Bashkimi”, e krijuar nga Avni Rustemi. Per shkak te lidhjeve te tij te reja politike, detyrohet te emigroje per pese vjet ne Jugosllavi, per t’i shpetuar ndonje goditje nga forcat zogiste, pas revolucionit te deshtuar te Nolit.
1929-36 – Kthehet ne Shqiperi per te punuar si mesues ne Vlore e Shkoder. Ne nje sere botimesh periodike dhe veprash te tij, Koliqi afirmohet si nje talent i letersise shqiptare.
1937 – Diplomohet ne Universitetin e Padoves me tezen “Epika popullore shqiptare”.
1939-41 – Emerohet minister i Arsimit gjate pushtimit fashist.
1944 – Largohet ne Itali, i denuar nga qeveria e re komuniste, si bashkepunetor i fashizmit.
1957 – Emerohet drejtues i Institutit te Studimeve shqiptare, e krijuar ne kete vit si pasuese e katedres se Gjuhes Shqipe ne Universitetin e Romes. Ne kete vit, nis te botohet edhe revista letrare ne gjuhen shqipe e Koliqit “Shejzat”.
1975 – Vdes ne shtepine e tij ne Rome, i nderuar nga i gjithe komuniteti shqiptar ne emigrim, por i mohuar nga vendi i tij.

Ndër veprat e tij janë: “Kushtrimi i Skanderbeut“, poemë dramatike; dy pjesë me novela të titulluara “Hija e Maleve” dhe “Tregtar flamujsh“, si dhe poezitë lirike “Gjurmat e Stinve“.

Shkodra në mëngjese

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.

. . . . . . . . . . . . . . . . . . . .

Kroni i katundit

Shtegu qi çon te kroni asht shetija e katundarvet. Buzë mbramje me buljere në krah, dalin gra e vajza për me mbushun uj në krue. Ndeshen udhës shoqe me shoqe e shëndrrojnë dy fjalë.

Dita asht e mundshme ndër katunde e ato biseda mbramjeje disi janë nji pushim e nji argtim. E ndërsa dielli prendon e hana del, kroni i mbushë buljerat nji nga nji tue kendue. Secilës vajzë e secilës grue i kendon nga nji kange te veçante, përse kroni te tana i njef. Vajzat i njef të vogla e i pau dalkadalë tue u rritë; gratë i njef nuse e i pau dalkadalë tue u plakë. Pasqyra e qetë e ujit mban kujtimin e të gjitha fytyrave. Kroni ne heshti te lehtë, i kendon gjithkuj kangen e mallëngjyeshme të kohës së kalueme. Por pak kush din ta marrë vesht… E shumta kalojnë habitshëm. Shuejnë etjen, mbushin buljerat e nuk e ndigjojnë. Kjo, ndoshta, asht ma mirë për to, sepse kanga e kronit shëndrrohet në vaj, tue jehue në thellsit e shpirtit. Atëherë ma mirë mos me ndigjue.


Klasiku i fundit i letrave shqipe

— nga Erjon TaseKlan

Ne mengjesin e 15 janarit 1975, ne nje dhome te thjeshte ne shtepine e tij ne Rome, Ernest Koliqi po perjetonte grahmat e fundit te jetes. I njohur si klasiku i fundit i atij brezi te spikatur letrar te viteve ’30, Koliqi po fikej larg Shqiperise, aty ku nje gjykate e popullit e kishte denuar prej kohesh me vdekje si kolaboracionist i fashizmit dhe ku vepra e tij perbente nje herezi.

Pak dite me pare, ndersa lengonte ne shtratin e vdekjes, ai kishte patur nje vegim qe kishte dashur ta shkaraviste menjehere ne leter: dikur pas vdekjes se tij, ne Shkoder degjoheshin serish kembanat e kishave dhe vajza e tij hynte e lire ne shtepine e vjeter te Koliqeve. Nje vegim qe do ta shoqeronte plot shprese ne ato dite te ftohta janari dhe qe do te kthehej ne realitet, per cudine e te gjitheve, 15 vite me vone.

Ne ate periudhe kur ne konfliktin e vleresimit te nje shkrimtari te mirefillte dhe nje politikani fashist, ka fituar i pari. Tashme qe vleresimi i Koliqit ne tekstet shkollore nuk ndryshon nga ai i gjigandeve te tjere te letersise, mund te shpresohet se figura e njerit prej prozatoreve brilante te viteve ’30, nuk do te lidhet vetem me nje kujtim te keq te se kaluares se tij “kolaboracioniste”.

Perpos ketyre paragjykimeve, qe jane normale per cdo personazh te permasave te Koliqit, veprimtaria e tij mbetet ende e panjohur per nje pjese te madhe te lexuesve dhe larg studimeve te mirefillta te kritikeve. Aq me teper, rrethet intelektuale letrare nuk e kane shkuar aspak nder mend idene e larget te nje rigjykimi te plote te figures se Koliqit. Vetem disa botime te shkeputura te bashkepunetoreve te afert ne emigrim te tij, dy nga te cilat perbejne edhe bazen referuese te ketij shkrimi, nuk arrijne te sjellin te plote perpara publikut shqiptar dilemat politike te te mohuarit te madh.

Dhe shkrimtari Ernest Koliqi, u perfshi vetevetiu ne keto lojra te rrezikshme politike, pa e pritur nje fund te tille. Ashtu si te gjithe intelektualet e tjere te shkolluar ne Perendim gjate viteve ’30, ai u be shume shpejt nje perkrahes i rrymes opozitare te regjimit zogist. “Ererat” e zhvillimit duhet te frynin edhe ne kete cep oriental te Ballkanit, te mbytur nga varferia e analfabetizmi. Dhe autoret e ndryshimit te zymtesise se ketij realiteti nuk duheshin pritur nga qielli. Keto ide te “botes se re” e kishin grishur Ernest Koliqin qe ne moshen 20-vjecare, atehere kur kthehej nga studimet ne Itali dhe binte ne kontakt me Luigj Gurakuqin, fqinjin e tij ne mehallen e Gjuhadol-it ne Shkoder.

Sipas nje numri perkujtimor te vecante te revistes “Shejzat”, te vitit 1976, Gurakuqi nderhyri ne vendimin e Koliqit per t’u bashkuar ne shoqerine opozitare “Bashkikmi”, te themeluar nga Avni Rustemi. Edhe pse ne moshe te re, studenti shkodran arriti te fitoje konkursin e Ministrise se Arsimit per nje Himn Kombetar, nderkohe qe poezite e tij ishin perhapur me shpejtesi ne rrethet letrare.

Viti 1923 shenon edhe gjurmen e pare te rendesishme ne publicistiken shqiptare te Koliqit, kur se bashku me Anton Harapin dhe Nush Topallin, themelojne revisten “Ora e Maleve”, organ i grupit Liberal-demokrat, i drejtuar nga Gurakuqi. Sipas njerit prej bashkekohesve te tij, Dr. Josephh Oroshit, pena e Koliqit dallohet ne keto poezi te botuara ne “Oren e Maleve” per largimin e tij te qellimshem nga “shkodranishtja” teper e theksume e shkrimtareve te asaj periudhe. “Gjuha e tij ishte me e pergjithshme, me e pasur, me nje stil aristokrat. Mbiemrat plot ngjyra i japin gjalleri te metejshme gjuhes e stilit te tij artistik”, kujton Oroshi, ne nje shkrim ne revisten “Shejzat”.

Ne momentin qe “Ora e Maleve” i besoi detyren e kryeredaktorit, 21-vjecari Koliqi thirret me urgjence ne Tirane nga Luigj Gurakuqi.

Revolucioni i Qershorit 1924 kishte sjelle ne skene intelektualet opozitare te Zogut, te cilet propagandonin nje Shqiperi demokratike dhe properendimore. Ashtu si nje pjese e mire e bashkekohesve te tij intelektuale, edhe Koliqi po shihte te realizuar nen qeverine fanoliane nje pjese te idealeve qe kishte besuar deri ne ate moment. Ne kete rrjedhe te re ngjarjesh, ai pranoi me deshire te rreshtohej ne qeverine perparimtare. Fillimisht, ne postin e sekretarit personal te afruar prej Luigj Gurakuqit ne Ministrine e Arsimit dhe me pas edhe ne detyren e sekretarit te

Ministrise se Brendshme, te drejtuar prej kolonel Rexhep Shales. Por endrra per ndryshimet e shumepritura nuk zgjati. Dhe se bashku me marshimin ne Tirane te trupave te Ahmet Zogut, u regjistrua ne listen e revolucionareve te perndjekur edhe emri i Ernest Koliqit. Nje vendim i forcave te rikthyera ne pushtet te Ahmet Zogut, e vleresonte si nje element te rrezikshem per lidhjet e tij me drejtuesit e revolucionit dhe per pjesemarrjen ne administraten e Nolit. Si zgjidhje me e mire per te mbajtur larg nje personazh te njohur te opozites, Koliqi internohet per pese vite ne Bosnje-Hercegovine.

Gjate kesaj periudhe, i dedikohet plotesisht krijimtarise. Duke qendruar prane krereve te Malesise se Veriut ne emigrim, ai arriti te njihej mjaft mire me psikologjine e rregullat e Kanunit e botekuptimin e vjeter te maleve. Kjo eksperience do te ndikoje ne krijimtarine e metejshme te prozes se Koliqit, e cila ne kete periudhe persekutimi eshte me e thelle se kurre. Pasi shkruan poemen “Kushtrimi i Skenderbeut”, e cila eshte nje himn per Heroin Kombetar, Koliqi botoi ne qytetin e Zares, (Bosnje) vellimin e novelave “Hija e Maleve”, qe e pagezon edhe si krijuesin e noveles shqiptare. Nepermjet nje stili te mrekullueshem narrativ, i cili vihet ne dukje edhe nga studiuesi Aurel Plasari, Koliqi arriti te paraqiste ne kete botim nje sere episodesh te jetes malesore nen ndikimin e rregullave te ashpra te Leke Dukagjinit. Me kete sukses te ri te prozes, emigranti Koliqi pritet mjaft mire ne kthimin e tij ne qarqet letrare shqiptare.

Ne vitin 1929, mbreteria shqiptare vendosi te fale Koliqin dhe ta emeroje ate nje mesues te thjeshte gjimnazi, fillimisht ne Shkollen Tregtare ne Vlore e me pas ne vendlindjen e tij ne Shkoder. Por shkrimtari kishte projekte te tjera ne mendje, pasi kater vjet me pas regjistrohet ne Universitetin e Padoves, per te mbrojtur diplomen e tij ne studimin e epikes popullore shqiptare. Vlerat e Koliqit bien mjaft shpejt ne sy te profesoreve te tij dhe ai emerohet pedagog i gjuhes shqipe ne kete universitet, duke u afirmuar njekohesisht edhe si specialisti kryesor i studimeve albanologjike ne Itali. Kjo nuk e pengon studiuesin Koliqi qe te botoje ne keto vite vellimin me vjersha “Gjurmat e Stines”, vellimin e novelave “Tregtar flamujsh”, i cili ka rene se fundi ne duart e lexuesve i ribotuar. Ne keto botime, penda e prozes artistike e Koliqit afirmohet se tepermi, duke i dhene per here te pare nje hov te tille ne letersine shqipe nje gjinie te tille.

Madheshtia e nje shkrimtari te tille per fatin e keq te te gjitheve, shpertheu ne vendin dhe ne kohen e gabuar. Atehere, kur baruti i luftrave te nazizmit po i afrohej edhe Shqiperise, e cila si nje vend i vogel rrezikonte demin me te madh: asimilimin kulturor. Sipas njerit prej drejtuesve te “Leka”, revistes kulturore te ketyre viteve, pader Xhuzepe Valentinit: “ky asimilim kulturash, qe kishte ndodhur tashme ne Austri dhe Cekosllavaki, por rrezikonte edhe Shqiperine. Dhe intelektualet si Koliqi menduan se mbrojtja e Italise ishte zgjidhja e vetme”.

Dhe kjo dileme e tyre perfundoi te premten e pashkeve te 1939-s me pushtimin italian te Shqiperise. Nje tjeter studiues, linguisti amerikan Robert Elsie, thekson ne “Historine e letersise shqiptare” se: “Ne kete periudhe te trazuar, kur mbi Evrope po mblidheshin rete e luftes, Koliqi u emerua ne katedren e gjuhes e letersise shqipe te Universitetit te Romes, qe ishte ne zemer te Perandorise se re mesdhetare te Musolinit… Ai dhe disa intelektuale te tjere shqiptare ishin te shtrenguar te pajtoheshin me dilemen politike e kulturore te rritjes se ndikimit te Italise ne Shqiperi”.

Fale ketyre lidhjeve te reja te Koliqit me fashizmin, atij iu ofrua qe ne ditet e para te pushtimit posti i ministrit te Arsimit ne qeverine e re shqiptare, detyre te cilen ai e pranoi dhe e kreu per dy vjet. Me kompetencat e reja, ministri arrin te krijoje Institutin e Studimeve Shqiptare, pararendes i Akademise se Shkencave, i cili mblodhi rreth vetes intelektualet me te spikatur te kohes, me qellim vleresimin e metejshem te kultures shqiptare. Pas bashkimit te Kosoves me trojet shqiptare, Koliqi arrin te binde italianet per hapjen e shkollave shqipe, gje qe nen sundimin e serbeve ishte pare si nje herezi e rrezikshme. Rreth 200 mesues shqiptare u derguan ne viset kosovare per te organizuar kurset e para shkollore, qe ne 12 dhjetor 1941, u finalizuan edhe me hapjen e shkolles se mesme shqipe ne Prishtine.

Ne disa botime te kohes, verehet me habi nderhyrja e ministrit te Arsimit per te shpetuar nga kampet e perqendrimit albanologun austriak me origjine cifuute, Norbert Joklin, te cilit iu afrua nje pune si mesues ne Shqiperi. E gjithe kjo veprimtari, sipas studiuesit Aurel Plasari, nuk mund te fshehe ndikimin negativ qe pati kultura fashiste (pergjegjjesia e se ciles bie edhe mbi shpatullat e Koliqit), ne mbylljen e gazetave shqiptare apo djegien e librave angleze e franceze ne stendat e Bibliotekes Kombetare. Ndersa ne parathenien e tij te vellimit “Migjeni”, te botuar ne vitin 1988, Ismail Kadare duket me kritik ndaj Koliqit: “Nder shkrimtaret reaksionare veriore, Ernest Koliqi i drejtimit proevropian ishte shembulli tipik se si nje talent mund te vritej nga perqafimi i ideve fashiste. Zgjedhja e gabuar e kampit politik, qe e coi dalengadale nga simpatia e pare per fashizmin ne postin e ministrit te Arsimit te qeverise kolaboracioniste, ishte fatale per te”, eshte shprehur Kadare, i cili pavaresisht rrethanave te kohes, nuk ka botuar deri me sot nje ndryshim te ketij qendrimi ndaj figures se babait te prozes shqiptare.

Por, ne ato periudha te nxehta, Koliqi vazhdoi te ngjiste shkallet e karrieres se tij vetvrasese politike. Pas largimit nga drejtimi i ministrise, ne vitin 1943, ai pranoi postin e kryetarit te Keshillit te Larte Fashist ne Tirane. Ky funksion i tij i fundit, e ezauroi plotesisht figuren e politikanit, por ne nje regjim fondamentalist te komunizmit shqiptar, u zhduk perfundimisht edhe ana tjeter e dyzimit te Koliqit: shkrimtari.

Perseritja cinike e ngjarjeve, (ky skenar u luajt pas rrezimit te qeverise se Fan Nolit), e detyrojne serish Koliqin te largohet nga Shqiperia. Duke lene pas denimin e tij si kolaboracionist i fashizmit dhe nje njolle te zeze ne krijimtarine letrare. Italia, atdheu i tij i dyte, e mirepriti serish shkrimtarin dhe studiuesin Koliqi. Deri ne vdekje, ai vazhdoi te mbante funksionet e tij drejtuese ne katedren e Gjuhes Shqipe ne Universitetin e Romes, duke i dhene nje ndihme te vlefshme kultures shqiptare. Gjate ketyre viteve, ai fiton te drejten e perkthyesit brilant te klasikeve italiane Dante Alighieri, Pettrarca, Ariosto Tasso, Forcolo, Carducci, Pascoli e shume te tjere. Me mjaft vlera mbeten edhe studimet e tij albanologjike, nje pjese e te cilave nuk jane bere ende te njohura edhe gjate ketyre viteve te fundit.

I tille, sipas pader Xhuzepe Valentinit, ishte dhe rasti i krijimit te nje fjalori te gjuhes shqipe, gjate periudhes qe Koliqi drejtonte Institutin e Studimeve Shqiptare. I njejti fjalor, me pak ndryshime dhe precizime, sipas Valentinit, u publikua pas luftes nga Aleksander Xhuvani dhe Eqrem Cabej, te cilet ishin anetare te Komisionit te Koliqit. Ne vitet e fundit, Koliqi gjen forcen e nevojshme per te vazhduar krijimtarine letrare ne romanin “Shija e bukes se mbrume” (e ribotuar se fundi), apo permbledhjet e poezive “Pasqyra e Narcizit”, “Kangjelat e Rilindjes” e “Symfonia e Shqipevet”, me endrren se nje dite poezite e tij do te mesoheshin me te njejten kembengulje ne bankat e shkolles me bashkekohesit e tij, Migjeni apo Fan Noli, ata qe paten fatin te qendronin ne krahun e duhur te rrymave te trazuara politike te atyre viteve ’30-te.


[ Në krye ]

KOLIQI në kurthin e fashizmit

— nga Xhuzepe Valentini

Per njerin prej bashkekohesve, pader Xhuzepe Valentinin, nuk ka dyshim se Koliqi pranoi te bashkepunonte me fashistet per te realizuar idealet e tij: perparimin dhe ringjalljen kulturore te vendit. Drejtuesi i revistes “Leka”, organ i kolegjit te jezuiteve te Shkodres, gjate viteve 1930, perpiqet te sqaroje “kurthin”, ne te cilin ra shkrimtari Ernest Koliqi.

“…Kur Zogu nisi te hakmerrej ndaj te gjitha atyre qendrave fetare qe predikonin ngritjen shpirterore kombetare, qe ishin shkollat private dhe sidomos ato katolike, Koliqi u terhoq per te studiuar ne Itali, ndersa ne te “Lekes” kaluam ne nje opozite jo shume te hapur, por as te heshtur ndaj regjimit. Dhe me pas, erdhi edhe momenti kritik i carjes se madhe me zogizmin. Nuk behej fjale me per kontraste krahinore, kulturore apo fetare. Ne fund te fundit, edhe regjimet, ashtu si shtetet, jane te zevendesueshem.

Situata gjeopolitike evropiane ishte ne levizje. Prane ndodheshin qellimet ekspacioniste te fqinjeve, ndersa pak me larg, rreziku i nazizmit, i cili kishte dhene prova tashme ne Cekosllavaki dhe Austri. Rreziku nuk shfaqej tek nje pushtim ushtarak, por tek asimilimi i kulturave. Asnje force ne Shqiperi nuk mund te garantonte nje mbrojtje te sigurte ndaj ketij rreziku, ashtu sic u pa me vone se clirimi i vendit nuk mund te kryhej pa ndihmen e Rusise (nepermjet Jugosllavise), Anglise dhe SHBA-se, dhe me humbjen e Kosoves e vlerave te vjetra kombetare shqiptare.

Ernesti se bashku me Mustafa Krujen dhe Lazer Shantojen, ishin mes atyre qe e pane Italine si shpetimin e vetem. Por ata nuk munden te parashikojne zhgenjimin dhe rrenimin e shpejte te saj. Nuk me takon mua te jap nje gjykim rreth kesaj zgjedhjeje te tyre, por ajo qe mund te them eshte fakti se, Koliqi, Kruja, Shefqet Verlaci, Gjon Marka Gjoni, Kole Bibe Mirakaj apo ndonje tjeter, u zhgenjyen dhe u trishtuan kur italianet ndryshuan rregullat e lojes, duke e shnderruar “commonwealth-in” e premtuar ne nje sundim. Por tashme, askush nuk mund ta kthente mbrapsht ate qe ishte bere.

Ne kete menyre ndodhi qe keta intelektuale pranuan “te shfrytezonin” per te miren e vendit perandorine e re. Qellimi i tyre u mbeshtet ne kete pike edhe nga Gjergj Fishta, Terenc Toci (qe me pare nuk kishte hezituar te luftonte edhe me arme), pader Bernandin Palaj, Xhevat Korca, Dhimiter Berati, Aleksander Xhuvani, Xhafer Ypi dhe te tjereve qe kaluan me pas ne rezistence te hapur. Ne fakt, italianet nuk kishin nje program shkombetarizimi, por vetem interesin per te futur elementet italiane ne qeveri dhe ne ekonomine e vendit.

Verlaci, Koliqi, Kruja dhe te tjeret punonin per te ringjallur kulturen shqiptare, duke prekur anet e dobeta te italianeve dhe duke perfituar prej tyre. Endrra e vjeter e inteligjences shqiptare per bashkimin e Kosoves u be realitet gjate kesaj periudhe. Dhe Koliqi e Kole Bibe Mirakaj arriten te organizojne bandat e malesoreve per kete qellim, duke perdorur edhe shperblimet personale. Gjate kesaj periudhe te pushtimit te Shqiperise, ministri i Arsimit Koliqi arriti te realizonte qellimin e hapjes per here te pare te shkollave shqipe ne Kosove, por edhe daljen ne drite te botime te ndryshme, qe kishin per qellim vleresimin e kultures e letersise shqiptare”.

marrë nga numri special i “Shejzat”, 1976


[ Në krye ]

“Ministri që dogji libra”

— nga Aurel Plasari

Vlerat e nje shkrimtari nuk duhet gjykuar asnjehere mbi bazen e bindjeve te tij politike apo sjelljen e tij shoqerore. Po t’u diskutonim jeten, para vepres, si do t’ia benim me klasike te tille si Vilon, Balzak, Lamartin, Edgar Po apo Bodler? Po t’u diskutonim bashkepunimin me fashizmin apo komunizmin Knut Hamsunit dhe Nerudes (pra, edhe Koliqit dhe Kadarese), me siguri do te na duhej te perjashtonim shume vlera nga qarku i vlerave.

Vendimet politike te Koliqit, nuk mund te ndikojne sot ne vlerat e vepres se tij. A eshte e vlefshme kjo veper? Kete pergjigje e kane dhene mjaft qarte ata lexues, qe kane terhequr me interes te gjithe kopjet e kater – pese ribotimeve te fundit te prozes se Koliqit. Perderisa nje veper lexohet, atehere eshte e panevojshme te ngreme nje pikepyetje mbi vlerat e saj.

Por ne rastin e Koliqit, une vazhdoj t’i qendroj besnik edhe nje gjykimi tjeter te figures se tij si politikan. Duhet pranuar parimi qe bejme sikur e harrojme se, ashtu sikurse bashkepunimet me revolucionet (fashist apo komunist) nuk mund ta bejne vetiu te madh nje shkrimtar, po ashtu keto bashkepunime, qe shpesh deme u sjellin popujve, nuk mund te perligjen me formulen se “ata ishin shkrimtare”. Studimi i vlerave te tilla mund ta nxjerre ne driten e vertete nje shkrimtar, por nuk mund te arrije deri aty sa t’i beje inekzistente marrezite e nje shkrimtari (cilido qofte ky) si politikan.

Ta permendim, pra, pa frike kasaphanen e censures mbi botimet letrare dhe shkollore ne kohen kur minister i Arsimit qe shkrimtari E. Koliqi. Eshte e vertete se revista ‘Shkendija”, qe ai themeloi u be vater e shkrimtareve te rinj e te talentuar shqiptare, por po kaq e vertete eshte se, ndersa ndriste kjo “shkendije”, ne Shqiperi mbylleshin gazeta zemedha, si “Gazeta e Korces”, apo ndaloheshin revista te shquara si “Perpjekja shqiptare”. Zoteria jote, shkrimtar, mund te behesh trim e t’i shkruash Hitlerit per te kerkuar lirimin e Norbert Joklit, por kjo nuk te perligj te vazhdoshh te rrish minister i Musolinit, nderkohe qe ne Shqiperi arrestohen gazetare demokrate si Dhimiter Fallo, Petraq Pepo, Zhan Gorguzi etj.

E vertete eshte se Koliqi qe organizatori i Kongresit te Studimeve Shqiptare me qender ne Tirane, – mbi kete fakt jam ndalur disa here nga qe me duket se ai perben themelimin e mirefillte te Akademise Shqiptare, – por nuk eshte me pak e vertete se Koliqi drejtonte nje Akademi te mufatur me emra italiane, ne te cilen mungonin emrat e Konices, Fan Nolit apo Lumo Skendos. Vertet Koliqi u be nismetar dhe bashkeautor i botimeve te tilla te vyera per shkollen shqipe, si “Shkrimtare shqiptare”, “Bota shqiptare” apo “Rreze drite”, por nuk bejme “histori” nese kujtojme keto dhe harrojme se ndodhej nje shkrimtar ne krye te Ministrise se Arsimit, kur digjeshin librat e bibliotekes “Lady Carnavon”, kur hiqeshin librat frengjisht nga librarite e vendit, kur grumbulloheshin dhe pergatiteshin per zjarr librat joitaliane te Bibliotekes Kombetare dhe te bibliotekave te tjera te vendit.

Koliqi ndihmoi pernjemend ne hapjen e shkollave shqipe per Kosoven e pushtuar nga italianet, – po ia kujtojme kete gjithnje me shpesh,- por ne kohen kur ishte ai minister, niste ne Shqiperi shtypja e fletushkave te ndyra, si “Liktori i Korces” apo “Balli i Rinise”, e veprave ne seri dhe e jeteshkrimeve te Duces, madje fillonte edhe nje praktike ogurzeze per kulturen shqiptare: botimi i librave italisht brenda Shqiperise.


[ Në krye ]

Në përkujtim të Koliqit, të cilin studiuesit e kanë cilësuar si një ndër prozatorët më të mëdhenj të letërsisë shqiptare

Ernest Koliqi, 28 vjet pas vdekjes

— nga Koçi Petriti

Ernest Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj 1903 dhe vdiq në Romë më 15 janar 1975. Është cilësuar si një ndër prozatorët më të mëdhenj. Ndërsa në poezi,siç shprehet një studiues, Koliqi u angazhua me synimin që thekson Elioti: “Asnjë art nuk është më kombëtar se poezia”. Mjaftuan dy librat me tregime “Hija e maleve” (Zarë, 1929) dhe “Tregtarë flamujsh” (Tiranë 1935) që Koliqi të zerë kryet e vendit në prozë, bashkë me Kutelin, sikundër për Poradecin mjaftuan “Vallja e yjve” dhe “Ylli i zemrës” të zerë kryet e vendit në poezi. Mendimi kritik, ndërsa Konicën e cilëson “nismëtar të prozës moderne shqipe”, Koliqin e shënon “themelues të prozës moderne shqipe”. Në krijime poetike, përveç vëllimit “Gjurmë stinësh” (1933), “Kangjelet e Rilindjes”, apo “Symfonia e shqipeve”, etj, kulmohet me “Pasqyrat e Narçizit”, me shtatë poemthat në prozë. Sipas studiuesit A. Plasari, po ta gjykonim një gjysmë shekulli të letërsisë shqipe me rreptësinë e Kurtiusit (Curtius), do të na shfaqej parasysh i hirtë e i ftohtë “zinxhiri i pashkatërrueshëm i një tradite mediokriteti,” mbi të cilin ngrihen kryeveprat e jashtëzakonshme, “Pasqyrat” e Koliqit, “Tat Tanushi” i Kutelit, “Dranja” e Martin Camajt, që e kapërcejnë realitetin e një historie letërsie.

* * *
Kur theksojmë që Koliqi jo rastësisht zgjodhi poezinë, kemi parasysh jo vetëm krijimtarinë poetike të tij, por edhe momentet më jetësore dhe domethënëse të autorit që e lidhin natyrshëm me artin e fjalës. “Kur më lulëzuen në shpirt gjashtëmbëdhjetë pranvera të freskëta, Zana ma dha ngushllimin e shfrimit muzikuer të fjalëve.” Është koha kur studion në Itali, (i filloi studimet më 1918) dhe në Bergamo themeloi të përjavshmen “Noi giovani” (Ne të rinjtë), ku botoi vjershat e para në italisht. Ishte 18- vjeçar, kur u kthye në Shqipëri, kur fitoi konkursin e Ministrisë së Arsimit për një himn kombëtar nga një juri ku bënte pjesë Fishta, Noli, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi. Këtë “shfrim muzikuer të fjalëve” po ta ndjekim nëpër etapat krijuese të autorit, do të vemë re se poeti e realizon duke u ushqyer nga tre burime kryesore: Burimi i parë është Shkodra dhe më pas viset arbëreshe.

Burimi i dytë janë gojëdhënat, këngët, përrallat e gjithçka folklorike, si Cikli i Kreshnikëve, rreth të cilave bëri studime dhe mbrojti tezë doktorature. Burimi i tretë është kultura italiane e botërore, që mori qysh herët, kur shkollohej në Itali, kulturë prej së cilës mori e dha. Përvetësoi modele poetike, jo duke imituar, por duke asimiluar dhe pastaj aplikuar në shqip. Tregoi aftësi vrojtuese, imagjinatë të begatë, zhdërvjelltësi përpunuese dhe asimiluese të lëndës së vendlindjes, duke e shndërruar atë në poezi atdhetare, në ditiramb për gjuhën shqipe, në këngë malli e përgjërimi për Shkodrën, në tingëllimë dashurie, ku ndiehet “shfrimi muzikuer i fjalëve”.

* * *
Poeti evokon lashtësinë ilire, kohën e Skënderbeut, kohën e lulëzimit qytetar të Shkodrës, kohën e mërgimit politik, ku dhe mbylli sytë papritur. Ndërsa hapësira gjeografike që rrok vështrimi dhe imagjinata e tij poetike kalon “përtej avullis, rreth kumbonares, nëpër qiell të bardhë e ma larg, në male të Shqipnis, mbi udha të detit, në pambarim të gjithësisë. Shkruan “Tingëllimat e mallit”, ku qan se larg tij lulëzon Shkodra, pastaj kur e humbet shpresën e rikthimit dërgon shtatë tekste poezie testament nën titullin “Bijës sime”, poezi tronditëse që dëshmon lidhjen e pazgjidhshme me qytetin e lindjes. Poezia “Shqipninë e mora me vete”, që të kujton dhe një varg të nobelistit grek Seferis, që ka qënë dhe konsull në Korçë, “kudo që shkoj Greqinë e marr me vete si një plagë,” është sintezë e lëndës poetike,që u shndërrua në shpirtin dhe artin e poetit. Koliqi ecën në vazhdën e rilindasve të mëdhenj për të evokuar e lartësuar lashtësinë dhe shenjën më të patjetërsueshme të etnitetit dhe identitetit të shqiptarëve, fjalën shqipe. Shkroi poezinë “Gjuha shqipe”, siç kanë bërë Naimi, Mjeda, Fishta, Poradeci, Kuteli, Kadareja.

Kulmin e këngës së vet me këtë temë mendojmë se e arrin në poezinë “Ditiramb trako-ilir”, që siç e shënon edhe titulli shpreh edhe qëndrimin himnizues edhe konceptin që kish vetë Koliqi për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe.

* * *
Ernest Koliqi vazhdoi traditën e të mëdhenjve të qarkut letrar të Shkodrës. Duke përthithur dhe asimiluar kulturën poetike arbëreshe, kulturën poetike klasike dhe moderne, veçanërisht atë latino-italiane. Gjatë 60 vjetëve të punës si erudit dhe krijues i nivelit të lartë lëvroi një poezi me lëndë tërësisht shqiptare e ambiente shkodrane. Motivet e kësaj poezie evokojnë veçanërisht lashtësinë e racës vitale të të parëve, të bujarisë dhe fisnikërisë, evokojnë gjuhën shqipe, doket dhe zakonet, duke aspiruar që mbi trungun e lashtë stërgjyshor të shartohet filizi i ri i qytetërimit perëndimor.

Është këngëtari dashnor më i plotë dhe më i begatë i Shkodrës,”pasqyrë e odave të mëdhaja,trapazan i shtëpisë shkodrane që censhëm përpunuen daltat mjeshtrore” Nëpërmjet një lirike plot ndjeshmëri dhe ngjyrë të kopshteve dhe të qiellit shkodran, pasqyroi çaste intime dhe përjetime sublime, një botë të zakonshme dhe të jashtëzakonshme të jetës shkodrane nga këndvështrimi i një zotniu fisnik dhe të kulturuar që studimin në dhé të huaj e ve tërësisht në shërbim të përparimit të atdheut dhe kulturës kombëtare.Mjafton të kujtojmë se ” gjatë vitit shkolluer 1941-42,si Titullar i Arsimit,dërgon në Kosovë 200 mësues e mësuese.ma në fund erdhi çasti historik i hapjes së Shkollës së parë të plotë të mesme në gjuhën shqipe,realizue më 12 Dhjetor 1941″. Përkthen poetë të mëdhenj shqiptarë në italisht (Fishta,Ali Asllani), përkthen poetë të mëdhenj italianë në shqip.

Ernest Koliqi edhe nëpërmjet poezisë që lëvroi është zë i veçantë i një malli të zhuritur atdhetari dhe qytetari modern, i nostalgjisë së një pinjolli dyersh fisnike dhe dashnori të përgjëruar. Detajet, gjetjet poetike, peisazhin, ngjyrat e stinëve, zërat e kopshteve, misteret e natës dhe magjepsjet e njeriut përballë natyrës dhe çasteve sublime të jetës që përjetoi, i ktheu në figurë poetike, në kumbime dhe ritme të vargut herë klasik, herë modern. Në mënyrë të ndërgjegjshme solli reflekse të vargut deradian, si te “Kangjellet e Rilindjes”. Lëvroi veçanërisht tingëllimën si jehonë të ndikimit të Petrarkës dhe si vazhdues i vetëdijshëm i mjeshtërisë dhe porosisë së Mjedës.

“Mjedja na kishte mësue shorti që ka fjala kur zgjidhet me kujdes. Ai dinte të pajtojë në shkrim të vetin mënyrat e shprehjeve stilistike ma moderne, (asokohe çmohej shortia kumbore e lyrikës symboliste dhe përsosja e ftofët, por skalitëse e vargut parnasian,) me ekzigjencat e veshit shqiptar.” Me kryeveprën “Pasqyrat e Narçizit” dëshmoi aftësi të jashtëzakonshme krijuesi, që mitin universal ta shndërrojë në biografi poetike, në meditacion dhe ëndërrim të riu për qytetërimin perëndimor, shartuar në trungun e lashtësisë arbërore.

marrë nga Shekulli


[ Në krye ]

Ernest Koliqi dhe fillimet e prozës moderne shqipe

— nga Ndue Ukaj

1.
Me nocione “moderne” në letërsi konceptohet shfaqja e një dukurie të re letrare në sistemin e vlerave, që përthyhet në stile, ne forma e trajta të shkrimit, e procedime letrare, domethënë paraqitet si shenjëzimi i një vlere letrare, më të avancuar, më të mirëfilltë në krahasim me modelet pararëndëse të shkrimit letrar artistik. Ne e konsiderojmë si nocion bazik për atë tip të letërsisë që në mënyrë autonome, ndryshe nga paraardhësija, sjell risi në diskursin letrar, në procedimin strukturor te ndërtimit dhe funksionimit të tekstit letrar. Modernia, kështu merrë konotime duke u shenjuar edhe si shenjë e një avancimi, që shfaqet në mënyrë refuzuse ndaj tradicionalës. Duke u ikur modeleve ligjërimore, trajtat e shkrimit të tij, defamijlajrzohen (çrendomtesohet), nga letërsia e mëhershme dhe njeh diskursin e një shkalle të lartë letrare, duke futur në lojë ndërkomunikime, që na shfaqin karakterin intertekstual të teksteve të tij letrare.

Në fusha të ndryshme të artit dhe letërsisë, nocioni “moderne” mbulon përmasa të ndryshme semantike, mbase edhe estetike e stilistike, që dalin edhe në formë edhe në përmbajte autonome. Ndërsa këtu e shohim si domosdoshmëri, ngase autori i shkrimit ka sublimuar ligjësitë e artit letrar mjeshtërisht. Ndërkaq në këtë tekst shënon tipin e letërsisë që ndryshe nga parardhësja inkorporon brenda tekstit letrar elemente që deri atëherë proza jonë s’i kishte njohur, apo që i kishte vetëm ne fazën embrionale.

Në letërsi ky nocion u zhvillua nga fundi i shekullit XIX dhe fillim i shek. XX, dhe shquhej me karakteristika të shumta, që nga theksimi i individualitetit kreativ, invencioneve e deri te shfaqja e dukurive të reja, thyerja e konvencave letrare e stilistike, ndaj edhe prurja autonome e fenomeneve letrare, në forma dhe përmbajte të re letrare, ligjërimore dhe stilistike e estetike.

2.
Ernest Koliqi është padyshim themeluesi dhe krijuesi më i talentuar i fillimit të modernitetit në prozën shqipe. Këtë e kanë vërejtur në forma të ndryshme shumë studiues që janë marrë më krijimtarinë e tij artistike në zhanrin e prozës (Camaj, Hamiti, Plasari, Elsie, K. Gjika, Z. Rrahmani, A. Berisha, S. Bashota, K. Rrahmani, K. M. Shala etj.)

Së këndjemi shfaqjen e modernitetit në prozën shqipe, si formacion letraro-stilistik e shohim fuqishëm të ndërlidhur me krijimtarinë e tij në prozën e të cilit mund t’i bashkohen autorët Kuteli, Konica, mbase edhe Lasgushi e Migjeni, në poezi.

Por më i vecantë, si në stil, ashtu edhe në format diskursive, së këndjemi edhe në procedimet strukturore e letrare mbetet Koliqi, i cili “kishte shije të hollë dhe një ndjesi të ngritur për artin e fjalës” (Anton N. Berisha) të cilën e inkorporoi dhe manifestoi me mjeshtri, dhe talent të fuqishëm fiksional në prozën e tij, duke rikontekstualizuar dhe rifunksionalizuar shtresime semantike, ritmike, leksikore, rrëfimtare, që njohin kodet e mëdha letrare, që nga oraliteti, deri tek letërisa e përbotshme me të cilën komunikonte autori empirik. Prandaj, mund të thuhet se proza koliqiane i ka bërë një kthesë cilësore prozës shqipe në përgjithësi, së këndejmi e ka pasuruar atë edhe si formë shkrimi, formë letrare, mbase edhe si strukture e ndërligjshme artistike, me elemente novatore, të cilat vërehen edhe në dimensionet ideore, të shtresimit të ideve themelore që trajton ky univers e sistem letrar koliqian, në kuadër të universit të përgjithshëm të letërsisë shqiptare.

3.
Në kohën kur u paraqit Koliqi në letrat shqipe, proza akoma ishte zhanër i pakultivuar, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Më tepër cilësohej në përmasa të thellë moralizuese, sentimentaliste dhe didaskalike (proza e H. Stërmilli, N. Nikaj, M. Gramenos etj.), me mbipeshim të rolit të ngjarjës, e ndonjëherë edhe me imitim (jo ne kuptimin që e shohim te Aristoteli), madje ishte larg shtjellimit si strukutrë tekstore, mbase edhe si gjuhë e figurëshme e kompozicion letrar. Për dallim, proza koliqiane duke njohur diskurset orale në jetë dhe në dijet empirike, rikontekstualizon dhe rifunksionalizon diskurs letrar original në letërsi, ku autori empirik kapërcylljet e sistemit të shkrimit letrar, i identifikon me kërkesat e fundamentit të artit letrar, artistikës gjë kjo që mund të vërehet në të gjitha nivelet e tekstit letrar, nivele këto ku litrariteti funksionon parasegjithash, ku shprehja dhe diskursi letrar nga një gjuhë e thjeshtë, shkon ka gjuha figurative.

Intencë e tipit të sistemit letrar koliqian, në aspektin e formës mbetet avancimi i procedimeve letrare në tekst, futja e ndërlikimeve të shtresuara me përimtime implicite e psikologjike, madje fabulat e thurrura me mjeshtri rrëfimtare. Ndërsa në shtresimet tematike dhe idetë themelore që trajton, në tekstet e tij shtresohet një botë e veçantë që ndërkomunikon me paramodelet në jetën e njeriut të tij, si dhe në tharrmet e shpirtit shqiptar, që i veneron tek oraliteti dhe kultura e moçme nacionale, të mitet dhe legjendat, te e tashmja kryesisht e Malësisë së Shkodrës, për të shtruar edhe shumë vizione, ide, që mund të tumirën për receptuesin, si tejët progresive, në krahasim me letërsinë shqipe të mëhershme.

Një karakteristikë e intencës së tregimeve të autorit mbetet paraqitja e dy kontrasteve të thella të botës shqiptare, përplasjet mes konservatizmit, kanunit, dhe ideve përparimtare, (Gjaku), që sejll gjenerata e re, pastaj ndeshja e dy kulturave të mëdha, Lindje e Perëndim, ndeshja e dy tipeve të te jetuarit shqipar, Urban e Rural. Këto tema aturoi i ka shtresuar me mjeshtri në shkrimin e tij letrar, si një veçanti letrare artistike, ku implikimet e autorit empirik, shenjëzojnë ide të mëdha dhe teza, të cilat shqiptohen si domosdoshmëri e kohës, e transformimeve esenciale në shpirtin shqiptar. Për dallim nga tipi i mëhershëm i shkrimit të prozës shqipe, proza e Koliqit shënjon kapërcim të dukshëm, si në zgjërimin e gamës tematike, ashtu edhe në atë stilistiko-tekstore, letrare, duke bërë avancim si në plan të shtjellimit tekstor, si në rrafshin e shprehjes artistike, qoftë në kodifikimin e elementeve të poetikës së prozës si zhanër letrar specific, duke e ngritur në shkallë të lartë në raport me letërsitë e zhvilluara të kohës.

4.
Krahasuar me prozën evropiane dhe me zhvillimin e madh të saj, proza në letërsinë shqipe është paraqitur relativisht vonë dhe si e tillë eci me një tempo të ngadalshëm. Në këtë kontekst, Koliqi më të drejtë kosiderohet prozatori i parë shqiprar me prirje moderne, me vecanti shkrimi, sidomos me tregimet e tij, që prozës shqipe në përgjithësi ia dha një formë të re, një përmbajtje të re, një tematikë të rë, një stil të ri, një shprehje të re, një prirje të fuqishme novatore, fabulative, në mënyrë krejtësisht autonome, me një refuzim të linearitetit tregimor, dhe gjithnjë me tendencë për të sendërtuar dhe ralizuar një raport të ri mes kohës dhe hapësirës, në krijimin e strukturave të hapura, shtresimeve kuptimore të ndryshme sematike; nga një gjuhë që eleminon gjuhën e zakonshme drejt një gjuhe figurative, me atribute letrare, stilistike e estetike. Si e tillë kjo prozë është ndërthurur nepërmjet dy tipareve harmonizuese: duke asimiluar eksperiencat e jashtme me eksperienca të brendëshme.

Këtu eksperiencat e jashtme janë dijet e autorit empirik nga literatura botërore e nacionale, ndërsa eksperiencat e brendëshme, mishërohen përmes kulturës së moçme nacionale, miteve dhe oralitetit, ku na paraqitet shfaqja e intertekstalitetit të pastër, në funksion të përmbushjës së fiksionit letrar. Mbase edhe trajtat diskursive na implikojnë karakterin interdiskursiv të prozës së tij, që ndërkomunikon me paramodelet diskursive në oralitet, që inkorporohen në stilin e teksteve të tij, duke u shenjuar me ndërkomunkime funksionale, në dervivimet dhe shqiptimet e autorit empirik në tekstet e prozës së tij. Kjo prozë kështu do lirohet nga narracioni linear dhe posedon procedime artistike të avancuara lertare, shpikje të reja estetike, ritimike, semantike, gjuhësore, të inkorporimit të asaj që është reale me atë fiktive, fantasike në tekstin letrar me mjeshtrin e artistit.

Ernest Koliqi është paraqitur në prozën shqipe, në kohën kur ajo ndjehej e varfër, si nga kufizimet tematike që shtjellonte, ashtu edhe për nga mënyra si ndërtohej dhe funksiononte teksti letrar; dhe kështu i jep një fuzionim të ri. Prandaj proza e tij ka kontribuar për t’u integruar në rrjedhat e prozës moderne evropiane, mbase edhe në stopimin e tipit të prozës pararendese kryesisht moralizuseo-didaskalike dhe sentimentaliste. Kështu që pa hamendje mund të konsatojmë se proza koliqiane mbetet novatore e shkëlqyer e fillimeve të modernitetit në zhanrin e prozës letrare. Autori empirik, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me letërsitë e huja, duke u spikatur me nje dije letrare solide, duke qenë i shkollar nëpër qendra të mëdha të kultivimit të letërsisë, autenticitetin e vet, imagjinaten e bujshme krijuese, motivimin burimor shqiptar shkodran, i shkriu dhe i brumosi në një prozë të mirefilltë letrare e moderne.

5.
Për nga shtresat kuptimore (temat dhe motivet që shtjellon) kreacioni, përceptimi i botës dhe fenomeneve që e motivojnë, autori na jep një tekst me strukturë të ndërlikar, duke inkorporuar realitetin aktual, nevojat e domosdoshme të transoformimit të tij (te Gjaku, Diloca), legjendat, mitet, format e të treguarit oral (Nusja e mrekullueshe, Kërcimtarja e Dukagjinit), pastja shfaqjet krejt personale tek Pasqyrat e Narçizit, që janë tekste krejtësiht personale, autobiografike, ku autori kërkon shenjat e identifikimit të tij autorial, identitetin e tij, përmes shenjash e simbolesh të cilat i gjen në ambientin shqiptar, proza këto artistikisht më të realizuara të Koliqit. Tekstet e këtyre shtatë prozave, që Koliqi dëshiron t’i quajë “poemtha në prozë”, na ravijëzojnë një konfiguracion të pasur idesh, ndjesish dhe referecash, që pikëshikmin dhe paramodelin e kanë në diskursin oral, dijet empirike, por që tash të transformuar i jepen konotime dhe shtresime më të theksuara si në kërkimet nacionale, ashtu edhe në ato autoriale, me simbolikë, të ndërlidhura me problemet imediate të kohës dhe të autorit empirik karshi këtyre gjendjeve.

Tipin e prozës së Koliqit e karakterizojnë shumë elemente të fuqihsme novatore, madje në letërsinë shqipe karaktreizohet edhe për një element krejtësisht të ri, të fuqishëm dhe të panjohur deri me atëherë, që studiesi Aurel Plasari e koncepton si “tip i tregimit psikospektiv”, ku siç vëren po i njëjti studiues vërehet tregimi, ku dallohet në mënyrë të ndjeshme, ndonjëherë edhe kërcitëse dimensioni i analizës psikolgjike të llojit frojdist. Si e tillë proza kolqiane duke shtresuar relaitet të ndryshme semantike, duke e fuqizuar procedeun stilistik te vecantë, mbetet proza tregimtare më e realizuar e fillimit të modernitetit në literatrën shqiptare, ndërsa autori i tyre stilisti i madh, “eruditi” i rrëfilmit artistik, siç e cilëson studiuesi Anton Nikë Berisha.

Duke sublimaur me shkathtësi të veçantë artistike, si pasurinë e folklorit, mitologjinë, dijen letrare, imagjinatën e bujshme e kreative, nga njohja e literaturës modrene, ashtu edhe talentin e botën kreativ, fuqinë e përceptimit dhe të transponimit të fenomenve të ndryshme në tekstin letrar, përmes një vetëdijë të nivelizuar artistike, ai ka hapur parashenja të sigurta, gjithnjë duke mbetur në pozicionin e të marrurit me intencën e autorit, qëllimin e lexuesit, dhe qëllimin e tekstit, siç do të shprehej Umberto Eco.

6.
Zhanër që e kultivon më së miri Koliqi është tregimi, novela pastaj edhe tregimi i shkurtër, që disa dëshirojnë t’iu thonë proza poetike. Ato shquhen për reflekse origjinale, të inspiruar nga tradita, e pasur dhe të ndërthuara me bashkohësinë për të marrë gjithmoë konotacione të mësimit kombëtar, apo kulturimit të gjithëmbarshëm (Sabri Hamiti) dhe gjithnjë me funksione të përmbushjës së kriterit artistik. Kundërvënia e këtyre dy botërave të kundërta mbetet risi, që vërehet kudo në tekstet e tij në prozë. Karakteristikë gjthëpërfshirëse mbetet oralja, që me njësitë e entitetit të veçantë, na shfaq karakterin intertekstual (Kujtim Rrahmani), mbase edhe do të thoshim karakterin ndërdiskursiv. Koliqi shfrytëzon me mjeshtëri edhe burimet e letërisisë gojore, ne të gjitha nivelet e organizimit të tekstit letrar. Shumë tregime të tij ndërtohen me përplotë njësi që detyrojnë lexime intertekstuale, me modelet e tipit të prozave popullore, aty del përralla si zhanër oral, që shfaqet shumë herë brenda diskursit letrar të teksteve letrare, idiomat, frazologjia etj.

“Të lexosh dicka si letërsi është ta trajtosh atë si një ngjarje që ka kuptim në lidhje me ligjërimet tjera” (Xhonatan Keller), që për autorin tonë, rikontekstualzon dimensione të veçanta të ligjërimit të tij artistik, sepse ai ndërkomunikon me tipe të ndryshme ligjërimi, dhe na shfaq bindshëm atë që Barti i thoshte se nuk ka ligjërim të virgjër. Tekstet koliqiane kwshtu bashkjetojne me mite, legjenda, forma të ndryshme të ligjerimit oral. Aty hasim idioma, frazeologji popullore, që shkojnë ka një tip i ndërkomunikimit më diskursin letrar të Fishtës, por që te ky zhvillohet në një trajtë tjetër shkrimi dhe me kërkesa tjera. Të gjitha këto njësi të vogla funksionalizohen në këtë prozë për të na dhënë një prozë të njëmendët artistike, si në nivel të ideve, ashtu edhe të shprehjës artisitke, të formës e kompoziconit, rrëfimit e letraritetit. Esenciale e prozës së tij është depërtimi në ndjesitë e njeriut të kohës, në psikologjinë dhe skutat e shpirtit shqiptar në ndjesitë e tij, që i asimilon dhe sublimon për t’i transponuar me talent të fuqishëm në tekstet letrare, ndikimi i të cilit do të jetë i fuqishëm në prozën e mëvonshme në gjithë letërsinë shqiptare.


[ Në krye ]

Një çuterr(1) në Helveti(2)

Kushtue kujtimit të Dom Lazër Shantojës

T I N G Ë L L I M I T

Tingëllim, bukurija kurr s’t’humbasë
qyshse Danti t’amshoi me t’madhen lyrë:
prej dashunije fshân gjithnji kur hasë
Beatriçen kah përshndet’ me aq t’âmbël mnyrë;

n’ty ende qán Petrarka e vaji n’gjasë
t’nji kroji rrjedh ku qartas si n’pasqyrë
prap bota vron me mrekulli t’pamasë
Lauren qimjare t’hijshme kejèt n’ftyrë.

Kisha me dashtë edh’un me i a përmendë
s’dashunes s’ime emnin larg ndër mote
porsi poett qi rrojn’ sa bota e dielli,

por vargjet qi kunor’ shkoj tue ia endë
veç nji prendver’ mâ s’ngjasin n’ftyr’ t’ksaj bote
aq koh’ sa lulet qi çel’ drandofilli.

A e njef ti, or vëlla, atë dobësim shpirtnor që me një fjalë të përditëshme quhet mërzi? Idhnia e trishtimi janë pjellorë. Ta shporojnë shpirtin, por edhe nxjerrin prej si visare ashtu si plori nga bucat (3) e tokës së thyeme. Mërzia të veshkë ndiesit ma të njoma, të thanë fuqit ma të thella. Asht e shterpë. Mërzia në mars m’a breu kreninë e më plandosi shpirtnisht në një amti që shtrihej mbi mue si një qiell pa hyj, si një qiell nate që nuk pret agim. Për me qenë poet, duhet të jeshë krenar. Duhet të keshë guximin me thanë: – Unë këndoj për ata njimijë vetë që heshtin e presin me u shprehun nëpër za tim. Mëkat asht krenia, por mëkat i nevojshëm për poetin. Mëkat pjellor si idhnia e trishtimi. E në mars, or vëlla, ky mëkat i stërfuqishëm u zhduk prej shpirtit tim, i dëbuem nga një mërzi dërmuese që më kapërthei unji edhe më bani të përbuzi kujtimet e përvojën ma të çmueshme të kalesës dhe të shikoj pa kurrnjë shpresë ardhmëninë. Jetoja në një të tashme pa shkas.

Prilli më shpëtoi. Ky muej plot hir më gjeti në Helvetì. Kisha bri meje një mik vëllaznor. Ai s’u kujtonte për perëndimin e çdo lakmie në mue, por fjala e tij padashtas mërzisë sime i caktoi megje dhe s’e la me u zgja aqë në shpirt sa me më tretë çdo hije gjallese. Në ato male blerojnë livadhet ma të bukura që përmban kjo botë. Endeshim me vëllanë shpirtnor maje në maje, por syni im, rrethue si prej një mjegulle tymtuese, nuk e shijonte gjith’ atë bukuri. Më dermonin netët pa gjumë, tue m’a topitë mpreftësinë e shqisevet. Më lodhte nata, jo dita me ecje të pandame. Rrija tue pritë driten me sy në tavan, lëshue në një rrymë mendimesh pa ngjyrë, të kota, të amullta, që as nuk më qitnin ke bregu i shpresës. Por një natë më mori gjumi me lehtësi porsa mbështeta kryet në kultër (4): një gjumë i randë, i thukët, pushues si ai gjumi që kapë çilimijt mbas lojnave zdritë prej synit të nanës vërejse. E, në mëngjes, më zgjoi Prilli i Helvetisë tue trokllitun në dritore të mia me tinguj gazmorë trokesh.

Kërceva nga shtrati e hapa kapakët. Drita që hyni m’u derdh mu në shpirt dha m’a mbushi me hare të lehtë. Në paqin e qartë të mëngjesit kulloste një kope lopësh të larme në shpat gjelbëror aty ku rrezet e para shkonin me pushue mbi barin ma të kandshëm që panë kurdoherë këto sytë e mi, prorë dashamirë, besnikë të ngjyrave dhe të flakimit të tyne në lojna të dritës. Në atë mëngjes helvetian Prilli më pajtoi me Poezinë. Kush e përshkruen bukurinë stërmahnitëse tande, o kopësht i lulëzuem mollash, që më vezullove para syve në të dalme nga praku i shtëpisë së mikut? Përtej mrekullit të bardhë të atij kopështi, valët e lumit në dritë, diku në hije pasqyronin kthielltinë e një qielli të lum. Pyjet maleve kishin nisë me u njethë dhe dalkadalë me ndërrue ngjyesinën e ufullt dimnore në një blerim flakues. Bletët banin darsëm e zhumhurë (5) tue vlue nëpër gardhiqe, plym (6) mbi bula shpërthyese. Nëpër ajër ajër lëvizte si një amë mjalte. Ishte mjalta e prillit, mjalta e Poezisë që ngjyente shpirtënt tanë. U futem në një shteg dredha-dredha e u ngjitëm nëpër një pyll brejsh (7). E befas, në atë të ngjitun, një gazmim i çuditshëm m’u dikue përmbrenda. Erdh tue m’u derdhun në gjak një freski e panjoftun.

Gjaku m’u shndërrue në një musht prendveror. Mrekullia bimore e metamorfozave pagane më pushtoi gjithunji (8). Paganizmi i pyllit ngadhënjemte në mue. Për një çast e ndjeva veten bimë, landë, brè… Ah, jo brè i atij pylli helvetian por e ndjeva veten lis malesh tona. Hija ime shkruhej aty në atë tokë të huej, por trupi im i vërtetë kishte rranjët e veta shumë larg, shumë larg andej, të thellueme në një shkamb të Malësisë. Erna të paprituna më rrethuen e më shkunden. Majet e mia të blerta u valviten në qiell shqiptar. Langjet e dheut shqiptar u ngjiten e rrëshqiten gjatë mishit tim. Isha pjesë e pandame e shkambit arbnor. Qe vetëm një çast por zgjati sa krejt jeta. E arritem me shokun ke një lug vallue prej brejve të pyllit që veç paksa linin me depërtue dritën e ditës.

Uji i kulluet, në atë lug, rrëzohej nga një shkrep me gufime të borta shkumbe. Ma poshtë ai ujë qetohej e, para se me rrjedhë si çuterr nëpër pyll kah fusha, mblidhej e pushonte në një gropë picigjate shtrue me guraleca të imët. Brejt lëshonin të tanë blerimin e tyne në atë gropë të qartë në gjysmaterr të lugut. Aty pashë fytyrën time. Në atë pasqyrë unë vërejta një Narçiz të lodhun, me një rrudhë dyshimi në ball. Kishte humbë, dashunori i krojeve, kreninë e dikurshme. Tashti iu lexonte, në fytyrë të tretun e të zymnueme, mëshira për atë qëndresë të një drite andrrimesh gjithnjë zbetas vetuese në bebet e syve në skaje të gojës. E i thashë vetvetes:

– Ku shkoi dalldia e rinisë së parë? Ç’u ba krenia e buzëve kangatare, shkëlqimi i syve plot fuqi andrrimi? Si mbaroi besimi me gjetë në vetvete një bukuri të pashoqe saqë mos me pasë nevojë për gëzim tjetër? Fytyrën ta ka bre dyshimi. Iku njomësia agimore. Përkulju ligjeve të Urtisë së zakonshme, o kryengritës i mujtun. Arratia prendverore dështoi. Mbushja menden vetes se je si të gjithë tjerët, me një vlerë ma të pakët se shumë tjerë. Shporrju ndërlikimeve shpirtnore e jeto jetën e gjithkuj. Kërko një lumni të përvujtun e mos andrro ma lavdinë e larit. Kapa një gur e ia turbullova sipërfaqen asaj pasqyre tepër të drejtë. Por fatlumsisht Prilli prap ngadhënjei atë ditë në mue. Sa kthei i qetë uji, tue u shikue rishtas në të, zbulova në fytyrë time bukurinë e një misteri të vjetër. E Prilli foli e tha:

– Sa pare ban fytyra juej e brishtë me do vija ndërrojse që deka shpejt do të shlyejë? Kreni e falisun, o Narçiz, ajo që me kërkue në qarkun e ngushtë të vetvetes një bukuri ngushulluese, burim kangësh e frymëzim veprimesh të shqueme. Po, një bukuri ju të gjithë e keni në vete. Por s’asht jueja. Asht e gjakut trimij-vjeçarë që ushqen gjallninë e zemrës suej. Lëshoju në ndiesi të freskët që pak para t’a përshkoi trupin. Kërkoi fijet e rranjëve tueja në atdhe, atje ku tingullon e kuptueme kanga jote. Mbas rrudhave që lanë në fytyrë vjetët e shkimuna, mbas vijave të lodhuna që skalitë dyshimi e fatkeqësia, duhet të gjejsh rininë e amëshueme të gjakut stërgjyshor, prendverën e pasosme që lulëzon në thellësitë e rracës arbënore.

Kështu më foli mue Prilli.

E rishtas unë ndjeva një freski të panjoftun tue m’u derdhun në gjak. Paganizmi bimor i pyllit më pushtoi edhe një herë. U bana prè e bindun e shortisë prendverore; u shndërrova në bimë e në gur; jetova njëmijë jetë të ndryshme njerëzore. Njofta njëqind gëzime, njëmijë mjerime. Zemra m’u zmadhue për bind e u njëpërnjësue me një zemër të madhe, vigane, që rreh bujarisht tash trimijë e ma vjet. Kur syni im kthei me u kundrue në pasqyrë të ujit të huej, unë s’e njofta ma veten time: një mijë fytyra përmblidheshin në fytyrë time. Ishin ato të të parvet në të cilat gjatë mija vjetësh shkëlqei gjaku shqiptar.

[ Në krye ]

1) çuterr – curril, rrëke
2) Helvetì – Zvicër
3) bucë – plis
4) kultër – mbështetësja e krevatit tek koka
5) zhumhurë – zhurmë e mbytur
6) plym – plot
7) bre-brej – bredha (bredh – dru halor)
8) gjithunj – gjithandej

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.